Imam Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ndër shenjat e besimit janë: largimi nga mëkatet, frika ndaj Allahut, sjellja e mirë me të tjerët, kundërshtimi dhe qëndrimi i vendosur ndaj armiqve të Allahut, tejkalimi i mosmarrëveshjeve të vogla me vëllezërit, si dhe kërkimi i llogarisë nga armiqtë për çdo gjë, të madhe apo të vogël.

“Të përulur ndaj besimtarëve” (Sure “Maide”, ajeti 54) është një cilësi që nuk përputhet me grindjen dhe përplasjen me të tjerët, por buron nga dashuria, falja, butësia dhe mirëkuptimi. Dashuria për njerëzit duhet të jetë e pranishme në zemrën e çdo besimtari. Ajo është një nga frytet e besimit të vërtetë dhe jo thjesht të pretenduar.

Në një hadith nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) thuhet: “Mirësjellja dhe mirëkuptimi me njerëzit është gjysma e besimit, ndërsa butësia me ta është gjysma e jetës së mirë.

Në thelb, nëse besimi nuk është i përzier me dashuri, me një ndjenjë të thellë afeksioni dhe nuk është zbukuruar me ngjyrën e ndjenjës njerëzore, ai nuk do të jetë i efektshëm.

Dashuria është ajo që i jep besimit gjallëri dhe fuqi në fushën e veprimit dhe të angazhimit. Ajo e bën besimin shumë efektiv. Pa dashuri, ne nuk mund të vazhdojmë rrugëtimin dhe lëvizjen tonë.

Në mendimin tonë islam ne zotërojmë format më të larta të dashurisë, e ajo është dashuria për Ehli Bejtin (a.s.). Kulmi i kësaj dashurie shfaqet në çështjen e Kerbelasë dhe Ashurasë, si dhe në ruajtjen e kujtimeve të çmuara të sakrificave të njerëzve të Allahut në atë ditë, gjë që ka ruajtur historinë dhe kulturën e shiizmit.

Dashuria për të Dërguarin e Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) dhe për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!), sipas transmetimeve të nderuara, është një kusht themelor për plotësimin e besimit të myslimanit. Në një hadith nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) thuhet: “Askush prej jush nuk beson plotësisht derisa unë të jem më i dashur për të sesa fëmija i tij, prindi i tij dhe të gjithë njerëzit.”

Kjo dashuri ka pasoja dhe dobi të mëdha për njeriun edhe në botën tjetër. Në një transmetim tjetër, i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) ka thënë: “Dashuria ndaj meje dhe dashuria ndaj Ehli Bejtit tim është e dobishme në shtatë vende, tmerret e të cilave janë të mëdha: në çastin e vdekjes, në varr, në ringjallje, kur jepet libri i veprave, gjatë llogarisë, te peshorja e veprave dhe mbi urën e Siratit.”

Morali është themeli i shoqërisë

Imam dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Përhapja e fesë dhe sqarimi i të vërtetave, që përbën detyrën e dijetarëve të Islamit dhe të predikuesve të mëdhenj, sot përfshin të gjitha këto çështje. Edhe sikur të arrinim nivelet më të larta ekonomike dhe ta shumëfishonim disa herë fuqinë dhe dinjitetin tonë politik, nëse morali i shoqërisë sonë nuk do të ishte moral islam dhe nëse do të na mungonin falja, durimi, vetëpërmbajtja dhe mendimi i mirë për të tjerët, gjendja jonë do të ishte e keqe.

Morali është themeli, ndërsa të gjitha ato çështje të tjera janë vetëm parapërgatitje për moralin e mirë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij!) ka thënë: “Unë jam dërguar vetëm për ta plotësuar moralin e lartë.”

Qeverisja islame synon edukimin e njerëzve në një atmosferë të tillë, që morali i tyre të lartësohet, të jenë më afër Allahut dhe të synojnë afërsinë me Të. Madje edhe në politikë duhet të ekzistojë synimi për t’iu afruar Allahut. Edhe çështjet politike duhet të kryhen me këtë qëllim. Ai që flet për çështje politike, ai që shkruan për to, ai që i analizon dhe ai që merr vendime në lidhje me to, duhet ta ketë synimin për afërsinë me Allahun.

Prandaj, në radhë të parë duhet të kërkohet kënaqësia e Allahut. Shikoni sa e qartë është kjo çështje dhe megjithatë sa shumë prej nesh e neglizhojnë atë.”

Transformimi moral i njeriut

Imam dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Transformimi moral do të thotë që njeriu të heqë dorë dhe të largohet nga çdo ves moral, nga çdo cilësi e qortueshme dhe nga çdo prirje e keqe e papranueshme, e cila shkakton dëm për të tjerët ose e pengon vetë njeriun në përparimin e tij. Në vend të tyre, ai duhet të zbukurohet me virtyte dhe cilësi të larta morale.

Një shoqëri e lirë nga smira, urrejtja dhe armiqësia; mendimtarë që nuk e përdorin mendimin e tyre për komplot, mashtrim dhe falsifikim; intelektualë dhe dijetarë që nuk e përdorin dijen e tyre për t’u shkaktuar dëm njerëzve ose për t’i ndihmuar armiqtë e tyre; një shoqëri ku të gjithë dëshirojnë të mirën për njëri-tjetrin, nuk ushqejnë urrejtje e zili, nuk kërkojnë mirëqenien e tyre duke shkatërruar të tjerët dhe nuk lakmojnë të përvetësojnë gjithçka vetëm për veten e tyre, ky është transformimi moral dhe ky është niveli minimal i kësaj çështjeje.”

Thelbi i moralit

Për këtë kuptim aludon imami dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur thotë: “Të dashurit e mi… Njeriu në formën e tij më të lartë dhe në jetën më të përsosur është ai që mund të ecë në rrugën e Allahut dhe të fitojë kënaqësinë e Tij, ai që nuk bëhet rob i epsheve të veta. Ky është njeriu i shëndoshë dhe i përsosur.

Ndërsa njeriu materialist, i cili bëhet rob i epsheve, zemërimit, dëshirave dhe ndjenjave të tij të pakontrolluara, është një njeri i ulët, sado i madh të duket nga jashtë dhe çfarëdo posti të ketë.

Madje edhe presidenti i shtetit më të madh në botë, që zotëron pasuritë më të mëdha, nëse nuk është në gjendje t’i frenojë dhe t’i kontrollojë epshet e veta dhe mbetet rob i dëshirave të tij, ai është një njeri i pavlerë. Ndërsa një njeri i varfër, i cili arrin të triumfojë mbi epshet e veta dhe të ecë në rrugën e drejtë, në rrugën e përsosjes njerëzore dhe në rrugën e Allahut, ai është një njeri madhështor.”

Dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Elhamdulil-lahi Rabbil-’Alemin.