Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (Sure “Nahl”, ajeti 78.)
Ky ajet përmed një prej mirësive të mëdhaja të Allahut për njeriun që është pasja e tij me organe, fuqi e gjymtyrë, të cilat e ndihmojnë atë për vazhdimin e jetës së tij, materiale dhe shpirtërore. Në fund ajeti thotë që njeriu duhet të jetë falenderues ndaj këtyre mirësive e begative të Krijuesit Fuqiplotë. Falenderimi më i mirë është që njeriu këto mirësi e begati t’i shfrytëzojë aty ku urdhëron Krijuesi dhe të bwjë me to vepra që e kënaqin Allahun. Të mos i shfrytwzojë ato duke bërë vepra që e zemërojnë Krijuesin. T’i shfrytëzojë ato duke u bërë mirë krijesave dhe jo t’i bëjë keq atyre.
Në librin e tij “Mesazhi i të drejtave” imam Ali ibn Husejn, Zejnul Abidin (paqja qoftë mbi të!) thotë: “E drejta e vetes tënde ndaj teje është që ta bindësh atë në bindjen dhe përuljen ndaj Allahut. Zbato të drejtën ndaj gjuhës tënde, veshit tënd, syrit tënd, dorës tënde, barkut tënd, organeve gjenitale, duke i kërkuar mështetje Allahut në këtë zbatim.” Pra, organet kanë të drejta. Kuptimi i të drejtave të tyre është e drejta e Allahut tek ato. Të gjithë ato duhet të jenë adhuruese të Allahut dhe të shfrytëzohen aty ku urdhëron Ai.
Sigurisht, gjuhën, syrin, veshin, dorën, këmbën, barkun dhe organet e tjera, njeriu i përdor për të kënaqur Allahun dhe për ta zemëruar atë. I përdor në të mirë dhe në mëkate. Këto organe e gjymtyrë janë portat e Xhennetit dhe të Xhehenemit. Është në dorën e njeriut që t’i bëjë adhuruese ose t’i bëjë mëkatare. Në organet dhe gjytyrët tona duket besimi ynë. Nëpërmjet veprave të tyre zbulohet se sa i fortw apo i dobët është besimi ynë.
Të gjitha gjymtyrët në këtë jetë janë punonjës memecë, përveç gjuhës sepse puna e saj është të folurit.
GJUHA
S’ka dyshim se gjuha, që është një copë mishi e vogël, është shkaku i hyrjes së njerëzve në zjarr (Xhehennem) dhe në Xhennet. Gjuha, edhe pse është e vogël në madhësi, mirëpo, siç thonë disa të urtë ajo mund të kryejë krimin më të madh. Imam Bakir (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vërtet, kjo gjuhë është çelësi i të gjitha të mirave dhe i të këqijave. Duhet që besimtari ta ruajë gjuhën e tij ashtu siç ruan floririn dhe argjendin e tij.”
Gjuha është prej mirësive të mëdhaja të Allahut të Madhëruar për njeriun. Në Kur’anin e shenjtë thuhet: “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë.” (Sure “Beled”, ajetet 8-9)
Imam Zejnul Abidinin, i biri i imam Hyseinit është pyetur se kush është më e mirë të folurit apo heshtja? Ai ka thënë: “Secila prej tyre ka të këqijat e veta. Nëse janë të ruajtura nga të këqijat, atëherë të folurit është më i mirë se heshtja.” Atij i thanë: Na e sqaro o nipi i profetit. Ai u tha: Të folurit është më i mirë se heshtja sepse: Allahu i ka dërguar profetët që të flasin dhe jo të heshtin; Xheneti nuk fitohet me heshtje; as dashuria e Allahut nuk arrihet me heshtje; as mbrojta nga zjarri nuk fitohet me heshtje; as zemërimi i Allahut nuk largohet me heshtje; Të gjitha ato arrihen me fjalë. Kurrë nuk do ta ndërroja hënën me diellin. Ti po thua se heshtja është më e mirë se fjala dhe nuk po thua që fjala është më e mirë se heshtja.”
Në një porosi të prijësit të besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) për Muhamed ibn Hanefije thuhet: “Allahu nuk ka krijuar gjë më të mirë e më të shëmtuar se sa fjala. Me fjalën zbardhen fytyrat dhe me fjalë nxihen fytyrat. Dije se fjala është e prangosur tek ti nëse nuk e nxjerr atë. Po e nxorre, je ti i prangosur tek fjala. Prandaj, ruaje gjuhën tënde ashtu siç ruan floririn tënd dhe paranë tënde, sepse fjala është si qeni kafshues, të cilin po e lëshove të shqyen. Sa e sa fjalë zhdukin mirësinë.”
Të shuma janë hadithet që paralajmërojnë dhe flasin për rreziqet që gjuha i sjell njeriut nëse nuk e ka atë (gjuhën) nën sundimin e logjikës së tij. Është transmetuar nga imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Shkarjet e gjuhës janë shkatërrimi më i madh.”
Në një hadith tjetër i transmetuar nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Mëkatet më të shumta të birit të Ademit janë në gjuhën e tij.”
Për këtë lexojmë transmetime të shumta që urdhërojnë për heshtje kur nuk është nevoja të flitet sepse ashtu siç është e mirë që fjala të thuhet aty ku duhet po ashtu është mirë që edhe heshtja të zbatohet aty ku duhet.
Është transmetuar nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshn mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Mbaje gjuhën tënde, sepse është një sadeka që e jep për veten tënde.”
Është transmetuar nga imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Burgose gjuhën tënde para se të të burgosë ty për jë kohë të gjatë dhe të të shkatërrojë. S’ka dyshim se më parësori për burgosje është ai që nuk flet mirë dhe nxitohet në përgjigje.”
Në një hadith tjetër i ardhur nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Robi nuk e njeh të vërtetën e besimit derisa të ruajë gjuhën e tij.”
Sigurisht, të gjitha gjymtyrët janë përgjegjëse në këtë jetë. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (Sure “Isra”, ajeti 36.)
Në Ditën e Gjykimit të gjithë gjymtyrët tona do të dëshmojnë për çdo gjë që kemi bërë në këtë jetë. Këtë e dëshmon Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë: “Kur të vijnë afër zjarrit, kundër tyre do të dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurët e tyre për atë që kanë bërë.” (Sure “Fusilet”, ajeti 20.)
Dhe: “Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë.” (Sure “Nur”, ajeti 24.)
Dhe: “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Sure “Jasin”, ajeti 65.)
Në këtë jetë shumë herë njeriu është i pavëmendshëm dhe i nxituar ndaj fjalëve që thotë dhe veprave që bën. Ai fsheh shumë veprime apo thënie në këtë jetë. Shan e ofendon vend e pa vend. Por Allahu është i Gjithëditur dhe i Mirëinformuar për gjithçka. Ai është i drejtë dhe nuk i bën padrejtësi askujt. Në Kur’an lexojmë: “Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit.” (Sure “Fusilet”, ajeti 22.)
Në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar na thotë: dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Sure “Kaf”, ajeti 8.) A mendohemi kur e lexojmë këtë ajet? Betohem se ky ajet është një tërmet i frikshëm. Pa dyshim, kjo thënie e Allahut është këshillë e përkryer për të gjithë. “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Sure “Kaf”, ajeti 37.)
Sipas këtij ajeti kuptohet qartë se ne jemi të mbikqyrur plotësisht. Çdo gjë shënohet dhe regjistrohet në çdo kohë dhe në çdo vend. Flit çfarë të duash, por dije se ka regjistrues për ty. Në Kur’an lexojmë: “ndonëse mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë), shënues të nderuar, që dinë gjithçka që bëni.” (Sure “Infitar”, ajetet 10-12.)
Në Ditën e Gjykimit çdo gjë do të shihet kur të na jetw libri i veprave tona. Në Kur’an lexojmë: “Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Sure “Kehf”, ajeti 49.) Ky ajet dëshmon qartë se çdo gjë regjistrohet dhe ato njeriu do t’i shohë në Ditën e Llogaridhënies. Sikur të memorizohej ky ajet në mendjet e myslimanëve, besoj se nuk do të dëgjonim sharje, ofendime e mallkime nga gjuhët e tyre. Po të analizohet situata ashtu siç duhet, në këto ditë kemi një vërtetësi të ajetit të Kur’anit që thotë: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer.” (Sure “Furkan”, ajeti 30.) Allahu na ruajtë! Mirëpo, është për të ardhur keq se kjo është e vërteta. Nëse nuk do të kishte shpërfillje të Kur’anit, myslimanët nuk do të ishin në këtë gjendje mjerane që janë sot. Shkakun e kësaj gjendjeje mjerane, që po përjetojnë sot myslimanët, Allahu na e ka lajmëruar që në fillimet e shpalljes së Kur’anit me thënien e Tij: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Sure “Taha”, ajeti 124).
Pasojat e fjalëve të këqija
Në Kur’anin e shenjtë lexojmë:
“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (Sure “Ahzab”, ajeti 58.)
Dhe: “Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar si në këtë botë dhe në tjetrën, për ata ka dënim të madh.” (Sure “Nur”, ajeti 23)
Këto dy ajete janë këshillë për të gjithë ata që përdorin “librin e familjes” kur shajnë dhe ofendojnë. Të mendohen mirë para se të flasin sepse pasojat janë të rënda si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Siç thotë Allahu në ajetet e begata të lartpërmendura.
Në Ditën e Gjykimit njeriu do të habitet kur të shohë memecin të flasë dhe të verbërin të dëshojë. Këtë na e sqaron Kur’ani i shenjtë që thotë: “Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për here të parë dhe tek Ai do të ktheheni.” (Sure “Fusilet”, ajeti 22.) Kjo për faktin se Allahu është Mbikqyrësi i njeriut dhe asgjë nuk i shpëton Atij. Në Kur’an lexojmë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).” (Sure “Ibrahim”, ajetet 42-43.)
Cilido që bën një të keqe, me fjalë apo vepra, e bën për veten e vet, siç thotë Kur’ani i shenjtë: Kush bën gjynah, ai ia ka bërë shpirtit të vet. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Sure “Nisa”, ajeti 111.)
Bazuar në ato që përmendëm, duhet që të heqim dorë nga çdo gjë e keqe dhe të kthehemi te Allahu i Gjithmëshirshëm. Të kthehemi te Fjala e Tij, Kur’ani i shenjtë. Ta lexojmë, ta studiojmë dhe ta zbatojmë atë në jetën tonë. Me zbatimin e porosive të Allahut arrihet kënaqësia e Tij. Ai është që fal gjynahet: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Sure “Nisa”, ajeti 110.) Asnjëherë të mos e humbasim shpresën nga mëshira e Allahut. Për këtë na këshillon edhe Kur’ani i shenjtë që thotë: “Thuaj: “O robtë e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush.” (Sure “Zumer”, ajetet 53-54.)
Kurrë mos e lejojmë veten tonë që të na mashtrojë djalli i mallkuar misioni i të cilit është nxitja për urretje, armiqësi dhe largimi i njeriut nga rruga e Allahut. Allahu thotë: “Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” (Sure “Maide”, ajeti 91)
Allahu na mundësoftë që të jemi në rrugën e Tij me gjithë qenien tonë. Allahu na bëftë prej atyre që i shfrytëzojnë mirësitë e Tij aty ku fitohet kënaqësia e Tij si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Të përpiqemi që të jemi prej atyre për të cilët Allahu na thotë në Kur’an: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota.” (Sure “Mu’minun”, ajetet 1-3.). Dhe: “Robtë e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” (Sure “Furkan”, ajeti 63.)
T’i përmbahemi këshillës së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Frikësohu Allahut kudo që të jesh. Pasoje të keqen me të mirë, e cila largon të parën dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”
