Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit Mëshirplotit
Në Kur’anin e shenjtë, në suren Muxhadele, ajeti 11, lexojmë: “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.”
Gjithashtu, në suren Fatir, ajeti 28 lexojmë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët.
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhje mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dijetari është gjallë edhe nëse ka vdekur, kurse injoranti është i vdekur edhe nëse është gjallë.”
Në këto dy ajete të Kur’anit të shenjtë, e në ajete të tjera, në këtë thënie të profetit tonë të dashur dhe në thënien e prijësit të besimtarëve, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) duket qartë pozita e lartë e dijetarëve. Gjithashtu, nëpërmjet tyre kuptohet se dijetarët e devotshëm janë të pavdekshëm.
Është privilegj i madh që të shkruash e të flasësh për dijetarë të mëdhenj ë Islam, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në rrugën e ruajtjes e të përhapjes së mesazhit islam. Njëri prej atyre dijetarëve është edhe eruditi, komentuesi dhe juristi I madh, imam Khomeini (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilin do ta quaja pa asnjë ekzagjerim flamurtar të vijës së vulës së proftëve, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dhe të Ehli Bejtit të tij të pastër.
Të nderuar lexues:
Nuk është e lehtë të flitet për imam Khomeinin, ashtu si nuk është e lehtë të vlerësohen veprat dhe mendimet largpamëse të atyre që kanë bërë histori në këtë jetë. Ata që arritën majat e historisë, bënë punë madhështore duke lënë gjurmë të paharrueshme në çdo kohë. Një prej atyre gjurmëlënësve të paharruar është edhe imam Ruhullahu el Musauij el Khomeini (Allahu qoftë i kënaqur me të!)
Çdokush që dëshiron ta përshkruajë personalitetin e imam Khomeinit, nuk di nga t’ia fillojë dhe si ta paraqesë figurën e ndritur të tij sepse, dituria, largpamësia, urtësia, vendosmëria e lartë dhe devotshmëria e imam Khomeinit ishin ato që karakterizonin personalitetin e tij.
Ata që studjojnë jetën e imam Khomeinit, larg çdo fanatizmi verbues, do të shohin qartë se ky njeri i lartë ka kaluar nëpër etapa shumë të rëndësishme të edukimit të vetes. Ka kaluar rrugë nëpër të cilat shumë pak i kanë shkelur ato. Kalimi i këtyre rrugëve bënë që imami të shkruajë edhe librin “Mposhtja e egos”, që është botuar edhe në gjuhën shqipe, i cili përmban këshilla dhe porosi të vyera për të gjithë njerëzit dhe jo vetëm për besimtarët myslimanë sepse, konflikti intelekt-ego gjendet tek të gjithë njerëzit.
Vetë jeta e tij shumë e thjeshtë dhe larg luksit, edhe pse në dorën e tij ishin të gjitha pallatet mbretërore, është dëshmuese e gjallë e shpirtit të tij të ndritur nga devotshmëria, pastërtia, mistika e vërtetë, etj.
Cilido që e lexon, e studion dhe e analizon jetën e Imam Khomeinit, do të konkludojë se ai ishte një reformator i madh, i cili ndikoi në zgjimin dhe reformimin e shoqërisë islame jo vetëm në Iran por edhe në botë. Këtë e kanë konfirmuar miqtë dhe armiqtë e tij.
Imam Khomeini me thirrjen e tij arriti të c’rrënjosë sistemin djallëzor dhe t’i zgjojë muslimanët nga pavetëdija dhe neglizhenca duke mbjellë në shpirtrat e tyre fuqinë dhe vetbesimin.
Imam Khomeini ishte një e vërtetë të cilën shumë mendje nuk arrijnë ta përceptojnë. Me thirrjen e tij dhe me revolucioni e tij, ai arriti të ringjallë identitetin islam në mesin e muslimanëve brenda dhe jashtë Iranit.
Roli i imam Khomeinit në kundërshtimin e dhunës dhe të shtypjes, qoftë e brendshme apo edhe e jashtme, ishte vendimtar dhe dëshmoi fuqinë e lidershipit islam.
Imam Khomeini për të ringjallur mësimet e fesë islame ndoqi rrugën e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e cila bazohet në besimin te Zoti Një i Vetëm e i Pashoq dhe në devotshmëri.
Për këtë ai ka thënë: ‘Është detyrë e jona që t’i thyejmë muret e injorancës dhe të legjendave, me qëllim që të arrijmë në burimin e kthjellët të Islamit origjinal që solli Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Jo vetëm populli iranian por të gjithë të privuarit në mbarë botën, në fytyrën e ndritur të imam Khomeinit panë seriozitetin dhe besnikërinë. Këto veti të larta të imamit bënë që shumë e shumë njerëz nga vende të ndryshme të botës ta duan, ta respektojnë dhe të shkruajnë për personalitetin e tij të lartë.
Zonja Haxher Sinsovat, një myslimane e re nga Ishulli Mindanao në Filipin thotë: ‘Në përvjetorin e fitores së Revolucionit Islamik të Iranit, kur e pashë në televizor fotografinë e Imam Khomeinit duke u falur poshtë pemës, devotshmëria dhe përulja e tij më tërhoqën aq shumë saqë vendosa të studioj jetën dhe veprat e këtij njeriu, sepse doja të dija nga buronte spiritualiteti dhe devotshmëria e tij. Unë mendoj, – vazhdon zonja Haxher- se Imam Khomeini e ringjalli sunnetin e Profetit në kohën kur thuhet islami perëndimor dhe islami arab. Imam Khomeini ua prezantoi njerëzve Islamin e vërtetë, i cili ishte Islami që solli Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).”
Ajetollah Khamenei, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, thotë: ‘Revolucioni që udhëhoqi imam Khomeini është manifestim i mësimeve madhështore të Profetit Muhamed. Mesazhi i Revolucionit Islamik është respektimi i lirisë së mendimit dhe pavarësia e popujve të botës. Ky mesazh bazohet në mësimet e ndritura të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili i fali njerëzimit dinjitet, nder dhe krenari.’
Një nga arritjet më të rëndësishme të revolucionit islamik nën udhëheqjën e imam Khomeinit, është mbrojtja e dinjitetit njerëzor pa përjashtim, si burrave ashtu dhe grave. Imam Khomeini i ftoi njerëzit të mbështeten tek talentet dhe potencialet e tyre dhe u kërkoi atyre që në vend që të mbështeten tek të tjerët, ti binden dhe të mbështeten vetëm tek Zoti.
Revolucioni Islamik i Iranit buron nga mësimet dhe qëndrimet për vendosjen e drejtësisë dhe është një vazhdim dhe ringjallje e qëllimeve të dërguarve të Allahut të Madhëruar. Ky revolucion ishte rezultat i të gjithë atyre njerëzve, të cilët ishin vënë në lëvizje për të ringjallur vlerat njerëzore dhe mësimet e vulës së profetëve, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Imam Khomeini i prezantoi botës pamjen më të çiltër të Profetit islam. Tek imam Khomeini myslimanët panë moralin, adhurimin dhe prijësinë e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të imamëve prej familjes së tij të pastër e të dlirë.
Republika islamike e Iranit njerëzit i fton të besojnë në Zotin Një të Vetëm e të Pashoq, respektojnë lirinë e mendimit, të respektojnë vlerat, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Imam Khomeini në lidhje me këtë thotë: “Në qoftë se besimi në Allahun dhe urdhrat e Tij zbatohen në fushat shoqërore, politike, ekonomike dhe në dimensionet tjera të jetës së njeriut, atëherë shumë lehtë problemet më të ndërlikuara të botës moderne do të zgjidheshin. Sot, bota ka arritur në një qorrsokak dhe nuk ka rrugë tjetër shpëtii përveçse të dorëzohet përballë mësimeve dhe udhëzimeve të të dërguarve të Allahut.”
Të nderuar lexues:
Nëse duam të njihemi me ndokënd, patjetër duhet të njohim mendimet dhe idetë e tij. Po ashtu ndodh edhe me imam Khomeinin. Nëse duam të njihemi më shumë me figurën e tij shumëdimensionale, duhet të lexojmë pikëpamjet e tij. Prandaj, e pashë të arsyeshme që të përcjell disa prej pikëpamjeve të imamit nga oqeani i pafund i pikëpamjeve të tij.
Imam Khomeini thotë: “Në qoftë se besimi në Zot dhe veprimi i urdhrave të Zotit futen në aktivitetet shoqërore, politike, ekonomike dhe në dimensionet e tjera të jetës së njeriut, atëherë shumë lehtë do të zgjidheshin problemet më të ndërlikuara të botës moderne. Sot bota ka arritur në një qorrsokak dhe nuk ka rrugë tjetër përveçse të dorëzohet përballë mësimeve dhe udhëzimeve të profetëve të Zotit.” Në këtë thënie sqarohet më së miri se imam Khomeini ka qenë besimtar i madh. Ai ka thënë se: “Nëse punët tuaja nuk janë të lidhura me Allahun dhe nëse përçaheni, sigurisht që ju do të jeni të poshtëruar.”
Në një thënie tjetër Imam Khomeini ka thënë: “Është detyrë e jona që të ftojmë të tjerët në rrugën e Allahut dhe jo t’i ftojmë ata për vetat tona dhe as për interesin vetjak apo jetik.’
Sipas imam Khomeinit, Islami ka ardhur për edukimin e njeriut dhe objekti më i rëndësishëm i programit islam është njeriu dhe edukimi i tij shpirtëror. Islami ka ardhur për reformimin e shoqërisë. Mesazhi islam nuk është i kufizuar as me anën shpirtërore e as me anën materiale, por ai i përfshin të dyja. Kjo do të thotë që Islami dhe Kur’ani kanë ardhur për të formuar njeriun dhe për edukimin e tij në të gjitha aspektet.
Në një vend tjetër, imam Khomeini na flet për mirësinë e Kur’anit ku thotë: ‘Është detyrë e muslimanëve që Kur’anin ta kenë shoqëruesin e tyre, sepse ai është Fjala e Allahut dhe Libri i udhëzimit. Çdo mirësi që zotërojnë dhe do të zotërojnë muslimanët, janë prej begative të këtij Libri të Shenjtë.’
Po ashtu, dijetari dhe udhëheqësi i paharruar i të privuarve, ka thënë: ‘Motoja jonë është që të mos i bëjmë padrejtësi askujt dhe të mos e pranojmë padrejtësinë. Duhet që muslimanët të jenë të bashkuar kundër të padrejtëve sepse, esenca e thirrjes Islame është uniteti dhe mospërçarja. Kur’ani Famëlartë dëshmon se të gjithë besimtarët në mbarë botën janë vëllezër dhe vëllazëria islame është burimi i të gjitha mirësive.
Imam Khomeini gjithmonë ftonte për unitet në mesin e myslimanëve. Ai ka thënë se në Islam nuk ka sunnit apo shi’it, kurd apo persian, sepse të gjithë janë vëllezër. Është detyrë e jona – sunnitë dhe shi’itë – që të vëllazërohemi me qëllim që t’u presim rrugën atyre që përpiqen të na përçajnë e të na grabisin. Përçarja dhe konflikti në këto ditë konsiderohen vetëvrasje. Pra, përçarja është prej djallit, ndërsa bashkimi dhe mospërçarja është prej të Gjithëmëshirshmit, Allahut. Prej asaj gjuhe nga e cila dalin fjalë për përçarje, ajo gjuhë është e shejtanit.
Këto rreshta do t’i mbyllja me një porosi të vyer të imam Khomeinit, i cili thotë: ‘Vendosni të ecni në rrugën e Allahut. Bëjeni të jashtmen tuaj njerëzore. Zbatoni rregullat e sheriatit dhe kërkojini Allahut të Madhëruar t’ju ndihmojë në arritjen e qëllimeve. Kërkoni ndihmën e Allahut që për hir të profetit Muhamed dhe familjes së tij të pastër e të dlirë t’ju mbarësojë në në këtë rrugë. Të shumta janë rrugët e devijimit në këtë jetë. Është e mundur që për një moment njeriu të rrëshkasë në humnerën shkatërruese. Prandaj, lutjuni Allahut që t’ju mbrojë nga devijimi prej rrugës së drejtë dhe t’ju dhurojë mirësinë e ndjekjes së mësimeve të Tij dobiprurëse për të dyja botët.’
Në përvjetorin e 37 të triumfit të Revolucionit Islamik, shprehim respekt të veçantë për themeluesin e madh të kësaj lëvizjeje popullore dhe për mbarë popullin Iranian, i cili mbart në zemrën dhe shpirtin e tij besimin në Allahun e Madhëruar, largpamësinë, durimin, shpresën dhe vlerat e larta humane.
E lus Allahu Fuqiplotë që të na bëjë prej ndjekëve dhe zbatuesve të urdhrave dhe të porosive të Tij, porosive të profetit Muhamed, të familjes së tij të pastër, të shokëve të tij të zgjedhur dhe të dijetarëve të paharruar, si imam Khomeini (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
