Arritëm në mesin e muajit të begatë të Ramazanit. Kjo ditë është e zbukuruar me një festë të këndshme dhe gëzim të madh. Në ditën e 15 të muajit të bekuar të Ramazanit, në vitin e 3-të të hixhrit, lindi djali i parë i imam Aliut dhe i zonjës Fatime Zahra. Nga kjo lindje u gëzua edhe zemra e profetit Muhammedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai e quajti nipin e tij të parë me emrin Hasan që do të thotë i mirë dhe i pëlqyer.
Një ditë prej ditëve, kur Profeti i Islamit ishte në mesin e shokëve të tij, tha: “Dijeni se Hasani është dhuratë që më ka ardhur nga Allahu. Ai do t’ju njoftojë rreth meje dhe do t’ju mësojë dije dhe shkencë. Ai do ta ringjallë biografinë dhe traditën time. Sjelljet e tij janë sikur sjelljet e mia. Allahu atë e ka madhëruar. Allahu e mëshiroftë atë njeri që e njeh atë (imam Hasanin) dhe sillet mirë ndaj tij për hir të respektit që ka për mua”.
Cilido që e studion me vëmendje jetën e Imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) do të vërejë se ajo ndahet në disa periudha të ndryshme.
Periudha e fëmijërisë
Një pjesë të fëmijërisë së tij ai e kaloi më gjyshin e vet, profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) derisa ishte në këtë jetë.
Një ngjarje e rëndësishme që ka ndodhur në këtë periudhë është ballafaqimi i profetit të Islamit me të krishterët e Naxhranit. Në historinë islame, kjo njihet si ndodhia e “Mubaheles”, e cila është përmendur në ajetin 61 të sures Ali Imran. Në këtë ngjarje profeti Muhammed solli njerëzit më të afërt dhe më të dashur të tij që ishin imam Aliu, Fatime Zahraja, imam Hasani dhe imam Husejni.
Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) vetëm shtatë vjet jetoi pranën gjyshit të vet, profetit Muhamed. Kjo periudhë e shkurtër, mjaftoi që imam Hasani të përfitojë nga burimet e dijeve dhe moralit të lartë të gjyshit të tij dhe të ndriçohet me dritën e pashuar të Profetit.
Zonja Fatime Zahara (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Biri im Hasani, edhe pse ishte i vogël, vazhdimisht merrte pjesë në namazet dhe fjalimet e babait tim dhe i mësonte përmendësh ligjëratat e Profetit. Pastaj vinte në shtëpi dhe pa ndryshimin më të vogël m’i përsëriste fjalimet e të dërguarit të Allahut”.
Periudha e rinisë: Pas një periudhe të shkurtër nga ndërrimi jetë i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) imam Hasani (paqja qoftë mbi të!), e humbi edhe nënën e tij Fatimenë.
Për imamin filloi një periudhë e re e jetës pranë babait të tij, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Imam Hasani një pjesë të madhe të jetës së tij të ndritur e kaloi me babain e vet, imam Aliun. Me një qëndrueshmëri dhe rezistencë të paparë, qëndroi përballë rrymave devijuese dhe nuk lejoi shuarjen e dritës së Islamit. Ai ishte ndihmësi më i madh i imam Aliut në ditët më të vështira të khalifatit (prijësisë) dhe në krizat tepër të rënda të shoqërisë. Madje ishte i pranishëm në të gjitha luftërat e rëndësishme.
Periudha e imamatit
Pas martirizimit të babait të tij, imam Hasani mori mbi supe udhëheqjen e besimtarëve në një periudhë shumë të vështirë dhe kaotike. Në këtë epokë të historisë islame u planifikuan komplote të ndryshme të kundërshtarëve dhe armiqve të Islamit. Prandaj, kjo ishte periudha më e vështirë në jetën e imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!).
Imamati dhjetë vjeçar i imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) përkoi me kohën e dinastisë emevite e cila udhëhiqej nga Muaviu i biri i Ebu Sufjanit dhe shoqëria islame e asaj kohe po përballej me presione të gjithanshme. Kjo atmosferë kishte vështirësuar dukshëm kushtet për përhapjen e mësimeve të vërteta islame. Në këto kushte Imam Hasani, me vigjilencë dhe mençuri, arriti ta shpëtojë Islamin nga devijimet dhe aristokracia të cilën Muaviu po e përhapte me një dinakëri dhe strategji shumë të fuqishme.
Fillimisht imam Hasani për të larguar rrezikun e madh pranoi paqen me Muavien. Kjo paqe e arritur në sajë të largpamësisë së imam Hasanit në fund doli në interes të Islamit dhe shoqërisë islame në përgjithësi. Në lidhje me marrëveshjen e pajtimit të imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) me Muaviun janë thënë fjalë të ndryshme. Këtë marrëveshje mund ta konsiderojmë si një lloj armëpushimi të imam Hasanit përballë armikut me qëllim ruajtjen e unitetit në mesin e shoqërisë islame dhe mbrojtjen e vlerave të larta islame. Sigurisht, që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje mes imam Hasanit dhe Muaviut përmbante edhe kushte ku ndër to ishte edhe kërkesa për zbatimin e rregullave të Kur’anit dhe traditës së Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kjo dëshmon faktin se imam Hasani interesohej shumë për fatin dhe të ardhmen e Islamit dhe të myslimanëve.
Imami u përball me kritika të shumta në lidhje me marrëveshjen. Ato kritika të sipërfaqësorëve dhe të fanatikëve mendjeshkurtër të asaj kohe imam Hasani i përballoi me një durim të paparë. Me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes, e cila buronte nga njohja e mirfilltë e realitetit të kohës, ai gradualisht krijoi kushtet dhe përgatiti terrenin për kryengritjen e imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!).
Fjalmi i imam Hasanit që mbajti në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, është një dokument që nxjerr në pah largpamësinë dhe vigjilencën e tij. Ndër të tjera në këtë fjalim imam Hasani ka thënë: “Unitetin dhe solidaritetin midis myslimanëve e konsideroj më të mirë se sa përçarja midis tyre. Atë që unë e konsideroj të mirë për ju është më e mirë se ajo që ju e konsideroni të mirë për veten tuaj. Prandaj, mos e kundërshtoni vendimin tim…”
Sikur të mos ishte largpamësia dhe maturia e imam Hasanit, ummeti islam do të përballej me tufane shkatërruese. Pasi nënshkroi marrëveshjen për paqe, imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) u kthye në qytetin e lindjes, në Medinen e Ndritur në të cilën i kaloi dhjetë vitet e fundit të jetës së tij në udhëzimin dhe ndriçimin e njerëzve me mësimet e ndritura islame. Gjatë këtyre viteve, imami i përforcoi themelet e besimit dhe të mendimit islam. Në periudha të ndryshme ai kritikonte ashpër strategjinë edhe politikat dëmtuese e shkatërruese të Muavijes.
Virtytet e imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!)
Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) ishte manifestues i bukurive shpirtërore dhe epiteteve të larta njerëzore. Njëra ndër karakteristikat dhe cilësitë e rëndësishme të imam Hasanit, e cila ishte mjaft edukative për të tjerët, ishte të falurit dhe ndihma e të varfrve. Çdo gjë që posedonte e kishte vënë në shërbim të Islamit dhe të myslimanëve. Nipi i profetit, faljen dhe mirësinë e kishte vendosur si prioritet të jetës së tij. Për shkak të ndihmës së shumta për të varfërit dhe mjeranët, ai mori pseudonimin “falës dhe zemërbutë”.
Transmetohet se një ditë një nevojtar shkoi tek imam Hasani. Imami i tha: “Shkruaje atë që kërkon.” Imami, pasi e lexoi letrën, i dhuroi të varfërit dyfish më tepër nga ajo që kishte kërkuar. Njëri nga të pranishmit i tha: “O nipi i Profetit! Sa e bereqetshme ishte kjo letër për këtë njeri.” Imam Hasani ia ktheu: “Bereqeti i tij për ne ishte më i madh, sepse neve na bëri prej atyre që ndihmojnë.”
Me sjelljet dhe virtytet e tij të larta, imam Hasani kishte pushtuar zemrat e besimtarëve. Modestia ia zbukuronte atij edhe më shumë sjelljet dhe moralin. Një ditë prej ditëve imam Hasani kaloi pranë disa nevojtarëve. Ata ishin ulur në tokë dhe po hanin bukë të thatë. Kur e panë imam Hasanin i thanë: “O nipi i të dërguarit të Allahut, eja dhe na shoqëro në ngrënie.” Imam Hasani menjëherë zbriti nga kali dhe tha: “Zoti nuk i do mendjemëdhenjtë.” dhe u ul të hajë bukë me ta. Më pas imami i pastër i ftoi ata në shtëpinë e tij dhe u dha atyre ushqime të shijshme dhe rroba për të veshur.
Një njeri e pyeti imam Hasanin (paqja qoftë mbi të!): “Çfarë mendimi ke rreth kujdesit dhe përmbajtjes në jetë?” Imami iu përgjigj: “Duhet t’i përmbahesh të drejtave të Zotit, të drejtave të të gjallëve dhe të drejtave të të vdekurve. E drejta e Zotit është që të praktikosh atë që të ka urdhëruar Zoti dhe të braktisësh atë që të ka ndaluar. Të drejtat e të të gjallëve janë që të zbatosh përgjegjësitë tuaja ndaj vëllezërve të fesë dhe të mos kursehesh në shërbimin ndaj bashkëfetarëve të tu. Kurse e drejta e të të vdekurve është që t’i kujtosh ata dhe t’ia harrosh të këqijat, sepse ekziston një Zot që i bën llogaritë e tyre.”
Imam Hasani kishte një zë shumë të bukur dhe të ëmbël kur lexonte Kur’an. Që në fëmijëri ai kishte një oratori të jashtëzakonshme. Amir ibn Is’hak në lidhje me elokuencën dhe oratorinë e imam Hasanit ka thënë: “Hasan ibn Ali fliste aq bukur dhe rrjedhshëm sa që dëshiroja që asnjëherë të mos e ndërpriste fjalimin. Për askënd nuk kam patur ndonjë emocion të tillë dhe asnjëherë nuk kisha dëgjuar ndonjë fjalë të ashpër nga ai.”
Imam Hasani ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu e ka bërë muajin e bekuar të Ramazanit garim, ku njerëzit me anë të adhurimit mund të arrijnë në lumturi dhe mirësi”.
Dhe: “Mëso nga të tjerët dhe jepu të tjerëve nga dija që ke, sepse në këtë mënyrë edhe e ke përforcuar dijen tënde por edhe ke mësuar ato gjëra që nuk i ke ditur.”
Dhe: “Sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty, nëse dëshiron të arrish në drejtësi.”
Është përcjellë nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), se ka thënë: “Cilido që dëshiron të shikojë një zotëri nga të rinjtë e banorëve të Xhenetit, le të shikojë Hasanin.”
Në një hadith tjetër Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Hasani është një lule me aromë të mirë që unë kam marrë nga kjo botë.”
Profeti Muhamed aq shumë i lavdëronte Hasanin dhe Husejnin saqë disa nga të pranishmit filluan të mendojnë se këta të dy janë më të mirë dhe me grada më të larta se babai i tyre imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Kjo çështje u bë shkak që Profeti Muhamed të thoshte: “Hasani dhe Husejni në këtë botë dhe në Botën Tjetër janë më të mirët kurse babai i tyre është më i lartë dhe më i mirë se ata të dy.”
Njëri prej shokëve të Profetit Muhamed ka thënë: E kam parë Profetin duke mbajtur Hasanin mbi shpinë dhe thoshte: “O Zoti im! Unë e dua Hasanin…”
Ndërsa Ebu Dherr El Giffarij, njëri nga shokët besnikë të Profetit Muhamed ka transmetuar: “E kam parë Profetin duke e puthur Hasan ibn Aliun dhe thoshte: “Ai që do ta dojë me sinqeritet Hasanin dhe Husejnin, zjarri i xhehennemit nuk do t’ia djegë fytyrën…”.
Me këto fjalë Profeti Muhamed donte që t’ua bënte të qartë shokëve të vet mendimin dhe pikëpamjen e tij në lidhje me Imam Hasanin. Kjo për faktin se të gjithë e dinin se Profeti nuk flet asnjë fjalë pa arsye, gjë të cilën e konfirmon edhe Kur’ani famëlartë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij.” Sure “Nexhm”, ajeti 3.
Në mësimet islame, të pasurit kanë përgjegjësi shumë të madhe ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Të pasurit duhet të përpiqen për të përmbushur nevojat e të varfërve. Të dërguarit Allahut dhe të dashurit (eulijatë) e Tij, kanë qenë shembull i mirësisë dhe mirësjelljes ndaj njerëzve. Edhe imam Hasani (paqja qoftë mbi të!), i cili në aspektin e dijes, mirësjelljes dhe devotshmërisë gëzonte një pozitë shumë të lartë, ishte i njohur për faljen dhe ndihmën që u ofronte nevojtarëve dhe të varfërve. Ai njihej si “Bujari i Ehli Bejtit”. Imam Hasani ishte qetësim për zemrat e lënduara, strehë për të pastrehët dhe shpresë për ata që kishin humbur shpresat.
Asnjëherë nuk ka ndodhur që një i varfër të shkonte tek ai dhe të kthehej duarbosh.
Imam Hasani gjatë gjithë jetës së tij të begatshme përpiqej për udhëzimin e njerëzve. Ai përballej me ta me mënyrën më të mirë e më të bukur dhe me këtë sjellje ai i bënte për vete njerëzit.
Imam Hasani në Kur’an
1- Ajeti i dashurisë: “Thuaj: ‘Nuk ju kërkoj për këtë kurrfarë shpërblimi, përveç se dashurisë ndajtë afërmve.” Surja “Esh Shura”, ajeti 23.
Ky është ajeti i Dashurisë (el Meueddetu), të cilin e vërtetojnë shumica e librave të komentimeve e shumë nga burimet e haditheve dhe historisë, se ka zbritur për të afërmit e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Aliun, Zahranë, Hasanin, Hysejnin dhe pasardhësit e tyre të pastër.
Sujutiu (por edhe të tjerë përveç tij), e ka transmetuar në librin e tij të komentimit këtë ajet me zinxhir deri tek Ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Në momentin që ka zbritur ky ajet: “Thuaj: ‘Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen Time, vetëm se dashurinë për të afërmit”, thanë: “O i Dërguari i Allahut, nga të afërmit e tu, cilët janë ata që jemi të obliguar t’i duam?” Ai tha: “Aliu, Fatimeja dhe dy djemtë e tyre.” (Burimet: Ed-Durru’l-Menthur i Sujutiut, 6: 7.Hadithi është transmetuar, gjithashtu, në librin Fadailu’s-Sahabe i Ahmed ibn Hanbelit, 2: 669/1141. El-Mustedrek ‘ala’s-Sahijhejn, 3: 172. Sheuahidu’t-Tenzijl i El-Haskanij, 2: 130 në mënyra të shumta. Es-Saua‘iku’l-Muhrika i Ibn Haxherit: 170. Tefsiru’r-Razij, 27: 166. Mexhmau’z-Zeua‘id i Hejthemiut, 9: 168. El-Kesh’shaf i Zemakhsheriut, 4: 219. Dhekhairu’l-‘Ukba i El-Muhib Et-Tabarij: 25. Is‘afu’r-Ragibijn i Sabbanit: 113 si dhe libra të tjerë kërkimorë e komentues. Shih librinEt-Teshejju’ tëSejjid El-Gurejfij, 215-216.)
2- Ajeti i Mubaheletit: “E kush të kundërshton ty në çështjen e tij, Isait, pasi të është bërë e ditur e vërteta, t’i thuaj: ‘Ejani, t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej, sinqerisht të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” (Surja “Ali Imran”, ajeti 61.)
Ky kumt hyjnor erdhi si rezultat i debatit ndërmjet të Dërguarit më fisnik dhe një delegacioni të krishterësh nga Nexhrani, të cilët pretendonin të vërtetën nëanën e tyre dhe të fesë së tyre.
I Dërguari i Allahut i ftoi ata në lutje për mallkim (mubahele), siç thotë edhe ky ajet i bekuar. Rezultati i saj ishte se ai e hodhi poshtë pretendimin e tyre duke ua mbyllur gojën me argumentedhe duke i mundur me fakte.
Librat e komentimit, të haditheve dhe të jetëshkrimit të Profetit janë në unanimitet se ata të cilët i ka zgjedhur i Dërguari i Allahut, bazuar tek urdhri i Zotit, si vërtetues për ajetin e ndritur, janë: Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni dhe askush përveç tyre. (Sahijhu Muslim, 4: 1871. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 225/2999. Mesabijhu’s-Sunneh, 4: 183/4795. El-Kamilu fi’t-Tarijkh, 2: 293. Esbabu’n-Nuzul i Uahidijut: 60. Tefsijru’r-Razij, 8: 81. Tefsijru’z-Zemakhsherij, 1: 368. Tefsijru’l-Kurtubij, 4: 104. Tefsijru’l-Alusij, 3: 188-189. Tefsijru’n-Nesefij, 1: 221. Fet’hu’l-Kadijr i Sheukanit, 1: 347. Me‘alimu’t-Tenzijl i Begavijut, 1:480. Xhamiu’l-Usul, 9: 470/6479, e shumë të tjerë. [Shih edhe Ajka e Kuptimeve të Kurani Qerimit i Hafiz Ibrahim Dalliut, komentimi i ajetit në fjalë, f. 333-334, ribotim i Fondacionit të Kur’anit, Tiranë. Po ashtu, shih edhe Kur’ani, Përkthim me komentim në gjuhën shqipe i Sherif Ahmetit, f. 89.)
Imam Hasani dhe burri nga Shami
Këtu po përmend një ndodhi që ka ndodhur në kohën e Imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) me një person nga Shami (Damasku i sotem), të cilin e kishin devijuar mjetet informuese të asaj kohe, ashtru siç ndodh në çdo kohë.
Në kohën që ky person hyri në Medinen e Ndritur për të vizituar varrin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), vuri re një burrë që kishte hipur mbi kalë të cilin e kishte mbuluar drita e inteligjences dhe përreth tij qëndronin shokët e vet që e pasonin. Personi nga Shami u habit dhe tha: Vallë, në këtë dynja gjendet person që të respektohet me shume se Muaviu në Sham?! Ai pyeti se cili është ai burrë. Atij i thanë se është Hasani i biri i Aliut i biri i Ebu Talibit. Ai tha: ”Ky ështe i biri i Ebi Turabit (imam Aliut), i cili ka dalë nga feja? Pastaj filloi ta shajë e ta ofendojë imam Hasanin së bashku me familjen e tij.
Shokët e imamit, kur dëgjuan fjalët e tij nxorrën shpatat për ta vrarë atë, por imam Hasani i ndaloi ata. Ai zbriti nga kali dhe e përshendeti udhëtarin nga Shami duke i uruar mirëseardhjen dhe me fjalë të ëmbla i tha: “Më dukesh i huaj në këtë vend o vëlla arab? Ai iu përgjigj: Po, unë jam nga Shami dhe jam prej shiave (ndjekesve) të prijësit të besimtarëve dhe zotërisë së myslimanëve Muavie ibn Ebi Sufjan.
Imam Hasani e përshendeti përsëri dhe i uroi për së dyti herë mireseardhjen duke i thënë: “Ti do të jesh prej miqve të mi.
Në fillim personi e kundërshtoi këtë gjë, por imam Hasani vazhdo:i t’i fliste atij derisa ai pranoi të shkojë në shtepinë e imamit. Gjatë kohës që qëndroi në Medine, imam Hasani i sherbente vetë atij. Në ditën e katërt, te personi i ardhur nga Shami u shfaqën shenjat e pendimit për të gjitha ato që i tha imam Hasanit në ditën e parë dhe i kërkoi ndjesë atij. Në prani të shokeve të imam Hasanit u zhvillua një dialog mes personit të ardhur nga Shami dhe imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!). Imam Hasani i tha: “A e ke lexuar Kur’anin o vëlla arab?”
Ai iu pergjigj: “Unë e kam mësuar përmendësh të gjithë Kur’anin.”
Imam Hasani i tha: “A e di se kush është Ehli Bejti, të cilët Allahu i ka pastruar nga cdo papastërti?”
Personi nga Shami tha: “Ata janë Muaviu dhe familja e Ebu Sufjanit.”
Të pranishmit u habiten nga përgjigja, ndërsa imam Hasani me buzeqeshje i tha: “Unë jam Hasani i biri i Aliut, babai im është djali i xhaxhait i të dërguarit të Allahut. Nëna ime është Fatimeja, zonja e të gjitha grave të botës, gjyshi im është profeti Muhamed, më i nderuari i të gjithë të dërguarve, xhaxhai im është Hamzai, zotëria i dëshmorëve, Xha’fer Tajjari (fluturuesi) është xhaxhai im. Ne jemi Ehli Bejti, të cilët Allahu i Madhëruar i ka pastruar dhe e ka bërë obligim dashurinë tonë për të gjithë myslimanët.
Ne jemi ata, për të cilët Allahu dhe engjujt (meleqtë) bëjnë salavat për ne. Unë dhe vëllai im Husejni, jemi zotërinjtë e të rinjve të banorëve të Xhenetit.
Imam Hasani i numuroi atij disa virtyte të Ehli Bejtit dhe e njohu atë me të vërtetën. Pasi dëgjoi fjalët e imam Hasanit, personit nga Shami i rrodhën lotët dhe filloi t’i puthë dorën imamit duke i thënë: “Pasha Allahun që nuk ka tjetër përveç Atij, kur hyra në Medine, ju keni qenë armiqtë e mi më të urryer, ndërsa tani që po largohem nga Medina, ju jeni njerëzit më të dashur të zemrës time. Unë i afrohem Allahut me dashurinë tuaj, me ndjekjen e rrugës tuaj dhe i urrej të gjthë ata që iu urrejnë juve.
Imam Hasani iu drejtua shokëve të tij dhe i tha: “Ju donit ta vrisnit atë dhe ai ishte i pafajshëm, sepse sikur ta njihte të vërtetën do ta ndiqte atë. Të tillë janë shumica e myslimanëve në Sham.
Ky është morali i Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!)
Prej porosive të imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) drejtuar shokëve të tij
“Puno në këtë jetë sikur do të jetosh përgjithmonë dhe puno për Ahiretin tënd sikur do të vdesësh nesër!”
“Nëse dëshiron krenarinë, paso farefisin dhe nëse dëshiron madhështi pa pushtet, atëherë largohu nga poshtërsia e gjynaheve ndaj Allahut të Madhëruar dhe hyr në bindjen ndaj Tij!”
“Nëse njerëzit nevojtarë të ftojnë për shoqërim, atëherë shoqërohu me atë që të vlerëson!”
Prej porosive për fëmijët e tij
“O biri im! Mos qorto njeri derisa të njohësh sjelljen e tij! Nëse njihesh me sjelljen e tij dhe je i kënaqur me shoqërinë e tij, pranoje prej tij faljen dhe shoqëroje atë në vështirësitë e tij!”
Prej porosive të tij të përgjithshme
“O robtë e Allahut! Merrni mësime prej ndodhive nga të cilat përftohen këshilla! Nxirrni mësime prej gjurmëve të njerëzve të shkuar! Përfitoni nga porsitë! Allahu është mbrojtësi dhe përkrahësi. Libri (Kur’ani) është i mjaftueshëm për argument dhe dallues mes së vërtetës dhe së pavërtetës…”
Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e të dashurve të Tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!
