Nga imam Sejid Ali Khamenei

Asnjë shoqëri apo qytetërim nuk mund të qëndrojë i qëndrueshëm pa një identitet mendimor që shpreh vetveten. Përmes këtij identiteti ajo nis të shfaqet para qytetërimeve të tjera, duke shpallur personalitetin e saj. Kjo nuk mund të ndodhë veçse përmes bashkimit të saj mbi një bazë të fortë që përfaqëson unitetin e saj. Përçarja dhe copëtimi qytetërues është në fakt një shprehje tjetër e zhdukjes së identitetit, dhe më pas, e zhdukjes së qytetërimit.

Prej këtu, vlera e unitetit ndërmjet individëve të një qytetërimi të vetëm konsiderohet si një nga themelet më të rëndësishme për ndërtimin e vlerave, dhe për këtë arsye, përpjekjet e armiqve të qytetërimit janë të përqendruara në radhë të parë në shpërbërjen e lidhjes ndërmjet grupeve, sekteve dhe individëve të një qytetërimi dhe kombi të vetëm.

Në këtë kontekst, del në pah vlera e unitetit islamik, për të cilën imam Khamenei (Zoti e ruajtë!) thotë: “Pikat e përbashkëta ndërmjet myslimanëve janë më të shumta se pikat e ndarjes dhe dallimeve. Një tjetër pikë është kjo: Nëse vendosim që të paraqesim vlerat islame si vlera thelbësore në botë, që tërheqin zemrat e njerëzve dhe që në bazë të tyre të ndodhë një ndryshim i caktuar në jetën e myslimanëve, atëherë duhet të ruajmë unitetin midis myslimanëve. Në kushte ndarjeje, armiqësie dhe luftrash sektare, myslimanët nuk mund të gëzojnë unitet.

Ne nuk u rekomandojmë grupeve të botës islame të braktisin besimet e tyre dhe të përqafojnë besimet e ndonjë grupi tjetër. Por u themi të gjithë myslimanëve: Hapësirat e përbashkëta ndërmjet nesh janë më të mëdha dhe më të rëndësishme se zonat e ndryshimit. Armiqtë tanë e theksojnë gjithnjë ndryshimin, ndërsa ne, përkundrazi, duhet të forcojmë të përbashkëtat, dhe të mos i japim armikut asnjë pretekst përmes përçarjes sonë që ai të gjejë zona presioni në trupin e umetit islam.”[1]

Kuptimi i unitetit islam

Nëse dëshirojmë të kërkojmë për gjënë e përbashkët që bashkon myslimanët, atë që shprehet si uniteti islam, në radhë të parë mund të hasim në dallimet sektare dhe mendimore mes tyre. Prandaj, pajtimi sektar nuk mund të jetë baza e arritjes së unitetit. Siç thuhet: “Nuk synohet që të gjitha medh’hebët të shkrihen në një të vetme. Disa i mohojnë medh’hebet me qëllim që të arrihet uniteti mes myslimanëve. Por mohimi i medh’hebeve nuk zgjidh problemin. Pranimi i tyre është ajo që e zgjidh. Le të veprojë çdo medh’heb në mënyrë natyrale në zonën e tij, por le të përmirësojnë marrëdhëniet me njëri-tjetrin.”[2]

Nuk nënkuptojmë me unitetin islam që myslimanët të braktisin medh’hebët e tyre dhe të përqafojnë një tjetër. Jo, nuk është kjo që kërkohet. Kur thërrasim për unitet, nuk kemi për qëllim që grupet islame – qofshin shiite apo sunite – ose nënndarjet brenda tyre, të detyrohen të heqin dorë nga besimet e tyre për t’u bërë pjesë e një pale tjetër. Kjo është çështje që lidhet me hulumtimin personal të individit, me kërkimin dhe bindjen e tij para Zotit – dhe nuk është tema jonë.

Ne duam t’u themi të gjithë myslimanëve – si shiitë ashtu edhe sunitë – që mes tyre ka pika të përbashkëta dhe dallime. Ata ndajnë shumë çështje që i mendojnë dhe i zbatojnë njësoj, dhe kanë edhe gjëra të tjera që i ndjekin ndryshe.

Çështja themelore është kjo: Pikat e përbashkëta janë më të shumta se ato të ndryshimit. Të gjithë myslimanët besojnë në një Zot të vetëm, një Kiblë të vetme, një Profet, në dispozitat fetare si namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi.

Nuk gjeni dy myslimanë që nuk ngrihen për të falur namazin e sabahut, vetëm nëse ndokush nuk dëshiron ta kryejë detyrimin e tij. Përndryshe, të gjithë myslimanët e botës besojnë në detyrimin e faljes së pesë kohëve të namazit, dhe se është e pëlqyeshme të falet namazi i natës pas mesnatës. Të gjithë myslimanët besojnë se namazi duhet të falet drejt Kiblës dhe në gjuhën e Kur’anit.

Kur vjen muaji i Ramazanit, të gjithë myslimanët agjërojnë, nëse janë të sigurt se ka hyrë dita e parë e Ramazanit – përveç atyre që nuk duan t’i binden detyrimit të tyre. Përndryshe, të gjithë e besojnë këtë çështje…

Ne themi: O myslimanë të botës, kudo që të jeni, nëse njihni armiqtë tuaj dhe miqtë tuaj, realiteti i jetës suaj do të ndryshojë prej asaj që është sot. Ju sot vuani nga përçarja, dobësia dhe prapambetja. Vendet islame janë të varfra, të nënshtruara dhe shpesh të robëruara. Armiqtë e Islamit duan ta zhdukin Islamin nga vendet islame me forcë. Zemrat e të gjithë myslimanëve janë me Zotin dhe Islamin. Ata e duan Islamin. Politikat dhe fuqitë e mëdha botërore përpiqen, përmes qeverive të tyre kukulla, të largojnë popujt nga Islami.

Nëse qëndroni së bashku dhe i lini mënjanë mosmarrëveshjet e grindjet, dhe nuk i përdorni potencialet tuaja, të cilat janë një forcë e madhe që mund të shfrytëzohet për përmirësimin e fesë dhe jetës suaj – kundër njëri-tjetrit, atëherë synimet e ndyra të armiqve nuk do të realizohen.

Le të bashkohen myslimanët dhe të mos jenë armiq mes tyre. Ne nuk po themi që sunitë të kalojnë në shiizëm, apo shiitë të heqin dorë nga bindjet e tyre. Natyrisht, nëse ndonjë sunit ose kushdo tjetër hulumton dhe kërkon, atëherë ai duhet të veprojë sipas bindjes që ka arritur – çfarëdo që të jetë ajo bindje. Kjo i përket atij dhe Zotit.

Fjala jonë gjatë “Javës së Unitetit” dhe si një mesazh për unitetin, është që myslimanët të bashkohen dhe të mos jenë armiq mes tyre. Baza e këtij uniteti është Libri i Zotit, Suneti i Profetit të Nderuar (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe Sheriati islam. Kjo nuk është një fjalë e keqe. Kjo është një fjalë me të cilën pajtohet çdo njeri i arsyeshëm, i drejtë dhe qëllimmirë.”[3]

Pra, del qartë se e vërteta e unitetit që duhet të përbëjë sistemin e përbashkët mes individëve të shoqërisë dhe umetit islam, është bashkimi i forcave dhe potencialeve, pavarësisht prej dallimeve sektare apo medh’hebore, për ringritjen qytetëruese të umetit dhe përballjen me armikun që kërkon ta zbrazë trupin dhe shpirtin e umetit nga forcat dhe burimet e tij.

Me fjalë të tjera: “Ne me këtë fjalë nuk duam të themi që shiitët të bëhen sunitë apo sunitët të bëhen shiitë, dhe as të ndalojmë shiitët dhe sunitët të punojnë shkencërisht për të forcuar bindjet e tyre sipas mundësive. Përkundrazi, puna shkencore është shumë e mirë dhe nuk ka asnjë problem. Le të shkruajnë libra në mjedise shkencore, jo në mjedise joserioze e me metoda të këqija dhe të gabuara.

Nëse dikush mund të provojë logjikën e tij, atëherë nuk duhet t’ia pengojmë punën… Nëse umeti islam bashkohet në çështjet kryesore, me një popullsi që arrin në një miliard e gjysmë, shihni çfarë fuqie e madhe do të shfaqet në botë. Por nëse prishet uniteti kombëtar, atëherë të flasësh për unitetin e botës islame do të duket si një përrallë, për të cilën të gjithë do të qeshin. Disa duan pikërisht ta përhapin këtë gjendje.”[4]

Uniteti Islam përballë komplotit të armikut

Pasi armiqtë e Islamit panë se çfarë përmban Islami dhe vendet islame nga burime dhe potenciale të mëdha, ata u ngritën për të penguar krijimin e një bashkësie njerëzore qytetëruese që përfaqëson fuqinë hyjnore të Islamit dhe qëndrueshmërinë e tij. Prandaj, ata përdorën të gjitha llojet e armëve për të parandaluar bashkimin e myslimanëve.

Në historinë tonë të sotme, armiku dallon me veçori që nuk kanë ekzistuar më parë: “Ai është i pajisur deri në maksimum me pasuri, politikë, media dhe të gjitha llojet e mjeteve të ndikimit, depërtimit dhe goditjes. Kush është armiku i Islamit? Ai është fronti i arrogancës botërore – që nga sionizmi, deri tek Amerika, kompanitë e naftës, e deri tek shkrimtarët dhe intelektualët e paguar që punojnë për to.

Ky është një front i armatosur deri në dhëmbë, që shtrihet nga një skaj i botës në tjetrin. Asnjëherë më parë fronti kundër Islamit nuk ka qenë i armatosur dhe i pajisur me kaq shumë mjete dhe mjete ndikimi siç është sot…

Çfarë do të bëjë ky armik? Mjeti më i mirë që ai ka në dorë është të mbjellë përçarje mes myslimanëve, veçanërisht midis pjesëve që kanë aftësinë të frymëzojnë pjesën tjetër të myslimanëve dhe të jenë shembull për ta.”[5]

Uniteti Islam nuk është një slogan bosh

Disa e paraqesin unitetin islam si një slogan politik bosh, pa thelb, por në realitet kjo është larg së vërtetës. Mjafton të ndalemi në thellësinë qytetëruese të Islamit dhe në nevojën urgjente për të ndërtuar një qytetërim islam, dhe në atë që kërkon kjo ndërtim nga bashkëpunimi i vërtetë dhe real midis myslimanëve, për të kuptuar se slogani i unitetit bazohet në themele të vërteta.

Rekomandimi im për vëllezërit myslimanë është se uniteti midis myslimanëve është një domosdoshmëri jetike për ta në kohën e tanishme. Nuk është shaka apo vetëm një slogan. Shoqëritë islame duhet të jetojnë së bashku në një gjendje të unitetit të fjalës në mënyrë të drejtë, dhe të ecin e të lëvizin në mënyrë të kordinuar.

Uniteti, natyrisht, është një çështje e ndërlikuar. Krijimi i unitetit është një proces i ndërlikuar. Uniteti midis popujve myslimanë është i mundur edhe me ekzistencën e dallimeve në shkolla të mendimit, në mënyrat dhe traditat e jetës, apo në mendimet juridike. Kuptimi i unitetit midis popujve myslimanë është që ata të lëvizin në një drejtim të përbashkët në çështjet që kanë të bëjnë me botën islame, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të mos e përdorin potencialin dhe burimet e tyre kundër njëri-tjetrit…

Çështja e unitetit midis myslimanëve është një çështje serioze dhe duhet të trajtohet me seriozitet. Çdo ditë që vonohet realizimi i kësaj çështjeje, është një ditë e humbur për botën islame. Disa nga këto ditë janë aq të ndjeshme sa ndikojnë në një epokë të tërë. Nuk duhet të lejoni që kjo çështje të vonohet.[6]

Revolucioni në Iran është një revolucion islam, jo një revolucion shiit

Që nga fillimi i revolucionit, imam Khomeini (Zoti e mëshiroftë), dhe pas tij imam Khamenei (Zoti e ruajtë!), theksuan vazhdimisht se thelbi i këtij revolucioni buron nga parimet dhe themelet islame, mbi të cilat duhet të ngrihet çdo qytetërim islam. Prandaj, armiqtë e revolucionit, në përpjekjen e tyre për të shkatërruar themelet e tij, kanë synuar mbjelljen e përçarjes, gjë që çon në largimin e pjesës tjetër të sekteve nga revolucioni islamik. Armiku dëshiron që, pikërisht gjatë Javës së Unitetit, që është për unitetin e umetit islam, të shpërthejë përçarje mes sekteve islame.

Veçanërisht pas fitores së Revolucionit Islamik, armiku kërkoi të shkëpusë Iranin e revolucionit nga pjesa tjetër e popujve. Ai dëshiron që në botën islame të thuhet: ‘Këta janë shiitë dhe revolucioni i tyre është shiit, nuk ka të bëjë me ne që jemi sunitë.’

Populli iranian, që nga fillimi i revolucionit, tha: ‘Po, ne jemi shiitë që ndjekim Ehli Bejtin e Profetit, por ky revolucion është një revolucion islam, i ngritur mbi bazën e Kuranit, teuhidit dhe Islamit të pastër dhe origjinal, si dhe mbi bazën e unitetit dhe vëllazërisë mes të gjithë myslimanëve.’ Këtë e ka thënë populli ynë që në fillim dhe e ka shpallur Imami ynë. Mos lejoni që ky unitet të njolloset.”[7]

Qendra bashkuese e myslimanëve

Nëse dëshirojmë të kërkojmë për qendrën që bashkon myslimanët dhe që realizon unitetin e tyre, përveç parimeve të përbashkëta të besimit, ku në krye qëndron Teuhidi (besimi në Një Zot), do të gjejmë personalitetin e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Personaliteti i tij është i shenjtë për të gjithë myslimanët dhe përbën një pikë të përbashkët, për të cilën nuk ka mosmarrëveshje mes tyre.

Në këtë drejtim, imam Khamenei (Zoti e ruajtë!) thotë: “Ajo që është e rëndësishme për ne myslimanët, është të shtojmë njohurinë tonë për Islamin dhe për Profetin e Nderuar. Një nga tragjeditë më të mëdha të botës islame sot është tragjedia e përçarjes dhe ndarjeve. Personaliteti i shenjtë i Profetit mund të jetë boshti i unitetit në botën islame, ai është bindje për të gjithë, dhe qendra ku bashkohen ndjenjat e të gjithë njerëzve.

Ne, myslimanët, nuk kemi një qendër më të qartë dhe gjithëpërfshirëse se personaliteti i Profetit; një personalitet në të cilin besojnë myslimanët, dhe zemrat e tyre i drejtohen me ndjenja shpirtërore dhe emocionale. Kjo është qendra më e mirë për unitet. Është detyra e dijetarëve të Islamit, të intelektualëve myslimanë, shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në botën islame që të paraqesin për myslimanët dhe jomyslimanët personalitetin e Profetit të Nderuar dhe madhështinë e tij, sipas mundësive të tyre. Kjo është diçka që do të ndihmojë në bashkimin e umetit islam dhe në ringjalljen dhe entuziazmin drejt Islamit, gjë që vërehet sot te brezat e rinj të umetit islam.”[8]

Prej këtij parimi, imam Khomeini (Zoti e mëshiroftë) e shpalli ditëlindjen e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) si një moment për të përhapur vlerën e unitetit islam, përmes idesë së “Javës së Unitetit”. Ishte një hap shumë i zgjuar përballë planeve të armiqve, dhe siç shprehet imam Khamenei, kjo është një “sadaka e vazhdueshme”: “Një nga sadakat e vazhdueshme të revolucionit, që lindi nga mendimi i vetëdijshëm i imam Khomeinit (Zoti e mëshiroftë), është shpallja e ditëve të lindjes së Profetit të Nderuar si ditë të unitetit islam. Kjo çështje është e rëndësishme, sepse uniteti islam është një ndër synimet dhe shpresat. Disa e mbajnë vërtet këtë shpresë, e disa të tjerë e përmendin vetëm si fjalë, pa përmbajtje.

Sidoqoftë, ky synim ka nevojë për një rrugë praktike. Nuk mund të realizohet asnjë synim pa përpjekje dhe mund. Kur mendojmë për rrugët praktike për këtë qëllim, gjejmë se më e mira dhe më e madhja ndër to është personaliteti i lartë në gjithë krijimin, pra, vetë figura e bekuar e Profetit të Nderuar, e cila bashkon ndjenjat dhe bindjet e përgjithshme të myslimanëve.”[9]

Uniteti Islam – hapi i parë drejt krenarisë islame

Krenaria islame, në një nga kuptimet e saj, do të thotë mosvarësi dhe pavarësi. Kjo bëhet më e qartë kur kuptojmë se rrugët e kolonializmit zakonisht fillojnë me përçarjen dhe shpërndarjen e forcave të ndryshme, me qëllim që të vihen nën kontroll. Prandaj, shfaqja e sloganit për unitet midis myslimanëve është një domosdoshmëri e imponuar nga nevoja për ndërtimin e qytetërimit, nëpërmjet forcimit të krenarisë së brendshme përballë atyre që duan ta shfrytëzojnë atë.

Imam Khamenei (Zoti e ruajtë hijen e tij) thotë: “Ata që ngrejnë flamurin e bashkimit, unitetit dhe vëllazërisë midis myslimanëve nuk janë armiqtë e tyre – përkundrazi, janë miqtë e myslimanëve. Ata duan të mirën për ta dhe synojnë krenarinë e të gjithë myslimanëve në botë. Çfarë dobie ka që myslimanët nga medh’hebe të ndryshëm të qëndrojnë kundër njëri-tjetrit, të sulmojnë njëri-tjetrin, dhe më pas të vijë armiku, t’i rrethojë të dyja palët, t’i përplasë kokë më kokë dhe të përfitojë nga përçarja e tyre?! A është kjo gjë e drejtë?…

Uniteti i myslimanëve do t’i japë botës islame krenari. Janë mbi një miliard muslimanë në botë që besojnë në një Zot, në një Profet, në një namaz, në një haxh, kanë një Kible, kanë një Kur’an dhe shumë dispozita të përbashkëta fetare, ndërkohë që ndryshimet mes tyre janë të pakta. A është e arsyeshme të përqendrohen tek këto pak dallime dhe të luftojnë për to, që t’u japin mundësi atyre që kundërshtojnë Zotin, Profetin, fenë dhe gjithçka, të realizojnë projektet e tyre?!”[10]

Në një tjetër rast, Imam Khamenei (Zoti e ruajtë hijen e tij) thotë: “Umeti islam sot ka nevojë për unitet për jetën e tij, për krenarinë, për shpëtimin dhe për ngritjen e flamurit të Islamit. Uniteti ka përparësi mbi të gjitha çështjet dhe nevojat e tjera; ai është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Pse nuk e kuptojmë domosdoshmërinë e bashkimit midis myslimanëve?! Kemi një barrë të rëndë mbi supe, dhe koha është jashtëzakonisht e ndjeshme. Nëse armiqtë arrijnë të pushtojnë këtë rajon me forcë, bota islame do të mbetet pas edhe për njëqind vjet të tjera, ashtu siç ndodhi në epokën e kolonializmit, dhe hendeku mes saj dhe botës moderne industriale do të thellohet edhe më shumë.”

Ne jemi ata që duhet ta mbajmë këtë përgjegjësi. Sot, ne jemi përgjegjës: qeveritë, elitat, personalitetet kulturore dhe fetare. Të gjithë kemi përgjegjësi ndaj unitetit të botës islame. Uniteti i umetit islam, bashkimi i myslimanëve dhe mosfryrja e preteksteve të vogla kanë qenë gjithmonë ndër çështjet më thelbësore që imami ynë i madh, imam Khiomenini (Zoti e mëshiroftë) i theksonte, që para fitores së revolucionit dhe deri në fund të jetës së tij. Dhe sot, ne e shohim dhe e kuptojmë se ajo ishte një këshillë tepër e mençur dhe e drejtë.”[11]

Imam Sejid Ali Khamenei

Marrë nga libri: Durusun fi fikr imam Khamenei)


[1] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 25/06/1989.

[2] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!) në datën 01/05/1376 sipas kalendari iranian (21 korrik 1997).

[3] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!) me datë 11/10/1989.

[4] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!) me datë 26/03/2000.

[5] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 15/08/1995.

[6] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 15/08/1995.

[7] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 27/09/1991

.

[8] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 21/06/2000

[9] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 15/08/1995.

[10] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 03/10/1990.

[11] Nga fjalimi i tij (Zoti e ruajtë!), më 08/05/2004.