VULLNET MERJA

Fjala dua në gjuhësi ka kuptimin e kërkesës dhe thirrjes. Në Kur’anin e shenjtë fjala dua përmendet me kuptime të ndryshme.

1- Thirrje, siç thuhet në ajetin 61 të sures “Ali Imran”: “Atyre që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët.” Ka raste që si fjala thirrje “nidaun” ashtu edhe fjala “duaun” ndodhen në një vend siç shihet në ajetin 171 të sures “Bekare”, i cili thotë: “Mohuesit i shëmbëllejnë kafshëve, të cilat, kur i thërret dikush, dëgjojnë vetëm thirrje e zë, por s’kuptojnë asgjë. Ata janë të shurdhër, memecë dhe të verbër e nuk kuptojnë asgjë. 

2- Kërkesë siç thuhet në aetin 18 të sures Fatir: “Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit. Nëse i ngarkuari rëndë kërkon dikë që t’ia mbartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra, edhe sikur të jetë i afërt. Në të vërtetë, ti paralajmëron vetëm ata që i frikësohen Zotit të tyre në fshehtësi dhe që falin namazin. Kush e pastron veten (nga gjynahet), në të vërtetë e ka për dobinë e vet, ndërsa kthimi është tek Allahu.” 

3- Thënie, siç thuhet në ajetin 5 të sures “A’raf”: Kur iu erdhi dënimi, thënia e tyre e vetme ishte: “Ne kemi qenë vërtet të padrejtë.”

4- Adhurim: siç thuhet në ajetin 14 të sures “Kehf”: “Ne i forcuam zemrat e tyre, kur u ngritën e thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne nuk do të adhurojmë asnjë zot tjetër, përveç Tij, sepse atëherë do të thoshim një gënjeshtër të madhe.”

5- Ndihmë, siç thuhet në ajetin 23 të sures “Bekare”: Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tone (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij. Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të vërtetë.” 

6- Nxitje për vepruar diçka, siç thuhet në ajetin 5 të sures “Nuh”: Ai tha: “O Zoti im, unë e nxita popullin tim natë e ditë.” Pra, e nxita për rë adhuruar një Zot të Vetëm.

Ndërsa në terminologji fjala dua ka kuptmin e të kërkuarit e të ultit nga i Larti me nënshtrim dhe bindje. Kur robi i lutet Zotit të tij kjo do të thotë se i kërkon vazhdimisht ndihmë Atij për gjithçka. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.

KUR GJEN PËRGJIGJE LUTJA JONË?

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.” (Sure “Gafir”, ajeti 60.)

Nga ajeti i lartpërmendur përfitohen disa gjëra:

E para: Vërtet, Allahu, e don dhe e pëlqen lutjen si dhe urdhëron për të bërë lutje, siç thotë ajeti: ““Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua…”

E dyta: Vërtet, Allahu u ka premtuar robëve të Tij se do t’i përgjigjet lutjes së tyre: “…se do t’ju përgjigjem…”. Mirëpo ky premtim për përgjigje të lutjes ka kushte të caktuara dhe nuk është i pakushtëzuar. Ato kushte do t’i përmendim më poshtë.

E treta: Duaja në vetevete është një lloj adhurimi sepse në fund të ajetit lexojmë: “…ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk më adhurojnë…”. Këtu Allahu i Madhëruar ka përdorur fjalën “ibadet” në vend të fjalës “dua” që do të thotë se kuptimi i adhurimit këtu është për duanë. 

E katërta: Në fund ajeti përmban një kërcënim të qartë e të fortë për ata që kundërshtojnë lutjen përshkak të ndjenjës së mendjemadhësisë që I ka mbuluar ata duke menduar se nuk kanë nevojë për Allahun. Kundërshtimin e lutjes ajeti e konsideron kundërshtim të Allahut ku thotë: “…Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.”

Ky ajet: Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem…” dhe ajeti 186 i sures “Bekare” që thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.”, tregojnë qartë për premtimin e Allahut se Ai i përgjigjet lutjes së lutësit kur i lutet dhe i kërkon Atij. 

Shumë njerëz, të cilët i lexojnë këto dy ajete, mund të thonë: ‘Ne i lutemi përherë Allahut, por nuk shohim përgjigje por nuk shohim përgjigje? Ne i lutemi shumë, i kërkojmë nevojat tona dhe i drejtohemi që të na zgjidhë problemet tona. Përse nuk na përgjigje? Vallë, a e shkel Allahu premtimin e Tij?’

Përgjigja është: Mospërgjigja e lutjes në të shumtën e rasteve e ka burimin dhe shkakun tek ne, sepse ne bëjmë vepra të cilat e pengojnë lutjen që të arrijë tek Allahu i Madhëruar. Nëse lutja nuk arrin tek Ai, padyshim që nuk merr përgjigje. Përsa i përket premtimit të Allahut në përgjigjen e lutjes duhet thënë se ai është premtim i kushtëzuar dhe jo absolut. Ai premtim është i kushtëzuar me kryerjen e detyrave dhe të obligimeve të caktuara nga Allahu Fuqiplotë. Nëse njeriu i kryen ato detyra ashtu siç e meritojnë, atëherë do të gjendet edhe përgjigje për lutjen. Nëse nuk i kryhen ashtu siç duhet, atëherë nuk mund të pritet përgjigje për lutjen. 

Prej shkaqeve që bllokojnë lutjen të arrijë tek Allahu i Madhëruar janë mëkatet dhe punët e këqija. Në lutjen “Kumejl” të imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) lexojmë: “Falmi mëkatet që bllokojnë lutjen!” Po aty lexojmë: “Të drejtohem Ty, për hir të Madhështisë Tënde, që punët e mia të këqija mos e bllokojnë lutjen time.” (Lutja e Kumejlit e imam Aliut). Pra, gjynahet dhe punët e këqija e bllokojnë lutjen që të arrijë tek Allahu Fuqiplotë. Duhet thënë se gjynahet kanë dy role në jetën e njeriut.

Roli i parë: Ato e largojnë njeriun nga Allahu. 

Roli i dytë: Ato bllokojnë lutjen dhe e pengojnë atë që të arrijë tek Allahu i Madhëruar. 

Nëse lutja do të arrijë tek Allahu patjetër që do të marrë përgjigje nga Ai, sepse tek Allahu nuk ka vend as kopracia dhe as paaftësia. Ai është i Plotfuqishmi absolut për gjithçka. Mirëpo, gjynahet janë shkak për mos arritjen e lutjes tek Ai. Allahu nuk i përgjigjet lutjes së gjynahqarit, sepse lutja e tij është e paaftë të arrijë tek Allahu. Në disa transmetime janë përmendur gjynahe të cilat nëse njeriu i vepron ato bëhen pengesë për përgjigjen e lutjes. Ndër ato janë: qëllimi i keq, hipokrizia, vonesa e namazit nga koha e faljes së tij, thënia e fjalëve të këqija, mosrespektimi i prindërve, të ushqyerit me haram, mosdhënia e pasurisë në rrugën e Allahut, etj. Këto gjynahe, e të tjera si këto, pengojnë përgjigjen e lutjes. Si mund të jetë e mundur që Allahu t’i përgjigjet dhe t’ia plotësojë nevojën atij njeriu që e kundërshton Atë duke bërë gjynahe të cilat e zemërojnë?!  

Në transmetimet islame përmenden kushte për përgjigjen e lutjes. Ndër to përmendim:

I pari: Braktisja dhe mosveprimi i të ndaluarve dhe pendimi prej tyre. Duhet që lutësi gjithmonë të përpiqet që të pastrojë zemrën e tij, mendjen e tij, shpirtin e tij dhe jetën e tij prej gjithçkaje që nuk e pëlqen Allahu i Madhëruar. Është transmetuar nga imam Bakir (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Vërtet, njeriu i kërkon Allahut plotësimin e një nevoje dhe është prej she;nit të Tij që t’ia plotësojë këtë nevojë në kohën më të afërt. Por robi mëkaton dhe Allahu i thotë melekut: Mos ia plotëso atij nevojën dhe privoje atë sepse ai është përballur me zemërimin Tim dhe e meriton moskryerjen e nevojës nga ana Ime.”

I dyti: Duhet që lutësi të përpiqet të pastrojë pasurinë e tij nga çdo uzurpim, vjedhje, padrejtësi, etj. Duhet që ushqimi i tij të mos jetë haram. Transmetohet nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Ai që dëshiron t’i përgjigjet lutja, të pastrojë ushqimin dhe fitimin e tij.”

I treti: Asnjëherë lutja të mos jetë e ndarë nga përpjekja e vazhdueshme kundër të gjitha ngjyrave të shthurjes dhe devijimit nëpërmjet të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja. Kjo, sepse Allahu nuk i përgjigjet lutjes së atij që nuk e zbaton detyrën e të urdhëruarit në të mirë dhe të ndalimit nga e keqja. Transmetohet nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja. Përndryshe të këqijtë tuaj do të jenë sundues mbi të mirët tuaj dhe këta të mirë do të luten dhe nuk do t’u përgjigjet lutja e tyre.”

I katërti: Lutja të jetë në përputhje me ligjet e natyrshme dhe lutësi të jetë i çiltërt dhe i bindur ndaj përgjigjes. Mospërgjigjja e lutjes vjen ose nga kërkesa e njeriut që është në kundërshtim me ligjet e natyrës, si përshembull të kërkojë furnizim pa u përpjekur, të kërkojë dije pa mësuar, të kërkojë udhëzim në rrugën e drejtë pa u përpjekur. Ose ai i kërkon Allahut diçka që përmban dëm fetar dhe jetësor për atë, për të cilin ai është i paditur dhe po ta dinte se ka dëm nuk do të lutej. Ose ai mund të lutet pa sinqeritet dhe pa bindje në përgjigjen e lutjes, pra thjesht nxjerr fjalë që nuk burojnë te zemra dhe shpirti besimtar. Imam Ali (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lutësi pa veprim është si harkëtari pa hark.”

E kanë pyetur imam Sadikun (paqja qoftë mbi të!): “Përse nuk gjen përgjigje lutja jonë kur ne lutemi?” Imami iu përgjigj: “Kjo sepse ju i luteni Atij që nuk e njihni dhe i kërkoni Atij që nuk e kuptoni.” 

I pesti:  Duhet që lutësi të zbatojë detyrat e caktuara nga Allahu dhe të zbatojë premtimin me Allahun. Besimi, puna e mirë, amaneti, pajtimi, janë prej kushteve të përgjigjes së lutjes. Ai që nuk e zbaton premtimin ndaj Allahut nuk mund të presë të marrë përgjigje të lutjes së tij. 

Fjalët e mësipërme i sqaron më së miri ndodhia e mëposhtme:

Një ditë xhumaje, imam Aliu mbajti një fjalim. Pas fjalimit (hytbes), një burrë nga të pranishmit u çua dhe e pyeti imam Aliun: “O prijës i besimtarëve! Përse nuk na përgjigjet lutja jonë dhe Allahu i Madhëruar thotë: “Mu lutni Mua, t’i përgjigjem lutjes tuaj”?!
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) iu përgjigj: “Vërtet, zemrat tuaja i kanë tradhëtuar tetë virtyte:
E para: Ju e njohët Allahun dhe nuk e keni zbatuar të dejtën ndaj Tij ashtu si duhet ta bëni. Kjo njohje e juaja nuk ju solli asnjë dobi.
E dyta: Ju i besuat profetit të Tij e pastaj e kundërshtuat synetin e tij dhe e vdiqët sheriatin e tij. Atëherë, ku është fryti i besimit tuaj?
E treta: Ju e lexoni Librin e Tij që e ka zbritur për ju, por nuk e zbatoni atë. Ju thatë dëgjuam dhe u bindëm, pastaj e kundërshtuat. 
E katërta: Ju thoni; i frikësohemi zjarrit. Në çdo kohë me mëkatet tuaja i afroheni zjarrit. Ku është frika juaj?! 
E pesta: Ju thoni se e dëshironi Xhennetin dhe çdo ditë veproni vepra që ju largojnë prej tij. Ku është dëshira juaj?!
E gjashta: Ju ushqeheni me mirësitë e Krijuesit, por nuk e falënderoni Atë për ato mirësi.
E shtata: Allahu ju ka urdhëruar që ta merrni armik shejtanin dhe ka thënë: “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, prandaj vështrojeni si armik!…” (Sure “Fatir”, ajeti 6) Mirëpo ju u armiqësuat më të me fjalë dhe e mbështesni pa vepra.
E teta: Ju i keni vendosur të këqijat e njerëzve para syve tuaj dhe të këqijat tuaja i keni hedhur pas shpinave tuaja. Ju akuzoni të tjerët ndërkohë që e meritoni më shumë atë akuzë.
Çfarë lutjeje do t’u përgjigjet juve pas gjithë kësaj ku juve i keni mbyllur me duart tuaja dyert e saj?! Jini të devotshëm dhe ndreqini punët tuaja. Bëjini të çiltërta të fshehtat tuaja. Urdhëroni në të mira dhe ndaloni nga të këqiajt që t’ju përgjigjet (plotësohet) lutja juaj.” (Sefinetul Bihar; vëll. 1, f. 448-449)