Kur’ani i shenjtë është baza e fesë dhe porta hyrëse në Islam. Ai është libri i Allahut, në të cilin i Plotfuqishmi, i Gjithëdituri dhe i Urti ka vendosur ligjet dhe të vërtetat e fesë së Tij të fundit e të pastër, Islamit. Allahu e zbriti Kur’anin udhërrëfyes dhe ndriçues për mbarë njerëzit. E zbriti që t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë.
Allahu na urdhëron që të kapemi pas Kur’anit dhe ta zbatojmë atë në jetën tonë të përditshme. Kur’ani është Fjala e Tij e plotë dhe e përkryer. Allahu i Madhëruar thotë: “Ky Libër që kemi shpallur, është i bekuar, prandaj ndiqeni dhe druajuni kundërshtimit, në mënyrë që të mëshiroheni.”
Nuk vjen libër tjetër nga Allahu pas Kur’anit. Ai është këshillë, shërim dhe mëshirë. Është dritë dhe udhëzim. Kushdo që dëshiron të arrijë sa më afër Krijuesit të tij, duhet të ketë Kur’anin prijës në jetën e vet.
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nëse dëshironi jetësën e të lumturve, vdekjen e dëshmorëve, shpëtimin në Ditën e vështirësisë, hijëzimin në ditën e nxehtë dhe udhëzimin në ditën e humbjes, studiojeni Kur’anin sepse ai është Fjala e Rahmanit (Gjithëmëshirmit), mbrojtje prej djallit dhe anues për nga veprat e mira në peshore.” (Mustedrekul Uesail, vëllimi 4, faqe 232.)
E kanë pyetur Imam Rizain (paqja qoftë mbi të!): Çfarë thua për Kur’anin? Ai ka thënë: “Është fjala e Allahut dhe mos dilni para tij. Mos kërkoni udhëzim prej tjetër kujt përveç tij se do të humbisni. (Biharul Anur, vëllimi 89, faqe 117.)
Kur’ani është përsosmëria e vërtetë. Cilido që e mëson Kur’anin dhe e kristalizon atë në brendinë e tij, sigurisht që ai mbart një mirësi të madhe dhe pasuri të pashtershme. Kur’ani është tryeza e Allahut për njerëzit. Ai e ka zbukuruar këtë tryezë me llojet më të përsosura e të panumërta të ushqimeve për dijen dhe shpirtin. Në këtë tryezë gjendet çdo gjë për të cilën kanë nevojë njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Ne u kemi sjellë njerëzve shembuj në këtë Kuran për çdo gjë, për t’ua vënë veshin.”
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sigurisht, ky Kur’an është tryeza e Allahut, prandaj, studiojeni sa të mundeni tryezën e Tij.” (Mustedrekul Uesail, vëllimi 4, faqe 232.)
Kur’ani është depozita e dijeve të Allahut. Ai që ndriçohet me këtë dije dhe i mbart ato, do të jetë prej banorëve të Xhennetit. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mbartësit e Kur’anit janë të diturit e banorëve të Xhennetit.” (Mustedrekul Uesail, vëllimi 4, faqe 243.)
Transmetohet nga imam Sexhxhadi (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Ajetet e Kur’anit janë depozitat e dijes. Sa herë që të hapësh një depozitë, ti duhet të shikosh se çfarë ka në të.” (Mustedrekul Uesail, vëllimi 4, faqe 238.)
Ndikimet dobiprurëse të Kur’anit
Cilido që e studion Kur’anin do të shohë ndikime të këndshme e dobiprurëse. Prej atyre ndikimeve janë:
1- NJOHJA E ALLAHUT
Kjo çështje, e cila është themeli dhe baza e besimt të drejtë islam, përfshin një pjesë të madhe të Kur’anit të shenjtë dhe përmendet në forma të ndryshme. Njohja e Allahut është detyrë e të gjithë njerëzve. Kur’ani i shenjtë e përmend dhe e sqaron në disa ajetet të tij çështjen e njohjes së Allahut të Madhëruar. Në Kur’an lexojmë: “Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?”, me siguri që do të të thonë: “Allahu!”. Atëherë ti thuaju: “Qoftë lavdëruar Allahu!” Por, shumica e tyre nuk dinë.” (Sure “Lukman”, ajeti 25)
Problemi i njerëzve është se ata nuk e njohim ashtu siç duhet njohur Krijuesin e tyre dhe nuk e vlerësojnë Atë ashtu siç e meriton dhe si pasojë ata nuk bësojnë dhe nuk e adhurojnë Atë. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i shenjtë: Ata nuk e vlerësojnë siç duhet Allahun…” (Sure “En’am”, ajeti 91.)
Transmetohet nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Nëse do ta njihnit Allahu ashtu siç e meriton Ai njohjen, edhe malet rasijat do të zhduken me lutjen tuaj…” (Auali Leali, vëllimi 4, faqe 132.)
Sigurisht, njohja e Allahut arrihet duke medituar thellë në krijimin e Tij dhe në mirësitë e shumta me të cilat Ai i ka mirësuar krijesat e Tij. Arrihet duke menduar thellë në sistemin e krijimit të universit, i cili është krijuar me një precision të lartë e të mahnitshëm nga ana e Allahut të Plotfuëqishëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Ti i shikon malet e mendon se janë të palëvizshme, por ato do të lëvizin si retë. E tillë është fuqia e Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë. Ai di mirë çdo gjë që bëni ju.” (Sure “Neml”, ajeti 88.)
Prej argumenteve të njohjes së Allahut, që i përmend Kur’ani i shenjtë, është krijimi i qiejve e i tokës dhe i gjithçaje që ndodhet në to, ndryshimi i natës dhe i ditës, ndryshimi i gjuhëve, i ngjyrave, etj.
Allahu i Madhëruar thotë: Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.” (Sure “Bekare”, ajeti 164)
Dhe: “Vërtet, në ndërrimin e natës me ditën dhe në atë që ka krijuar Allahu në qiej dhe në Tokë, ka shenja për njerëzit që i frikësohen Allahut.” (Sure “Junus”, ajeti 6).
Dhe: “Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë.” (Sure “Rrum”, ajeti 22.)
Dhe: “Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa e juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë.” (Sure “Rrum”, ajeti 23.)
Dhe: “Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë dhe dërgimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas shkretimit të saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (Sure “Rrum”, ajeti 24.)
Pasi Allahu sjell argumentet që vërtojnë se Ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe Sunduesi Fuqiplot, i fton mohuesit që të sjellin argumentet e tyre nëse janë të vërtetë në mohimin e tyre. Allahu thotë: “…atëherë sillni provën tuaj!” (Sure “Bekare”, ajeti 111.) Vërtet, kjo është një sfidë për të gjithë mohuesit dhe jobesimtarët e çdo kohe dhe çdo vendi.
Kur’ani i shenjtë fton në teuhijd (Zoti është Një, i vetëm e i pashoq), i cili është në përputhje me Qenien e Tij, atributet e Tij dhe me veprat e Tij. Ai thotë: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)! Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. (Sure “Hashr”, ajetet 22-24)
Kjo është ftesa e Kur’anit për të gjithë njerëzit. Cilido që e lexon Kur’anin do të mësojë se ai përdor dy gjuhë për përcjelljen e mesazheve të tij: gjuhën e logjikës dhe të zemrës. Kur’ani e konsideron logjikën argument për njerëzit dhe i fton që ta vënë në funksion dhe përfitojnëprej saj. Në të njëjtën kohë Kur’ani i qorton ata që nuk e përdorin logjikën e tyre dhe as që udhëzohen me anë të saj. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Krijesat më të këqija para Allahut janë ato që janë shurdhe dhe memece (ndaj së vërtetës) e që nuk kanë arsye.” (Sure “Enfal”, ajeti 22.)
Po ashtu, Kur’ani i shenjtë përmend edhe pengesat që pengojnë njohjen e të vërtetave, në krye të gjitha atyre qëndron njohja e Allahut të Madhëruar. Prej atyre janë:
1- Ndjekja e hamendësimit. Kur’ani thotë: “Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi…” (Sure “Nexhm”, ajeti 23.)
2- Imitimi i baballarëve. Kur’ani thotë“Kur atyre u thuhet: “Ndiqni atë që ka shpallur Allahu!” ata përgjigjen: “Jo! Ne do të ndjekim atë udhë në të cilën i kemi gjetur të parët tanë” – Vallë, edhe atëherë kur të parët e tyre nuk kuptonin gjë e nuk ishin të udhëzuar?!” (Sure “Bekare”, ajeti 170.)
3- Pasimi i egos. Në Kur’an lexojmë: A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (Sure “Furkan”, ajeti 43.)
Sa të shumtë janë të tillë njerëz sot në ditët tona! Kjo fatkeqësi gjendet edhe në mesin e muslimanëve, të cilët e themi me keqardhje, janë larguar nga fjala e Allahut të Madhëruar.
Kur’ani e fton njeriun në besim bazuar në argumente të shumta logjikë. Ai i drejtohet natyrës së pastër të njeriut që gjithmonë të jetë e drejtuar kah Krijuesi i gjithësisë, Allahut të Plotfuqishëm.
Në Kur’an lexojmë: “A ka më të mirë se Ai që e ka bërë Tokën të qëndrueshme, ka bërë në të lumenj, ka ngritur në të male dhe ka bërë midis dy deteve pengesë të padukshme?! Vallë, a ka krahas Allahut, zot tjetër?! Jo, por shumica e tyre janë të paditur. A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!” (Sure “Neml”, ajetet 61-62.)
Nëse njerëzit do të arrijnë ta njohin ashtu siç e meriton njohjen Allahu i Madhëruar, ata do ta besojnë, do ta adhurojnë dhe do t’i frikësohen Atij në vepra e në fjalë.
2- NJOHJA E PROFETËVE (paqja qoftë mbi ta!)
Qëllimi me këtë njohje është që njerëzit të njihen me të dërguarit e Allahut dhe t’i marrin shembull e model në jetën e tyre. Në Kur’anin e shenjtë ka shumë histori të ndryshme që flasin për profetët, për thirrjen e tyre në rrugën e Allahut, për përballjet e tyre me popujt kokëfortë e jobesimtarë dhe për triumfin e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Para teje, Ne kemi dërguar vetëm burra nga banorët e qyteteve, të cilët i frymëzuam me shpallje…” (Sure “Jusuf”, ajeti 109.)
Dhe: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend…” (Sure “Jusuf”, ajeti 109.)
Kur’ani i shenjtë përdor metodën e historive në përcjelljen e kuptimeve, njohurive dhe qëllimeve të tij përshkak të ndikimit të madh që ka kjo metodë në zemrat e njerëzve. Kjo vërteton se Kur’ani i shenjtë është në përputhje të plotë me natyrën, mendjen dhe zemrën e njerëzve.
Gjithashtu, në Kur’an lexojmë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Prandaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve!” (Sure “Nahl”, ajet 36.)
Historitë kur’anore përbëjnë një anë të rëndësishme të Kur’anit. Në disa hadithe thuhet se historitë janë një e treta e Kur’anit dhe shumica prej tyre janë historitë e profetëve (paqja qoftë mbi ta!). Disa sure të Kur’anit janë emërtuar me emrat e profetëve si: Ibrahim, Hud, Junus, Nuh. Këto histori luajnë rol të madh në realizimin e qëllimeve të Kur’anit.
3- NJOHJA E RINGJALLJES DHE QARTËSIMI I ÇËSHTJEVE TË SAJ
Prej çështjeve të rëndësishme që përmban Kur’ani i shenjtë është ajo e Ringjalljes dhe argumentet që paraqet Kur’ani rreth vërtetësisë dhe patjetërsisë së asaj Jetës së Përtejme. Në të shumtën e rasteve, në Kur’anin e shenjtë, besimi në Jetën Tjetër është i shoqëron me besimin në Allahun e Madhëruar. Kur’ani i përshkruan besimtarët se ata janë që besojnë në Allahun në Ringjalljen dhe në Jetën Tjetër dhe i përshkruan jobesimtarët se ata nuk besojnë as në Allahun as në Ringjalljen e as në Jetën Tjetër.
Për të vërtetuar dhe për të konstatuar Ringjalljen dhe Jetën Tjetër, Kur’ani paraqet argument të qarta logjikë e të dukshëm, që të zgjojë mohuesit dhe jobesimtarët prej gjumit të tyre të pavëmendshmërisë.
Në Kur’an lexojmë: “Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren dhe palma hurme të larta me tufa frutash njëra mbi tjetrën, si ushqim për robërit Tanë; në këtë mënyrë Ne me shi e ringjallim tokën e vdekur. E kështu do të jetë edhe ringjallja.” (Sure “Kaf”, ajetet 9-11)
Dhe: “…Pastaj, kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur).” (Sure “Rrum”, ajeti 25.) “Atë Ditë, toka do të hapet e ata do të dalin me nxitim. Për Ne është e lehtë t’i mbledhim ata të gjithë.” (Sure “Kaf”, ajeti 44.) “Dhe, kur t’i fryhet Surit, ata do të dalin nga varret dhe do të nxitojnë drejt Zotit të tyre, duke thënë: ‘Mjerë ne! Kush na ngriti prej varreve tona?”’(Do t’u thuhet): ‘Ja, kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi; të dërguarit kanë thënë të vërtetën!’ Do të jetë ai vetëm një zë i tmerrshëm e ata të gjithë do të paraqiten para Nesh.” (Sure “Jasin”, ajetet 51 – 53.)
Për konstatimin e kësaj çështjeje Kur’ani paraqet edhe ndodhi historike si ajo e banorëve të shpellës, e Uzejrit, të cilin Allahu e vdiq njëqind vjet pastaj e ringjalli atë. Gjithashtu, Kur’ani kur flet për Jetën Tjetër, e paraqet atë si diçka të prekshme ku njeriu e përfytyron veten e tij në të dhe i shikon me sytë e tij bukuritë e Xhennetit apo tmerrin e Xhehenemit. Ai thotë: “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj, në kuvendin e së vërtetës (në Xhennet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.” (Sure “Kamer”, ajetet 54 – 55)
Dhe: “Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe. Ata do të jenë të veshur me petka të holla mëndafshi të gjelbër dhe me armaç mëndafshi të trashë, të stolisur me byzylykë të argjendtë. Zoti i tyre do t’u japë të pinë pije të pastër. Ky do të jetë me të vërtetë shpërblimi juaj; përpjekjet tuaja do të jenë të pranuara. Në të vërtetë, Ne ta kemi shpallur Kuranin ty hap pas hapi.” (Sure “Insan”, ajetet 20 -23)
Allahu i Madhëruar na urdhëron që të ruajmë vetat tona dhe familjet tona nga zjarri i Xhehenemit, të cilin e përshkruan si vijon: O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato. (Sure “Tahrim”, ajeti 6)
4- UDHËZIMI NGA HUMBJA E DEVIJIMI
Kur’ani i shenjtë është drita udhëzuese e Allahut dhe shpëtuesi nga humbja dhe devijimi. Allahu i Madhëruar thotë: Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (Sure “Isra”, ajeti 9)
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi te dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë kam lënë në mesin tuaj dy gjëra të rënda (me vlerë). Nëse kapeni pas tyre, ju kurrë nuk do të humbisni, Librin e Allahut dhe gjenezën time, Ehli Bejtin tim. Ato të dyja kurrë nuk do të ndahen derisa të vijnë te unë te Haudi (burimi i Keutherit).” (Ky hadith është transmetuar me këtë term dhe me terma të tjerë në mënyrë konsekuente (muteuatir) sipas kuptimit në: Sahijhu Muslim, 4: 1873/2408 dhe 5: 663/3786 dhe 3788. El-Mustedrek i Hakimit, 3: 148. Musnedu Ahmed, 3: 14, 17, 26, 59 dhe 4: 371, 5: 182 dhe 189. Fadailu’s-Sahabe i Ahmed ibn Hanbelit, 2: 603/ 1035. El-Khasais i Nisaijut, 21. Mesabijhu’s-Sunneh, 4: 185/4800 dhe 190/4816. Mexhmau’z-Zeuaid, 9: 163-164. El-Xhamiu’s-Sagijr i Sujutijut, 1: 244/1608. Es-Sauaiku’l-Muhrika i Ibn Haxherit, 75 dhe 89. El-Khasaisu’l-Kubra i Sujutijut, 2: 266. Tefsiri Ed-Durru’l-Menthur i Sujutijut, 2: 60. Tefsijru’r-Razij, 8: 163. Hiljetu’l-Eulija, 1: 355. Sunenu’l-Bejhakij, 2: 148 dhe 7: 30. Usdu’l-Gabeh, 2: 13. Tarijkhu Bagdad, 8: 442. El-Mu’xhemu’l-Kebijr i Taberanijut, 3: 201/3052 e shumë të tjerë.)
5- LARTËSIMI NË JETËN TJETËR
Çdo ajet prej ajetve të Kur’anit të shenjtë përfaqëson një shkallë prej shkallëve të Xhennetit. Sa herë që një njeri lexon apo studion një ajet nga Libri i Allahut, Kur’ani i shenjtë, aq herë ngjitet në shkallët e Xhennetit. Transmetohet nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij se ka thënë: Numri i shkallëve të Xhennetit është sa numri i ajeteve të Kur’anit. Kur mbartësi i Kur’anit të hyjë në Xhennet do t’i thuhet: Lexo e ngjitu. Për çdo ajet ka një një shkallë. Mbi hafizin e Kur’anit nuk ka më shkallë.
6- SHËRIMI
Kur’ani i shenjtë është shërues i vërtetë i sëmundjeve shpirtërore. Ai largon sëmundjet e zemrave. Ai është oksigjeni i lumturisë në të dyja jetët. Cilido që kërkon të pastrojë të brendshme e tij prej sëmundjeve, papastërtive dhe gjynaheve, ai duhet të ndjekë dritën e Allahut, Fjalën e Tij, Kur’anin e shenjtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” (Sure “Isra”, ajeti )
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mësojeni Kur’anin sepse ai është pranvera e zemrave. Kërkoni shërim me dritën e tij sepse ai është shërues i kraharorëve.” (Uesailu shiia, vëllimi 6, faqe 167.)
7- SHPËTIMI NGA DËNIMI
Vërtet, Allahu i Madhëruar nuk e dënon atë njeri që e mëson, e mbart dhe e zbaton Kur’anin. Sepse një njeri i tillë është bërë Kur’an lëvizës në çdo hap që hedh në jetë dhe Kur’ani është bërë mbrojtësi i tij. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Lexojeni Kur’anin dhe shfaqeni atë (në vepra e në fjalë) sepse Allahu nuk e dënon atë zemër që mbart Kur’anin.” (Uesailu shiia, vëllimi 4, faqe 245.)
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!
