Shejkh Tamir Muhamed Hamza
Ebu Talibi është Abdu Menafi, biri i Abdul-Mutalibit dhe vëllai i Abdullahut, babait të Profetit Muhamedi (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Nëna e tyre ishte Fatime bint Amr ibn Aidh ibn Imran ibn Mahzum. Ai lindi tridhjetë e pesë vjet para Profetit (“Kenzul Ummali”, i autorit El Mutekij El Hindij, vëll. 14, f. 36.)
Nga Fatime bint Esedi ai pati katër djem: Talibin, Akilin, Xha’ferin dhe imam Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!); si dhe vajzat Fakhita (Umm Hani) dhe Xhumana. Të gjithë patën pasardhës, përveç Talibit ( “Biharul Enuar”, i eruditit El Mexhlisij, vëll. 22, f. 260.)
Pas vdekjes së babait të tij, Abdul Mutalibit, Ebu Talibi (paqja qoftë mbi të!) u bë udhëheqësi i Mekës, zotëria i Batahës dhe prijësi i Benu Hashimëve. Përveç kësaj, ai njihej për bujari, dhënie e sakrificë, dhembshuri, dashuri dhe vetmohim në rrugën e qëllimit të shenjtë dhe të besimit të bekuar në Njëshmërinë e Zotit (“El ‘Umdetu”, i Ibn El Batrijk, f. 6.)
Ebu Talibi, kujdestari dhe përkrahësi
Kur ndërroi jetë Abdul Mutalib, ai ia la amanet djalit të tij, Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!), kujdesin për nipin e tij Muhamedi (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili në atë kohë ishte tetë vjeç.
Dhe me të vërtetë, ai ishte kujdestari më i mirë. Mori përsipër përkujdesjen për të, u kujdes për çështjet e tij dhe e mbrojti si në udhëtim ashtu edhe në vendbanim, me sinqeritet të madh, përkushtim dhe një kujdes të pashoq.
Madje mund të thuhet se përkujdesja e tij ndaj djalit të vëllait kishte nisur që shumë kohë para lindjes së tij dhe vazhdoi deri në vdekjen e Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!).
Është e domosdoshme të përmenden edhe qëndrimet ku kjo përkujdesje u shfaq qartë:
Qëndrimi i parë: Përkrahja e Profetësisë
Përkujdesja e plotë ndaj Profetit Muhamedi (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që nga fëmijëria, ishte një hyrje për përkrahjen e profetësisë, për forcimin e shtyllave të saj dhe për ngritjen e themelit të saj.
Fakihu hanbeli Ibrahim El Dejnurin transmeton nga Ibn Abbas se Profeti (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i tha Abbasit: “Allahu më ka urdhëruar ta shpall çështjen time (misionin tim). Ai më ka lajmëruar dhe më ka zgjedhur si profet. Çfarë mendon ti?”
Abbasi iu përgjigj: “O biri i vëllait tim, ti e di se Kurejshët janë njerëzit më ziliqarë ndaj bijve të babait tënd… Por afroju (bisedo) xhaxhait tënd, Ebu Talibit…”
Kështu shkuan të dy tek ai. Kur i pa, Ebu Talibi tha: “Çfarë ju solli në këtë kohë?”
Abbasi e njoftoi për fjalët e Profetit dhe për përgjigjen që i kishte dhënë. Atëherë Ebu Talibi e shikoi dhe i tha: “Dil përpara, o biri i vëllait tim! Ti je i lartë në pozitë, i fortë në përkrahje dhe me prejardhje të lartë. Pasha Allahun, nuk do të të sulmojë ndonjë gjuhë, veçse do të sulmohet nga gjuhë të mprehta; as nuk do të të godasin, veçse do të të tërheqin shpata të mprehta. Pasha Allahun, arabët do të përulen para teje siç përulen kafshët para atij që i mbron. Babai im lexonte Librin (Shkrimet e mëparshme) dhe thoshte se nga pasardhësit e mi do të dalë një profet. Do të doja ta arrija atë kohë që të besoja në të. Kush prej bijve të mi e arrin atë kohë, le të besojë në të.” (“Ebu Talibi Hamiju Resuli ue Nasirihi”, i Nexhmudijn El Askarij, f. 12–13.).
Qëndrimi i dytë: Predikuesi i sinqertë
Kur u shpall ajeti: “Dhe paralajmëro fisin tënd më të afërt.” (Sure “Shu‘ara”, ajeti 214), Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i tha imam Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!): “Përgatit ushqim për mua dhe gatuaj mish për mua.”
Ai (Profeti) ftoi fisin e tij, që ishin rreth dyzet veta. Pasi mbaruan së ngrëni ushqimin, Profeti deshi të fliste, por Ebu Lehebi e ndërpreu duke thënë: ‘Për këtë na ke ftuar?’ Pastaj të gjithë u ngritën dhe u larguan.
Të nesërmen, Profeti bëri të njëjtën gjë si ditën e parë. Kur erdhi radha e të folurit, Profeti qëndroi para tyre si predikues. Ebu Lehebi përsëri ndërhyri. Këtu ndërhyri Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!) dhe iu drejtua Abu Lehebit: ‘Qetësohu, o i verbër, çfarë të kemi ty këtu?’
Pastaj i tha të ulurve: ‘Askush mos ngrihet!’ Dhe më pas i tha Profetit: ‘Ngrihu, o zotëria im, flit atë që do dhe shpall mesazhin e Zotit tënd, sepse ti je i sinqertë dhe i vërtetë në shpalljen e mesazhit.’ (“El Tara’ifu fi Ma’rifeti Medhihibi Et Teua’if”, i Sejjid Ibn Tavus, f. 299–300.)
Qëndrimi i tretë: Syri Mbrojtës
Pavarësisht vështirësive të rrethimit në Shua‘b Ebu Talibit, ai nuk hoqi dorë nga mbrojtja e Profetit Muhamedi (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai nuk u lodh, përkundrazi, besimi i tij rritej dhe bindja për detyrën e mbrojtjes së djalit të vëllait u forcu sa më shumë që kalonte koha, pavarësisht kohëzgjatjes së vështirësive.
Thuhet se një natë, kur Profeti (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u shtri për të fjetur dhe të gjithë ishin në gjumë, Ebu Talibi erdhi dhe e ngriti nga shtrati, duke e vendosur imam Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!) në vend të tij. Imam Aliu i tha: “O baba, do të vritem këtë natë.”
Ebu Talibi i tha: “Duro, o Ali, sepse durimi është më i vlefshmi dhe çdo i gjallë ka fatin e vet. Ne të kemi përkushtuar ndaj popujve dhe kjo vështirësi është e madhe.” (“Reudhatul Uaidhijn”, i El Fetal En Nisaburi, f. 53–54.)
Unë them: Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!) vazhdoi të mbronte Profetin dhe misionin e tij pa u demoralizuar apo mërzitur. Ai nuk lejoi asgjë që mund t’i fuqizonte Profetin dhe të forconte shpalljen e mesazhit, pa vepruar për ta mbrojtur dhe shpërndarë. Madje, edhe në momentet e fundit të jetës së tij, ai e mbrojti Profetin dhe fenë e Allahut, dhe vazhdoi këtë mbrojtje edhe pas vdekjes, përmes amaneteve që i la fëmijëve dhe Benu Abdul Mutalibit, deri sa fryma e tij u shua.
Ebu Talibi, besimtari i kurejshëve
Personaliteti i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!) ka qenë gjithmonë një temë diskutimi, qoftë në të kaluarën, qoftë në kohët moderne. Nuk gjejmë jetën e asnjë personi për të cilin janë bërë kaq shumë diskutime, kundërshtime dhe konstatime mbi besimin apo mohimtarinë e tij, sa për Ebu Talibin. Ajo që kemi përmendur tregon lidhjen e thellë të tij me profetësinë e Profetit Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij). Veprimet e tij na tregojnë për besimin e tij të thellë monoteist. Do të përqendrohemi në këtë aspekt të personalitetit të tij në dy drejtime kryesore:
Drejtimi i parë: Ebu Talibi si objekt sulmesh nga politeistët dhe hipokritët
Roli i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!) në kujdes, mbrojtje dhe përkujdesje për Profetin (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), deri sa u bë një kështjellë e pakapërcyeshme për të, i shkaktoi zemërim politeistëve, duke e bërë objekt të sulmeve të tyre. Për më tepër, ai ishte shtrati ku u rrit dhe u edukua imam Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!), gjë që e bëri objekt zemërimi të hipokritëve ndaj imam Aliut. Kështu, ai u akuzua për mosbesim dhe përfundimisht u pasqyrua në disa libra të armiqve të tij si i dënuar me zjarr.
Drejtimi i dytë: Ajo që është transmetuar për Ebu Talibin nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!)
Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) bënë përpjekje të mëdha për të mbrojtur Ebu Talibin, për të ruajtur dinjitetin e tij dhe për të zbuluar atë që ai mbante në thellësi të zemrës dhe shpirtit: besimin e palëkundur tek Allahu dhe Profeti i Tij (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Mbrojtja e tyre ndaj tij ishte në të njëjtin nivel me mbrojtjen që ai bëri për Profetin e Madh (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Do të përmend disa nga fjalët që janë thënë në të drejtën e tij:
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) lutej dhe kërkonte falje për Ebu Talibin. Kjo tregohet në transmetimin e Ibn Sa’d nga Imam Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!) i cili ka thlnë: “E njoftova Profetin (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për vdekjen e Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!). Ai (Profeti) qau dhe pastaj tha: ‘Shko, laje trupin e tij, qefinose dhe varrose, Allahu e faltë dhe e mëshiroftë!’” (“Et Tabakat”, i Ibn Sa‘d, vëll. 1, f. 105.)
Personi për të cilin krenohen të tjerët
Në një nga letrat e krenarisë së imam Ali ibn Ebi Talib dërguar Muavijes, ai përmendi Ebu Talibin duke thënë: “Ummejetu nuk është si Hashimi, Harbi nuk është si Abdul Mutalibi, Abu Sufjani nuk është si Ebu Talibi, Muhaxhiri nuk është si At Taliku, dhe As Sarijhi nuk është si El Lesijk.” (“Et Tedhkiretu”, i Ibn El Xheuzij, f. 339.)
Eegjija e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) për Ebu Talibin
Profeti e vajtoi Ebu Talibin në varrin e tij të shenjtë duke thënë: “O baba im! O Ebu Talib! Sa më trishton vdekja jote! Sa më dhemb! Ti që më rrite kur isha i vogël dhe më zgjodhe të madh, dhe ishe për mua si syri në qepallë dhe shpirti në trup!” ( “Tefsirul Emthel”, vëll. 4, f. 252.)
Në fjalët e Xhibrilit (Paqja qoftë mbi të!)
Xhibrili (Paqja qoftë mbi të!) zbriti tek Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe i tha: “O Muhamed! Zoti yt të përcjell selam dhe të thotë: … Ata të shpellës fshehën besimin dhe treguan politeizmin; Allahu i shpërbleu dy herë. Por, Ebu Talibi fshehu besimin dhe tregoi politeizmin; Allahu i dha shpërblimin dy herë dhe nuk la këtë botë derisa i erdhi lajmi i gëzueshëm nga Allahu për Xhenetin.” (“Uesailu Esh Shi‘a”, i El Hurr El Amilij, vëll. 16, f. 231.)
Dhe e mbyllim me atë që ka transmetuar Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij): Ebu Talibi do të ringjallet në Ditën e Kiametit me veshje mbretërore dhe shenjat e profetëve (paqja qoftë mbi ta). (“El Imametu ue Et Tebsiretu, i Ibn Babeuej, f. 34.).
Marrë nga: baqiatollah.net
