BIOGRAFIA E IMAM ALI IBN HYSEJN-it (paqja qoftë mbi të!)
Emri: Ali ibn Hysejn (paqja qoftë mbi të!)
Babai i tij: Imam Hysejni, i biri i imam Aliut (paqja qoftë mbi ta!)
Nëna e tij: Shehreban, e bija e Jezdxherd, mbreti i fundit i Persisë
Gjyshja e tij: Fatime Zahra (paqja qoftë mbi të!), e bija e profetit Muhamed (paqja dhe
bekimet e Allahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Lindja: 5 Sha’ban, viti 36 i hixhrit
Vdekja: Viti 94 ose 95 i hixhrit
Epitetet (ose pseudonimet) e tij: Ebu Hasan, Ebu Muhamed, Ebu Husejn dhe Ebu Abdilah
Emrat me të cilët thirrej: Zejnul Abedin, Dhu Thefenat, Sejidul Abidijn, Kudvetu
Zahidin, Sejidul Mutekijn, Imamul Mu’minine, El Emijn, Es Sexhad, Ez Zekij, Zejnu Salihine, Menarul Kanitine, El Adlu, Imamul Ummeh, El Bekkau.
Më të.njohurit prej këtyre emrave janë: Zejnul Abedin dhe Sexhad.
Imam Sexhadi (Paqja qoftë mbi të!), me dijen dhe urtësinë e tij arriti të udhëzonte shoqërinë dhe ta ruante Islamin e pastër, në të cilën kishin depërtuar devijime dhe risi të shumta.
Imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!) është djali i imam Hysejnit, i cili lindi në vitin 36 të hixhrit. Ai jetoi 57 vjet dhe pati një jetë të mbushur me përpjekje dhe sakrifica në rrugën e Islamit të pastër e të humanizmit. Vitet më të rëndësishme të jetës së imam Sexhadit ishin pas ngjarjes tragjike të Qerbelasë dhe pas martirizimit të babait, imam Hysejnit, ku edhe mori përsipër udhëheqjen e besimtarëve të asaj kohe. Ai, për shkak se ishte shumë i sëmurë, nuk arriti të merrte pjesë në luftën e Qerbelasë; luftë kjo që u zhvillua midis së vërtetës dhe të pavërtetës.
Caktimi i Zotit deshi që ai të mbetej gjallë në ditën e Qerbelasë dhe pas martirizimit të babait të tij, të udhëhiqte ymetin mysliman në ato ditë shumë të vështira e plot mashtrime e propaganda. Periudha e imametit të tij zgjati 34 vjet. Misioni i tij kryesor ishte që popullin ta njihte me mesazhin e kryengritjes së imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!).
Lëvizja e tij ndahej në disa arritje. Prandaj, imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!) filloi të përhapte mësimet e fesë islame dhe arriti të edukonte dhe të arsimonte
njerëz në këtë drejtim. Zbardhja e fytyrave hipokrite të krerëve emevitë dhe lufta kundër politikave shtypëse të tyre ishte një tjetër dimension i aktiviteteve të imam Sexhadit.
Ai gjithashtu, në kohën e imametit të tij hodhi hapa të rëndësishëm në ndryshimin e sjelljeve të brishta dhe në zgjerimin e bazave themelore të Islamit.
Për arsye se një ndër problemet kryesore të asaj periudhe ishin sjelljet e pamoralshme të udhëheqësve emevitë, që rrezikonin seriozisht fenë islame, imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!) me përpjekjet e tij të palodhshme u mundua që shoqërinë ta udhëzonte në rrugën e drejtë.
Kështu, miqve dhe nxënësve të tij u mësoi një lutje shumë të bukur, e cila përmban pika të rëndësishme të moralit dhe të edukatës. Kjo lutje quhet ‘Sahife Sexhadije’ dhe konsiderohet si trashëgimia më e vlefshme e imam Sexhadit.
Imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!), në mesin e njerëzve, ishte shtyllë e dashurisë dhe e miqësisë, kurse shtëpia e tij, vatër e jetimëve dhe e të varfërve. Sa herë që shihte ndonjë të varfër ose jetim, shprehte dashurinë dhe respektin më të madh për të.
Një ditë pa një njeri të papastër, prej të cilit, njerëzit largoheshin dhe e injoronin. E ftoi atë në shtëpinë e tij dhe i shërbeu në formën më të mirë.
Modestia e këtij imami ishte kaq e madhe sa që njëherë u nis për në Haxh bashkë
me një karvan, edhe atë si një shërbëtor. Imam Sexhadi i shërbeu vizitorëve të Shtëpisë së Zotit gjatë gjithë rrugës, derisa erdhi një njeri dhe e njohu atë. Ai i pyeti pjesëtarët e karvanit: Ju nuk e njihni këtë njeri? Pse e keni zgjedhur t’ju shërbejë? Ata ia kthyen: Ne nuk e njohim atë, por e pamë se ishte një djalë I fuqishëm dhe i sjellshëm. Njeriu ua prezantoi imamin atyre duke u thënë se ishte nipi i Profetit të Islamit, Ali Ibn Hysejni. Kështu, ata u turpëruan shumë nga imam Sexhadi dhe kërkuan falje. Por, imam Sexhadi, duke iu drejtuar atyre, u tha: “Unë vetë e zgjodha karvanin tuaj, me qëllim që si i panjohur të kem mundësi t’u shërbej myslimanëve në rrugën e Haxhit”.
Në gjendjen kaotike të asaj kohe, kur mbisundonte dhuna dhe shtypja, e njerëzit u ishin nënshtruar plotësisht udhëheqësve despotikë, Imam Sexhadi u përpoq t’i zgjonte ndërgjegjet e fjetura.
Imami (paqja qoftë mbi të!) i nënçmonte ata njerëz që përkrahnin dhunën dhe udhëheqësit shtypës dhe ata të cilët nuk ishin të ndjeshëm ndaj fenomeneve negative të shoqërisë. Ai, duke iu drejtuar një prej dijetarëve më të mëdhenj të asaj kohe, ka thënë: “Po të shoh se je bërë mulli i shtypësve dhe ata duke u mbështetur tek ty po e torturojnë popullin”.
Me gjuhën e lutjes në ‘Sahife Sexhadije’ ai thekson rëndësinë e mbrojtjes së të shtypurve dhe thotë: “O Zoti im, të kërkoj falje për atë që po shtypet nga dhuna dhe nuk kam arritur ta ndihmoj; të kërkoj falje për çdo përgjegjësi të besimtarëve që nuk kam mundur ta zbatoj si duhet”.
Imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!) ishte ringjallës i moralit dhe i edukatës madhështore të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Sjelljet e tij ishin aq të ndershme dhe të moralshme, sa që këtë e pranonin edhe armiqtë e tij.
Një ditë, imam Sexhadi u ndodh në prani të Omer Bin Abdulazizit, guvernatorit të Medines, dhe pasi u largua nga mbledhja, Omer Abdulazizi tha: A e dini kush është njeriu më fisnik nga ne këtu? Të gjithë filluan ta lavdëronin atë dhe t’i thonin se ishte ai më fisniku. Guvernatori i Medines tha: Nuk është ashtu. Njeriu më fisnik është ai që iku pak më parë nga këtu. Atë e duan të gjithë dhe kanë dëshirë të qëndrojnë pranë tij.
Përpjekjet e palodhshme të imam Sexhadit në përhapjen e shkencave fetare siç është komentimi i Kur’anit, hadithi, fik’hu, etj. patën ndikim të madh në ngritjen e nivelit të ymetit islam dhe prej tij dolën dijetarë dhe shkencëtarë të njohur myslimanë. Xhamia e Profetit ishte vendi ku jepte mësim imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!).
Kur nxënësit vinin për të mësuar tek imam Sexhadi, ai për t’i inkurajuar ata u thoshte: “Robtë më të mirë janë ata që kërkojnë dije, shoqërojnë dijetarët, ndjekin falësit dhe të mëshirshmit dhe pranojnë fjalët dhe këshillat e urta. Sikur populli ta dinte dobinë e mësimit dhe të dijes, do të vraponte për të mësuar”.
Imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!), duke e përshkruar Kur’anin, thotë: “Kur’ani është nur (dritë) që ndriçon për udhëzimin e njerëzimit dhe asnjëherë nuk fiket. Ky libër vazhdimisht e zbardh të vërtetën me argumente të fuqishme. Kur’ani është flamuri i shpëtimit dhe secili që mbështetet tek ai, nuk devijon”.
Nga imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!) kanë mbetur këshilla të shumta. Këto këshilla dhe udhëzime akoma janë të gjalla dhe ndihmojnë në ekuilibrimin e sjelljeve të njeriut, udhëzimin e tij, përforcimin e besimit dhe largimin nga lakmitë e epshit. Ai vazhdimisht i porosiste njerëzit që shpirtin e tyre ta mbanin të pastër dhe të mos e zhytnin në gjynahe dhe vepra të këqija.
Në një fjalim, ai thotë: “Habitem me ata njerëz të cilët nuk e hanë një ushqim të pisët për shkak të papastërtisë së tij, e shpirtin nuk e ruajnë nga veprat dhe punët e shëmtuara”.
Imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!), në një vend tjetër, thekson: “Çdo njeri që plotëson një nevojë të mikut të tij, Zoti atij ia plotëson njëqind nevoja. Nëse ndonjëri ia largon mikut të tij një pikëllim, atëherë Zoti në ditën e Kiametit ia largon të gjitha pikëllimet”.
Në një fjalim tjetër, imam Sexhadi (paqja qoftë mbi të!) thotë: “Feja e myslimanit plotësohet atëherë kur ai nuk flet fjalë të kota, nuk debaton shumë me të tjerët dhe zgjedh rrugën e devotshmërisë dhe të nënshtrimit”.
MENDIME DHE THËNIE RRETH IMAM SEXHADIT
Myslimanët janë të një mendimi rreth madhështisë së imam Zejnul Abedinit (paqja qoftë mbi të!) dhe dëshmojnë për virtyet e tij të larta. Ata thonë se ka qenë më i dituri në kohën e tij dhe askush nuk i afrohej për dijen, virtytet dhe devotshmërinë. Ai ka qenë tërheqës i tyre. E nderonin dhe i puthnin duart.
Nderimi i imam Zejnul Abedinit (paqja qoftë mbi të!) nuk ka qenë i kufizuar vetëm me ata që e shoqëronin dhe e takonin. Historianët, me gjithë idetë dhe mendimet e tyre të ndryshme, kanë shkruar me habi dhe respekt jetëshkrimin e tij duke i shtuar atij të gjitha epitetet më të përkryera.
Bashkëkohësit e imam Zejnul Abedinit (paqja qoftë mbi të!), dijetarët, teologët dhe historianët kanë folur shumë për personalitetin e tij. Më poshtë po paraqesim thëniet dhe mendimet e tyre:
Xhabir ibn Abdullah Ensari ka thënë: “Nuk është transmetuar për fëmijët e të dërguarve aq sa është transmetuar për Ali ibn Hysejnin.” (Hajatul imam Zejnul Abidin, studim dhe analizë,vëll. 1, f. 127.)
Abdullah ibn Abasi ishte i madh në moshë. Ai e nderonte dhe përulej para imamit në shenjë nderimi dhe respekti për të. Kur e shihte, aiçohej dhe thoshte me zë të lartë: “Mirëse erdhe, o i dashur, i biri i të dashurit.” (Tarihul Dimashk, vëll. 36, f. 147. Tedhkiretul Khauas, f. 324.)
Abdul Melik ibn Mervan, i cili ka qenë armik ndaj imamit, i ka thënë: “Vërtet, ti je shumë i nderuar tek familja jote dhe te koha që jeton. Ty të është dhënë mirësi, dije dhe maturi që askujt nuk i është dhënë para teje, përveç të shkuarve të tu.” (Biharul Anuar, vëll. 46, f. 75.)
Historiani i njohur, Ja’kubi ka thënë: “Ai ka qenë njeriu më i përkryer dhe më adhuruesi. Ai quhej Zejnul Abedini për shkak të shenjave që kishte në fytyrë prej suxhudit (vënies së ballit në tokë)…” (Tarihul Ja’kubij, vëll. 3, f. 46.)
Hafidhi, ebul Kasim Ali ibn Hasan esh Shafi’ij, i njohursi ibn Asakir ka thënë: “Ali ibn Hysejni ka qenë besnik i sigurt, fliste shumë, ka qenë i lartë dhe I ngritur.” (Tarihu Dimashk, vëll. 36, f. 142)
Dhehebiju ka thënë: “Ai ka patur një madhështi të habitshme. Betohem në
Allahun, se ai e meritonte atë madhështi. Ai e meritonte imamatin e lartë për shkak të nderit, dijes, adhurimit dhe mendjes së ndritur.” (Sejr A’lamu Nubela, vëll. 4, f. 240. )
Ibn Tejmija ka thënë: “Përsa i përket Ali ibn Hysejnit, ai ka qenë prej tabinëve dhe udhëheqësve të mëdhenj në dije dhe në fe. Ai i frikësohej shumë Allahut, jepte sadaka fshehurazi. Po ashtu, ka pasur shumë virtyte të larta që janë të njohura.” (Minhaxhu Sunneh, vëll. 2, f. 123.)
Imam Shafi’iju ka thënë: “Vërtet, Ali ibn Hysejni ka qenë më i dituri i banorëve të Medines.” (Resailu Xhahidh, f. 106)
Në një thënie të Zehrit thuhet: “Unë nuk kam njohur e mbërritur asnjë prej Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) më të përsosur se Aliu i biri i Hysejnit.”
Imam Bakiri ka thënë: “Sa herë që ai kujtonte mirësitë e Allahut binte në sexhde; sa herë që lexonte ajetet e Kur’anit binte në sexhde. Kur mbaronte faljen binte në sexhde; kur bënte pajtimin midis dy pasuesve binte në sexhde. Për këtë i thonë imam Sexhad.”
Ibn Is’haku thotë: “Në Medine kishte shtëpi që u shkonin mirësi, por nuk e dinin nga kush. Kur vdiq Ali ibn Hysejn u ndërpre kjo gjë.” Umer ibn Thabi ka transmetuar: “Kur vdiq Ali ibn Hysejn (paqja qoftë mbi të!) në kohën që po e lanin, panë shenja të zeza në shpinën e tij.” Ata pyetën: “Ç’janë këto?” Thuhej: “Ai mbante trasta me miell natën në shpinën e tij dhe ua ndante të varfërve.”
Një ditë imami kaloi pranë disa njerëz të cilët po e përgojonin. Ai qëndroi dhe u tha atyre: “Nëse janë të vërteta ato që thoni, Allahu më faltë mua, nëse jeni gënjeshtarë, Allahu ju faltë juve”.
Një tjetër trashëgimi shumë me vlerë e imam Ali in Huseinit, Sexhadit (paqja qoftë mbi të!) është edhe libri “Mesazhi i të drejtave”.
Mesazhi ii të drejtave përmban 50 të drejta. Në këto imami (Paqja qoftë bi të!) ka përmbledhur mësimet e tij islame. Prej atyre të drejtave janë:
1- Të drejtat e Allahut të Madhëruar.
2- Të drejtat e individit.
3- Të drejtat e familjes.
4- Të drejtat e shqërisë.
5- Të drejtat e shtetit…etj.
Prej mesazhit të drejtave
E drejta e shokut:
E drejta që ka mbi ty shoku, është që ti ta shoqërosh atë me nderim kurdo që të gjesh rastin, qoftë edhe me pak drejtësi; ta nderosh shokun siç të nderon ai ty; ta ruash atë ashtu siç të ruan ai ty; të mos ia kalosh në bujari në gjërat që keni ndërmjet njëri-tjetrit; nëse ai ta kalon ty, atëherë edhe ti shpërbleje me të njëjtën masë; mos trego ndaj tij dashuri më pak se sa meriton; angazhohu ta këshillosh atë, t’i rrish pranë e ta kundërshtosh kur është fjala për mosbindje ndaj Allahut, ta ndihmosh atë që të mos bëjë atë që i thotë mendja dhe të kundërshtojë urdhrat e Zotit të tij. Për shokun të kesh mëshirë dhe jo dënim. Nuk ka tjetër fuqi, përveç Allahut.
Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e Tij dhe në rrugën e të dashurve të Tij, të cilët i udhëheq vula i profetëve, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)! Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e familjes së tij të pastër dhe të shoëve të tij të zgjedhur e besnikë!
