Sjellja e Profetit (s.a.a.s.) dallohej për mençuri, maturi dhe shpejtësi në veprim. Ai nuk e linte t’i ikte asnjë mundësi në asnjë çështje. Ai (s.a.a.s.) ishte i pastër, i kënaqur me atë që kishte dhe në qenien e tij të bekuar nuk ekzistonte asnjë pikë dobësie. Ishte i pagabueshëm dhe i dëlirë, dhe kjo, në vetvete, përbënte një nga faktorët më të rëndësishëm të ndikimit të tij.
Prandaj duhet të marrim mësim prej tij dhe të frymëzohemi nga shembulli i tij. Pjesa më e madhe e kësaj çështjeje më drejtohet mua personalisht, sepse unë duhet të mësoj prej tij, por edhe përgjegjësit duhet të mësojnë prej tij. Ndikimi përmes veprës është më gjithëpërfshirës dhe më i thellë sesa ndikimi përmes fjalës.
Profeti (s.a.a.s.) ishte i vendosur dhe i drejtpërdrejtë. Ai nuk kishte dy fytyra në fjalët e tij. Kur përballej me armikun, përdorte ndaj tij një mënyrë politike që e çonte armikun në gabim. Në shumë raste ai e befasonte armikun, qoftë në çështjet ushtarake apo politike.
Por me besimtarët dhe me popullin e tij ishte gjithmonë i sinqertë, i pastër dhe i qartë në fjalët e tij, larg praktikave mashtruese politike. Ai tregonte fleksibilitet aty ku ishte e nevojshme, siç ndodhi në çështjen e Abdullah ibn Ubej.
Profeti (s.a.a.s.) nuk e thyente kurrë një marrëveshje që kishte bërë me popullin e tij apo me ndonjë grup me të cilin kishte lidhur marrëveshje, edhe nëse ata ishin armiq të tij, veçanërisht jobesimtarët e Mekës.
Ishin ata që i thyenin marrëveshjet e tyre dhe atëherë Profeti (s.a.a.s.) u përgjigjej në mënyrë të prerë. Ai kurrë nuk e shkeli një besë që kishte lidhur me dikë. Prandaj, të gjithë kishin besim te marrëveshja që bënin me të.
Nga ana tjetër, Profeti (s.a.a.s.) nuk e neglizhonte lutjen dhe përgjërimin ndaj Allahut të Madhëruar. Ai vazhdimisht e forconte lidhjen e tij me Krijuesin, ditë pas dite. Ai i ngrinte duart në lutje ndaj Krijuesit të tij edhe në ato çaste kur organizonte ushtrinë, i nxiste dhe i inkurajonte njerëzit për luftë. Madje edhe në fushën e betejës, kur mbante shpatën, udhëhiqte ushtrinë me vendosmëri dhe u mësonte njerëzve se çfarë duhej të bënin, ai gjunjëzohej, ngrinte duart, qante dhe i lutej Zotit të tij, duke kërkuar ndihmën, mbështetjen dhe largimin e armiqve. Lutja e tij nuk e bëri atë të hiqte dorë nga përdorimi i forcave dhe mjeteve që kishte, as angazhimi i forcave të tij nuk e bëri të harronte lutjen, përgjërimin dhe lidhjen me Allahun e Madhëruar. Përkundrazi, ai kujdesej për të dyja këto anë.
Ai nuk shfaqte hezitim apo frikë kur përballej me një armik këmbëngulës. Prandaj imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), i cili ishte simbol i trimërisë, ka thënë: “Sa herë që beteja ashpërsohej, ne strehoheshim te i Dërguari i Allahut.”
Kushdo që ndiente dobësi, gjente strehë tek ai.
Profeti (s.a.a.s.) e drejtoi shtetin për dhjetë vjet. Por nëse do t’ia ngarkonim punën që ai realizoi gjatë këtyre viteve një grupi njerëzish ndër më të përkushtuarit, ata nuk do të ishin në gjendje t’i përfundonin të gjitha ato punë dhe shërbime edhe për njëqind vjet. Nëse i krahasojmë veprat tona me ato që kreu Profeti (s.a.a.s.), atëherë do ta kuptojmë madhështinë e detyrës që ai mori përsipër.
Administrimi i shtetit, ndërtimi i atij shoqërie dhe krijimi i atij modeli shoqëror, në vetvete, përbëjnë një nga mrekullitë e tij (s.a.a.s.). Për dhjetë vjet njerëzit jetuan me të, ditë e natë. Shkonin në shtëpinë e tij dhe ai shkonte në shtëpitë e tyre. Ishin me të në xhami, në rrugë, gjatë udhëtimeve dhe qëndrimeve, madje edhe në çastet e pushimit. E përjetuan bashkë urinë.
Por përjetuan bashkë edhe gëzimin. Mjedisi ku jetonte Profeti (s.a.a.s.) ishte i mbushur me gëzim. Ai bënte shaka me të tjerët, organizonte gara dhe merrte pjesë në to. Gjatë atyre dhjetë viteve, dashuria e njerëzve që jetonin me të për të u thellua dhe besimi i tyre tek ai u shtua.
Kur Profeti (s.a.a.s.) çliroi Mekën, Ebu Sufjani erdhi i fshehur së bashku me Abbasin, xhaxhain e Profetit (s.a.a.s.), duke kërkuar siguri. Kur erdhi agimi, ai e pa Profetin (s.a.a.s.) duke marrë abdes, ndërsa njerëzit ishin mbledhur rreth tij dhe secili përpiqej të merrte disa pika nga uji që binte prej fytyrës dhe duarve të tij. Atëherë Ebu Sufjani tha: “Unë kam parë Kisran dhe Cezarin, dy mbretër të botës, të njohur për fuqinë dhe madhështinë e tyre, por nuk kam parë tek ata një madhështi të tillë!”
Po, madhështia e vërtetë është madhështia shpirtërore: “Dhe Allahut i përket madhështia, si edhe të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve.” (Sure “Munafikun”, ajeti 8)
Edhe besimtarët mund të kenë këtë madhështi, nëse ndjekin të njëjtën rrugë.
Në ditë të tilla si këto, veçanërisht më 28 të muajit Safar, u largua nga kjo botë ajo dritë e Allahut. U nda nga njerëzit ky njeri madhështor dhe ky baba i mëshirshëm, duke lënë pas pikëllim dhe trishtim.
Ditët e sëmundjes dhe të ndarjes së tij (s.a.a.s.) ishin ditë të vështira për banorët e Medinës, veçanërisht ditët që i paraprinë ndarjes së tij. Ai shkoi në xhami, u ngjit në minber dhe tha: “Nëse dikush ka ndonjë të drejtë mbi mua, le të vijë dhe ta marrë të drejtën e tij.”
Njerëzit shpërthyen në vaj dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, a kemi ne ndonjë të drejtë mbi ty?!”
Ai u përgjigj: “Turpërimi para Allahut është më i rëndë për mua sesa turpërimi para jush. Nëse dikush prej jush ka ndonjë të drejtë apo borxh mbi mua, le të vijë ta marrë, që të mos mbetet për Ditën e Kiametit.”
Shikoni çfarë morali është ky!
Kush është ai që i thotë këto fjalë? Është ai njeri i lartë, me të cilin krenohej Xhebraili se komunikonte. Megjithatë, në ato rrethana ai nuk po bënte shaka. Ishte serioz, që të mos mbetej ndonjë e drejtë e dikujt pa u përmbushur për shkak të tij.
Ai (s.a.a.s.) e përsëriti këtë dy apo tri herë. Është përmendur kjo ngjarje në librat e historisë, megjithëse nuk e kujtoj me saktësi të gjitha hollësitë. Por ajo që është përcjellë është se një burrë u ngrit dhe tha: ‘O i Dërguari i Allahut, unë kam një të drejtë mbi ty. Një herë, kur isha pranë teje, ti e godite devenë tënde dhe goditja më ra në bark. Kjo është ajo që kërkoj prej teje.’
Profeti (s.a.a.s.) ngriti rrobën e tij dhe i tha:“Eja, merre të drejtën tënde dhe mos e lër për Ditën e Kiametit.”
Njerëzit shikonin të habitur dhe thoshin me vete: ‘A dëshiron vërtet ky njeri të kërkojë shpagim nga i Dërguari i Allahut? A do ta lejojë ndërgjegjja ta bëjë këtë?’
Pastaj panë se Profeti (s.a.a.s.) dërgoi dikë t’i sillte atë shkop. Më pas iu drejtua burrit dhe i tha: “Ja ku e ke shkopin. Më godit njësoj siç të godita unë.”
Burri u afrua. Njerëzit mbetën të mahnitur dhe të hutuar, madje të turpëruar nga frika se mos ai e kryente vërtet atë veprim.
Por papritur e panë atë të binte te këmbët e Profetit (s.a.a.s.) dhe t’ia puthte ato. Pastaj deshi t’i puthte edhe barkun Profetit (s.a.v.s.) dhe tha: ‘Kërkoj mbrojtje te vendi i shpagimit në barkun e të Dërguarit të Allahut nga zjarret e Ditës së Kiametit.’
U largua nga kjo botë i Dërguari i Allahut, por mbeti Kur’ani…
U largua i Dërguari i Allahut, por mbeti mesazhi i tij…
U largua i Dërguari i Allahut, por mbetën morali dhe virtytet e tij…
U largua i Dërguari i Allahut, por mbeti jeta dhe shembulli i tij, duke na pyetur çdo ditë:
Çfarë keni bërë me mëshirën që ua solla?
Çfarë bëtë me amanetin që ju mësova?
Besnikëria më e madhe ndaj të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk është vetëm të qajmë për të në ditën e largimit të tij, por të mbajmë diçka nga morali dhe virtytet e tij gjatë ditëve të jetës sonë…
O Allah! Të lutemi Ty, për hir të Muhamedit dhe familjes së Muhamedit, për madhështinë dhe lavdinë Tënde, që deri në Ditën e Kiametit të derdhësh lutjet, përshëndetjet, mirësitë dhe mëshirat e Tua më të mira mbi shpirtin e pastër të Profetit tonë (s.a.a.s.)!
Paqja qoftë mbi ty, o i Dërguari i Allahut, ditën kur erdhe si mëshirë për botët!
Paqja qoftë mbi ty ditën kur mbajte mbi supe shqetësimin për umetin tënd!
Paqja qoftë mbi ty ditën kur u largove nga kjo botë, ndërsa zemra jote ishte e preokupuar për ymetin tënd!
Paqja qoftë mbi ty ditën kur do të të takojmë, duke shpresuar që të jesh për ne, pranë Zotit tënd, ndërmjetësues dhe ngushëllues!
Allahu i Madhëruar i shtoftë shpërblimet tona, tuajat dhe të gjithë besimtarëve, me rastin e përkujtimit të largimit nga kjo botë të Zotërisë së krijesave dhe Vulosës së profetëve, Muhammed Mustafait (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij).
Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Thuaj: “Ai është Allahu, Një i Vetëm. Allahu është i Pavaruri, të Cilit i drejtohen të gjithë. Ai nuk ka lindur dhe as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë me Të.” (Sure, “El-Ikhlas”, ajetet 1–4)
