Nga: Haxhi Shejkh Vullnet Merja

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “A ka ndonjë përkrahës që të na përkrahë? A ka ndonjë ndihmës që të na ndihmojë? A ka ndonjë mbrojtës që të mbrojë familjen e të Dërguarit të Allahut? A ka ndonjë monoteist, besimtar i sinqertë, që ka frikë Allahun për ne? A ka ndonjë shpëtimtar që shpreson shpërblimin e Allahut duke na shpëtuar?”

Këto janë ndër thirrjet më prekëse të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) në ditën e Ashurasë në kerbela, të cilat kuptohen jo vetëm si një thirrje për ndihmë në atë moment historik, por edhe si një thirrje e përhershme për të mbështetur të vërtetën, drejtësinë dhe familjen e Profetit, Ehli Bejtin, në çdo kohë dhe në çdo vend.

Kur përmendim tragjedinë e Kerbelasë, një pyetje e madhe na vjen në mendje: Si është e mundur që nipi i të Dërguarit të Allahut, ai për të cilin Profeti ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit”, të mbetej me një grusht njerëzish në Kerbela, ndërsa mijëra të tjerë nuk e mbështetën?

Përgjigjja kësaj pyetjeje është e thellë, sepse historia e Kerbelasë tregon se e vërteta nuk ndiqet gjithmonë nga shumica. Historia na thotë se shumica nuk është gjithmonë me të vërtetën. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i Shenjtë i cili na mëson e na thotë:

﴿ وَإِن تُطِعْ أَكْثَرَ مَن فِي الْأَرْضِ يُضِلُّوكَ عَن سَبِيلِ اللَّهِ ۚ إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا الظَّنَّ وَإِنْ هُمْ إِلَّا يَخْرُصُونَ﴾

“Nëse i bindesh shumicës së atyre që janë në tokë, ata do të të largojnë nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendje dhe vetëm gënjejnë.” (Sure “El-En’am”, ajeti 116)

Ky ajen na mëson se shumica nuk është kriter i së vërtetës. Shumica ndjek hamendjen, pasionet ose devijimet.

Në ajete të tjera Kuräani na thotë se shumica nuk arsuetojnë, nuk logjikojnë, nuk kuptojnë, nuk falënderojnë.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos u ndieni të vetmuar në rrugën e së vërtetës për shkak të pakicës së atyre që e ndjekin atë.”

Me këtë thënie imam Aliu na mëson se kriteri i së vërtetës nuk është numri i njerëzve që e ndjekin, por vetë e vërteta. Besimtari nuk duhet të heqë dorë nga parimet e drejta vetëm sepse shumica ndjek një rrugë tjetër. Në shumë raste gjatë historisë, mbajtësit e flamurit të së vërtetës kanë qenë pakicë. Por, kjo nuk e zvogëlon vlerën e së vërtetës së tyre. Në Islam, kriteri i së vërtetës është udhëzimi i Allahut dhe argumenti i drejtë, jo numri i njerëzve që ndjekin një mendim.

Në Kerbala, e vërteta ishte me imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!), edhe pse me të ishin vetëm pak dhjetëra veta.  Edhe Profeti Nuh (Paqja qoftë mbi të!) qëndroi me pak besimtarë përballë shumicës. Edhe profetët e tjerë shpesh mbetën të vetmuar.

Disa nga arsyet kryesore të mosmbështjes së imam Husejnit nga shumica janë:

Arsyeja e parë: Propaganda dhe dezinformimi

Regjimi i kohës së Jezidit nuk luftoi fillimisht me shpata, por me fjalë. Njerëzve u thuhej: Husejni po përçan umetin; Husejni po kërkon pushtet; Dalja kundër sundimtarit është rebelim; Bindja ndaj pushtetit është detyrim fetar.

Fuqia e propagandës është ta paraqesë të vërtetën si gënjeshtër dhe gënjeshtrën si të vërtetë. Kjo ndodhi në Kohën e ndodhisë së Kerbelasë dhe këtë gjë e shohim edhe në këtë kohë, ku propaganduesit përpiqen ta shuajnë dritën e së vërtetës me fjalët e tyre të kota e të pabaza. Por ata sa lodhen kot. Në ajetin 8 të sures “Es-Saff” edhe Kur’ani Shenjtë thotë:

﴿ يُرِيدُونَ لِيُطْفِئُوا نُورَ اللَّهِ بِأَفْوَاهِهِمْ وَاللَّهُ مُتِمُّ نُورِهِ وَلَوْ كَرِهَ الْكَافِرُونَ﴾

Ata duan të shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu do ta përsosë dritën e Tij.”

Në Kerbala, propaganda nuk e ndryshoi të vërtetën, por i bëri shumë njerëz të mos e shihnin atë. Edhe pas Kerbelasë, e deri në ditët e sotme, propaganda kundër revolucionit të imam Husejnit, është përpjekur ta mbulojë e ta shtrembërojë, por përderisa ai revolucion ishte për hir të Allahut, Allahu kurrë nuk do të lejojë që drita e tij të shuhet.

E dyta: Manipulimi i opinionit publik

Pa dyshim, manipulimi i opinionit publik luan një rol të madh në shtrembërimin e së vërtetës. Pushteti në kohën e Jezidit përdori propagandën, e cila e paraqiste imam Husejnin si një rebel që po prishte unitetin e ummetit islam. Kur gënjeshtra përsëritet vazhdimisht, shumë njerëz fillojnë ta besojnë ose të paktën hezitojnë. Kjo ndodhi edhe me muslimanët në kohën e Jezidit emevit.

Historia na flet se Faraoni nuk sundoi vetëm me forcë. Ai sundoi duke manipuluar mendjet. Në ajetin. 54 të sures “Ez-Zukhruf” Allahu i Madhëruar thotë

﴿ فَاسْتَخَفَّ قَوْمَهُ فَأَطَاعُوهُ ۚ إِنَّهُمْ كَانُوا قَوْمًا فَاسِقِينَ﴾

“Faraoni e mashtroi popullin e tij dhe ata iu bindën atij.”

Ai e paraqiste veten si mbrojtës të popullit dhe e përshkruante Musain (Paqja qoftë mbi të!) si kërcënim. Ai i trembte njerëzit duke thënë se Musai donte të ndryshonte fenë dhe rendin e vendit. Ai mburrej me fuqinë, pasurinë dhe mbretërinë e tij. Ai i ndau njerëzit në grupe dhe i trajtoi ndryshe për t’i sunduar më lehtë. Ai përdori magjistarë, spektakël dhe autoritetin e tij për të ndikuar opinionin publik dhe për ta bërë gënjeshtrën të dukej si e vërtetë.

 E njëjta gjë ndodhi edhe në kohën e imam Husejnit. Të njëjtën metodë përdori edhe Jezidi. Edhe pse shumë njerëz e njihnin të drejtën e imam Husejnit, por kishin frikë nga pushteti i Jezidit, nga kërcënimet, burgosjet dhe vrasjet. U përdor terrori, propaganda, blerja e ndërgjegjeve dhe kërcënimet ekonomike dhe politike. Pra, u përdorën të njëjtat manipulime si ato të Faraonit ndaj popullit të tij. Kjo na mëson se një popull mund të mashtrohet kur humbet aftësinë për të dalluar të vërtetën nga propaganda dhe kur ndjek shumicën pa gjykim e pa parime.

E treta: Dobësia e besimit dhe mungesa e guximit moral

Të dish të vërtetën dhe ta mbrosh atë janë dy gjëra të ndryshme. Shumë e dinin kush ishte nipi i Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) por nuk patën forcën shpirtërore për të qëndruar pranë tij.

E katërta: Mentaliteti i shumicës

Shumë njerëz ndjekin turmën. Kur panë se shumica nuk po ngrihej me Imam Husejnin, edhe ata u tërhoqën. Kjo përputhet me kuptimin e ajetit 116 në suren “El-En’am”, I cili thotë:

﴿وَإِن تُطِعۡ أَكۡثَرَ مَن فِي ٱلۡأَرۡضِ يُضِلُّوكَ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِۚ إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا ٱلظَّنَّ وَإِنۡ هُمۡ إِلَّا يَخۡرُصُونَ﴾ 

“Nëse i bindesh shumicës së atyre që janë në tokë, ata do të të largojnë nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendje dhe vetëm gënjejnë.”

Një nga sëmundjet më të mëdha të njeriut është të thotë: ‘Po bëj atë që bëjnë të gjithë.’

Njerëzit e Kufes i shkruan letra imam Husejnit dhe e ftuan të shkonte tek ata. Por kur erdhën kërcënimet dhe propaganda emevite, shumica e lanë vetëm. Ata ndoqën shumicën.

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njerëzit janë robër të dynjasë, ndërsa feja është vetëm në gjuhët e tyre. Ata e mbajnë atë për sa kohë që u siguron jetesën; por kur sprovohen, besimtarët e vërtetë bëhen të paktë.”

Kerbalaja tregoi se është e lehtë ta duash të vërtetën me fjalë, por është e vështirë ta mbrosh atë me vepër.

Historia islame na flet qartë se Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kishte lajmëruar për pozitën e imam Husejnit. Muslimanët i dëgjuan thëniet e tij, i cili ka thënë: “Hasani dhe Husejni janë zotërinjtë e të rinjve të Xhennetit.”

Dhe: “Kush i do ata, më do mua; kush i urren ata, më ka urryer mua.”

Dhe: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin.”

Megjithatë, edhe pas këtyre fjalëve të Profetit, shumica nuk e mbështeti nipin e tij, imam Husejnin. E pse? Sepse njohja nuk mjafton. Duhet guxim, sinqeritet dhe sakrificë. Ata e njihni kush është Husejni, por nuk kishin guxim ta mbështetnin atë.

Kerbalaja, mediat dhe rrjetet sociale

Sot propaganda është edhe më e fuqishme. Një lajm i rremë mund të arrijë miliona njerëz për pak minuta. Një gënjeshtër e përsëritur shumë herë fillon të duket si e vërtetë.

Kur’ani na mëson e na thotë: 

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَإٍ فَتَبَيَّنُوا أَن تُصِيبُوا قَوْمًا بِجَهَالَةٍ فَتُصْبِحُوا عَلَىٰ مَا فَعَلْتُمْ نَادِمِينَ﴾

“O ju që besoni! Nëse një i prishur ju sjell një lajm, verifikojeni.” (Sure “El-Huxhurat, ajeti 6)

Ky ajet është një parim i madh për epokën e mediave dhe rrjeteve sociale. Para se të shpërndajmë një lajm, duhet të pyesim: A është i vërtetë? Kush e ka sjellë? Çfarë synimi ka? Kujt i shërben? Po të kishin vepruar kështu njerëzit e Kufes, ndoshta historia e Kerbelasë do të kishte qenë ndryshe.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Këto ishin katër arsyet më kryesore të mosmbështetjes së imam Husejnit nga shumica e njerëzve në betejën e Kerbelasë. Besoj se këto arsye janë edhe në ditët e sotme.

Prandaj e them me plot bindje se Kerbelaja nuk është vetëm histori. Ajo është një pasqyrë e çdo kohe.

Shumica nuk e mbështeti imam Husejnin sepse: U mashtrua nga propaganda dhe dezinformimi. U manipulua nga pushteti dhe opinioni publik. Zgjodhi të ndiqte turmën në vend të së vërtetës. U frikësua për interesat e dynjasë. Nuk verifikoi informacionin dhe nuk pati guxim të qëndronte me të drejtën.

Prandaj, në ditët e përkujtimit të ngjarjes së Kerbelasë lë të pyesim vetat tona: Nëse do të ishim në Kerbela, a do ta kishim njohur të vërtetën në mesin propagandës, manipulimit, frikës dhe zërit të turmës? Dhe a do të kishim pasur guximin të qëndronim me imam Husejnin?

Allahu na bëftë prej atyre që e njohin të vërtetën, e mbrojnë atë dhe nuk e shesin për interesat e kësaj bote!

Paqja qoftë mbi imam Husejnin, mbi Ali ibn Husejnin, mbi bijtë e Husejnit dhe mbi shokët e Husejnit.