Me emrin e Allahut, Të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Një ditë, së bashku me një shokun tim, hipëm në një taksi. Para makinës, shoferi kishte vendosur një Kur’an, siç veprojnë shumica e shoferëve me qëllim mbrojtjeje. Shoku im e vuri re dhe përfitoi nga kjo pamje që të dialogojë me shoferin rreth Kur’anit. 

Shoku i tha: “Më duket se e do shumë Kur’anin dhe e respekton atë, përndryshe, nuk do ta vendosje në makinën tënde.” 

Shoferi i tha: “Po. E respektoj dhe e shenjtëroj atë. E vendos në makinë për mbarësi dhe për mbrojtje prej rreziqeve.” 

Shoku im e pyeti: “A e lexon atë?”

Shoferi iu përgjigj: “Jo.” Shoku im i tha: “Po sikur të kishe një shishe me mjaltë origjinal, i cili është i shijshëm dhe shërues, të vendosur në bufe, a do ta lije pa e provuar shijen e tij?! 

Shoferi i tha: “Sigurisht që do e provoja. Prandaj e bleva.”

Shoku im i tha: “Edhe ky, Kur’ani, është mjaltë i pastër. Por ti e lë mbi raftin e makinës, njësoj si ai që e blen mjaltin e pastër dhe e lë në bufe. Përse nuk e provon njëherë atë?!”

Shoferi e kuptoi, buzëqeshi dhe tha: “Do ta provoj, inshallah.”

Unë fillova të mendoja rreth fjalëve të shokut tim dhe po vështroja gjelbërimin që ndodhej në anët e rrugës. Mendoja për ata njerëz që e lënë shishen e mjaltit kur’anor në bufetë e shtëpive, në makinat e tyre dhe në zyrat e tyre, pa e provuar shijen e tij. Në qoftë se ata do ta provonin, kurrë nuk do të largoheshin prej tij. Ai mjaltë është ndryshe nga mjaltrat e tjerë, shija e të cilëve ikën sapo të largohet nga gjuha. Ëmbëlsia dhe shija e mjaltit kur’anor është e pandarë prej gjuhës, mendjes, zemrës dhe shpirtit. 

Kjo është një ftesë për ty, o vëlla dhe motër myslimane. Së bashku, le të hapim enët e këtij mjalti e ta provojmë atë, ose të mësojmë se si ta provojmë atë! 

Së pari do të përpiqem t’u përgjigjem disa pyetjeve të domosdoshme për pasuesit e Kur’anit. 

  1. Si e ka cilësuar Kur’ani veten e tij? Çfarë fitojmë prej atij cilësimi?
  2. Profeti Muhamed dhe familja e tij e pastër janë kujdesur dhe janë interesuar shumë për Kur’anin. Çfarë kanë thënë ata për Kur’anin? Si bashkëpunonin ata me të?
  3. Kur’ani i shenjtë na ka mësuar rrugët e bashkëpunimit me të. Cilat janë rrugët e bashkëpunimit me Kur’anin?
  4. Të shumtë janë ata që e neglizhojnë Kur’anin dhe e nënvlerësojnë atë? Si i kritikon Kur’ani ata njerëz? A jemi ne prej tyre?
  5. Kur’ani është libri i jetës. Si ta bëjmë Kur’anin shoqërues të jetës tonë? Cilat janë rrugët më të mira për të zbatuar Kur’anin, sidomos tek të rinjtë?
  6. Çdo gjë ka të drejtën e saj. Edhe libri ynë, Kur’ani, ka të drejta. Si t’a shlyejmë të drejtën e Kur’anit?
  7. Kur’ani është shkollë. Si duhet të hyjmë në këtë shkollë që të ndërtojmë personalitetin tonë bazuar në të?
  1. SI E KA CILËSUAR KUR’ANI VETEN E TIJ? ÇFARË FITOJMË PREJ ATIJ CILËSIMI?

Kur’ani na e ka paraqitur veten e tij me emra të ndryshëm. Ne e kemi njohur pozitën dhe rolin e tij në jetën tonë.  Emrat e tij nuk janë thjesht emra të diçkaje. Ato janë emra që kanë kuptime dhe dimensione të ndryshme. Çdo emër prej emrave të Kur’anit tregon për një të vërtetë të caktuar.

Kur’ani është dritë (nurun) që shkatërron dhe zhduk errësirat që mbulojnë zemrën. Ai ndriçon ndjenjat dhe hap horizontet e të menduarit. Kur’ani rrethon shpirtin duke e rifreskuar dhe ringjallur atë. Ai na zbulon rrugët e lëvizjeve tona. “…Juve ju erdhi prej Allahut dritë dhe Libër i qartë (Kur’ani).” (Sure “Maide”, ajeti 15)

Kur’ani është syri i brendshëm (basireh), me anë të të cilit shohim të vërtetën dhe të mirën e i ndjekim ato; shikojmë të shtrembëruarën dhe të keqen dhe largohemi prej tyre. Ashtu siç ka nevojë syri i jashtëm për dritë që të shohë, edhe Kur’ani është basiret: “Ky Kur’an është tregues i qartë, udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që kanë besim të patundur. (Sure “Xhathijeh”, ajeti 20)

Kur’ani është udhëzim (udhëzues-hadij) në rrugën e drejtë e të vërtetë. Askush nuk mund të udhëzohet në errësirë. Vallë, a keni provuar të shihni ndonjë gjë pas ndërprerjes së energjisë dhe fikjes së dritës? “Ky është Libri, në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit.” (Sure “Bekare”, ajeti 2) Sigurisht, drita e Kur’anit na udhëzon në rrugën e drejtë dhe ne i shohim gjërat e qarta nëpërmjet dritës së tij.

Kur’ani është i qartë (bejjinat). E qarta është diçka e dukshme. E qarta nuk mund të jetë në errësirë. Që diçka të jetë e qartë, duhet të jetë në dritë ose nën dritë. Për këtë, të gjitha ajetet e Kur’anit janë të qarta, sepse ata janë të ndriçuara me dritën e tij, e cila na ndriçon rrugët e jetës. 

Kur’ani është shërues (shifaa). Për shërim ka nevojë i sëmuri. Kur’ani shëron smirën, xhelozinë, urrejtjen, armiqësinë, përbuzjen, racizmin, fanatizmin etj., meqenëse në këtë jetë ka mashtrim, vjedhje, prostitucion, kamatë, armiqësi dhe të këqija. Në Kur’an ndodhet shendeti ynë individual dhe shoqëror. “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kur’ani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Sure “Junus”, ajeti 57)

Kur’ani është mëshirë (rahmetun). Ai është porta e madhe dhe e gjerë në të cilën hyjmë, kur na mbyllen dyert e tjera. Ai është freski, në të cilin strehohemi prej nxehtësisë; është dashuri, kur na ngushtohen gjokset. Mëshira është mirësi e dukshme dhe e padukshme, begati e brendshme dhe e jashtme. “…ju ka ardhur nga Zoti juaj provë e qartë, udhërrëfim dhe mëshirë!…” (Sure “En’am”, ajeti 157)

Kur’ani është forcues (muthbitun). Sfidat, vështirësitë, problemet, fatkeqësitë, padrejtësitë, tërmetet shoqërore, ekonomike, politike dhe psikike, sprovat dhe privimet e hidhura që shohim në këtë jetë, kanë nevojë për forcues, me qëllim që qenia jonë të mos ndryshket e të mos rrënohet. E ky forcues është Fjala e Allahut, Kur’ani i shenjtë. “Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.” (Sure “Furkan”, ajeti 32)

Kur’ani është përmendje (dhikr). E kundërta e përmendjes (dhikrit) është pavëmendshmëria (gafleti). Pavëmendshmëria, harresa, zbavitja, janë devijim nga burimet e dritës, mëshirës dhe udhëzimit. Kurse dhikri, është njësoj si kthimi i makinës që del nga rruga për në rrugë. Nëse shoferi është i pavëmendshëm ndaj saj, e çon në rrezik që mund t’i kushtojë edhe jetën. Dhikri është zgjim i mendjes, i zemrës dhe sinjalizues për shpirtin. Kur’ani na kujton gjithmonë se është Zoti që ruan, mëshiron, sheh, mbarëson, forcon, ndihmon, dënon. Ai na udhëzon në rrugë e paqes, të mirësisë dhe lumturisë. “Në të vërtetë, ky Kur’an është dhikër për tërë botën!” (Sure “Sad”, ajeti 87)

 Kur’ani është kujtesë. Shumë here, ne harrojmë ose na bën djalli që të harrojmë Zotin tonë, fenë tonë, përgjegjësitë tona, qëllimin e krijimit tonë, mësimin e kushtetutës sonë. Ajetet e Kur’anit janë kujtuese për ato që ne harojmë. “Si udhërrëfyes dhe përmendës për ata që mendojnë.” (Sure “Gafir”, ajeti 54) Kur ndahesh nga një shok i dashur dhe ti as që i telefonon, as që i dërgon ndonjë mesazh apo letër dhe as që i rikujton kujtimet e tua me të, dalëngadalë, ai do të dalë nga kujtesa dhe jeta jote. I tillë është edhe Kur’ani. Ai është përmendës për përmendësit. Përndryshe, siç do të shkëputet ai nga jeta e tyre, edhe ata do të shkëputen prej tij.  

Kur’ani është këshillë (meuidhetun). Absolutisht, ai është këshilla më e përkryer. Asnjë hulumtues nuk gjen këshillë më retorike dhe elokuente se sa Kur’ani. Ai na flet për kombet e shkuara, për vdekjen, shijen e së cilës, do ta provojmë të gjithë; na flet për këtë jetë, e cila është veçse kënaqësi e përkohshme dhe vendzbavitje. “Këto janë lajme të qarta për njerëzit. Janë udhëzim dhe këshillë për të devotshmit.” (Sure “Ali imran”, ajeti 138)

Kur’ani është sqarues i çdo gjëje (Tibjanen li kul-li shej’in). Ai përfshin gjithçka. Ai është burimi në të cilin drejtohen të eturit e dijes, njohjes dhe moralit. Në të ka çështje themelore e madhore. Po të mos ishte i tillë, do të kishim nevojë për libër tjetër. “…Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje…” (Sure “Nahl”, ajeti 89) 

Kur’ani është sjellës i shembëllimeve (tesriful emthal). Shembëllimi është përngjasimi i një gjendjeje me një gjendje tjetër. Kur’ani i sjell këto shembëllime për të nxjerrë mësime. Të shkuarit jetuan nën dritën e asaj që deshi Allahu dhe u larguan prej asaj që i ka urdhëruar të largohen. Padyshim që në këtë, ka mësime për ne. Ky është shkaku që Kur’ani na flet për historinë e të shkuarve dhe na fton të mendojmë thellë në punët dhe në fundin e tyre.  “Sigurisht, në këtë Kur’an, Ne u kemi shpjeguar njerëzve çdo lloj shembulli…”  (Sure “Kehf”, ajeti 54)

Kur’ani është dallues (furkan). Ai dallon të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e pavërteta, të drejtën nga e padrejta, lumturinë nga fatkeqësia, dijen nga padituria, fuqinë nga dobësia, shpëtimin nga shkatërrimi. “I Lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët.” (Sure “Furkan”, ajeti 1) Nëse Kur’ani nuk do të dallonte dritën nga errësira, çdo gjë do të ishte e paqartë. Dritën do ta shihnim errësirë dhe errësirën do ta shihnim dritë (siç bëjnë shumica e njerëzve sot). 

Kur’ani është përgëzues (bushra). Është përgëzues për myslimanët dhe për besimtarët, për atë që Allahu ua ka premtuar atyre prej shpërblimit të madh dhe begatisë së përhershme. “…dhe përgëzues për myslimanët…” (Sure “Nahl”, ajeti 89)

Këto ishin disa cilësi të Kur’ani, të cilat i njohim nëpërmjet tij. 

ÇFARË PËRFITOJMË NGA KËTO VEÇANTI DHE CILËSI?

  1. Çdo cilësi prej cilësive të Kur’anit, është faktor i tërheqjes dhe i inkurajimit për të hyrë në botën e pafundme të tij. 
  2. Llojshmëria dhe emrat e shumtë të Kur’anit tregojnë se ai është i lartë dhe i plotë nga të gjitha anët. Për këtë, duhet përfituar prej dobive të tij.
  3. Lidhja e myslimanëve, për gjatë historisë, me Kur’anin dëshmon se të gjitha cilësitë e tij janë të vërteta e të besueshme. Është detyrë e çdo brezi që ta studiojë Kur’anin dhe të jenë të lidhur sa më shumë me fjalën e Allahut.  

ÇFARË KA THËNË PROFETI DHE FAMILJA E TIJ PËR KUR’ANIN?

Nuk gjendet cilësim më i mirë për diçka, se sa të provuarit, të shijuarit, të jetuarit me Kur’anin, me mendje me zemër dhe me shpirt. Edhe Profeti me familjen e tij e pastër, kur flasin dhe e cilësojnë Kur’anin, e bëjnë pasi e kanë provuar, shijuar dhe kanë jetuar me të me mendje, me zemër dhe me shpirt, derisa u bënë Kur’ani folës. Çdo fjalë e tyre ishte Kur’an dhe çdo vepër që kryenin, bazohej te Kur’ani. Pra, e tërë qënia e tyre ishte Kur’ani. 

VALLË, SI E KA CILËSUAR PROFETI KUR’ANIN?

Janë përcjellë shumë thënie të Profetit rreth cilësimit që i ka bërë Kur’anit të shenjtë. Ne do të përmendim disa prej tyre. 

Profeti e ka cilësuar Kur’anin se është “pasuri”, duke thënë: “Kur’ani është pasuri dhe s’ka pasuri më të mirë se ajo dhe as varfëri pas kësaj pasurie.” Kjo do të thotë se njeriu mund të mos kapet me Kur’anin dhe as ta zbatojë atë. Por kjo nuk e dëmton Kur’anin, sepse ai është i pasur në vetevete dhe se është i zbritur prej të Vetëmjaftueshmit, që është Allahu i Plotfuqishëm. Dihet se pasuria e Kur’anit nuk është materiale. Ai është pasuri për mendjen, sepse përmban dije dhe njohje për të. Është i pasur për zemrën, sepse e furnizon me ushqim të rregullt psikik. Është pasuri për shpirtin, sepse e ngre në shkallët e përsosurisë e të bindjes ndaj Krijuesit dhe e bën të jetë i shpëtuar dhe i lumtur në të dy jetët. Është pasuri për jetën, sepse tregon rrugëzgjidhjet e problemeve dhe vështirësive të saj. 

Profeti e cilëson Kur’anin, duke thënë se është ilaç. Kjo do të thotë se ai është farmacia që përmban të gjitha llojet e ilaçeve, qoftë për individët, ashtu edhe për shoqëritë. Kur i sëmuri merr ilaçin e duhur për shërim, ai qetësohet, sado e rëndë të jetë sëmundja.  

Profeti e ka cilësuar Kur’anin duke thënë se nuk mbarojnë mahnitë e tij. Në Kur’an nuk ndodhet vetëm një çështje interesante dhe e mahnitshme. Të gjithë ajetet e tij janë interesante dhe të mahnitshme. Ata kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë me qëndrimin e Kur’anit. Kjo na shtyn që ne t’i zbulojmë ato mahni e habi. Sikur të na thuhej se në filan ishull ka gjëra interesante dhe thesare të çmueshme, a nuk do të nxitonim për të shkuar tek ato? E pse jo edhe të përfitojmë prej tyre?! Kur’ani është mbi pasuritë materiale të kësaj bote. 

Po ashtu, themi se biblioteka e Kur’anit është e gjerë dhe çdo ditë zgjerohet edhe më shumë. Edhe pse ka shumë libra që kanë shkruar për Kur’anin, për mrekullitë e tij apo edhe libra të komentimi të Kur’anit, përsëri, biblioteka e Kur’anit është e aftë të pranojë e të mbartë libra të tjerë dhe e tillë do të qëndrojë deri në fund të kësaj jete.

Mësimin dhe të mësuarit e Kur’anit, Profeti i konsideron dallim mes myslimanëve, ku thotë: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson atë të tjerëve.” Po ashtu, mbartësit e tij i ka quajtur njerëzit më fisnikë. “Më fisnikët e ymetit tim janë mbartësit e Kur’anit dhe namazfalësit e natës.” 

Mbartja e Kur’anit ka kuptimin e zbatimit të tij. Moszbatimi i tij çon në atë që çoi bijtë e Israilit, për të cilët, Kur’ani thotë: “Shembulli i atyre, që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit, që vetëm sa i mbart librat. Sa i keq është shembulli i atyre që mohojnë shpalljet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon të padrejtët.” (Sure “Xhumua”, ajeti 5) Sikur një librari të çmueshme ta vendosnim mbi shpinën e gomarit, a do të përfitonte ndonjë shkronjë?! 

Thënia më madhështore e Profetit që duhet ta lexojmë me vëmendje dhe t’a zbatojmë në jetën tonë është: “Unë kam lënë në mesin tuaj dy gjëra të çmuara, Librin e Allahut dhe gjenezën time, familjen time.” Mbrojtja prej humbjes dhe devijimit nga rruga e Islamit pas profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) arrihet duke u kapur pas Kur’anit dhe pas atyre që e njohin më mirë atë. 

Në hadithet e Ehli Bejtit, që janë hadithe të Profetit, thuhet se Libri (Kur’ani) është shërues i dyfytyrësisë, i urrejtjes dhe i politeizmit. Ai pastron zemrat. Ai është i ri në çdo kohë. Ai është shoqëruesi në vetmi. Është përcjellë nga imam Ali ibn Hysejni (paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Sikur të gjithë njerëzit të vdisnin e të qëndroja i vetëm, kurrë nuk do të frikësohesha përderisa me mua është Kur’ani! 

CILAT JANË RRUGËT E BASHKËPUNIMIT ME KUR’ANIN?

Prej mirësive të Allahut të Madhëruar dhe prej mëshirës së Tij ndaj myslimanëve është se Ai i ka njohur ata se si të bashkëpunojnë me Kur’anin. Ka shumë ajete që flasin për këtë çështje. 

  1. Persiatja: Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kur’anin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Sure “Muhamed”, ajeti 24)

 Zemrat e kyçura janë si shtëpitë e kyçura. Çdo gjë e saj është e mbyllur. Vallë, a mundet që rrezet e diellit, drita dhe ajri të hyjnë në të? Zemrat e mbyllura nuk i pranojnë rrezet e dritës, as flladin e ajrit. Ato janë të ngjashme me varrezat në të cilat jetojnë egërsira e krimba. 

Zemra, në të cilën nuk hyn drita dhe as flladet e Kur’anit, ka ajër të prishur dhe errësira e ka pushtuar. Është njësoj si banesa e braktisur dhe e pabanuar. 

  1. Kujtues. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kur’anin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?! (Sure “Kamer”, ajeti 17)

Kur’ani është i qartë dhe i lehtë për t’u kuptuar. Përmbajtja e tij është prej Allahut. Kjo përmbajtje ka si qëllim nxjerrjen e njeriut prej rrethit të pavetëdijes, në lulishten e vetëdijes, të kujtesës dhe të zgjimit. Që Kur’anin ta lexojmë të shoqëruar me persiatje dhe arsyetim duhet të mbështetemi në: 

Leximin e Kur’anit sipas kohës dhe situatës sonë. Për këtë, Allahu thotë: “…Kështu që lexoni Kur’an, aq sa mundeni!…” (Sure “Muzemmil”, ajeti 20) Kjo do të thotë se nuk ka kufizim të caktuar për të lexuar Kur’anin. Nuk është e rëndësishme sasia e leximit, por cilësia e tij. Duhet që leximi të jetë i shoqëruar me persiatje dhe arsyetim. Kur’ani duhet lexuar ngadalë dhe pak e nga pak, siç thotë edhe Allahu i Madhëruar: “Ky është një Kur’an, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak…” (Sure “Isra”, ajeti 106) Kjo ndodh me qëllim që myslimanët ta mësojnë ashtu siç duhet Kur’anin. Në jetëshkrimin e Profetit thuhet se ai u mësonte myslimanëve dhjetë ajete. Kur ata i mësonin ato, u mësonte atyre dhjetë të tjera. Mësimi nuk ishte vetëm me mësimin përmendsh të fjalëve dhe të kuptimeve, por mësimi i Profetit, gjithashtu, bazohej edhe në zbatimin e atyre ajeteve.

3- Kërkimi i mbrojtes para leximit. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kur’anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar.” (Sure “Nahl”, ajeti 98)

Është misioni i djallit që të na largojë prej kryerjes së punëve të mira që na afrojnë tek Allahu. Në një ajet tjetër në Kur’an thuhet: “Ai tha: ‘Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë.’” (Sure “A’raf”, ajeti 16) Me qëllim që të hyjmë pa pengesa në botën e Kur’anit, duhet t’i kërkojmë Allahut mbrojtje prej djallit të mallkuar. Sigurisht, Allahu është Mbrojtësi më i mirë dhe Ai e largon djallin prej nesh kur i lutemi për këtë. Allahu thotë: “Thuaj: ‘Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!’” (Sure “Nas”, ajetet 1-6) Mirëpo, nuk duhet vetëm të shqiptojmë gërmat dhe fjalët, por të persiatemi e të mendojmë në kuptimin e atyre që shqiptojmë, me qëllim që kuptimet e Kur’anit të nguliten thellë në zemrat dhe mendjet tona. Ky është leximi e këndimi i kërkuar i Kur’anit dhe jo thjesht lexim kalimthi.  

4- Heshtja dhe dëgjimi me vëmendje. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur të lexohet Kur’ani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.” (Sure “A’raf”, ajeti 204) Dëgjuesi me vëmendje dhe me përqëndrim i Kur’anit, e kupton më mirë Kur’anin dhe e ndien ëmbëlsinë e tij në shpirt dhe në zemër. Ka mundësi që një ajet ta kemi lexuar disa herë, por nuk ndikon tek ne ashtu siç mund të ndikojë dëgjimi me vëmendje nga një lexues me zë të bukur e prekës. Kur e dëgjojmë, na duket se i kemi para syve ato pamje që dëgjojmë, qofshin pamje të frikshme apo gëzuese. Po ashtu, ka raste që dikush na këshillon për të bërë punë të mira, mirëpo nuk interesohemi shumë për fjalët që na thotë. Ndërsa kur e dëgjojmë një thënie të Kur’anit që na nxit për të bërë punë të mira, na inkurajon në kryerjen e punëve të mira dhe në largimin prej punëve të këqija. Vërtet, Kur’anin e dëgjoi me vëmendje një grup prej xhindeve dhe e ndoqën atë. E dëgjuan një grup politesitësh të Mekës dhe e ndoqën, e dëgjuan jomyslimanët dhe e ndoqën. E ku ta dimë ne se sa ajete nga Kur’ani kanë ndryshuar jetën e njerëzve vetëm nga dëgjimi me vëmendje i tyre?

5- Konsultimi me dijetarët. Allahu i Madhëruar thotë: “… pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).” (Sure “Nahl”, ajeti 43)

Dhe: “…Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu dhe ata që janë thelluar në dijeni…” (Sure “Ali imran”, ajeti 7) Komentuesit kanë mendime të ndryshme se kush janë të thelluarit në dije. Por mendimi më i afërt është se janë imamët e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!), të cilët e kanë marrë dijen e Librit prej burimit të kthjellët e të pastër që është profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Po ashtu, në këto kohë ka kuptimin e dijetarëve të ymetit, të cilët e kanë marrë dijen e Kur’anit nëpërmjet rrugëve të sakta e të konsiderueshme dhe thëniet, komentimet e shkrimet e tyre janë të zbrazëta prej imagjinatave, iluzioneve dhe ekstremizmave. 

ÇFARË THOTË KUR’ANI PËR ATA QË E SHPËRFILLIN ATË?

Kur’ani i kritikon dhe i qorton ata të cilët mbartin vetëm formën dhe fjalët e Kur’anit. Duhet që të jemi të kujdesshëm prej disa veprave jo të mira. Ndër to përmendim:  

  1. Shpërfillja e Kur’anit. Allahu thotë: “Dhe i Dërguari do të thotë: ‘O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur’anin, si (diçka) të urryer.’” (Sure “Furkan”, ajeti 30) Ata e kanë lënë pas dore Kur’anin, nuk e vlerësojnë ashtu siç duhet vlerësuar, nuk e lexojnë dhe nuk e persiatin atë, nuk e zbatojnë në jetën e tyre. Ata janë njësoj si një person që ka një kështjellë të bukur e të gjerë dhe e ka lënë për të banuar në një kotec të neveritshëm apo si ai njeri që ndodhet pranë burimit të dijes dhe të njohjes dhe kërkon të pajiset me dije dhe njohje në vende të tjera. 
  2. Mospersiatja e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kur’anin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Sure “Muhamed”, ajeti 24)  Mospersiatja ka kuptimin e leximit sipërfaqësor të Kur’anit, pa u thelluar në kuptimet e ajeteve të tij. Ky është lexim sasior dhe jo cilësor. Është lexim që i mungon shpirti. Është lexim që nuk ndikon dhe nuk sjell reagim. Kjo, sepse sytë shikues të ajeteve janë në një anë dhe syri i zemrës është në një anë tjetër! Sa çudi e madhe!  
  3. Besimi i një pjese të Librit dhe mohimi i një pjese tjetër të tij.  Allahu i Madhëruar thotë për jehudinjtë dhe të krishterët: “…dhe e bënë Kur’anin në pjesë (duke i besuar ca pjesë dhe duke i mohuar të tjerat). (Sure “Hixhr”, ajeti 91) Sot shohim se myslimanët e kanë bërë të tillë Kur’anin. Ata besojnë në atë që përputhen dëshirat, mentaliteti dhe lakmitë e tyre dhe mohojnë atë që është në kundërshtim me dëshirat, lakmitë dhe mentalitetin e tyre. Këtë gjë e kundërshton Kur’ani duke thënë: “…Mos vallë, një pjesë të Librit e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni…?!  (Sure “Bekare”, ajeti 85)
  4. Shitja e ajeteve për vlerë të vogël. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i shesin fjalët e Allahut për një vlerë të vogël dhe i pengojnë njerëzit nga Rruga e Tij. Vërtet të shëmtuara janë veprat e tyre!” (Sure “Teube”, ajeti 9) Kjo thënie nuk është e kufizuar vetëm për jehudinjtë, por përfshin çdo mysliman që pason dëshirat e shfrenuara dhe lakmitë, duke u bërë pjesë e atyre që luftojnë të fitojnë këtë jetë dhe humbasin jetën Tjetër. 
  5. Mospërputhja mes dijes për Kur’anin dhe zbatimit të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “E si mund të mos besoni, kur juve ju lexohen shpalljet e Allahut…?!” (Sure “Ali imran”, ajeti 101) Është e habitshme që dija të jetë në kundërshtim me praktikën. Dija rreth ajeteve të Kur’anit çon në besim. Ata që i qorton Kur’ani janë prej atyre që e njohin rrugën, por devijojnë. E njohin dritën, por i mbyllin sytë e tyre. E njohin shpërblimin, por këmbëngulin në gabime dhe gjynahe. Allahu i Madhëruar thotë: “…Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet Tona dhe shih si largohen nga e Vërteta!” (Sure “Maide”, ajeti 75) Sikur njeriu që ka hartën treguese për të arritur në destinacionin që kërkon, të mos e zbatojë atë hartë dhe të ndjekë dëshirën e tij, a do të arrijë në atë destinacion?! Vërtet, ecja e shumtë e tij nuk do t’i sjellë, veçse largim nga destinacioni dhe qëllimi. 
  6. Kundërshtimi dhe largimi prej mësimeve të Kur’anit. Allahu i Madhëruar thotë: “Sa herë që atyre (jobesimtarëve) u vjen ndonjë varg nga Shpallja e Zotit të tyre, ata ia kthejnë shpinën.” (Sure “En’am”, ajeti 4) Këta lloj njerëzish nuk duan t’ia dinë për urdhëresat dhe ndalesat e Kur’anit. Ata janë plotësisht të pavëmendshëm ndaj Fjalës së Allahut të Madhëruar. Kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Kanë sy, por nuk shikojnë. Kanë mendje, por nuk mendojnë. 
  7. Mosndikimi. Ka njerëz që e lexojnë Kur’anin apo e dëgjojnë atë, por fjalët e tij (Kur’anit) hyjnë te njëri vesh dhe dalin te tjetri, pa dhënë asnjë ndikim në mendje, zemër dhe shpirt. Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që u është dhënë Libri më parë…?!” (Sure “Hadijd”, ajeti 16) Ka raste që lexojmë një roman dhe ndikohemi nga një prej personazheve, apo na lotojnë sytë kur shohim një skenë fatkeqësie, apo inkurajohemi kur lexojmë vargje poemash e poezish, apo na lëkunden ndjenjat kur dëgjojmë një këshillë. Vallë, a na ndodh ndonjëherë kështu kur lexojmë Kur’anin me këtë mënyrë? A na kanë lotuar ndonjëherë sytë kur kemi lexuar ajetet e dënimit? A është gëzuar zemra jonë kur kemi lexuar ajetet e Xhenetit? A është frikësuar zemra jonë ose na janë zbutur ndjenjat kur kemi lexuar ajetet e këshillave e të porosive të Krijuesit tonë? Sikur të mendohemi në thënien e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i cili ka thënë: “Unë vërtet habitem pse nuk thinjem kur lexoj Kur’anin.”, do të mësojmë se leximi i thellë, i shoqëruar me meditim dhe persiatje ndikon thellë në brendinë e njeriut dhe në jetën e tij.

SI TA BËJMË KUR’ANIN SHOQËRUES NË JETËN TONË?

Këtu shtrojmë një pyetje të rëndësishme. Si mund ta bëjmë Kur’anin të ecë në jetën tonë siç ecën uji në lumenj, apo siç ecën gjaku nëpër damarë, apo siç ecën dielli dhe hëna, nata dhe dita? Cilat janë mënyrat e reagimit ndaj Kur’anit në këto kohë që jemi sot? Provo që ajetet e Kur’anit të të tërheqin njësoj siç të tërheq një tablo e bukur dhe ti e shikon me shumë vëmendje. Ka mundësi që shoqërimi me Kur’anin është i gjatë, por përqëndrimi në të nuk ka ndodhur. Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur’ani nuk lexohet me nxitim, por lexohet ngadalë. Kur të arrish te ajeti që flet për Xhenetin, qëndro dhe lute Allahun që të të fusë në të. Kur të arrish në një ajet që përmendet zjarri, lutju Allahut që të mbrojë prej zjarrit.” 

Këtë metodë të leximit që përmend imam Sadiku, mund ta zgjerojmë edhe si vijon: 

“Kur të arrish në një ajet që përmendet kërkimi i faljes, lutju Allahut që të t’i falë mëkatet dhe gjynahet. 

Kur të arrish në një ajet që përmendet mëshira, kërkoji mëshirë Allahut, sepse Ai është i Gjithmëshirshmi dhe Mëshirploti.

Kur të arrish në një ajet që flet për të shkuarit dhe se çfarë u ndodhi atyre, mendo sikur të ishe njëri prej tyre.

Kur të arrish në një ajet që flet për falënderimin, atëherë kujto mirësitë që Allahu të ka dhënë dhe falënderoje Atë për ato dhe lutju Atij që të të mirësojë gjithmonë. 

Kur të arrish në një ajet që flet për pendimin, pendohu tek Allahu me pendim të sinqertë e të pakthyeshëm. 

Kur të arrish te një ajet që fton në punë të mira, thuaj: ‘I përgjigjem thirrjes Tënde, o Allah.’” Premto dhe zbato. 

Kur të arrish në një ajet që është lutje, lutu me atë lutje si kërkues.”

E kështu me radhë. Nëse do të përfitosh sa më shumë prej ajeteve të Kur’anit, atëherë mendo thellë në përmbajtjen e tyre. S’ka dyshim, se i gjithë Kur’ani na jep çelësat e veprave, na tregon, na udhëzon. Kur’ani është Libri i vërtetë dhe i të vërtetave. 

Që në kohën e krijimit, në këtë tokë, njeriu kërkon të vërtetën. E vërteta më e madhe ka qenë, është dhe do të mbetet Kur’ani i shenjtë, për të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti, që meriton të gjitha lavdet.” (Sure “Fusilet”, ajeti 42)

“Dhe thuaj: ‘E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë.’” (Sure “Kehf”, ajeti 29)

Përse e humbasim kohën duke kërkuar të vërtetat e besimit, ndërkohë që Kur’ani është burimi i gjithçkaje? Ai është burimi, zanafilla dhe pika e fillimit. Ai është konsultuesi kryesor për jetën tonë të përditshme, sepse Allahu thotë në Kur’an: “O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë…” (Sure “Enfal”, ajeti 24) Kur’ani na sqaron ekzistencën e Allahut, na sqaron jetën dhe legjislacionin përkatës të jetës individuale dhe shoqërore.

Është detyrë madhështimi, lartësimi dhe shenjtërimi i Kur’anit. Gjithashtu, duhet zbatuar në jetën e përditshme. Ai duhet të jetë pikënisja jonë dhe prej tij të shuajmë etjen e dijes e të njohjes. Të shoqërohemi me të njësoj siç shoqërohemi me një mik të sinqertë e të dashur. Ashtu siç ka shoqëria dhe miqësia e sinqertë rregullat e saj, po ashtu, edhe shoqërimi me Kur’anin ka kushtet e mendimit, persiatjes, ruajtjes dhe zbatimit. 

Nëse do të interesohemi ashtu siç duhet për Kur’anin, padyshim që kemi ndriçuar mendjen dhe shpirtin, kemi pastruar zemrën, kemi përsosur moralet dhe jemi të paluhatshëm para cytjeve të djallit të mallkuar.

Kur’ani duhet lexuar si libër udhëzimi, sepse ai është Libri që i nxjerr njerëzit nga errësira në dritë. Nuk duhet nxituar në lexim a këndim, siç veprojnë shumica e njerëzve, të cilët interesohen më shumë për përfundimin e shpejtë të leximit të një xhuzi apo të përfundimit sa më shpejt të një hatmeje (leximi i plotë i Kur’anit). Një ajet është më mirë të kutpohet e të zbatohet, se sa dhjetra e qindra hatme, të cilat nuk ndikojnë në qenien e njeriut. Leximin e shpejtë do ta krahasoja me shikimin nga dritarja e makinës që ecën shumë shpejt në rrugë. Edhe pse i shohim pamjet e bukura natyrore, shumë shpejt harrohen dhe largohen nga mendja.

Ky është dallimi i leximit të atij që kërkon të udhëzohet me udhëzimin e Kur’anit dhe atij që e lexon dhe nuk udhëzohet. Vërtet, Kur’ani është Libri i jetës. Përderisa është i tillë, duhet ta konsiderojmë të gjallë. Nëse e konsiderojmë të ngurtë, apo si libër i rëndë mësimi, të cilin duhet ta përfundojmë me përfundimin e vitit shkollor, ai do të harrohet, njësoj siç janë harruar shumë libra shkollorë.

Dikush mund të pyesë: A ka ndonjë libër të plotë e gjithpërfshirës që më mëson moralin? Po, ai është Kur’ani. Kur’ani është libri i moralit, prandaj morali ynë le të jetë Kur’ani.

Sipas transmetimeve islame, thuhet se morali i profetit Muhammed ka qenë Kur’ani. Ai ka qenë Kur’ani folës. Ai u dërgua që të plotësojë moralet e mira. Ky plotësim u arrit me anë të Kur’anit. Të gjitha virtyet e larta të cilat urdhëron Kur’ani, kanë qenë të kristalizuara në personalitetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Prandaj, është detyrë e çdo myslimani që Profetin ta marrë shembull praktik në jetën e tij dhe jo thjesht të thuhet: ‘Jam në rrugën e Profetit.’ Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21)

O motër dhe vëlla mysliman! Lexojeni Kur’anin dhe kuptojeni atë. Nëse e bëni këtë, atëherë do të kuptoni veten, gjithësinë dhe Krijuesin e gjithçkaje. Kur’anin mund ta krahasojmë me shiun, me anë të të cilit, disa toka përfitojnë prej tij dhe japin prodhime të shumta, ndërsa disa toka të tjera nuk përfitojnë prej shiut dhe nuk përfitohet prej tyre, siç është shkretëtira. Vallë, a doni të jeni si toka pjellore apo si shkretëtira e thatë? Çdo njeri ka nevojë për mësimet e Kur’anit, veçanërisht në këtë kohë që jetojmë, ku virtytet e larta dhe moralet e pëlqyeshme kanë mbetur thjesht bojë mbi letra apo fjalë në majën e gjuhës për interesa të ngushta personale. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit të lexonin suren “Jusuf”, suren “Nur”, suren “Lukman” dhe suren “Huxhuratë”, të cilat flasin për moralin, sjelljen dhe edukimin, për të cilat kanë nevojë të gjithë njerëzit pa dallim moshe. 

Sa nevojë ka rinia e sotme të njihet me historitë e të rinjve në Kur’an, si: Historia e Ismailit me babanë e tij, Ibrahimin, historia e Nuhut me djalin e tij, historia e të rinjve prej banorëve të Shpellës etj. Po ashtu, të rinjtë dhe të rejat, të cilët janë e ardhmja e kombit, duhet të njihen edhe me ajetet që flasin për shokun apo shoqen, siç është thënia e Allahut të Madhëruar: “Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur’ani) që më kishte ardhur! Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.” (Sure “Furkan”, ajetet 28-29) Dhe: “Atë Ditë, miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” (Sure “Zuhruf”, ajeti 67) Sa të mrekullueshëm janë këto dy ajete. Ah sikur të lexohen, të kuptohen dhe të zbatohen!

O Zot na e mundëso leximin, kuptimin dhe zbatimin e Kur’anit. Na i ndriço rrugët e jetës sonë me dritën e Kur’anit!