Me emrin e Allahut, të gjithmëshirshmit Mëshirplotit

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: “…kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Sure “Haxh”, ajeti 32)

Prej shenjave të fesë së Allahut të Madhëruar është edhe xhamia “El Aksa”. 

PANORAMË RRETH XHAMISË EL-AKSA

Pas Qabes, xhamia “El-Aksa” është xhamia e dytë e ndërtuar në Tokë për adhurimin e Allahut. Ajo është prej vendeve të shenjta të myslimanëve. Ajo ka qenë kiblja e parë e tyre. Kjo xhami është brenda qytetit të vjetër të Kudsit (Jeruzalemit), i cili ndodhet afërsisht në qendër të Palestinës së pushtuar. 

 Qyteti i Kudsit është 750 metra mbi nivelin e detit Mesdhe dhe 1150 metra mbi nivelin e Detit të Vdekur. Ai rrethohet nga pesë male. Në të gjenden katër lugina. Qyteti është 52 km larg nga deti Mesdhe, 22 km nga Deti i Vdekur, 252 km nga Deti i Kuq, 88 km nga Omani, 388 km nga Bejruti dhe 290 km nga Damasku. Sipas statistikave të muajit dhjetor, 2007 qyteti i Kudsit numëronte 747600 banorë.  

Qyteti është ndërtuar në mijëvjeçarin e katërt p.e.r. nga Kena’nët (emri i vjetër i popullsisë palestineze). Ai është zgjeruar dhe rindërtuar disa herë gjatë historisë, duke filluar në kohën e profetit Sulejman, në kohën e halifit të dytë, Umer ibn Hatab, në kohën e Mervan ibn Hakemit (viti 72 i hixhrit), në kohën e halifit të shtatë, Fatimij (viti 425 i hixhrit), në kohën e memalikëve (viti 651 i hixhrit), në kohën e sulltan Kanunijit (viti 1542 gregorian).

Kudsi përmendet edhe në Kur’anin e Shenjtë, në suren “Isra”, ajeti 1: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhammedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” Në këtë ajet përmendet një prej mrekullive madhështore për profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që është ngritja në qiell (Israja dhe Miraxhi) nga ky vend i shenjtë. 

Xhamia “El-Aksa” është një ndër tri xhamitë, në të cilat shkohet për vizitë. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Asnjë udhëtim nuk duhet të ndërmerret (për vizitë), përveçse në tri xhamitë: Xhamia e Shenjtë (Qabja), Xhamia e Profetit në Medinen e Ndritur dhe xhamia “El-Aksa”.”  

Xhamia “El-Aksa” është ndërtuar dyzet vjet pas Qabes, siç vërtetësohet nga hadithi i Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur ai e pyeti Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): ”Cila është xhamia e parë e ndërtuar mbi tokë?” Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) iu përgjigj: “Xhamia e Shenjtë (Qabja).” 

Ebu Dheri e pyeti pastaj: ”Pastaj cila xhami?”

Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u përgjigj: “Xhamia “El-Aksa”.”

Ebu Dheri e pyeti përsëri: “Sa vjet ka midis të dyjave?”

Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u përgjigj: ”Dyzet vjet.” 

Për shkak të periudhës së shkurtër midis ndërtimit të këtyre dy xhamive, disa dijetarë kanë mendimin që profeti Ibrahim i ka ndërtuar të dyja. Historianët kanë përmendur që profeti Jakub (Paqja qoftë mbi të!) e ndërtoi xhaminë afër gurit, nga ku profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u ngrit në qiell.

 Sipërfaqja e xhamisë “El-Aksa” është 144 mijë metra katrorë (sa një e gjashta e hapësirës së qytetit të vjetër të Kudsit). Përmasat e xhamisë janë: muri nga ana e jugut është 281 metra;  muri nga ana e veriut, 310 metra; muri nga ana e lindjes, 462 metra; muri nga ana e perëndimit, 491 metra. Kjo Xhami ka katër minare, që ndodhen në anën jugperëndimore, perëndimore, veriperëndimore dhe veriore.Xhamia ka katërmbëdhjetë kupola: kupola e Sulejmanit, kupola e Hidrit, kupola e Miraxhit, kupola e Musait, kupola e shpirtrave etj. Ajo ka pesëmbëdhjetë porta, pesë prej të cilave janë të mbyllura. 

Kuptimi i fjalës “El-Aksa” është “i largët”. Thuhet se e ka marrë këtë emër për shkak të largësisë së saj me Xhaminë e Shenjtë në Mekë – Qaben. Para përmendjes së saj në Kur’an, ajo quhej “Bejtul Makdis”. 

  Në këtë vend kanë jetuar shumica e të dërguarve dhe profetëve, si profeti Daud, profeti Sulejman, profeti Ja’kub, profeti Musa, profeti Isa dhe babai i monoteizmit, profeti Ibrahim (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Gjithashtu, në këtë vend ka shërbyer edhe hazreti Merjemja (Maria), nëna e profetit Isa (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Historia e saj përmendet në Kur’anin e Shenjtë në suren “Al Imran” dhe në suren “Merjem”. Pra, Bejtul Makdes është vatra e të gjitha feve qiellore dhe nderohet e respektohet nga të gjithë besimtarët. Të gjithë besimtarët janë të lirë ta vizitojnë këtë vend të shenjtë. 


ALLAHU E KA PËRSHKRUAR XHAMINË “EL AKSA” NË KUR’AN SI TOKË E BEKUAR 

Në Kur’an thuhet: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (Sure “Isra”, ajeti 1)

Përderisa Allahu thotë në Kur’an se ky vend është i bekuar, atëherë edhe njerëzit në këtë vend duhet të jetojnë në paqe e siguri. Namazi në të është më i vlefshëm se në xhamitë e tjera, përveç Qabes dhe Xhamisë së Profetit. Në hadithe thuhet se vlera e një namazi në këtë Xhami është sa një mijë namaze në xhamitë e tjera a sa 500 namaze në xhamitë e tjera, a sa 250 namaze në xhamitë e tjera.  

Xhamia “El-Aksa” është Kiblja e parë e myslimanëve, ashtu siç është kumtuar nga El-Bara: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është falur në drejtim të el-Bejt el-Makdisit për gjashtëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë muaj.”

Qyteti i Kudsit dhe xhamia “El-Aksa” janë në zemrën e çdo myslimani dhe myslimaneje. Ato i pëmend edhe Kur’ani i Shenjtë: 

Allahu i Madhëruar thotë: “O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, sepse atëherë do të ktheheni të humbur!” (Sure “El-Maide”, ajeti 21)

Dhe: Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore dhe perëndimore të tokës që kishim bekuar. Kështu u përmbush premtimi i bukur i Zotit tënd ndaj izraelitëve, për shkak të durimit që treguan. Ndërsa ndërtesat dhe kullat e Faraonit dhe të popullit të tij Ne i shkatërruam. (Sure “A’raf”, ajeti 137)

Dhe: “Ne e shpëtuam atë (Ibrahimin) dhe Lutin (dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.” (Sure “El-Enbija”, ajeti 71)

Dhe: “Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar.” (Sure “Enbija”, ajeti 81)

Dhe: “Midis atyre dhe qyteteve që i kemi bekuar, Ne vendosëm vendbanime të dukshme buzë rrugës dhe e bëmë të lehtë udhëtimin (duke u thënë): “Udhëtoni të sigurt nëpër to natë e ditë!”  (Sure “Sebe”, ajeti 18) 

Dhe: “Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje.” (Sure “En-Nur”, ajeti 36)

Dhe: “Kush është më fajtor sesa ai që pengon të përmendet në xhamitë e All’llahut Emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre? Ata nuk duhet të hyjnë në to, përveçse të frikësuar. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në Jetën Tjetër, dënim të madh.” (Sure “El- Bekare”, ajeti 114)

DITA BOTËRORE E KUDSIT, DITA E BASHKIMIT TË MYSLIMANËVE

Feja islame është fe e paqes. Ajo i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes së të shtypurve e të privuarve si dhe luftës kundër shtypjes. Në Islam nuk pranohet asnjë lloj shtypje dhe dhune ndaj të tjerëve dhe muslimanët e kanë për detyrë që me çdo mjet të qëndrojnë përballë shtypësve.

Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë “Në mëshirë e në dashuri besimtarët janë të njëjtë me trupin. Kur një organ i trupit ankohet prej tij edhe organet e tjera do të goditen me dhimbjen dhe lëndimin.” (“Biharul Anvar”; vëll, 74, f. 234)

Dhe: “Kush gdhihet dhe nuk interesohet për punët e myslimanëve, nuk është prej myslimanëve.” (“Biharul Anvar”; vëll, 77, kreu 20, hadithi /120)

Dhe: “Ai që dëgjon një mysliman, i cili thërret “o mysliman”dhe nuk i përgjigjet, nuk është mysliman.” (“Biharul Anvar”; vëll, 75, kreu 59, hadithi /12)

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bëhu përkrahës i të shtypurit dhe kundërshtues i shtypësit”

Nga thëniet e lartpërmendura të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kuptohet se solidarësia, ndihma dhe përkrahja e besimtarëve është detyrë islame. 

Një prej popujve të privuar në këto ditë është populli palestinez, toka e të cilit për dhjetëra vite është e pushtuar nga cionistët izraelitë. Dhjetëra mijëra palestinezë janë martirizuar apo plagosur, miliona të tjerë kanë mbetur pa strehë mbi kokë dhe mijëra të tjerë ndodhen nëpër burgjet e regjimit sionist. Shumë e shumë të tjerë jetojnë jashtë tokave të tyre nëpër kampe si në Liban, Siri, Jordani, etj. Shtypja dhe vrasja e palestinezëve akoma nuk ka përfunduar dhe regjimi gjakatar sionist, kohë pas kohe kryen krime të ndryshme kundër këtij populli të përvuajtur, siç janë vrasjet, prishjet e shtëpive shkatërrimi i të mbjellave, etj. Meqenëse vëllezërit dhe motrat palestinezë çdo ditë përballen me krime të reja të regjimit cionist, të gjithë muslimanët e botës janë përgjegjës për këtë çështje. 

Një prej sfidave të Palestinës së pushtuar dhe e popullit trim palestinez është gjendja e vështirë e Xhamisë “El-Aksa”, kiblja e parë të muslimanëve dhe vendi i Israsë dhe i Miraxhit (i ngritjes në qiell) të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). 

Që nga viti 1976 kur cionistët izraelitë e pushtuan këtë vend të shenjtë, filluan prishjen dhe shkatërrimin gradual të kësaj xhamie. Ata pretendojnë se xhamia “El-Aksa” është ndërtuar mbi rrënojat e tempullit të Sulejmanit dhe pasi ta prishin këtë xhami, duan të ndërtojnë një tempull në vend të saj. Për këtë arsye, që nga viti 1967, xhamia “El-Aksa” vazhdimisht është përballur me agresione të ndryshme ku akti më i keq ishte zjarrvënia e kësaj xhamie nga një cionist ekstrem në vitin 1969. Nën themelet dhe përreth xhamisë “El-Aksa” janë bërë dhe bëhen gërmime të ndryshme nga cionistët izraelitë duke rrezikuar shembjen e kësaj xhamie.

Në shenjë solidariteti me popullin palestinez dhe në përpjekje për çlirimin e Kudsit nga kthetrat e pushtuesit cionist, në gusht  të vitit 1979 themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, imam Khomeini (paqja qoftë mbi të!) të premten (xhumanë) e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, siç është dita e sotme,  e ka quajtur dita botërore e Kudsit. 

Imam Khomeini (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Unë kërkoj nga të gjithë muslimanët kudo që ndodhen që të premten (xhumanë) e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, e cila mund të jetë një prej ditëve të Kadrit, ta caktojnë si Ditën e Kudsit dhe gjatë një ceremonie të shprehin solidaritetin ndërkombëtar të muslimanëve në mbështetje të të drejtave legjitime të popullit palestinez”.

Dita botërore e Kudsit mbahet edhe sot. Kjo ditë organizohet masivisht jo vetëm në Iran por edhe në shumë vende të tjera të botës në mbështetje të popullit të privuar e të pushtuar palestinez.

Sekretari i përgjithshëm i Xhihadit Islamik të Palestinës Ramadan Abdullah Shalah ka deklaruar: “Kudsi duhet të mbahet gjallë në kujtimet e ummetit islam dhe në brazat e ardhshëm. Caktimi i të premtes së fundit të muajit të bekuar të Ramazanit si Dita botërore e Kudsit nga Imam Khomeini (paqja qoftë mbi të!) është një mundësi për të mbajtur gjallë çështjen palestineze dhe për të reflektuar realitetin që po ndodh në këtë vend të shtypur e të pushtur.

Dita Botërore e Kudsit na kujton të gjithëve çështjen themelore të botës myslimane për të cilën të gjithë myslimanët duhet të interesohen për të dhe ajo është çështja e Palestinës.  Në kohën kur imam Khomeini e caktoi Ditën Botërore të Kudsit, ai ka qartësuar se çështja e Kudsit është një çështje e shenjtë për myslimanët dhe rëndësia e kësaj çështjeje po rritet në çdo vit. 

Populli  palestinez, pavarësisht kushteve shumë të vështira të jetës si dhe vuajtjeve e shpërnguljeve, vazhdon t’i qëndrojë besnik vendit dhe idealeve të tij dhe kurrë nuk dorëzohet përballë ambicieve të cionistëve. Çështja e Kudsit duhet të jetë çështje kryesore e botës islame dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të hiqet dorë prej saj.

Në mbyllje, do të donim të tërhiqnim vëmendjen e myslimanëve se Mesxhidi “Aksa” nuk është ajo kubeja e artë, pamja e së cilës paraqitet shpesh nëpër mediat vizive. Ajo quhet Kubbetu-s Sakhra (Kubeja e Shkëmbit). Mesxhidi Aksa (xhamia “El-Aksa”) është xhamia e vjetër, e cila ndodhet pranë saj. (Kjo thënie është marrë nga shkrimi “Vlerat e Xhamisë Aksa në Islam dhe tek muslimanët”, Alban Çuli, botuar në revistën “Këshilla”, organ i Fondacionit të Kur’anit, botim i vitit 206-1427) 

Dëshiroj nga të gjithë myslimanët e ndërgjegjshëm e largpamës, besimtarët dhe besimtarët që të lusin Allahun në këto ditë të bekuara që kanë mbetur nga muaji i bekuar i Ramazait t’i luten Allahut që t’i ndihmojë myslimanët dhe t’i shpëtojnë ata prej kthetrave përçarjes, armiqësisë e pushtimit. 

E lus Allahun e Lartësuar që t’ia shkurtojë duart pushtuesve prej tokave të myslimanëve. Allahu i Madhëruar na e mundësoftë vizitën e kibles së parë të myslimanëve, xhamisë El-Aksa. Gjithashtu, e lus Allahun që mbarë njerëzit të jetojnë në paqe, në dashuri dhe në harmoni. 

Paqja, bekimet, mirësitë, mëshira dhe falja e Allahut qofshin na mbulofshin të gjithëve!