Për të arritur lumturinë, çdo njeri ndjek një rrugë, një shembull dhe një program.
Për besimtarët programi më i mirë dhe i përkryer, është ai që gjendet në Kur’anin e shenjtë dhe në hadithet e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Prej çështjeve moralo-edukative që përmend Kur’ani i Shenjtë janë:
I. Mbështetja tek Allahu
Mbështetja tek Allahu është prej virtyteve të larta morale. Kështu, njeriu arrin të jetë më afër Allahut. Të mbështetesh tek Allahu do të thotë t’i lësh çështjet në dorën e Allahut dhe në mirësinë e Tij. Fjala teuekel (mbështetje) vjen nga fjala el uikaletu që do të thotë “zgjedhje e sipërmarrësit dhe mbështetja tek ai për lehtësimin e punëve”. Në Kur’anin e shenjtë, në hadithet e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në historinë e profetëve, në librat e dijetarëve rreth moralit etj. flitet shumë për “teuekulin”. Më poshtë po japim ajete nga Kur’ani për “teuekulin”:
“Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet! Zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë.” (Sure “Junus”, ajeti 71.)
“Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë.” (Sure “Hud”, ajeti 56.)
“O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Sate të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Sure “Ibrahim”, ajeti 37.)
“…Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” (Sure “Hud”, ajeti 88.)
“O djemtë e mi, mos hyni nga e njëjta portë (e qytetit), por nga porta të ndryshme. Unë nuk mund të largoj prej jush asgjë nga (ajo që ju ka caktuar) Allahu. Sepse pushteti i përket vetëm Allahut. Tek Ai mbështetem unë dhe tek Ai le të mbështeten ata që dëshirojnë të jenë të mbështetur (tek Allahu)!” (Sure “Jusuf”, ajeti 67.)
“Musai tha: ‘O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni myslimanë!’ Ata thanë: ‘Ne jemi mbështetur tek Allahu. O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë)!’” (Sure “Junus”, ajetet 84-85.)
“Dhe kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: ‘Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!’” (Sure “Bekare”, ajeti 250.)
“Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: ‘Më mjafton Allahu, s’ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh.’” (Sure “Teube”, ajeti 125.)
“ E përse të mos mbështetemi tek Allahu, kur Ai tashmë na ka treguar rrugën e drejtë, në të cilën po ecim? Ne do t’i durojmë përndjekjet tuaja e ata që besojnë, le të shpresojnë vetëm tek Allahu!” (Sure “Ibrahim”, ajeti 12.)
“…Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Sure “Talak”, ajeti 3.)
II. Frika nga Allahu
Allahu ka krijuar te njeriu ndjenjën e frikës. Këtë e lexojmë edhe në Kur’anin e shenjtë: “Vërtet që njeriu është krijuar i frikësuar. Kur atë e godet e keqja, ai demoralizohet.” (Sure “Mearixh”, ajetet 19-20). Sipas këtyre dy ajeteve të gjithë njerëzit e kanë ndjenjën e frikës. Frika është një gjendje psikologjike dhe trupore që e pushton njeriun kur ndodh një e keqe. Ajo është e kundërta e sigurisë. Kjo fjalë përdoret për çështjet e kësaj jete. Mirëpo ka edhe një lloj frike tjetër. Ajo është frika nga Allahu. Këtë frikë e kanë vetëm besimtarët.
Besimtarët e vërtetë i frikësohen vetëm Allahut të Madhëruar, kurse jobesimtarët i frikësohen çdo gjëje që është e fortë dhe e fuqishme mbi këtë Tokë.
Vërtet, frika ndaj Allahut, në fshehtësi dhe haptazi, është prej cilësive të besimtarëve të vërtetë. Për këtë Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “…Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë.” (Sure Ali Imran”, ajeti 175.) Dhe: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (Sure “Mu’minun”, ajetet 57- 60.)
Po të mos jetë kjo veti te njeriu, ai kurrë nuk pendohet dhe nuk nënshtrohet përpara Krijuesit të tij. Frika është shkak i lumturisë së njeriut në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër.
Fjala “khauf” (frikë) përmendet në 124 vende në Kur’anin e shenjtë. Në 87 vende përmendet në trajtë foljeje, si: “…Unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë.” (Sure “Maide”, ajeti 28.) Dhe në 37 vende përmendet në trajtë emri: “Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen.” (Sure “Bekare”, ajeti 38). Në Kur’anin e shenjtë përmendet 46 herë edhe fjala “khashjetun”, e cila ka kuptimin e frikës dhe të ndruajtjes.
Frika e vërtetë duhet të jetë vetëm nga Allahu, siç thotë ajeti 40 i sures “Bekare”: “…Vetëm prej Meje duhet të frikësoheni.”
Frika nga Allahu është një pemë e begatë, e cila nëse forcohet në zemër, degët e saj do të përhapen në të gjitha gjymtyrët dhe për çdo kohë do ta japë frutën e saj, me lejen e Zotit të saj dhe kjo frutë është vepra e mirë, fjala e mirë dhe sjellja e mirë.
Frika nga Allahu nuk të lë të bësh gjynahe dhe gabime. Ajo të zgjon ndërgjegjen, të zbut zemrën dhe të mbron nga egoja.
Në shumë vende në Kur’anin e shenjtë, fjala “khaufun” (frikë) shoqërohet me pjesëzën “la”, që ka kuptimin “mos” ose “nuk”, si: “…Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!” (Sure “Kasas”, ajeti 25.) Dhe: “…Nuk frikësohet nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket.” (Sure “Ta Ha”, ajeti 112)
Frika nga Allahut është ajo që i nxit njerëzit për çiltërsi në veprat e tyre. Janë vepra që nuk kërkojnë asnjë shpërblim nga njerëzit por vetëm nga Allahu. Për këtë në Kur’an thuhet: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.” (Sure “Insan”, ajetet 9-10.)
Frika nga Allahu është dashuri për Allahun. Frika nga Allahu është njohje e Allahut. Sa më shumë të shtohet njohja e Allahut te njeriu, aq më shumë afrohet ai tek Allahu dhe aq më shumë njihet ai me atributet e Allahut.
III. Trimëria dhe frika
Prej moraleve të këqija është edhe ndjenja e frikës (është fjala për frikën e papërligjur). Ajo e poshtëron njeriun dhe e shkatërron. Ajo ia harxhon fuqitë dhe e çon tek armiku. E kundërt me këtë veti të keqe morale është trimëria, guximi dhe shpirtmadhësia. Ato janë çelësi i fitores, i suksesit dhe i krenarisë së njeriut.
Në Kur’an ka ajete që flasin për ndjenjën e frikës. Prej tyre duhet të nxjerrim mësime dhe të kuptojmë ndikimet negative të saj.
Për trimërinë e profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!), në Kur’an thuhet:
“Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë). Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: ‘Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?’, ata thanë: ‘Baballarët tanë i adhuronin këta.’ (Ibrahimi) tha: ‘Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.’ Ata thanë: ‘A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?’ Ai tha: ‘Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë. (Betohem) për Allahun se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju.’ Dhe i bëri ata copë-copë, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij.” (Sure “Enbija”, ajetet 51-58.)
Për profetin Musa (Paqja qoftë mbi të!), në Kur’an lexojmë:
“…O Musa, mos u frikëso! Në të vërtetë, të dërguarit e Mi nuk frikësohen në praninë Time.” (Sure “Neml”, ajeti 10.)
Për Talutin dhe ushtarët e tij në Kur’an thuhet:
“Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: ‘Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im.’ Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: ‘Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij’. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: ‘Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me durimtarët’. Dhe kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: ‘Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!’” (Sure “Bekare”, ajetet 249-250.)
Për shokët e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe për besimtarët që e shoqëronin, lexojmë: “Dhe një grup prej tyre tha: ‘O banorët e Jethribit, s’ka qëndrim këtu për ju, prandaj kthehuni!’ Një grup tjetër nga ata kërkoi leje prej të Dërguarit, duke thënë: ‘Në të vërtetë, shtëpitë tona janë të pambrojtura’. Por ato nuk ishin të pambrojtura. Ata donin vetëm të iknin.” (Sure “Ahzab”, ajeti 13.)
Dhe: “Kur besimtarët e vërtetë panë ushtrinë e aleatëve, thanë: ‘Kjo është ajo që na ka premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Sigurisht, premtimi i tyre u vërtetua.’ Kjo ua forcoi atyre besimin dhe përuljen.” (Sure “Ahzab”, ajeti 22.)
Në një vend tjetër në Kur’an lexojmë: ”Thuaj: ‘Çfarë prisni për ne, përveçse njërës prej dy të mirave (fitores ose martirizimit)?’ Ndërsa ne po presim që Allahu t’ju godasë me dënim nga ana e Tij ose me duart tona. Pra, prisni se edhe ne me ju do të presim.” (Sure “Teube”, ajeti 52.)
Për trimërinë e përkrahësve të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) Allahu i Madhëruar thotë: “(Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: ‘Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!’ E kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: ‘Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm.’” (Sure “Ali Imran, ajeti 173.)
Dhe: “Vetëm djalli i frikëson ithtarët e vet. Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!” (Sure “Ali Imran, ajeti 175.)
Dhe: “E të cilët kumtuan shpalljet e Allahut dhe i frikësoheshin Atij e askujt tjetër përveç Tij. Allahu mjafton si llogaritës.” (Sure “Ahzab”, ajeti 39.)
IV. Koprracia dhe bujaria
Në të shumtën e rasteve begatitë dhe mirësitë e Allahut për njeriun janë më të shumta se nevoja e tij. Kështu që ai mund t’u bëjë pjesë edhe të tjerëve nga këto mirësi dhe begati me qëllim që edhe të tjerët të përfitojnë prej mirësive të Krijuesit të gjithësisë. Mirëpo, disa njerëz për shkak të koprracisë dhe pangopësisë së tyre nuk u japin të tjerëve. Këta njerëz nuk e kanë dëshirën për të dhënë nga ato mirësi që u janë dhuruar. Kur’ani e qorton shumë kopracinë dhe u bën thirrje njerëzve që t’i shmangen kësaj cilësie të keqe dhe shkatërruese për të dyja jetët. Nëse i përsiatim ajetet e Kur’anit të shenjtë që flasin për bujarinë dhe koprracinë, do të arrijmë të kuptojmë më së miri dobitë e së parës dhe dëmet e së dytës.
Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por i shtypte ata. Ne i patëm dhënë atij aq thesare, saqë çelësat e tyre vështirë se do të mund t’i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Njerëzit e popullit të tij i thanë: “Mos u ngazëlle me pasurinë që ke, sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen!” Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh Jetën e Botës së Ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë! Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu! Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët!” (Sure “Kasas”, ajetet 76-77.)
“Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat e nuk patën thënë “Në dashtë Zoti!” Kështu, kopshtin e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin dhe gdhiu si i kositur.” (Sure Kalem”, ajetet 17-20.)
“Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: ‘Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë.’ Por, kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar. Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.” (Sure “Teube”, ajetet 75-77.)
“Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata. Ajo që kanë grumbulluar, do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. E Allahut është trashëgimia e qiejve dhe e Tokës dhe Allahu e di mirë ç’punoni ju.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 180.)
“(E as) ata që janë koprracë, të cilët kërkojnë që edhe të tjerët të bëhen koprracë dhe fshehin atë që ua ka dhuruar Allahu nga mirësitë e Tij. Ne kemi përgatitur për mohuesit ndëshkim poshtërues.” (Sure “Nisa”, ajeti 37.)
“Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit.” (Sure “Lejl”, ajetet 8-10.)
“Ja, juve ju bëhet thirrje të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush janë koprracë. Kush tregohet koprrac, ta dijë se i bën dëm vetes, sepse Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër. E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.” (Sure “Muhamed”, ajeti 38.)
“Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit.” (Sure “Tegabun”, ajeti 16.)
“Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Sure “Hashr”, ajeti 9.)
“Dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen së mesmes.” (Sure “Furkan”, ajeti 67 )
“Thuaj: “Sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim, edhe atëherë ju do të rrudhnit dorën nga droja, se do të shpenzoheshit. Njëmend, njeriu rëndom është koprrac.” (Sure “Isra”, ajeti 100.)
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!
