Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut.” (Sure “El Xhin”, ajeti 18.)
Në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht, që këta janë në rrugë të drejtë.” (Sure “Et-Teubeh”, ajeti 18.)
Xhamia është shtëpia e Allahut. Xhamia është një litar që mban të lidhur qiellin me tokën. Teksa i sheh ato kupola dhe ato minare të larta, të drejtuara nga qielli, të duken si fytyra të rrumbullakosura dhe duar të zgjatura drejt qiellit.
Xhamia është përfaqësuese e pastërtisë absolute, pasi në të nuk gjendet asnjë lloj papastërtie, as fizike, as morale. Ajo është një zonë rreptësisht e ndaluar për djajtë. Ajo është një zonë, ku epshet shtazarake nuk kanë vend. Duke qenë e tillë, ajo u shndërrua në burimin e pastërtisë, të besimit, të sinqeritetit dhe të kthjelltësisë.
Xhamia është galaktikë hyjnore në mesin e shkretëtirave të tokës. Nuk ka furtunë, që ta shembë gardhin e saj dhe nuk ka dallgë, që mund të mbysë udhëtarët e saj. Xhamia është një shkollë e madhe, të cilën Allahu i Madhëruar e ka cilësuar shtëpinë e Tij.
Të gjithë duhet të ngremë disa pyetje: A jemi ne vërtet nxënës të asaj shkolle?! A jemi ne prej atyre, që Allahu i Madhëruar i ka shënuar dhe i ka regjistruar si frekuentues të xhamisë?! A e gjetëm qetësinë te xhamia dhe a është zbukuruar më shumë xhamia prej pranisë sonë?!
Gjatë kohës kur Profeti i nderuar, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!) emigroi nga Meka për në Medine dhe nisi të vendosë piketat e para të fizionomisë së shoqërisë myslimane, hapi i parë që ai ndërmori, ishte ndërtimi i xhamisë në Medine. Ndërtimi i xhamisë në Medine ishte, në një farë mënyre, vendosja e gurthemelit të kësaj shoqërie. Që prej atij momenti të bekuar, xhamia u shndërrua në boshtin kryesor të lëvizjes islame.
Përpiquni dhe bëni të pamundurën, që të rikthehet roli i xhamive, ashtu siç ka qenë në periudhën e parë të Islamit. Myslimanët duhet të jenë të vetëdijshëm, gjithashtu, se nuk ekziston në Islam asnjë teori e asnjë orientim, që i fton njerëzit të veçohen prej pjesës tjetër të njerëzve apo të vetizolohen.”
“Në periudhat e para të Islamit dhe jo vetëm, xhamia ka pasur një rol qendror dhe strategjik në pikënisjen e çdo lloj lëvizjeje islame. Pikënisja e çdo lloj përpjekjeje dhe nisme të myslimanëve ka qenë pikërisht xhamia…”
Në mendimin e dijetarëve xhamia është një pikënisje e fuqishme, prej të cilës frymëzohen të gjitha etapat e formimit të njeriut dhe të ekzistencës së tij.
Ekzistenca e xhamisë është e lidhur me simbolikën e orientimit të qenies dhe të rrugëtimit të saj të pandërprerë në drejtim të Allahut të Madhëruar dhe në drejtim të fesë së Tij.
Xhamia është përfaqësuese e fytyrës së vërtetë të shoqërisë islame, sikurse është zemra e saj shoqërie. Ajo konsiderohet, gjithashtu, zemra e një shoqërie, sepse prej damarëve të saj furnizohet një shoqëri e tërë me njerëz të përkushtuar, të devotshëm, që e kanë frikë Zotin. Xhamia është organi i rëndësishëm, që ndihmon në pastrimin e gjakut të shoqërisë, sikurse e ndihmon atë të përmirësohet e të reformohet.
- XHAMIA, FORMUESE E BREZAVE TË RINJ BESIMTARË
Edukata ka rëndësi shumë të madhe në formimin e individit mysliman. Ajo luan një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e kushteve dhe të klimës së përshtatshme emocionale, shpirtërore dhe mendore të njeriut, për ta ndjekur të vërtetën dhe për t’i orientuar energjitë e tij në drejtimin e duhur. Fundi i kësaj rruge është i mirëpërcaktuar, lumturi në këtë botë dhe mirësi e shpërblim në Botën Tjetër. Në aspektin e edukimit dhe të formimit moral të individit, xhamia ka një rol shumë të rëndësishëm.
Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) ka thënë kështu: “Xhamitë duhet të jenë qendra për edukimin e myslimanit sipas normave islame. Unë mendoj se pjesa më e madhe e xhamive këtë rol ka.” (“Kelimatun Kisar”, f. 64.)
Në një tjetër deklaratë, Imami i nderuar (Zoti qoftë i kënaqur me të!), thotë: “Xhamitë duhet të jenë vendet ku mësohet feja, edukata, morali dhe shkenca e vërtetë, në të gjitha dimensionet e fjalës shkencë.” (“Kelimatun Kisar”, f. 64.)
Xhamia është toka, është dheu ku kemi mbjellë njeriun besimtar. Ai rritet me kalimin e kohës si një pemë dhe i jep frytet me lejen e Zotit të vet. Ajo është pema që është ushqyer dhe është ujitur prej dheut të xhamisë. Ajo është pema, degët e të cilës janë rritur, derisa kanë prekur qiellin. Ajo është pema e ndritur, e mbushur me frute. Rrënjët i ka në tokë, degët i ka në qiell.
Xhamia është një institucion shumë i rëndësishëm, që ndikon në formimin e një personaliteti të denjë prej besimtari, i cili mban mbi shpatullat e tij shqetësimet e fesë së Zotit dhe mesazhin e saj. Xhamia është institucioni edukativ më i rëndësishëm i shpirtit, i mendjes dhe i zemrës, që e ndihmon njeriun të përballet me vështirësitë e kësaj bote dhe me joshjet e saj mashtruese.
Sipas mendimit të dijetarëve xhamia ka një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në forcimin e unitetit shoqëror dhe të gjetjes së një bashkëpunimi të shkëlqyer midis të gjitha shtresave të shoqërisë, që nga ato më pak të rëndësishmet e deri te shtresat e larta. Ky lloj solidariteti ka qenë, gjithashtu, objekt i Mesazhit hyjnor, pasi Allahu i Madhëruar ka zbritur një sërë dispozitash dhe rregullash që rregullojnë marrëdhënien e anëtarëve të shoqërisë ndërmjet njëri-tjetrit, si dhe vëllazërimin e tyre në Islam.
Xhamia është një qendër shumë e rëndësishme mediatike dhe informimi. Xhamia është qendra më e rëndësishme e medias dhe e informimit të myslimanëve.
Sipas mendimit të dijetarëve qendra kryesore e medias islame ka qenë xhamia.”(“Menhexhijetuth-Theureh”, f. 478.)
Xhamia në Iran arriti të ndryshojë të gjitha ekuilibrat e forcave dhe nëpërmjet saj u realizua përballja e drejtpërdrejtë me tiranitë dhe fuqitë e errëta të kohës. Kjo është ajo që arriti të ndryshojë Revolucioni Islamik në Iran.
Xhamitë janë ato që i siguruan triumfin dhe fitoren popullit iranian. Ishin xhamitë, terreni prej të cilit mori vrull Revolucioni Islamik i popullit iranian. Xhamitë janë qendra shumë të rëndësishme dhe është detyrë e të gjithë popullit që të përkujdeset për to. (“Menhexhijetuth-Theuretil Islamijeh”, f. 478.)
Në islam xhamitë janë kështjella të fortifikuara, të cilat Allahu i Madhëruar i ka vendosur në tokë. Për këtë arsye, duhet të përfitojmë prej tyre.
- MOS I BRAKTISNI XHAMITË!
Mos i braktisni xhamitë, sepse jeni të ngarkuar prej Allahut që t’i frekuentoni ato.
Duke qenë se xhamia është njëkohësisht përfaqësuese e boshtit kryesor të orientimit të myslimanit dhe e besimit të tij, atëherë braktisja dhe heqja dorë prej saj do të thotë braktisje e bërthamës së orientimit të shoqërisë islame dhe një shthurje dhe destabilizim tërësor i saj. Në fakt, kjo është dhe njëra prej sëmundjeve më të rrezikshme, prej të cilës mund të goditet shoqëria islame.
Lidhur me këtë, Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Mbrojtja e xhamive është prej çështjeve themelore, mbi të cilat qëndron ekzistenca e Islamit, në ditët e sotme.” (“Kelimatun Kisar”, f. 65.)
MBROJINI XHAMITË
Mbrojtja e xhamisë është detyrë e shenjtë për të gjithë anëtarët e shoqërisë. Kjo është cilësia që e dallon intelektualin mysliman nga intelektuali në Perëndim. Intelektuali mysliman e sheh rolin qendror të xhamisë te të qenit shtëpi e Allahut të Madhëruar, që është Zoti i gjithçkaje. Mbrojtje e xhamive, nuk do të thotë të marrësh në mbrojtje muret, gurët dhe dyert e tyre, por të marrësh në mbrojtje rolin e saj qendror dhe thelbësor në tërësinë e jetës së njeriut. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u shndërruar në brezin që i përket xhamive. Kjo është e vetmja mënyrë për të furnizuar qenien dhe për ta bashkuar gjakun e damarëve tanë me mirësinë, me pozitivitetin dhe me dritën që përcjell xhamia thellësive të qenies. Detyra jonë në këtë shekull është pikërisht kjo.
Mbrojtja e xhamive është sot detyra më e madhe e myslimanëve. (“Menhexhijetuth-Theureh”-“Metodika e Revolucionit”, f. 479.)
Kjo është detyra jonë më e madhe, te e cila duhet të përqendrohemi më shumë se gjithçka tjetër. Çdo lloj hutie apo nënvlerësim i kësaj pasurie të rëndësishme të myslimanëve sot, përkthehet në dobësi të hendekut më të rëndësishëm të shoqërisë islame, çka mund të shkaktojë shembjen e plotë të shoqërisë sonë islame. Ky zhvillim i rrezikshëm shkakton dobësimin e frymës së Islamit (Zoti na ruajttë!). Dobësimi i xhamisë është themeli, burimi dhe origjina e çdo lloj dobësie tjetër.”
Nuk ka dyshim se mbrojtja e xhamive është elementi dhe aksioni më i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit mund të mbrohet shoqëria islame.
- CILI KONSIDEROHET FQINJ I XHAMISË?!
Dikush mund të përfytyrojë dhe mund të mendojë se fqinj me xhaminë konsiderohet ai që e ka shtëpinë e tij ngjitur me xhaminë. Prej transmetimeve të ndryshme kuptojmë se kuptimi i kësaj fjalie është shumë më i gjerë se kaq. Pra, ka kuptim shumë më të zgjeruar se kuptimi sipërfaqësor i saj.
Disa prej dijetarëve dhe komentuesve të këtyre transmetimeve janë të mendimit se fqinj i xhamisë konsiderohet edhe ai që e ka shtëpinë dyzet shtëpi larg xhamisë. Në një transmetim që na vjen prej prijësit të besimtarëve, Imam Aliut (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), citohet: “Hurmeti i xhamisë (gjërat e ndaluara për t‟u kryer në xhami) është dyzet hapa, ndërsa fqinj të xhamisë janë ata që banojnë deri në dyzet shtëpi në të katra drejtimet e saj.”
Disa komentues dhe dijetarë të tjerë janë të mendimit se fqinj të xhamisë konsiderohen të gjithë ata që e dëgjojnë ezanin. Transmetohet prej prijësit të besimtarëve, Imam Aliut (Paqja e Zotit qoftë mbi të!): “Nuk ka namaz për fqinjin e xhamisë (nuk konsiderohet i plotë namazi) përveçse në xhami, përveç rasteve, kur e ka një justifikim fetar, ose rasteve kur është i sëmurë.”
Ata që e shoqëronin thanë: “O prijësi i besimtarëve! Cila është ajo kategori njerëzish, që konsiderohet prej fqinjëve të xhamisë?!”
Prijësi i besimtarëve (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) tha: “Ata që e dëgjojnë thirrjen (ezanin).
Kështu pra, në rast se namazet e obliguara janë pesë namaze në ditë, do të thotë që myslimani komshi i xhamisë është i detyruar të shkojë po aq herë në ditë në xhami. Kjo prani e vazhdueshme i jep xhamisë një rol qendror në jetën e tij.
Xhamia nuk është e lidhur me trajtimin e saj si një ndërtesë e ftohtë, e vizituar prej njerëzve disa herë në ditë.
Në mendimin dhe në gjykimin dijetarëve, xhamia është një pikënisje e fuqishme, prej të cilës frymëzohen të gjitha etapat e formimit të njeriut dhe të ekzistencës së tij. Ekzistenca e xhamisë është e lidhur me simbolikën e orientimit të qenies dhe të rrugëtimit të saj të pandërprerë në drejtim të Allahut të Madhëruar dhe në drejtim të fesë së Tij.
Zanafilla natyrore dhe pozita sipërfaqësore, e lidhur me këtë botë, është e lidhur me vendin e ndërtimit (të xhamisë), që është natyra. Lidhur me këtë, Profeti i nderuar (Paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!) thotë: “Më është dhënë prej Zotit një privilegj i veçantë. Zoti e ka bërë tokën për mua dhe për pasuesit e mi të pastër edhe vendfalje.”
Të gjithë ata që kanë nisur rrugëtimin e tyre për te drita e besimit, duhet ta ndiejnë thellësisht faktin se e gjithë bota dhe e gjithë natyra është vend i pastër, ku ata mund ta adhurojnë Allahun e Madhëruar. Në fakt, arsyeja përse Zoti na ka vendosur mbi këtë tokë dhe mbi këtë natyrë, është që ne ta adhurojmë Atë. Lidhur me këtë çështje Allahu i Madhëruar thotë në Kur‟anin Famëlartë:
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë mua.”
Duke qenë se e gjithë sipërfaqja e tokës është e pastër dhe është e mundur për t‟u falur e për t‟u adhuruar Zoti, kjo do të thotë se ekzistenca jonë mbi kurrizin e saj është një formë e caktuar adhurimi.
Kjo e bën të detyrueshme për çdo besimtar dhe besimtare, i cili/e cila jetën e tij e jeton dhe e ushtron mbi tokën e pastër, të dhuruar prej Zotit, të mos përmendë e të mos adhurojë askënd tjetër përpos Tij. Është detyrë e të gjithë njerëzve, sikurse është prej normave të edukatës me këtë vendfalje, që të mos shkëputesh prej adhurimit, përveç rasteve dhe nevojave të veçanta.
Pasi të ketë konsumuar rastet dhe nevojat e veçanta, kthehet sërish aty dhe nuk adhuron askënd tjetër përveç Allahut të Madhëruar. Nuk e lidh zemrën me askënd tjetër përveç të Lartësuarit Allah. Të gjitha këto rregulla dhe dispozita duhet të respektohen, sepse nuk është e hijshme, që të ndodhë e kundërta në praninë e Allahut dhe te dera e Madhështisë së Tij.
Njeriu e shndërron qenien në faltore, në të cilën është e ndaluar të hyjnë djajtë, sikurse është e ndaluar që në të të bien në sexhde ushtarët e (nefsit/shpirtit/egos).
Është prej edukatës dhe mirësjelljes së adhuruesit që gjendet në këtë pozitë, që t‟ia bëjë me dije thellësive të zemrës së tij, se kjo tokë dhe kjo natyrë është vendi në të cilin i bëhet sexhde (përulje) Zotit, ndërsa vendi ku balli ulet në sexhde është i ushtarëve të mëshirës.10 Atij vendi i përshtaten të gjitha dispozitat e xhamisë dhe të vendfaljes. Për këtë arsye, nuk lejohet që ai vend të bëhet pis me pisllëkun e veprave të ulëta djallëzore dhe me pisllëkun e veprave të ulëta dhe të pista të egos.
Disa njerëz shkojnë në xhami thjesht për të kryer adhurimet. Disa të tjerë shkojnë në xhami për të kërkuar faljen dhe mëshirën e Zotit. Disa të tjerë shkojnë dhe kërkojnë prej Allahut të Madhëruar që Ai t‟u japë sukses në këtë botë.
Mos vallë, xhamia është thjesht për të kryer adhurimet dhe më pas për t‟u larguar?! Mos vallë, është thjesht për të kërkuar faljen dhe Mëshirën e Zotit?! Apo mos është për të kërkuar suksesin në këtë botë?!
Po të kishte qenë qëllimi i xhamisë realizimi i njërit prej këtyre qëllimeve, apo i çfarëdolloj qëllimi tjetër në veçanti, atëherë xhamia do të mund ta merrte emrin prej njërit prej këtyre qëllimeve. Ajo mund të quhej, për shembull, “shtëpia e faljes”, apo “shtëpia e mëshirës”, apo “shtëpia e adhurimit”. Vëmë re se ajo nuk ka marrë asnjërin prej këtyre emërtimeve, por është quajtur “Shtëpia e Allahut”. Pyetja që lind, është: Cila është veçoria e Emrit të Shenjtë “Allah”?
Allahu i Madhëruar thotë në Kur‟anin Famëlartë
“Ngado që të ktheheni, është Fytyra (ana) e Allahut.” (Sure “El Bekare”, ajeti 115)
Bazuar mbi këtë ajet të nderuar, mund të themi se “Shtëpia e Allahut” është përfaqësuese dhe përfshirëse e të gjitha mirësive të përfshira te Emrat e Allahut të Madhëruar dhe te të gjitha Cilësitë e Tij. Ky Emër i madh është burimi i të mirave absolute, në të gjitha rrafshet dhe dimensionet. Allahu i Madhëruar na ka njoftuar rreth Vetes së Tij dhe ka thënë se të gjitha format nëpërmjet të cilave shfaqet e mira, burojnë vetëm prej Allahut të Madhëruar. Kështu, xhamia është Shtëpia dhe qendra e Tij më e rëndësishme.
Zoti ynë! Na bëj ne prej frekuentuesve të xhamisë! Na bëj ne prej atyre që jetuan me xhaminë dhe e përjetuan thellësisht atë, derisa të shndërrohet në frymë që e pushton qenien tonë dhe bëhet pjesë e çdo lëvizjeje që ne bëjmë.
