Allahu i Madhëruar thotë: “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne?” (Sure “Mu’minun”, ajeti 115.)
Dhe: “Allahu e fillon krijimin e pastaj e përsërit dhe pastaj tek Ai do të ktheheni.”
(Sure “Rrum”, ajeti 11.).
Të gjithë të dërguarit dhe të gjithë librat e Allahut thonë se jeta e njeriut nuk përfundon me vdekjen. Pas kësaj jete ka Jetë Tjetër. Jeta Tjetër është e vërtetë. Në Jetën Tjetër njeriu do të shohë rezultatin e veprave të tij. Sipas veprave që ka bërë, ose do të shpërblehet me Xhenet ose do të ndëshkohet me zjarrin e Xhehenemit.
Ringjallja përmendet në Kur’anin e Shenjtë në më shumë se 1200 ajete të tij. Në Kur’an ka shembuj, shembullsime dhe tregime të ndryshme që tregojnë se Ringjallja është e patjetërsueshme. Islami është fe racionale. Logjika e shëndoshë e konsideron Ringjalljen të domosdoshme. Edhe zbulimet shkencore e vërtetojnë Ringjalljen. (Shih: Neurokirurgu nga Harvardi konfirmon ekzistencën e jetës pas vdekjes, në “Java Neës”, 25/5/2015 dhe: Studimi më i madh shkencor konfirmon se pas vdekjes ka jetë, gazeta “Shekulli”, 08/10/2014.).
Besimi në Ringjalljen është prej parimeve dhe shtyllave të besimit islam. Ai që e mohon këtë parim është i dalë nga feja.
Gjuhësisht, fjala “el ba’thu” (Ringjallje) përdoret kryesisht në dy kuptime – me kuptimin e “dërgimit” (el irsalu), i cili përmendet në shumë ajete të Kur’anit, si p.sh.,: “…Ne dërguam Musanë…” (Sure “A’raf”, ajeti 103.) dhe me kuptimin e “Ringjalljes” (el ihjau) pas vdekjes, siç thotë Allahu i Madhëruar: “…S’ka dyshim dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.” (Sure “Haxh”, ajeti 7.)
Në terminologjinë fetare, fjala “el ba’thu“, është “ringjallje e të vdekurve dhe nxjerrja e tyre nga varret, për të dhënë llogari për punët dhe veprat e tyre që kanë bërë në këtë jetë”.
Emrat e Ditës së Ringjalljes në Kur’an
Në Kur’an Ringjallja përmendet me emra të ndryshëm. Secili prej emrave përfaqëson një karakteristikë të caktuar. Ata janë: Dita e Kiametit (Jeumul Kijame), Dita e Gjykimit (Jeumud Dijn), Dita e Fundit (Jeumul Akhir), Dita Madhështore (Jeumun Adhijm), Dita e Madhe (Jeumun Kebijr), Dita Gjithpërfshirëse (Jeumun Muhijt), Dita e Dëshpërimit (Jeumul Hasreti), Dita e kohës së caktuar (Jeumul Uaktil Ma’lum), Dita e Vërtetë (Jeumul Hakk), Dita e Ringjalljes (Jeumul Ba’th), Dita e Ndarjes (Jeumul Fasl), Dita e Llogarisë (Jeumul Hisab), Dita e Takimit (Jeumu Telakij), Dita e Afërt (Jeumul Azifeh), Dita e Mjerimit (Jeumu Tenad), Dita e Tubimit (Jeumul Xhem’i), Dita e premtuar për dënim (Jeumul Uaijd), Dita e Përjetshme (Jeumul Khulud), Dita e daljes nga varret (Jeumul Khuruxh), Dita e Vështirë (Jeumun Asijr), Dita e fitmit dhe e humbjes (Jeumun Tegabun), Dita e Premtuar (Jeumul Meuud), Dita e Vrenjtur (Jeumen Abusen), Dita e Njohur (Jeumun Ma’lum), Dita për të cilën nuk ka dyshim (Jeumun la rejbe fijhi), Dita e Triumfit (Jeumul Fet’h).
Dita e Ringjalljes fillon kur t’i fryhet Surit. Kjo është shenja e shkatërrimit të përgjithshëm të botës dhe të tërë gjithësisë. Ky është zëri që shpall se jeta e kësaj bote ka marrë fund për të gjithë dhe se jeta e vërtetë ka filluar. Ky është zëri fillestar që do të ngjallë një frikë dhe huti të vazhdueshme në zemrat e jobesimtarëve. Fillojnë ditët e vështira për jobesimtarët. Këtë vështirësi të tyre e përmend edhe Kur’ani në suren “Mudethir”, ajetet 8-10: “Kur t’i fryhet Surit, do të jetë një ditë e rëndë. Për jobesimtarët nuk do të jetë aspak e lehtë.” Një dridhje e tmerrshme dhe një zë shurdhues pason Surin. Në këtë moment, njerëzit kuptojnë se po përballen me një katastrofë të tmerrshme. Bota dhe jeta janë gati të shuhen. Për pak çaste gjithçka në Tokë e humb vlerën e vet. Frika është e madhe dhe çdokush është i preokupuar vetëm me vetveten. Të gjitha lidhjet do të shkëputen. Për këtë në Kur’an thuhet: “Por, kur të vijë Ushtima, atë Ditë, njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.” 9Sure “Abese”, ajetet 33-37.) Pas dridhjes së fuqishme, toka do të nxjerrë gjithçka që mban brenda saj. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani: “Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit), kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj.” (Sure “Zelzele”, ajetet 1-2.)
Njerëzit, kafshët dhe natyra – të gjitha shkatërrohen. Malet nuk janë madhështore. Oqeanet nuk janë të pafund. Qiejt nuk janë aq të paarritshëm si në të kaluarën. Dielli, yjet dhe e tërë gjithësia janë të mbërthyera nga frika e Ditës së Ringjalljes. Ato të gjitha i nënshtrohen Krijuesit të tyre. Në Kur’an thuhet: “Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.” (Sure “Ibrahim”, ajeti 48.)
Ky është momenti kur njerëzit do të ringjallen, do të tubohen dhe do të presin për të dhënë llogari për veprat e tyre që kanë bërë në këtë jetë. Këtu do të mësojnë se ku do të shkojnë. Atëherë do t’i fryhet Surit për herë të dytë dhe njerëzit ringjallen. Kur’ani i Shenjtë na e përshkruan mrekullueshëm ringjalljen dhe daljen e njerëzve nga varret në ajete e sure të ndryshme:
“…Pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.” (Sure “Zumer”, ajeti 68.) “Me sy të përulur do të dalin nga varret, sikur të ishin karkaleca të shpërndarë.” (Sure “Kamer”, ajeti 7.)
“…Pastaj, kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur).” (Sure “Rrum”, ajeti 25.) “Atë Ditë, toka do të hapet e ata do të dalin me nxitim. Për Ne është e lehtë t’i mbledhim ata të gjithë.” (Sure “Kaf”, ajeti 44.) “Dhe, kur t’i fryhet Surit, ata do të dalin nga varret dhe do të nxitojnë drejt Zotit të tyre, duke thënë: ‘Mjerë ne! Kush na ngriti prej varreve tona?”’(Do t’u thuhet): ‘Ja, kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi; të dërguarit kanë thënë të vërtetën!’ Do të jetë ai vetëm një zë i tmerrshëm e ata të gjithë do të paraqiten para Nesh.” (Sure “Jasin”, ajetet 51 – 53.)
Këto ajete e të tjera, të ngjashme me to dëshmojnë dhe vërtetojnë se Ringjallja është e patjetërsueshme dhe të gjithë njerëzit do të ringjallen për të dhënë llogari për veprat e tyre. Kohën e Ringjalljes e di vetëm Allahu i Gjithëditur dhe Fuqiplotë.
Ringjallja do të jetë me trup dhe me shpirt
Ringjallja nuk do të jetë krijim i ri. Jo se kjo është e pamundur, sepse për Allahun asgjë nuk është e pamundur, por se Allahu dëshiron që të ndodhë ringjallja e po atij trupi që ka qenë në jetën e kësaj bote. Sipas Kur’anit të Shenjtë, njerëzit do të ringjallen me shpirt dhe me trup. Këtë e dëshmojnë shumë ajete. Prej tyre përmendim: “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Sure “Jasin”, ajeti 65.) Dhe: “Ata që s’besojnë në shenjat Tona, Ne pa dyshim, do t’i djegim në zjarr. Sapo t’u digjet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Sure “Nisa”, ajeti 56.)
Shembullsimet kur’anore për Ringjalljen
Allahu i Gjithëditur thotë se Kur’ani është sqarues i gjithçkaje: “…Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje…” (Sure “Nahl”, ajeti 89.) Allahu thotë se Kur’ani është i lehtë për t’u kuptuar: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kur’anin të lehtë për t’u kuptuar…” (Sure “Kamer”, ajeti 22.) Sekreti i lehtësisë së Kur’anit për t’u kuptuar është se çështjet që kanë lidhje me të padukshem, veçanërisht me Ringjalljen e me Jetën e Përtejme, Allahu i Madhëruar i shembullson me çfarë sheh njeriu çdo ditë në jetën e tij. Kur flet për Xhenetin, Allahu e përshkruan si një vend të bukur, të gjelbër, ku rrjedhin lumenj të kthjellët: “Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i çojmë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë.” (Sure “Nisa”, ajeti 57.)
Kur flet për banorët e zjarrit, Allahu thotë: “Dhe atë Ditë, do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat.” (Sure “Ibrahim”, ajetet 49–50.)
Dhe: “Pema e Zekumit do të jetë ushqim i gjynahqarit. Si tunxh i shkrirë ajo do të vlojë në barkun e tij, ashtu siç vlon uji i nxehtë.” (Sure “Dukhan”, ajetet 43-46.)
Edhe për Ringjalljen Allahu ka dhënë shembullsime në Kur’anin e Shenjtë. Ndër to përmendim:
“O njerëz, nëse ju dyshoni në Ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift.” (Sure “Haxh”, ajeti 5.)
“Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është, vërtet i Pushtetshëm për çdo gjë.” (Sure “Fusilet”, ajeti 39.)
“Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren dhe palma hurme të larta me tufa frutash njëra mbi tjetrën, si ushqim për robtë Tanë. Në këtë mënyrë, Ne me shi e ringjallim tokën e vdekur. E kështu do të jetë edhe ringjallja.” (Sure “Kaf”, ajetet 9-11.)
Allahu i shembullson vdekjen dhe Ringjalljen me gjumin dhe zgjimin, kur thotë: “Ai jua merr shpirtrat (ju vë në gjumë) natën, duke e ditur ç’keni bërë ditën, pastaj ju zgjon që të plotësoni kohën tuaj të caktuar për të jetuar. Në fund, tek Ai do të ktheheni dhe Ai do t’ju tregojë gjithçka që keni bërë.” (Sure “En’am”, ajeti 60.)
Për ta sqaruar më mirë çështjen e Ringjalljes Allahu përmend në Kur’an edhe disa histori. Ja disa nga ato:
1- Historia e Uzejrit (Paqja qoftë mbi të!)
Kur’ani thotë se Allahu e vdiq Uzejrin (Paqja qoftë mbi të!) për njëqind vjet e pastaj e ringjalli atë.: “Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: ‘Si mund ta kthejë tani në jetë Allahu këtë qytet, që ai është i vdekur?!’ Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: ‘Sa kohë ke ndenjur këtu?’ – Ai u përgjigj: ‘Një ditë ose gjysmë dite’. – ‘Jo’ – i tha Allahu, – ‘por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim), që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit! Vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!’ Kur atij iu bë e qartë, ai tha: ‘Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për gjithçka.’” (Sure “Bekare”, ajeti 259.)
2- Historia e banorëve të shpellës
Banorët e Shpellës ishin disa të rinj monoteistë, të arratisur nga qyteti i tyre, për t’i shpëtuar persekutimit të një tirani pagan, që donte t’i detyronte të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Për të ruajtur pastërtinë e këtij besimi, ata u strehuan në një shpellë jashtë qytetit dhe iu dorëzuan mëshirës hyjnore. Allahu i Madhëruar i bëri të flenë për treqind vjet dhe i zgjoi, kur gjendja në qytet kishte ndryshuar: banorët e tij ishin bërë monoteistë dhe qyteti qeverisej nga një mbret i urtë e i devotshëm. Ringjalljen e tyre Allahu e bëri mrekulli për banorët e qytetit (dhe për tërë njerëzimin) që vërtetonte ringjalljen e plotë, ngaqë ata ishin ndarë në dy grupe: njëri grup thoshte se ishte veç shpirti ai që ringjallej, kurse grupi tjetër thoshte se ringjallej edhe trupi.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Vallë, a mendon ti se banorët e Shpellës dhe të Rakimit (Rakim mund të jetë emri i një lumi që kalonte pranë Shpellës ose një tabelë në hyrje të Shpellës me emrat e banorëve të saj, ose emri i qenit të tyre.) ishin një çudi nga mrekullitë Tona? Kur disa djelmosha u strehuan në shpellë dhe thanë “O Zoti ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna për sjellje të drejtë!”, Ne ua mbyllëm veshët atyre (duke i lënë të flinin) në shpellë për shumë vjet. Pastaj i ngritëm, për të marrë vesh se cili nga të dyja grupet do ta vlerësonte më mirë sa kohë kishin qenë të strehuar. Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës. Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë. Ne i forcuam zemrat e tyre, kur u ngritën e thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne nuk do t’i lutemi asnjë zoti tjetër, përveç Tij, sepse atëherë do të thoshim një gënjeshtër të madhe. Ky populli ynë ka zgjedhur në vend të Tij zota të tjerë, ndonëse ata nuk u sjellin dot asnjë provë të qartë. E kush është keqbërës më i madh, se ai që trillon gënjeshtra për Allahun? Kur ju t’i lini ata dhe gjithçka që adhurojnë në vend të Allahut, gjeni strehë në shpellë: Zoti juaj do t’ju mbulojë me mëshirën e Tij dhe do t’ju përgatisë mënyrën, nga e cila do të keni dobi”. Ti (o Muhamed) do ta kishe parë Diellin kur lindte se si anohej nga e djathta e Shpellës së tyre dhe, kur perëndonte, i linte ata në anën e majtë, ndërkohë që ata gjendeshin në mesin saj. Kjo është nga shenjat e Allahut. Sa për atë, që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari. E sa për atë, që Ai e lë në humbje, ti, me siguri, nuk do të mund t’i gjesh mbrojtës që ta udhëzojë. Dhe (po të kishe qenë atje), do të mendoje se ata ishin zgjuar, por ata ishin në gjumë. Ne i rrotullonim ata herë në krah të djathtë e herë në krah të majtë, kurse qeni i tyre rrinte shtrirë me dy këmbët e para në hyrje të shpellës. Sikur t’i kishe parë, ti do të ikje nga ata dhe do të të kaplonte frika. Kështu pra, Ne i zgjuam që të pyesnin njëri-tjetrin. Njëri nga ata tha: “Sa keni ndenjur (në gjumë?)” – U përgjigjën: “Kemi qëndruar një ditë a një pjesë të ditës”. Disa thanë: “Zoti juaj e di më mirë se sa keni ndenjur. Dërgoni njërin prej jush në qytet me këtë monedhë argjendi tuajën e le të shikojë se cili ushqim është më i pastër! Le t’ju sjellë diçka prej tij, le të sillet mirë dhe askush të mos marrë vesh për ju! Me të vërtetë, nëse ju zbulojnë, ata do t’ju gjuajnë me gurë ose do t’ju kthejnë (me forcë) në fenë e tyre dhe atëherë nuk do të shpëtoni kurrsesi.” Dhe kështu, Ne bëmë që ata të zbuloheshin, me qëllim që të dihej se premtimi i Allahut është i vërtetë dhe, që të mos ketë asnjë dyshim për Orën (e Kiametit se ajo do të vijë). Kur ata (banorët e qytetit) po haheshin me njëri-tjetrin për këtë rast, disa thoshin: “Ndërtojuni atyre (në hyrje të shpellës) një ndërtesë! Zoti i tyre i njeh më mirë ata”. Ata që e fituan çështjen e tyre, thanë: “Ne do të ndërtojmë një faltore mbi ta!” Do të thonë: “Ata ishin tre veta e qeni i tyre ishte i katërti”. Disa do të thonë: “Ata ishin pesë veta e qeni i tyre ishte i gjashti”, duke hamendësuar për atë që është e fshehtë; kurse të tjerë do të thonë: “Ata ishin shtatë veta e qeni i tyre ishte i teti”. Thuaj (o Muhamed): “Zoti im e di më mirë numrin e tyre. Vetëm pak veta dinë diçka rreth tyre”. Dhe mos polemizo rreth tyre, përveçse në mënyrë të përciptë dhe për ata mos pyet askënd! Asnjëherë mos thuaj, për çfarëdo gjëje qoftë, se “Me siguri që nesër do ta bëj këtë”, pa shtuar “Në dashtë Allahu!” Dhe, kur të harrosh (të thuash “në dashtë Allahu”) – kujtoje Zotin tënd e thuaj: “Shpresoj se Zoti im do të më udhëzojë në atë që është më e mirë dhe më e dobishme nga kjo”. Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind vjet (diellorë), duke shtuar nëntë (për vitet hënore). Thuaj (o Muhamed): “Allahu e di më mirë sa kanë qëndruar. Atij i përket fshehtësia e qiejve dhe e Tokës. Eh, sa mirë sheh Ai çdo gjë dhe sa mirë që dëgjon! Njerëzit nuk kanë tjetër mbrojtës përveç Atij dhe Ai nuk e ndan me askënd pushtetin e Vet.” (Sure “Kehf”, ajetet 9-26.)
3- Historia e ringjalljes së shpendëve të Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!)
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Kur ibrahimi tha ‘O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!’, Zoti i tha: ‘A nuk beson?’ – ‘Besoj’ – iu përgjigj Ibrahimi, – ‘por dëshiroj të më qetësohet zemra.’ Allahu i tha ‘Merr katër zogj dhe copëtoji! Shpërndaj në çdo kodër nga një copë prej tyre, pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.’” (Sure “Bekare”, ajeti 260.)
Allahu i Madhëruar na bëftë prej besimtarëve të sinqertë në Ringjallje. Allahu na e mundësoftë që të jemi prej të shpëtuarve në Ditën e Llogarisë dhe qofshim prej atyre që shkojnë te Allahu I Madhëruar me emër të pastër siç thotë Allahu Fuqiplotë në Kur’anin e shenjtë: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Sure “Shuara”, ajetet 88 -89).
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!
