Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Gratë më të përsosura të banorëve të Xhennetit janë: Hatixhe bint Huvejlid, Fatime bint Muhamed, Merjem bint Umran, Asia bint Mezahim dhe gruaja e Faraonit.” (Hakemi në Mustedrekun e tij: vëll. 3, f. 157.)
Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) lindi pesë vjet pas ardhjes së kurorës së Profetësisë profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) më 20 Xhemadul Akher dhe u nda nga kjo jetë e privur, më 3 Xhemadul Akher, në vitin 11 të hixhrit. Ajo lindi në shtëpinë e pastërtisë, dlirësisë e besimit. Ajo shtëpi ishte shtëpia e profetësisë, shtëpia në të cilën zbriti Mesazhi më i drejtë dhe përmbyllësi i të gjitha mesazhe qiellorë, Kur’ani i shenjtë. Babai i saj, është krijesa më e përkryer dhe vula e profetëve, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Nëna e saj është Hatixheja (paqja qoftë mbi të!). Profeti i mësonte asaj mësimet e shenjta hyjnore.
Edhe Fatimeja përjetoi provoi hidhësinë e keqbërjeve të politeistëve mekas ashtu siç i përjetoi babai i saj dhe myslimnët. Ndonjëherë populli i Mekës, i hidhnin Profetit pleh dhe baltë dhe ai kur kthehej në shtëpi, Fatimeja e vogël me lot në sy ia fshinte baltën dhe dheun nga fytyra dhe rrobat. Në të tilla raste Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i mësonte asaj durimin dhe qëndrueshmërisë duke i thënë: “Mos u mërzit dhe mos qaj bija ime, sepse Allahu e mbron babain tënd.”
Kur Fatimeja ishte në moshën pesëvjeçare, u nda nga jeta nëna e saj dhe nëna e besimtarëve, hazreti Hatixhja (paqja qoftë mbi të!), e cila ishte femra e parë që i besoi profetit Muhamed dhe të gjithë pasurinë e saj e shpenzoi për përhapjen e Islamit.
Pas vdekjes së nënës, streha e saj ishte babai i vet, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në këtë strehë Fatimeja gjeti çdo gjë që i nevojitej prej dashurisë, respektit e dashamirësisë. Ajo ishte drita e syve të profetit Muhamed. Ajo ishte si nëna e babait të saj, për arsye të përkujdesjes që tregonte për të atin, Profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të dhe familjen e tij!).
Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) është vajza më e vogël dhe më e dashur e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Rreth virtyteve dhe personalitetit të zonjës Fatime janë transmetuar shumë thënie. Ajo gëzon një pozitë të madhe dhe të veçantë në Islam. Për pozitën e saj flasin sahabët, mendimtarët islam dhe joislam.
Duke patur këtë pozitë të lartë, duhet që gratë myslimane në jetën e tyre individuale, familjare dhe shoqërore, ta marrin shëmbull zonjë e lartë Fatime Zahranë (paqja qoftë mbi të!). Ato duhet të ndjekin rrugën e saj në aspektin e adhurimit, përpjekjes, bashkëshortësisë dhe të edukimit të fëmijëve. Jeta e kësaj zonje të madhe të Islamit dëshmon se ajo është shembulli më i përkryer për çdo vajzë, nënë dhe bashkëshorte. Prania e një personaliteti të lartë dhe me vlera të larta, siç është zonja Fatime Zahara (paqja qoftë mbi të!) në fenë islame, dëshmon faktin e interesimit, përkushtimit dhe vlerësimit që i bën Islami gruas.
Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) është nga Ehli Bejti, për të cilët, është detyrimi yni që t’i duam ata. Dashuria për Fatime Zahranë buron nga dashuria e të Dërguarit të Allahut për të. Ajo është pjesë e tij dhe shpirti i tij. Profeti e ka dashur aq shumë Fatimenë, saqë nuk ka të ngjashëm me dashurinë e baballarëve për vajzat e tyre. Dashuria e tij për të buronte nga emocioni atëror dhe jo vetëm kaq, por dashuria e tij për të ishte e mbushur me respekt e nderim.
Fatime Zahraja karakterizohej nga mirësitë individuale, dhuntitë dhe veçoritë dalluese unike. Ajo ishte bija e parë e Islamit, e cila u rrit në krahët e Profetësisë, u rinua nën kujdesin e prijësisë, e pastër dhe e mbrojtur nga çdo gjë e ndyrë dhe e turpshme. Është gruaja shembull në Islam dhe e denjë për t’u ndjekur nga gratë në çdo kohë e në çdo vend.
Në çdo tubim, i Dërguari i Allahut përmendte madhështinë e Zahrasë, nxirrte në pah virtytet e larta të sajdhe sqaronte e pozitës së saj tek Allahu i Lartësuar dhe tek i Dërguari i Tij. Kjo, për arsyen që t’i nxiste myslimanët për dashuri ndaj saj e konsideratë për të pas tij sepseajo ishte pasardhësja e fundit për të, nëna e prijësve të pagabueshëm, e udhëheqësve të pagabueshëm të myslimanëve, e rojtarëve mbrojtës të mesazhit islam e traditës së gjyshit të tyre të zgjedhur. Kjo zonjë e nderuar me jetën e saj të shkurtër u bë burim i shumë të mirave për Islamin dhe muslimanët.
Një pjesë tjetër e jetës së kësaj gruaje madhështore ishte në shtëpinë e burrit të saj, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Pozita e zonjës Fatime pranë imam Aliut ishte aq e lartë dhe madhështore, saqë nuk dallohej aspak nga pozita e saj në shtëpinë e babait të vet, profetit Muhammedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Zonja e lartë Fatime Zahraja (paqja qoftë mbi të!) sakrifikonte për familjen, ishte e kënaqur dhe pa pretendime, punëtore dhe nënë e dhimbshme, inteligjente dhe arsyetuese. Fatimeja dhe imam Aliu (paqja qoftë mbi të dy ata!) jetonin jetë të thjeshtë, por kishin shpirtra të mbudhur me dashuri dhe lumturi. Shtëpia e vogël e tyre ishte simbol i gëzimit shpirtëror dhe dera e kësaj shtëpie vazhdimisht ishte e hapur për të varfërit dhe nevojtarët. Zonja Fatime aq shumë ishte e kënaqur nga jeta bashkëshortore me imam Aliun, sa që edhe në çastin e fundit të jetës së saj shprehu kënaqësinë dhe lumturinë nga jeta e tyre bashkëshortore. Gëzimi i saj ishte në atë që t’i shërbente njerëzimit.
Ajo ishte një adhuruese e denjë. Ajo lutej më shumë për të tjerët në namazet që falte. Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) në një hadith për nënën e tij, Fatime Zahranë (paqja qoftë mbi të!) thotë: “Unë shikova nënën time Fatimenë, e cila u çua në natën e xhumasë dhe qëndroi në vendin e faljes duke u falur derisa u duk sabahu. Unë e dëgjova atë të lutej për myslimanët dhe myslimanet dhe i përmendte emrat e tyre. Ajo lutej më shumë për ata dhe nuk lutej për veten e saj. Unë i thashë: “O nënë. Pse nuk lutesh për veten tënde ashtu siç lutesh për të tjerët? Ajo tha: “O biri im, në fillim fqinji, pastaj shtëpia.” Sa e mrekullueshme kjo thënie! Kjo nxjerr në pah madhështinë, mëshirën, humanizmin dhe vlerat e larta shpirtërore të zonjës Fatime Zahra.
Tani do të përmendim diçka që ka ardhur nga i Dërguari më fisnik (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)e çfarë thuhetnë historinë e tij në lidhje me dashurinë ndaj Zahrasë (paqja qoftë mbi të!):
– I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)ka thënë: “Fatimeja është një pjesë e imja. Ai që e zemëron atë, më ka zemëruar mua.”
Burimet: Sahijhu’l-Bukharij, 5: 92/209 dhe 150/255. Sahijhu Muslim, 4: 1902/93-2449. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 698/3867. Mesabijhu’s-Sunneh, 4: 185/4799. El-Mustedrek i Hakimit, 3: 158. Mexhmau’z-Zeuaid, 9: 203. El-Xhamiu’s-Sagijr, 2: 208/5833.
– Dhe: “Fatimeja është pjesë e imja. Më paqëton mua çfarë e paqëton atë dhe më lëndon mua çfarë e lëndon atë.”
Burimet: Sahijhu’l-Bukharij, 7: 65-66/159 Kitabu’n-Nikah, dhe rreth tij në Musnedin e Ahmedit, 4: 5, 223 328 dhe 332. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 698/3869. Mustedreku’l-Hakim, 3: 154, 158 dhe 159. Khasaisu’n-Nisaij, 36. Hiljetu’l-Eulija, 2: 240. Kenzu’l-‘Ummal, 6: 219 dhe 8: 315. Es-Saua‘iku’l-Muhrika, 190. El-Imametu ue’s-Sijaseh, 1: 14.
– Dhe: “O Fatime, me të vërtetë, Allahu zemërohet për zemërimin tënd dhe kënaqet për kënaqësinë tënde.”
Burimet: El-Mustedrek i Hakimit, 3: 513. Usdu’l-Gabe, 7: 224. El-Isabe, 8: 159. Es-Saua‘iku’l-Muhrika, 175, pjesa e 11, kapitulli 1, qëllimi i tretë. El-Khasaisu’l-Kubra, 2: 265. Tehdhijbu’t-Tehdhijb, 12: 441. Kenzu’-‘Ummal, 6: 219 dhe 7: 111. Dhekhairu’l-‘Ukba, 39.
– Transmetohet nga Aishja (r.a), e cila ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë më të ngjashëm në fjalë e bisedë me të Dërguarin e Allahut sesa Fatimen.Kur hynte tek ai, Profeti ngrihej në këmbë, e puthte atë dhe e ulte pranë tij dhe kur hynte ai, Fatimeja ngrihej në këmbë për të, e puthte dhe e ulte pranë vetes.”
Burimet: Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 700/3872. Fadailu’s-Sahabe i Nisaijut, 68.
– Transmetohet se Aishja (r.a) është pyetur: “Cili nga njerëzit ka qenë më i dashur tek i Dërguari i Allahut?” Ka thënë: “Fatimeja.”I kanë thënë: “Po nga burrat?”Është përgjigjur: “Bashkëshorti i saj.”
Burimet: Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 701/3874. El-Mustedrek i Hakimit, 3: 157 dhe e saktësoi atë. Usdu’l-Gabe, 7: 223. El-Bidaje ue’n-Nihaje, 7: 254.
– Burejdeja ka thënë: “Nga gratë që ka dashur më shumë i Dërguari i Allahut ka qenë Fatimeja dhe nga burrat, Aliu.”
Burimet: Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 698/3868. El-Mustedrek i Hakimit, dhe e saktësoi atë.
Paqja qoftë mbi ty o Fatime Zahra! Paqja qoftë mbi ty o ija e Muhamed Mustafasë! Paqja qoftë mbi ty o bashkëshortja e Ali Murtedasë! Paqja qoftë mbi ty o nëna e Hasan Muxhtebasë! Paqja qoftë mbi ty o nëna e Husejnit, dëshmori i Qerbelasë! Paqja qoftë mbi ty o nëna e imamëve! Paqja qoftë mbi ty o Zonja e të gjitha grave të botëve!
Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën tënde në këtë jetë dhe na bashkoftë me ju në Jetën Tjetër!
