Ndër dëshmorët e Kerbelasë është edhe i riu i zgjuar, dëshmori Uehb ibn Hubab El Kelbi. Kush ishte ky i ri dhe cila është prejardhja e tij?

Ai ishte nga të krishterët e Kufës, nga rajoni i Kadesijes, një prej periferive të Kufës. Ai është nga dëshmorët e Kerbalasë dhe nga personalitetet që meritojnë të merren shembull. 

Takimi i tij me imam Husejnin (a.s) ndodhi rastësisht, por sa e sa herë ndodh që një rastësi të jetë më e mirë se një mijë takime të caktuara më parë. Në rrugën drejt Kufës, karvani i imam Husejnit u ndal në një vend ku ky i ri ishte me nënën e tij në çadrën e tyre. Imam Husejni, ndërsa ecte mes çadrave të atij vendi, ishte në kërkim të ujit. Rastësisht u ndal te kjo çadër, ku i riu nuk gjendej aty, por imam Husejni pa një grua dhe e pyeti: “A keni ujë?” Dhe kërkesa për ujë, sipas zakoneve të arabëve, është më e nderuar sesa kërkesa për ushqim, sepse kërkesa për ushqim bart me vete poshtërim.

Gruaja u përgjigj: “Uji ynë na është sosur dhe djali im shkoi të sjellë ujë. Pra, prit pak, o vëlla arab, derisa të vijë me ujë.” Ajo, sigurisht, nuk e dinte kush ishte ai që qëndronte para saj.

Imam Husejni (a.s) e pyeti: “Si quhet biri yt?”

Ajo u përgjigj: “Biri im quhet Uehb.”

Atëherë imam Huseini i tha asaj:

“O robinë e Zotit, unë po shkoj, e kur të kthehet biri yt, përcilli atij përshëndetjet e mia dhe thuaji se Husejni të dërgon selam dhe se ai që Mesihu të ka urdhëruar ta ndjekësh, unë jam ai.”

Imam Husejni (a.s) u largua. Pas pak, djali i saj u kthye dhe ajo ia përcolli mesazhin. Ai u habit dhe tha: “O nënë, mbrëmë pashë në ëndërr sikur isha përpara Mesihut dhe ai më urdhëronte të ndjek këtë Husejnin.”

Ky i ri filloi t’i afrohej imsm Husejnit, e njohu atë dhe u tërhoq nga bukuria, përsosmëria dhe fjalët e tij të ëmbla. Zemra e tij u mbush me dashuri për Husejnin dhe i foli duke thënë: “O Ebu Abdilah, a e pranon islamin tim?”

Imam Husejni e mirëpriti dhe ai vërtet e pranoi Islamin. Ky i ri nuk u nda më nga imam Husejni as edhe një çast lum për të dhe qoftë i bekuar!

Ajo që po tregoj ndodhi njëzet e një ditë para rënies së tij dëshmor, që do të thotë se ky i ri jetoi njëzet e një ditë në Islam, ndërsa pjesa tjetër e jetës së tij ishte në të krishterizëm. Por historia e përmend, folësit e përkujtojnë dhe emrin e tij e kurorëzojnë me përshëndetje dhe lavdërim.

Më nëntëmbëdhjetë të muajit Dhil Hixheh të vitit 60 Hixhri, ai (Uehbi) pranoi Islamin dhe në Muharram të vitit 61 Hixhri ra dëshmor.

Ai ishte i sapomartuar, dhe kjo është një dritë udhëzuese e veçantë për të rinjtë që të marrin shembull prej tij. Në këtë udhëtim ai u takua me imam Husejnin (a.s), dhe tha: “O Ebu Abdilah, unë nuk do të ndahem nga ti.”

Kur imam Huseini mbërriti në Kerbrla, Uehbi zbriti me të. Ai vendosi çadrën pranë kampit të imam Husejnit bashkë me nënën dhe bashkëshorten e tij, e cila ishte një nuse e re. 

Kur shpërtheu lufta, ai mori shpatën. Nëna e tij e nxiste të ndihmonte Husejnin, ndërsa gruaja e tij e kundërshtonte me ngulm.

Në fund ai hyri në betejë, por u kthye pas pak, i plagosur, dhe i tha nënës: “A je e kënaqur me mua?”

Ajo i tha: “Jo, derisa të shoh të të ketë goditur ajo që i ka goditur shokët e Husejnit!”

Dhe ai u rikthye në luftë, duke thirrur: Nëse nuk më njihni, unë jam biri i Kelbiut

Do të më shihni mua dhe goditjet e mia

Në mbrojtje të Husejnit, më të mirit ndër shokët.

Ai vrau, megjithë moshën e tij të re, nëntëmbëdhjetë vetë, derisa ra në tokë. Atëherë edhe gruaja e tij filloi ta nxiste. Ai i tha: “Çfarë ndodhi?”

Ajo i tha: “Thirrja e Husejnit më copëtoi zemrën. E dëgjova duke thirrur: ‘A ka ndonjë ndihmues që të më ndihmojë?’”

Kur ai ra dëshmor, nëna e tij vrapoi me një shtyllë në dorë, që të mbronte Huseinin. Por Huseini e ktheu te çadra, duke i thënë:

“Vdekja dhe lufta janë të shkruara për ne, ashtu si për kuajt fisnikë që tërheqin pas vetes bishtat e tyre.”

Ajo tha: “O bir i të dërguarit të Allahut, duhet të luftoj derisa të vritem, sepse nuk mund të duroj robërinë pas jush.”

Imam Husejni i tha: “A nuk të mjafton që të jesh si motra ime, Zejnebi?”

Ajo pyeti: “A do të merret ajo robëreshë?”

Ai tha: “Po, ajo do të merret robëreshë nga një vend në tjetrin.”

Ajo duroi dhe qëndroi me karvanin e robërve derisa hynë në Kufe, ku disa burra nga fisi i saj e shpëtuan.

Qëndrimi i këtij të riu të zgjuar, Uehbit, dhe i shokëve të tjerë të Husejnit dëshmoi me flijimet e tyre për madhështinë e qëllimit: mbrojtjen e Islamit dhe ngritjen e flamurit të Ehli Bejtit, flamuri i drejtësisë, së vërtetës dhe teuhidit.

Allahu e shtoftë gradën e tij! Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!