Morali është prej çështjeve të rëndësishme të Kur’anit. Ai ka qenë prej synimeve të larta të profetëve, sepse po të mos ishte morali, jeta e njerëzve do të ishte skëterrë dhe do të zhdukej, siç thuhet në vargjet e një poeme:

Vërtet, popujt ekzistojnë me ekzistencën e moralit

Nëse morali zhduket edhe ata zhduken.

Njeriu është njeri me plot kuptimin e fjalës vetëm nëpërmjet moralit të tij, përndryshe do të ishte shtazë e humbur. 

Misioni i profetëve në përgjithësi dhe i vulës së tyre në veçanti, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka qenë pastrimi, mësimi dhe edukimi i njerëzve. Këtë mision madhështor na e sqaron edhe Fjala e fundit e Allahut që iu shpall profetit Muhamed, Kur’ani i shenjtë. 

Allahu i Madhëruar thotë: “Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” (Sure “Xhumua”, ajeti 2.)

Dhe: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kur’anin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 164.)

Dhe: “Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të Dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron (nga gjynahet), ju mëson Librin (Kur’anin) e Urtësinë (rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur.” (Sure “Bekare”, ajeti 151.)

Dhe: O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Sure “Bekare”, ajeti 129.)

Dhe: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë,  ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Sure “Shems”, ajetet 9-10.)

Dhe: “I shpëtuar është ai që pastrohet;  që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (Sure “A’la”, ajetet 14-15.)

Dhe: “Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): “Falënderoje Allahun! Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”.  (Sure “Lukman”, ajeti 12.)

Nga këto ajete, e të tjera të ngjashme me to në Kur’anin e shenjtë, mësojmë dhe kuptojmë rëndësinë dhe përkujdesjen e madhe që i kushton Kur’ani çështjes së moralit, pastrimit, mësimit dhe edukimit të njerëzve. 

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, unë jam dërguar që të përsos moralet e njerëzve.” (Kenzul Ummal, vëll. 3, f. 16, hadithi 52175.)

Durimi 

Është mëse e vërtetë se jeta e kësaj bote është e mbushur me probleme, vështirësi dhe fatkeqësi të ndryshme, të cilat njeriu i përjeton në jetën e tij individuale, familjare dhe shoqërore. Për këtë, është e domosdoshme prania e një force përballuese me qëllim që njeriu të mos goditet nga zemërimi, stresi, depresioni, e në fund, në humbjen e shpresës. Kjo forcë përballuese është durimi. Nëse njeriu i përballon problemet, vështirësitë, fatkeqësitë dhe sfidat e kësaj jete me durim, padyshim që do t’i tejkalojë ato me fitore. Përndryshe, ai nuk e arrin synimin e kërkuar dhe do të jetë i nënshtruar dhe i gjunjëzuar ndaj ndodhive dhe dukurive negative e shkatërruese. 

Feja e drejtë islame, e cila ka si bazë Librin e fundit të Allahut, Kur’anin e shenjtë, na porosit që të interesohemi për cilësinë e durimit dhe të jemi durimtarë përballë sprovave të ndryshme të jetës së përditshme. Në Kur’an, fjala durim “sabr” përmendet disa herë. Më poshtë po përmendim disa nga ajetet e Kur’anit në të cilat përmendet durimi.

Allahu i Madhëruar thotë: 

“…Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm…” (Sure “Sad”, ajeti 44.)

“Dhe sollën këmishën e tij të përgjakur, me gjak të rremë. Ai tha: “Nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka (tjetër nga sa thoni). Por, durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju.”  (Sure “Jusuf”, ajeti 18.)

 (Kujto) Ismailin, Idrizin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta kanë qenë të durueshëm.” (Sure “Enbija”, ajeti 85.)

 “Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua!” (Sure “Kehf”, ajeti 67.)

 “…Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit.” (Sure “Bekare”, ajeti 249.)

 “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ata! Ditën, kur të përjetojnë atë që u është premtuar, atyre do t’u duket se kanë qëndruar (në Tokë) vetëm një çast të ditës…” (Sure “Ahkaf”, ajeti 35.)

 “Prandaj, duro, me durim të hijshëm.”  (Sure “Mearixh”, ajeti 5.)

 “O ju që keni besuar! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!”  (Sure “Ali Imran”, ajeti 200.)

“O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Sure “Bekare”, ajeti 153.)

 Thuaj: “O robtë besimtarë (të Allahut), frikësojuni Zotit tuaj! Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, do të kenë të mira. Toka e Allahut është e gjerë. Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”  (Sure “Zumer”, ajeti 10.)

 (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”  (Sure “Rra’ad”, ajeti 24.)

“Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe.”  (Sure “Furkan”, ajeti 75.)

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit.”  (Sure “Bekare”, ajeti 155.)

“…përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.”  (Sure “Asr”, ajeti 3.)

Nxitimi

S’ka dyshim se humbjet që e godasin një njeri, një familje a shoqëri për shkak të nxitimit janë aq të shumta, saqë është vështirë t’i përkufizosh. Kur’ani i shenjtë i porosit dhe i këshillon njerëzit për një program të mirëfilltë në jetën e tyre. Ai u thotë atyre që të mos nxitojnë në fjalë e në vepra dhe të studiojnë jetën e profetëve, të udhëheqësve dhe të popujve të tyre, me qëllim që të njihen me dëmet e nxitimit.

Më poshtë do të përmendim disa ajete nga Kur’ani i shenjtë që flasin për historinë e profetëve, që të marrim mësime për jetën tonë të përditshme individuale, familjare dhe shoqërore. 

  Allahu i Madhëruar thotë:

“Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?”  Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”? (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.”  (Sure “Kehf” ajetet 66-69.)

“Kur hynë te Daudi, ai u frikësua prej tyre. Ata thanë: “Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë”. (Njëri prej tyre tha:) “Ky është vëllai im. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: “Ma jep mua atë!” – dhe më mundi me fjalë.” Daudi tha: “Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. Daudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar.”  (Sure “Sad”, ajetet 21-24.)

“Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut (Junusi /paqja qoftë mbi të!) kur iu lut Zotit të vet i dëshpëruar (në barkun e balenës)! Sikur të mos i vinte mëshira prej Zotit tënd, ai do të hidhej në një shkretëtirë, i fajësuar! Por Zoti i tij e zgjodhi dhe e futi me punëdrejtët.”  (Sure “Kalem”, ajetet 48-50.)

 “…Mos nxito për ta lexuar Kur’anin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijeninë!”  (Sure “Ta Ha”, ajeti 114.)

“Njeriu është krijuar i ngutur. Unë do t’jua tregoj shenjat e Mia, prandaj mos më kërkoni të ngutem.”   (Sure “Enbija”, ajeti 37.)

“Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë; vërtet që njeriu është i ngutur.” (Sure “Isra” ajeti 11.)

“Ata të kërkojnë ty me ngut t’u sjellësh të keqen para së mirës, ndonëse para tyre ka pasur shumë dënime shembullore. Zoti yt është Falës për njerëzit pavarësisht gjynaheve të tyre, por, në të vërtetë, Zoti yt është edhe i ashpër në dënim.”   (Sure “Rra’ad”, ajeti 6.)

“Sikur Allahu, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin. Megjithatë, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë, Ne i lëmë të bredhin të verbër në humbjen e tyre.”  (Sure “Junus”, ajeti 11.)

 “Ata pyesin: “Kur do të vijë Gjykimi, nëse thoni të vërtetën?” Thuaju: “Ditën e Gjykimit nuk do t’u bëjë dobi mohuesve besimi i tyre e as që do t’u jepet afat”. Andaj, mos ua vë veshin atyre dhe prit, edhe ata, me të vërtetë, po presin!”  (Sure “Sexhde”, ajetet 28-30.)

 “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ata! Ditën, kur të përjetojnë atë që u është premtuar, atyre do t’u duket se kanë qëndruar (në Tokë) vetëm një çast të ditës. Kjo është shpallje e qartë. E kush do të shkatërrohet tjetër, përveç popullit të pabindur!?”  (Sure “Ahkaf”, ajeti 35.)

Allahu na ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit të shenjtë!