Ne besojmë në gajb, në dijen e fshehtë dhe kjo është pjesë e besimit islam. Allahu i Madhëruar thotë: “Elif, Lam, Mim. Ky është Libri që nuk ka dyshim në të, (sepse është prej Allahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Ata që e besojnë të fshehtën (gajb), e kryejnë faljen, (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë ata japin (zeqat, sadaka, etj)…. ” (Sure “Bekare”, ajetet 1-3)
Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Kush është ai që e di të fshehtën, atë që do të ndodhë në të ardhmen në dynja, në univers, pas dynjasë? Nëse duam të njohim të fshehtën ku të shkojmë? Cili është ai që e njeh të ardhmen, e cila është në vetvete një pjesë e së fshehtës? Sipas Islamit, përgjigjia e prerë: “Askush nuk e di të fshehtën, përveç Allahut të Madhëruar.”
Në Kur’anin Fisnik, burimi i parë i legjislacionit (Sheriatit) islam, ka shumë lajme të dijes së fshehtë edhe për të ardhmen. Pjesa më e madhe e Kur’anit trajton domethënien e dijes së fshehtë, gajbin, si kuptim të gjerë. Kurse lajmet për të ardhmen, për tokën dhe ngjarjet, Kur’ani i ka paraqitur në shumë vende.
Gjithashtu, edhe burimi i dytë, sunneti, trajton hadithet e trasmetuara muslimanët nga Profeti Muhamed, (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nga Ehli Bejti që flasin për lajmet e së ardhmes. Për këtë temë ka me qindra hadithe dhe transmetime. Një pjesë e dijetarëve kanë thënë se janë mijëra transmetime që flasin për të ardhmen dhe fundin e kësaj bote.
—————————————————————-
- Kush është imam Mehdiu?
Ai është Muhamedi, i biri i Hasanit, i biri i Aliut, i biri i Muhamedit, i biri i Aliut, i biri i Musait, i biri i Xhaferrit, i biri i Muhamedit, i biri i Aliut, i biri i Hysejnit, i biri i Aliut, i biri i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi ta!).
Imam Muhamed Mehdiu (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) ka lindur në Samarra, e cila ndodhet në Irak, në vitin 255 të hixhrit.
Imamati i tij
Imam Muhamed Mehdiu (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) pas vdekjes së babait të tij, imam Hasan Askeriut (Paqja qoftë mbi të!), në vitin 260 të hixhrit.
Imam Mehdiu (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) është shpëtimtari i njerëzimit, ardhjen e të cilit e përgëzojnë fetë qiellore. Ai do ta mbushë tokën me drejtësi e mirësi, pasi të jetë mbushur me padrejtësi e ligësi. Këtë e ka lajmëruar profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe imamët e tjerë të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
Çështja e lindjes së tij është fshehur nga frika e pushtetit abasit, që kërkonte ta vriste.
Për imam Mehdiun (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) ka dy të fshehta: Fshehja e Vogël (e shkurtër) dhe e Fshehja e Madhe (e gjatë).
Fshehja e Vogël (e shkurtër)
Kjo fshehje filloi me lindjen e imamit Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!), në vitin 255 të hixhrit dhe përfundoi me vdekjen e përfaqësuesit të tij të katërt në vitin 328 të hixhrit.
Gjatë Fshehjes së vogël (të shkurtër), imami kontaktonte me pasuesit e tij nëpërmjet përfaqësuesve të tij në mënyrë të fshehtë. Ata përfaqësues ishin:
1- Uthman ibn Said El Umerij
2- Muhamed ibn Uthman El Umerij
3- Husein ibn Ruh En Neubekhtij
4- Ali ibn Muhamed Es Semerij
Fshehja e Madhe (e gjatë)
Kjo fshehje ka filluar kur vdiq përfaqësuesi i katërt i imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!), në vitin 328 të hixhrit dhe do të vazhdojë derisa Allahu ta urdhërojë ardhjen e tij.
Shumë ajete kur’anore janë interpretuar në lidhje me Imam Mehdiun e pritur. Këtu ne do të përcjellim disa prej tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “…të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” (Sure “El Bekare”, ajeti 3)
Imam Xhafer Es Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Të devotshmit janë pasuesit e Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe e padukshmja (Gajbi) është argumenti i fshehur (Imam Mehdiu)”.
“Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë”. (Sure “Kasas”, ajeti 5)
Në veprën “Nehxhul Belaga”, Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Bota e mirë le të jetë me ne, pas diellit të saj. Mirësia e saj buron për djalin e tij”.
Pastaj lexoi ajetin: “Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë.” (Sure “Kasas”, ajeti 5.)
- Pozita e Mehdiut në Islam
Një prej çështjeve që ka lidhje me besimin në gajb (e fshehta) është edhe çështja e imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!). Kjo çështje nuk është e posaçme vetëm për një grup myslimanësh apo për një medhheb të caktuar. Nuk është çështje e posaçme e shiizmit. Ajo çështje e përgjithshme që i përket të gjithë myslimanëve sepse Profeti Muhamed ka lajmëuar për këtë çështje. Përderisa Profeti Muhamed ka lajmëruar për këtë, atëherë duhet të zbatohet thënia e Kur’anit të shenjtë që thotë: “…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj…” (Sure “Hashr”, ajeti 7)
Myslimanët e të gjitha medh’hebeve pajtohen për shfaqjen e Mehdiut (Allahu i Madhëruar e shpejtoftë ardhjen e tij të nderuar!), në periudhën e fundit . Janë aq të shumta transmetimet rreth kësaj çështje, saqë njeriu qetësohet dhe ndihet i sigurt se këto transmetime janë thënë nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), si dhe Imamët nga familja e tij.
Doktrina (e besimit te Mehdiu) nuk është e veçantë vetëm për shi’itët, përkundrazi të gjithë myslimanët e besojnë atë, por disa medh’hebe kanë fjalë të tjera në detajet dhe degëzimet e saj. Sidoqoftë, thelbi (baza) i çështjes është se një njeri nga familja e të Dërguarit të Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), në një moment të caktuar, do të bëjë një lëvizje të fuqishme hyjnore. Ai do ta mbushë tokën me drejtësi dhe barazi, ashtu si është e mbushur me padrejtësi dhe pabarazi.
Kjo çështje është e njohur nga të gjithë myslimanët dhe është e pranueshme te të gjithë ata”.
Janë të shumta hadithet që janë transmetuar në lidhje me Imam Mehdiun. Ato janë transmetuar jo vetëm nëpërmjet rrugës së shi’itëve, por edhe të sunitëve. Janë përmendur në shumë libra, qofshin ato libra shi’ite apo sunite.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mehdiu është një burrë nga fëmijët e mi dhe fytyra e tij është si një planet i shndritshëm”.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mehdiu është prej nesh, Ehli Bejti. Ai do ta mbushë tokën me drejtësi dhe barazi, ashtu si është e mbushur me padrejtësi dhe pabarazi”.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nuk do të kalojnë ditët dhe nuk do të kalojë koha, derisa arabët të kenë një burrë nga Ehli Bejti, emri i të cilit është emri im”.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ali ibn Ebu Talibi, është imami i umetit tim dhe kalifi im, pas meje. Nga bijtë e tij është i prituri, me të cilin Zoti do ta mbushë tokën me drejtësi dhe barazi, ashtu si është e mbushur me padrejtësi dhe pabarazi. Betohem në Atë që më dërgoi me të vërtetën dhe përgëzues se ata që do të jenë të vendosur dhe do ta pranojnë si Imam në kohën e mungesës së tij, do të jenë më të lartësuar se squfuri i kuq”.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mehdiu është nga familja ime dhe është nga djemtë e Fatimes”.
- IMAM MEHDIU (Allahu ia shpejtoftë ardhjen!) NË BURIMET E EHLI SUNETIT
Imam Mehdiu është prej gjenezës së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
1- Në librin “Kenzul Ummal”, vëllimi 7, faqe 186, Hadhifetu ka transmetuar nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Mehdiu është është prej gjenezës sime. Fytyra e tij është e ndritur si ylli ndriçues”.
2- Në librin “Jenabiul Mvedetu”, transmetohet nga Xhabir Abdullah El Ensarij i cili ka transmetuar thënien e profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Mehdiu është prej gjenezës time, emri i tij është emri im, pseudonimi i tij është pseudonimi im. Ai është më i njashmi i njerëzve me mua në pamje dhe në morale. Për atë do të ketë një fshehje prej së cilës do çoroditen kombet, pastaj do tëvijë si ylli ndriçues dhe do te mbulojë tokën me drejtësidhe mirësi ashtu siç u mbush me padrejtësi dhe shkatarrim”.
3- Në librin “Nurul Ebsar”, i autorit Sheblenxhij Esh Shafiij, i cili ka vdekur në vitin 1298 të hixhrit në faqen 154 thuhet: Ibn Sherevij në librin “El Firdous” në kapitullin “Eli dhe Lam transmeton nga ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka transmetuar thënien e profetit që ka thënë: “Mehdiu është palloi i banorëve të Xhenetit”.
4- Në librin “Tedhkiretul Khavasul Eimeti” botuar në vitin 1369 të hixhrit në faqen 377 përmendet hadithi i Profetit i transmetuar nga ibn Umeri, i cili ka thënë: “Në fundin e zamanit do të vijë një person prej gjenezës time emri i tij është si emri im, pseudonimi i tij do të jetë si pseudonimi im do ta mbushë tokën me drejtësi dhe mirësi siç është mbushur me padrejtësi dhe shkatarrim. Ai do të jetë Mehdiu”.
Autori thotë: Këtë hadith e ka transmetuar me të njëjtin kuptim Ebu Daud Ez Zehrij nga Aliu. Në të thuhet: “Nëse nuk ka mbetur nga jeta vetëm një ditë Allahu do të dërgojë një person prej Ehli Bejtit që të mbulojë tokën me drejtësi.” Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi në Sunenin e tij vëllimi 2, faqe 422, Ibn Haxhr në librin e tij “Savaikul Muhrikatu” faqe 98 dhe autori i librit “Nurul Absar” faqe 156-157.
Mehdiu (Allahu i Madhëruar e shpejtoftë ardhjen e tij të nderuar!), nuk është vetëm mishërim i doktrinës (akides) islame, që nënkupton një natyrë fetare, por përkundrazi, është referenca e dëshirave që me të, njerëzimi u është drejtuar të gjitha feve dhe medh’hebeve të tij të ndryshme.
E gjithë kjo zbulon dhe nxjerr në pah ekzistencën e një frymëzimi të lindur në ndërgjegjen njerëzore. Pavarësisht nga shumëllojshmëria e besimeve të tyre, njerëzit, përmes saj, e kuptuan se njerëzimin e pret një ditë e premtuar në tokë. Në atë kohë, misionet qiellore do të përmbushin domethënien e tyre të madhe dhe qëllimin përfundimtar.
Gjithashtu, njerëzimi do të gjejë rrugën e sigurisë, pas përpjekjeve të mëdha që ka bërë përgjatë historisë. Kur feja mbështet këtë ndjenjë psikologjike dhe ndjenjën e natyrshmërisë njerëzore, si dhe e miraton se toka më në fund do të mbushet me drejtësi dhe barazi, pasi ajo ka qenë e mbushur me padrejtësi dhe pabarazi, atëherë ajo i jep asaj ndjenje vlerën e saj objektive, si dhe e kthen atë në një besim vendimtar për të ardhmen e udhëtimit njerëzor.
- Mënyra e përgatitjes së mbështetësve të Imam Mehdiut (Allahu i Madhëruar e shpejtoftë ardhjen e tij të nderuar!)
Janë përcjellë shumë transmetime që kanë të bëjnë me karakteristikat e shokëve dhe mbështetësve të Imam Mehdiut (Allahu i Madhëruar e shpejtoftë ardhjen e tij të nderuar!). Sa më të përgatitur të jenë shokët e tij, aq më shpejt do të shfaqet Mehdiu. Përmendim disa nga cilësitë e tyre:
E para: Besimi dhe njohja e Zotit
Ibn Ektem El Kufij, në librin “El Futuh”, ka transmetuar nga Prijësi i besimtarëve, Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!): “Mjerë për të divorcuarit. Allahu i Madhëruar ka thesare që nuk janë nga floriri dhe as nga argjendi, por ata janë burra besimtarë që e njohin më së miri Zotin, si dhe janë mbështetësit e Mehdiut, kur ai të shfaqet”.
E dyta: Guximi (trimëria)
Autori i librit Akdu Ed Durer transmeton në një hadith të gjatë: “Allahu e hedh dashurinë e Tij në zemrat e njerëzve. Gjatë ditës ata janë njerëz trima, të guximshëm si luanë, kurse gjatë natës besimtarë e përkujtues të Allahut”.
E treta: Sinqeriteti
Nga El Bakiri (Paqja qoftë mbi të!), në një hadith të gjatë, transmetohet: “… si do të ndiheshit, sikur ta shihnit mikun tuaj?” Ata iu përgjigjën: “Pasha Allahun! Nëse ai do të kishte për qëllim malet, ne do ta pasonim atë”.
E katërta: Adhurimi dhe lutja
Në hadith përcillet: “…gjatë ditës atë e pasojnë trima, të guximshëm si luanë, kurse gjatë natës besimtarë e përkujtues të Allahut”.
E pesta: Qëndrueshmëria
Në një transmetim përcillet: “Një grup nga umeti im do të vazhdojë të luftojë jo vetëm në portat e Damaskut dhe rrethinat e tij, por edhe në portat e Jerusalemit dhe përreth tij. Ata nuk do të dëmtohen nga zhgënjimi i atyre që largohen prej tyre, duke e shfaqur të vërtetën, derisa të vijë ora”.
