Transmetohet nga prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në xhumanë e fundit të muajit Sha’ban na mbajti një hytbe (ligjëratë) dhe tha: 

“O ju njerëz! Për ju po afrohet muaji i Allahut me begati, me mëshirë e me falje mëkatesh, muaji që tek Allahu është më i miri i muajve. Ditët e këtij muaji janë ditët më të mira; netët e këtij muaji janë netët më të mira; orët e këtij muaji janë orët më të mira. Është muaji kur ju jeni mysafirë të Allahut. Në këtë muaj jeni bërë prej të nderuarve të Allahut. Frymëmarja juaj në këtë muaj është madhështim i Allahut. Gjumi juaj në këtë muaj është adhurim. Puna juaj në këtë muaj është e pranueshme. Lutja juaj në këtë muaj merr përgjigje. Prandaj lutjuni Allahut, Zotit tuaj, me qëllim të sinqertë e me zemër të pastër, që t’jua bëjë mbarë agjërimin e këtij muaji dhe leximin e Librit të Tij! Me të vërtetë, i keq është ai njeri, të cilit në këtë muaj të madh i është ndaluar falja e mëkateve prej Allahut. 

O ju njerëz! Me urinë e me etjen tuaj në këtë muaj, kujtoni urinë dhe etjen e Ditës së Kiametit. Jepuni sadaka të varfërve e nevojtarëve tuaj, nderoni të moshuarit tuaj, mëshironi të vegjëlit tuaj, mbani lidhje me njerëzit e gjakut tuaj, ruani gjuhët tuaja, ulini sytë tuaj që ato të mos shikojnë në atë që është e ndaluar të shihet dhe mbyllini veshët tuaj që ato të mos dëgjojnë atë që është e ndaluar të dëgjohet!

O ju njerëz! Tregoni dashuri zemre për jetimët e të tjerëve që edhe të tjerët të kenë dashuri për jetimët tuaj! Pendohuni para Allahut për fajet tuaja dhe i ngrini duart lart në drejtim të Tij me lutje kur të falni namazet tuaja, sepse ato janë orët më të pëlqyera kur Allahu i Lartësuar i shikon robtë e Vet me mëshirë dhe u përgjigjet atyre kur ata i përgjërohen Atij! Ai u plotëson atyre kërkesat, kur ata e thërrasin Atë dhe i përgjigjet lutjes së tyre, kur ata i luten Atij. 

O ju njerëz! Shpirtrat tuaj janë peng i punëve tuaja. Prandaj ua hiqni pengun shpirtrave me kërkesën për faljen e mëkateve! Shpinat tuaja janë të rënduara nga pesha e mëkateve tuaja. Prandaj lehtësojini ato prej kësaj barre me sexhdet tuaja të zgjatura dhe dijeni se Allahu i Lartësuar është betuar në Madhërinë e Vet, që të mos i dënojë ata që falin namaz, ata që bëjnë sexhde dhe të mos i dridhmërojë ata me Zjarrin në atë ditë kur njerëzit do të qëndrojnë më këmbë para Zotit të botëve!

  O ju njerëz! Cilido prej jush që në këtë muaj ushqen një agjërues besimtar, tek Allahu ka shpërblimin e lirimit të një skllavi dhe faljen e mëkateve të tij të kaluara. Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i kanë thënë: “Jo të gjithë e kemi këtë mundësi.” Profeti tha: “Shmangiuni Zjarrit, qoftë edhe me një gjysmë kokrre hurme! Shmangiuni Zjarrit qoftë edhe me një gllënkë ujë, sepse Allahu dhuron shpërblim për cilindo që e bën këtë veprim kaq të lehtë, kur ai nuk ka mundësi për më shumë!” 

“O ju njerëz! Cilido prej jush që në këtë muaj e përmirëson moralin e vet, ai do ta ketë të lehtë kalimin e urës së Siratit atë Ditë kur këmbët rrëshqasin. Cilido që në këtë muaj lehtëson gjendjen e dikujt me atë çfarë i zë dora e djathtë, Allahu do t’ia bëjë atij të lehtë llogarinë. Cilido që ndalon të keqen, që ka ndërmend të bëjë, Allahu do ta ndalojë për të zemërimin e Tij Ditën e takimit me Të. Cilido që në këtë muaj nderon një jetim, Allahu do ta nderojë atë Ditën e takimit me Të. Cilido që në këtë muaj mban lidhje me njerëzit e gjakut të vet, Allahu do të mbajë lidhje me të ditën e takimit me Të. Cilido që në këtë muaj i ndërpret lidhjet me njerëzit e gjakut të vet, Allahu i ndalon atij mëshirën e Vet në Ditën e takimit me Të. Cilido që në këtë muaj fal namaz të vullnetshëm, Allahu shkruan për të faljen prej Zjarrit. Cilido që në këtë muaj kryen një farz (një adhurim të urdhëruar), ka shpërblimin e kryerjes së shtatëdhjetë farzeve (adhurimeve të urdhëruara) gjatë muajve të tjerë, përveç adhurimit që kreu. Cilido që në këtë muaj e shumon salavatin mbi mua, Allahu do të rëndojë peshoren e (punëve të) tij në atë Ditë kur lehtësohen peshoret. Cilido që në këtë muaj lexon një ajet të Kur’ànit, ai ka shpërblimin e leximit të të gjithë Kur’ànit në muajt e tjerë. 

O  ju njerëz! Në këtë muaj portat e Xheneteve janë të hapura. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i mbyllë ato për ju! Edhe portat e Zjarrit janë të mbyllura në këtë muaj. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i hapë ato për ju. Edhe djajtë janë të lidhur në këtë muaj. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i bëjë ata sundues mbi ju!” 

Të nderuar lexues!

Ju uroj të gjithëve për shumë vjet muajin e begatë të Ramazanit!

Allahu na e lehtësoftë agjërimin dhe na e pranoftë të gjithëve!

S’ka dyshim se lumturia është qëllimi kryesor i njeriut. Të gjithë e duan lumturinë. Çdo njeri në këtë botë, sipas botëkuptimit të tij për lumturinë përpiqet ta arrijë atë. Ata që mendojnë se lumturia ndodhet te pasuria, përpiqen që të grumbullojnë sa më shumë pasuri. Ata që mendojnë se lumturia ndodhet te pushteti, përpiqen që të arrijnë në kolltukun e udhëheqjes. Ata që mendojnë se lumturia ndodhet në bindjen ndaj Allahut dhe në adhurimin e Tij, përpiqen që ta arrijnë atë duke iu bindur Allahut dhe duke e adhururar Atë. Për të arritur lumturinë, çdo njeri ndjek një rrugë, një shembull dhe një program. 

Për besimtarët programi më i mirë dhe i përkryer, është ai që gjendet në Kur’anin e shenjtë dhe në hadithet e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). 

Allahu i Madhëruar thotë për Kur’anin se është sqarues për gjithçka. Është udhëzues. Është dritë. Është shërues. Është udhëheqës për në Xhenet. Ndërsa për profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë e çfarëdo që t’jua ndalojë, hiqni dorë prej saj…” (Surja “Hashr”, ajeti 7) Dhe: “Ai nuk flet sipas dëshirës së vet, por ajo (që thotë ai) është vetëm Shpallje që i vjen atij nga Allahu.” (Surja “Nexhm”, ajetet 3-4) Dhe: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe te Dita e Fundit dhe që e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21.)

Janë këto fjalët e Allahut, që na bëjnë ne të ndjekim këshillat dhe porositë e vulës së profetëve, hazreti Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Të gjitha fjalët e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) janë dritë dhe shërim. Veçojmë në këtë shkrim dy hytbet e tij të mrekullueshme. Njëra është hytbja e mbajtur në Haxhin e Lamtumirës dhe tjetra, në prag të ardhjes së muajit të shenjtë të Ramazanit. Të dyja këto hytbe janë një rezolutë e shkëlqyer për të drejtat e njeriut. 

Në hytben e lartpërmendur për muajin e Ramazanit, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O njerëz, për ju po afrohet muaji i Allahut me begati, me mëshirë e me falje mëkatesh…” Mirësitë e veçanta këtij muaji, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ilustron me shembuj: 

Gjumi juaj në këtë muaj është adhurim. 

Puna juaj në këtë muaj është e pranueshme.

 Lutja juaj në këtë muaj merr përgjigje.  

Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka sqaruar se edhe kohët e këtij muaji të begatë janë të veçanta. Ai ka thënë:

Ditët e këtij muaji janë ditët më të mira.

 Netët e këtij muaji janë netët më të mira.

 Orët e këtij muaji janë orët më të mira.

Cilido që e lexon me vëmendje këtë hytbe të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) do të konkludojë se në të gjenden tre lloje programesh: program individual, program adhurues dhe program shoqëror. 

PROGRAMI INDIVIDUAL

Pendimin tek Allahu i Madhëruar

I Dërguari i Allahut ka sqaruar se shpirti i njeriut është peng dhe i prangosur nga punët e këqija. Këto vepra të këqija e pengojnë rrugëtimin drejt Allahut të Madhëruar. Për këtë arsye, Profeti fton që shpirtat të çlirohen me kërkimin e faljes dhe me kthimin tek Allahu i Madhëruar. Për këtë ai ka thënë: “…O njerëz, shpirtrat tuaj janë peng i punëve tuaja. Prandaj hiqjani pengun shpirtrave me pendimin te Allahu për mëkatet tuaja…”

Agjërimin e vërtetë

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e konsideron agjërimin për hir të Allahut një moment madhështor dhe një mbarësi nga ana e Allahut të Madhëruar. Prandaj në këtë kohë duhet të lutemi nga thellësia e zemrës, me çiltërsi dhe me nijet të pastër. Profeti ka thënë: “…Lutjuni Allahut, Zotit tuaj, me nijet të sinqertë e me zemër të pastër, që t’jua bëjë mbarë agjërimin e këtij muaji…”

Agjërim i vërtetë nuk është vetëm mosngrënia dhe mospirja, sepse në një hadith tjetër të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) lexojmë: “Ka agjëruaes, të cilët nga agjërimi i tyre nuk marrin veçse etjen dhe urinë”. 

Në hytben e pritjes së muajit të Ramazanit profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) shton edhe katër agjërime të tjera:

Agjërimi i gjuhës

Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…ruani gjuhët tuaja…!”

Ruajtje e gjuhës do të thotë të mos thuhen gënjeshtra, të mos përgojohet, të mos shpifet, të mos thuhen thashetheme, të mos thuhen fjal vulgare, fjalë fyese, epitete përbuzëse etj.

Për këtë, është transmetuar se profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) një ditë ka dëgjuar një grua duke përgojuar shërbëtoren e saj, ndërkohë që ajo ishte me agjërim. I dërguari i Allahut u tha që t’i sillnin ushqim. Kur ia sollën, i tha asaj gruas: “Ha.” Ajo i tha: “Unë jam me agjërim o i dërguari i Allahut.” Profeti i tha: “Si mund të jesh me agjërim kur ti po përgojoje shërbëtoren tënde? Agjërimi nuk është vetëm të mos hash e të mos pish ujë.”

Kurse imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Agjërimi i gjuhës është më i mirë se agjërimi i barkut.”

Agjërimi i syrit

  Në hytben e lartpërmedur Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Ulini sytë tuaj që ato të mos shikojnë në atë që është e ndaluar të shihet…!”

Ulja e syve është kusht për agjërimin e vërtetë. Të mos i hedhim sytë te gjinia tjetër me passion dhe me dëshirë, të mos shikojmë gjërat private të njerëzve, të mos shikojmë shtëpitë e të tjerëve etj. 

Agjërimi i veshit

Në hytben e tij profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Dhe i mbyllni veshët tuaj, që ata të mos dëgjojnë atë që është e ndaluar të dëgjohet…”. Edhe ky veprim është prej kushteve të agjërimit të vërtetë. Dhe kjo arrihet duke mos dëgjuar gjërat e ndaluara siç përgojimi, fyerja e të tjerëve etj. 

Agjërimi i gjymtyrëve

Është agjërimi i dorës (të mos e përdorësh dorën për të rrahur dikë, as për të vjedhur e as për vrarë). Imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi të!) gjithmonë lutej me këtë dua: “O Zoti ynë! Na ndihmo në agjërimin e Ramazanit që t’i ruajmë gjymtyrët nga mëkatet ndaj Teje dhe t’i përdorim ato aty ku është kënaqësia Jote… që të mos i shtrijmë duart tona kah e ndaluara dhe mos hedhim asnjë hap me këmbët tona në ato që janë të ndaluara.”  

Kujtimi i Ditës së Kiametit

Një prej programeve të cilin e përmend profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në hytben e tij është përmendja e Jetës Tjetër në këtë muaj. Në atë Jetë njëra prej vuajtjeve do të jetë uria dhe etja. Profeti ka thënë: “Me urinë e me etjen tuaj në këtë muaj, kujtoni urinë dhe etjen e Ditës së Kiametit…”

PROGRAMI I ADHURIMEVE

Namazi

Në hytben e tij, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka folur për dy lloje namazesh:

Namazet e detyrueshme

  Për këto ai ka thënë: “…Ai që kryen një farz (një adhurim të urdhëruar) në këtë muaj, ka shpërblimin e kryerjes së shtatëdhjetë farzeve gjatë muajve të tjerë…”

Namazet vullnetare

  Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Për atë që fal namaz të vullnetshëm në këtë muaj, Allahu shkruan faljen prej Zjarrit…” Kjo thënie e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na nxit që ky muaj i begatë të shfrytëzohet sa më shumë duke kryer edhe namaze vullnetare siç është namazi i natës. Me këtë namaz besimtari bashkon ushqimin lëndor me atë shpirtëror. 

Leximi a këndimi i Kur’anit

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Kush lexon në këtë muaj një ajet të Kur’ànit, ka shpërblimin e leximit të të gjithë Kur’ànit në muajt e tjerë…” Prej mirësive të Allahut për besimtarët është hatmja e Kur’anit. Është mirë që në çdo muaj të lexohet i gjithë Kur’ani duke lexuar çdo ditë nga një xhuz nga Kur’ani i shenjtë. (Sigurisht, lexim me kuptim dhe me zbatim.) 

Lutja 

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Dhe i ngrini duart lart në drejtim të Tij me lutje kur të falni namazet tuaja, sepse ato janë orët më të pëlqyera kur Allahu i Lartësuar i shikon robtë e Vet me mëshirë dhe u përgjigjet atyre, kur ata i përgjërohen Atij. Ai u plotëson atyre kërkesat, kur ata e thërrasin Atë dhe i përgjigjet lutjes së tyre, kur ata i luten Atij…” Këtë e përforcon edhe ajeti 186 i sures “Bekare”, i cili thotë: “Kur robtë e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua,për të qenë në rrugë të drejtë.” 

Qëndrimi gjatë në sexhde

  Ky veprim na bën të vëmendshëm se nga Toka jemi krijuar dhe në të do të kthehemi. Profeti ka thënë: “…Shpinat tuaja janë të rënduara nga pesha e mëkateve tuaja. Prandaj lehtësojini ato prej kësaj barre me sexhdet tuaja të zgjatura…!” Sa e mrekullueshme kjo thënie. A ka njeri pa mëkate? Sigurisht që jo, përveçse të të devotëshmit dhe të ruajturit prej mëkateve, por që janë shumë shumë të paktë.

Dërgimi i salavateve për profetin  (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe për familjen e tij

  Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Atij që e shumon salavatin mbi mua në këtë muaj, Allahu do t’ia rëndojë peshoren e (punëve të) tij në atë ditë kur lehtësohen peshoret…” Pa dyshim që dërgimi i salavateve është edhe detyrë nga ana e Allahut për besimarët. Në suren “Ahzab” ajeti 56 urdhëron e thotë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe melekët e Tij luten për atë. O ju që keni besuar, lutuni për atë dhe përshëndeteni atë me “selam!” 

PROGRAMI SHOQËROR

Ky program që përmend profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në hytben e tij në xhumanë e fundit të muajit Sha’ban, në pritje të ardhjes së muajit Ramazan ka këto pika: 

Mbajtja e lidhjeve farefisnore

  Profeti ka thënë: “Me këdo që në këtë muaj mban lidhje me njerëzit e gjakut të vet, Allahu do të mbajë lidhje ditën e takimit me Të…” Po ai që i shkëput lidhjet farefisnore, çfarë humbet? Për këtë profeti ka thënë: “…Cilido që në këtë muaj i ndërpret lidhjet me njerëzit e gjakut të vet, Allahu i ndalon atij mëshirën e Vet në ditën e takimit me Të…”

Iftar për agjëruesin

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…O njerëz, cilido prej jush që në këtë muaj ushqen një agjërues besimtar, te Allahu ka shpërblimin e lirimit të një skllavi dhe faljen e mëkateve të tij të kaluara. Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i kanë thënë: “Jo të gjithë e kemi këtë mundësi.” Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha: “Shmangiuni Zjarrit, qoftë edhe me një gjysmë kokrre hurme. Shmangiuni Zjarrit, qoftë edhe me një gllënkë ujë, sepse Allahu dhuron shpërblim për cilindo që e bën këtë veprim kaq të lehtë, kur ai nuk ka mundësi për më shumë…”

Dhënia e sadakasë për të varfrit dhe nevojtarët

Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “…Jepuni sadaka të varfërve e nevojtarëve tuaj…!” Transmetohet se kur hynte muaji i Ramazanit, i Dërguari i Allahut u jepte lirinë të gjithë robërve të luftës dhe i jepte çdo lypësi.

Nderimi i jetimëve

  Profeti Muhamed ka thënë: “…Cilido që në këtë muaj nderon një jetim, Allahu do ta nderojë atë ditën e takimit me Të…”

Respektimi i të mëdhenjve dhe mëshirimi i të vegjëlve

Profeti ka thënë: “…Nderoni të moshuarit tuaj, mëshironi të vegjëlit tuaj…!”

Pa dyshim që ky program është rruga që e çon besimtarin drejt përsosurisë në këtë muaj të shenjtë. Prandaj, duhet që këtë program ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme. Të pyesim veten a jemi prej atyre që e zbatojnë fjalën Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)? Nëse e zbatojmë këtë program, pa dyshim që Allahu do të na ndihmojë. Për këtë në suren “Muhamed”, ajeti 7, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.”

Në fund të hytbes së tij, profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na thotë: “O njerëz, në këtë muaj portat e Xhenneteve janë të hapura. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i mbyllë ato për ju! Edhe portat e Zjarrit janë të mbyllura në këtë muaj. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i hapë ato për ju! Edhe djajtë janë të lidhur në këtë muaj. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i bëjë ata sundues mbi ju!”

Portat e Xhehennemit mbyllen duke zbatuar programin e mësipërm. Portat e Xhennetit hapen duke zbatuar programin e mësipërm jo vetëm në muajin e shenjtë të Ramazanit por gjatë gjithë vitit.

Allahu na bëftë prej banorëve të Xhennetit!

Edhe një herë Gëzuar dhe për shumë vjet muajin e begatë të Ramazanit!