Prej gjynaheve të mëdha është humbja e shpresës nga mëshira e Allahut të Madhëruar. Humbja e shpresës nga mëshira dhe falja e Allahut të Madhëruar është njëlloj si mohimi i Tij. Shkak i humbjes së shpresës nga mëshira e Allahut të Madhëruar është mosbesimi në fuqinë e Tij të pakufishme dhe në mëshirën e Tij të gjerë. Në Kur’anin e shenjtë, humbja e shpresës nga mëshira e Allahut konsiderohet prej cilësive të jobesimtarëve. Ai thotë: “…Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. (Sure “Jusuf”, ajeti 87).
Në Kur’anin e shenjtë, në suren “Zumer”, ajeti 53 lexojmë: “Thuaj: ‘O robtë e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.’”
Ky ajet sqaron se portat e mëshirës së Allahut janë të hapura për gjynahqarët. Ajeti i nxit këta gjynahqarë që ta harrojnë të shkuarën dhe të hapin një faqe të re me Allahun e Madhëruar dhe Fuqiplotë. Në këtë ajet kuptohet se me një thënie të ëmbël e të mbushur me dhembshuri, dashuri dhe butësi, Allahu hap dyert e mëshirës së Tij për të gjithë gjynahqarët dhe vendos që t’i falë ata.
Po të thellohemi më shumë në fjalët e këtij ajeti, do të vërejmë se është ajeti më i qartë shpresëdhënës për të gjithë gjynahqarët, sado të mëdha të jenë gjynahet e tyre. Prijësi besimtarëve, Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ka në Kur’an ajet më gjithpërfshirës dhe më shpresëdhënës se ajeti: “Thuaj: ‘“O robtë e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.’”
Në këtë ajet Allahu i fton të gjithë gjynahqarët që e kanë ngarkuar veten e tyre me gjynahe të mëdha apo të vogla, siç janë: padrejtësia ndaj vetes dhe të tjerëve, lënia e detyrave të caktuara nga Allahu si: namazi, agjërimi, haxhi, zekati, khumsi (një e pesta), përgojimi, thashethemi, gënjeshtra, kamata, uzurpimi i pasurisë së tjetrit etj., që të mos e humbasin shpresën te falja e Allahut.
O njeri, kurrë mos e humb shpresën nga mëshira e Allahut. Ji i bindur se Allahu i fal të gjitha gjynahet nëse pendohesh me pendim të sinqertë dhe kthehsh në rrugën e Tij. Duhet ta dish se porta e pendimt dhe e kthimit tek Allahu është gjithmonë e hapur para teje. Sado që të jesh i njollosur e i përlyer me gjynahe, ti ke mundësi ta pastrosh veten tënde nga këto gjynahe me ujin e pendimit të sinqertë dhe je ti ai që ke në dorë të hapësh një faqe të re në jetën tënde dhe të mbështesh tek Allahu i Plotfuqishëm. Kurrë mos thuaj se Allahu nuk më fal mua! Kurrë mos mendo dhe mos thuaj se porta e pendimit është e mbyllur për mua! Kurrë mos e përfytyro vetën tënde se ke arritur deri në atë gjendje sa nuk bën dobi pendimi dhe kthimi tek Allahu.! Kurrë mos thuaj se unë nuk mund të çlirohem nga prangat e gjynaheve që kam bërë në jetën time! Kurrë mos iu nënshtro egos që të mashtron e të thotë se ty nuk të pranohet pendimi dhe se Allahu nuk të pranon! Përkundrazi, Kur’ani na thotë: “…se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.” (Sure “Nasr”, ajeti 3). Ky ajet i bekuar na sqaron se njeriu duhet t’i kërkojë falje Allahut të Madhëruar dhe se Allahu është Pranuesi i madh i pendimit.
Nga njëra anë, humbja e shpresës në mëshirën dhe faljen e Allahut është njësoj si mohimi (kufri). Nga ana tjetër, humbja e shpresës e shtyn njeriun që të bëhet i pabindur, kokëfortë, i paturpshëm, arrogant, kriminel dhe e shtyn që të bëjë edhe më shumë gjynahe. Kjo ndodh se ky njeri mbart ndjenjën se nuk ka shpëtim për atë dhe as shpresë për të dalë nga errësirat dhe nga llumi i gjyhaheve. Si rrjedhojë, do të arrijë të thotë: Përderisa jam gjynahqar dhe nuk kam rrugëzgjidhje tjetër, përse t’ia ndaloj vetes time qejfet dhe kënaqësitë e kësaj jete?!
Në historinë islame thuhet se Hamid ibn Kahtabetu ka qenë një oficer në ushtrinë e Harun Rrashidit. Për shkak se ai e humbi krejtësisht shpresën nga mëshira dhe falja e Allahut për gjynahet që kishte bërë, ai hoqi dorë nga të gjitha parimet dhe vlerat dhe nga të gjitha detyrat e caktuara nga Allahu dhe filloi të bënte më shumë gjynahe duke vrarë të pafajshëm dhe punëmirë.
Çdo njeri që e humbet shpresën nga mëshira dhe falja e Allahut, që është i mashtruar dhe i prangosur nga shejtani, i cili gjithmonë i pëshpërit se për të nuk ka shpresë për falje, do të bëhet si Hamid ibn Kahtabetu.
Vërtet, humbja e shpresës nga mëshira dhe falja e Allahut e çon njeriun që të tejkalojë të gjitha normat etiko-morale dhe të shkelë të gjitha parimet dhe vlerat e larta njerëzore. Ajo e zhyt atë në pellgun e qelbur të qejfeve dhe të pasioneve të shfrenuara e të ndaluara. Ndërsa ata që shpresojnë te mëshira dhe falja e Allahut, ata që besojnë dhe janë të bindur se Allahu është i Gjithmëshirshëm dhe Falës dhe se Ai ia fal njeriut gjynahet kur pendohet dhe bën punë të mira, padyshim që ata janë sundues të epsheve dhe të egos së tyre dhe janë triumfues në xhihadin me nefsin (në luftën me vetveten).
Të gjithë ne gabojmë e bëjmë gjynahe. Të gjithë kemi nevojë për faljen e gjynaheve e të gabimeve që bëjmë ditë e natë. Si mëshirë të Tij për ne, Ai ka vendosur shkaqe të shumta për faljen e gjynaheve e të gabimeve. Prej tyre janë: besimi, largimi nga veprat e këqija e të ndaluara, qofshin me fjalë apo me vepra, pendimi i sinqertë, politeizmi etj. Sigurisht që mosbesimi dhe politeizmi (shirku) janë pengesa për faljen e gjynaheve e të gabimeve.
Në Kur’anin e shenjtë ka ajete që flasin për faljen e gjynaheve, të cilat i fal Allahu. Në Kur’an lexojmë:
}إِنَّ اللّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاءُ وَمَن يُشْرِكْ بِاللّهِ فَقَدْ ضَلَّ ضَلاَلاً بَعِيداً {سورة النساء الآیة 116
“Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. (Sure “Nisa”, ajeti 116).
}وَسَارِعُواْ إِلَى مَغْفِرَةٍ مِّن رَّبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا السَّمَاوَاتُ وَالأَرْضُ أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِين {سورة آل عمران الآیة 133
Në një ajet të bekuar të Kur’anit, Allahu na fton të nxitojmë në kërkimin e faljes. Allahu i Madhëruar thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhennetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 133).
Sa e mrekullueshme kjo ftesë e Krijuesit tonë! Ai na fton që të nxitojmë në kërkimin e faljes për gjynahet e bëra. Mirëpo, njeriu është gjithmonë kundërshtues, i padrejtë dhe mosmirënjohës. Çfarë do të të gjejë ty, o njeri, nëse shqipton thënien: “O Zot më fal?!” Përse gjuha jote është më e lehtë në shqiptimin e fjalëve të këqija, të sharjeve, të përgojimeve etj.?! Ndërkohë që për të thënë: “O Zot, më fal!” është e rëndë? Sigurisht, është djalli i mallkuar ai, i cili ua lidh gjuhën disa njerëzve për të kërkuar falje dhe ua zbukuron të këqijat. Allahu na thotë se djalli është armiku juaj, prandaj merreni atë si armik: “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, prandaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur.” (Sure “Fatir”, ajeti 6).
Është detyrë që të gjithë të kthehemi te Zoti ynë, Krijuesi, Falësi, i Gjithmëshirshmi, Mëshirploti, Pranuesi i pendimit, i Cili thotë në Kur’an: “…Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Sure “Bekare”, ajeti 222).
Gjithashtu, Allahu thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: ‘O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.’” (Sure “Tahrim”, ajeti 8).
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në hytben e pritjes së muajit të Ramazanit ka thënë: “O njerëz! Shpirtrat tuaj janë peng i punëve tuaja. Prandaj ua hiqni pengun shpirtrave me kërkesën për faljen e gjynaheve! Shpinat tuaja janë të rënduara nga pesha e gjynaheve tuaja. Prandaj lehtësojini ato prej kësaj barre me sexhdet tuaja të zgjatura dhe dijeni se Allahu i Lartësuar është betuar në Madhërinë e Vet, që të mos i dënojë ata që falin namaz, ata që bëjnë sexhde dhe të mos i drithërojë ata me Zjarrin në atë ditë kur njerëzit do të qëndrojnë në këmbë para Zotit të botëve!”
Shembuj të mrekullueshëm nga Kur’ani
Në Kur’anin e shenjtë ka shembuj të ndryshëm rreth moshumbjes së shpresës nga mëshira e Allahut.
Kur’ani na sjell shembujt e disa profetëve të Tij, të cilët u sprovuan me privime të shumta, por ata nuk e humbën shpresën te mëshira e Allahut të Madhëruar. Prej tyre përmendim:
1- Profeti Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!). Ai ishte i privuar nga të paturit fëmijë. Ai ishte në moshë të madhe, 112 apo 120 vjeç dhe bashkëshortja e tij ishte 90 apo 99 vjeçe. Allahu i Madhëruar, pikërisht në këtë moshë të madhe të tyre, dërgoi melekët dhe e përgëzuan Ibrahimin (Paqja qoftë mbi të!). Në Kur’an thuhet: “Dhe ndjeu frikë prej tyre, por ata i thanë: ‘Mos u frikëso!’ dhe i dhanë lajmin e mirë për një djalë të ditur. Atëherë erdhi gruaja e tij, që, duke thërritur dhe rrahur fytyrën, tha: ‘Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka sterile?’ Ata thanë: ‘Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëditur.’” (Sure “Dharijat”, ajetet 28 -30)
2- Profeti Zekeria (Paqja qoftë mbi të!). Edhe ky profet i nderuar nuk kishte fëmijë dhe Allahu e gëzoi me Jahjain (Paqja qoftë mbi të!). Historia e tij përmendet në suren “Merjem”, ku thuhet: “Kâf, Hâ, Jâ, Ajn, Sád. Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij -Zekerijas. Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë): ‘O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje,ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; prandaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!’ O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë. Ai tha: ‘O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!’ I tha: ‘Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje.’” (Sure “Merjem”, ajetet 1 – 10).
3- Profeti Ejub (Paqja qoftë mbi të). Atë e goditi sëmundja e rëndë për shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjet dhe nuk ecte. Në Kur’an thuhet: “(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: ‘Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve!’ Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë.” (Sure “Enbija”, ajetet 83-84).
Të dashur lexues, vëllezër dhe motra!
Të gjithë në këtë jetë jemi në sprovë. Jemi në provim. Lum ai që del me sukses nga ky provim i Allahut! Në Kur’an lexojmë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: ‘Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!’ Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë.” (Sure “Bekare”, ajetet 155-157). Ajeti i begatë na thotë se të duruarit janë fitimtarët.
Këto ditë janë çastet më të volitshme që të jemi prej të penduarve, prej atyre që kërkojnë falje, sepse ky është muaji i faljes, i mëshirës dhe i shpëtimit nga Zjarri.
Allahu na faltë dhe na mëshiroftë të gjithëve!
