Në ajetin 21 të sures “Rrum” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ ﴾
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”
Dashuria dhe mëshira
“Dhe nga shenjat e Tij është që Ai krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj”, domethënë: Ai krijoi për ju bashkëshortë që janë të njëjta me vetveten tuaj në natyrë dhe qenësi.
Allahu i Lartësuar na e përmend këtë si një mirësi, sepse natyra priret drejt të njëjtës natyrë. “Që të gjeni prehje tek ato”, që do të thotë: të gjeni qetësi, paqe dhe ngushëllim tek ato, dhe të ndieni afërsi shpirtërore me njëri-tjetrin. “Dhe Ai vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë”, i drejtohet marrëdhënies midis burrit dhe gruas: Zoti vendosi mes tyre dashuri dhe mëshirë, kështu që ata e duan dhe e mëshirojnë njëri-tjetrin. Nuk ka asgjë që e do njëri më shumë se tjetrin, edhe pse nuk i lidh farefisnia. Dashuria këtu është një ndjenjë dashamirësie që shoqërohet me vepra konkrete dhe nuk është vetëm një ndjesi e brendshme. Mëshira do të thotë dhembshuri dhe kujdes.
“Vërtet, në këtë”, domethënë: në krijimin e bashkëshortëve në përputhje dhe përshtatje me burrat, “ka shenja të qarta” për njerëzit që mendojnë.
Sepse kur ata reflektojnë mbi bazat e krijimit, të cilat e shtyjnë njeriun të ndërtojë shoqërinë, nga mashkulli dhe femra që natyrshëm e kërkojnë bashkëjetesën, dhe pastaj mbi dashurinë dhe mëshirën që janë bazë për ndërtimin e shoqërisë më të gjerë dhe të qytetëruar, si dhe mbi të mirat që rrjedhin nga kjo bashkësi si vazhdimësia e gjinisë njerëzore dhe përmbushja e plotë e jetës në këtë botë dhe në tjetrën, atëherë do të gjenin shenja të mrekullueshme të mençurisë hyjnore në rregullimin e punëve të njeriut, që të mahnitin mendjet dhe të lënë pa fjalë çdo arsyetim njerëzor.
Njeriu përmes martesës plotëson nevoja dhe shtysa të thella të natyrshme, të rrënjosura thellë në shpirtin e tij, të cilat ka nevojë t’i realizojë, përndryshe do të mbetet në një gjendje trazimi të brendshëm dhe kërkimi të vazhdueshëm për t’i përmbushur, qoftë edhe përmes mënyrave jo njerëzore. Kjo përbën në të vërtetë një përfitim fetar, personal dhe shoqëror, dhe është ndihma më e madhe për ruajtjen e pastërtisë së shikimit dhe pastërtisë së moralit, që të dyja janë nga format më të larta të adhurimit.
Nëse duam të flasim për përbërësit e jetës martesore në mënyrë islame dhe nga këndvështrimi hyjnor, së pari duhet të hedhim një vështrim mbi mënyrën se si Islami dhe Kur’ani e shohin ndërtimin e shtëpisë bashkëshortore dhe marrëdhënien martesore: Deri në çfarë mase e vlerëson dhe e respekton ky besim këtë ndërtim dhe këtë lidhje?
Vlerësimi i Islamit për lidhjen martesore renditet në shkallën më të lartë të shenjtërisë dhe respektit, dhe kjo shfaqet përmes disa çështjeve:
Së pari: Gjejmë që në ajetin kur’anor, krijimi i bashkëshortes për burrin përmendet si një shenjë nga shenjat e Allahut: “Dhe nga shenjat e Tij është që krijoi për ju…”, pra, është një çështje të cilës Krijuesi i jep një rëndësi të veçantë, duke e bërë atë një prej shenjave të Tij.
Së dyti: Ajeti përmbyllet me fjalët e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë”, që do të thotë se Zoti e ka theksuar që marrëdhënia martesore është një shenjë (ajet) dhe ka ftuar njerëzit të mendojnë dhe të meditojnë rreth dimensioneve të saj të thella e të ndjeshme, të cilat mund të zbulohen përmes reflektimit.
Së treti: Profeti i Nderuar (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:
“Nuk është ndërtuar ndonjë ndërtim në Islam më i dashur për Allahun se martesa.”(“Uesailu Esh Shiati”, i El Hurru el Amilij, vëll. 20, f. 15.)
Kjo tregon qartë se ndër të gjitha ndërtimet që bëhen brenda kornizës islame, disa janë më të dashura për Allahun se të tjerat, dhe më i dashuri prej tyre në mënyrë absolute është martesa. Ky është një prej shprehjeve më të fuqishme për rëndësinë dhe vlerësimin që i jep Allahu martesës!
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Nuk ka përfituar myslimani asnjë përfitim pas Islamit më të mirë se një bashkëshorte myslimane, e cila e gëzon kur ai e shikon, i bindet kur ai i jep urdhra, dhe e ruan atë kur ai është larg, në veten dhe pasurinë e saj.”(“Uesailu Esh Shiati”, i El Hurru El Amilij, vëll. 20, f. 41.)
Nëse ky institucion familjar ka një rëndësi kaq të madhe dhe këtë pozitë të lartë nëkëndvështrimin fetar islam, atëherë është e domosdoshme që ne, si besimtarë dhe të devotshëm, ta kuptojmë madhështinë e përgjegjësisë që ai bart. Kjo shihet përmes disa aspekteve:
a- Besimtari e do atë që e do Allahu. Nëse ndërtimi martesor është ndërtimi më i dashur për Allahun mes ndërtimeve islame, atëherë edhe besimtari duhet ta dojë dhe ta konsiderojë një ndër institucionet më të dashura për të. E nëse është kështu, atëherë ai do të kujdeset për të, do t’i japë rëndësi të veçantë, dhe do të përpiqet që ta ndërtojë një strukturë të fortë dhe të qëndrueshme, që realizon objektivat hyjnore, të cilat do t’i përmendim më tej.
b- Besimtari do të jetë gjithmonë i kujdesshëm që të mos i shkaktojë ndonjë dëm këtij institucioni të respektuar maksimalisht nga Allahu i Lartësuar. Sepse nëse ai neglizhon, tregohet i pakujdesshëm, ose (Allahu na ruajtë!) e nënvlerëson këtë ndërtim, atëherë ai ka ulur diçka që Allahu e ka ngritur lart dhe ka përçmuar diçka që Allahu e ka madhëruar, dhe kjo është nga gjërat shkatërrimtare…!
Sikur të shihje dikë që dëshiron të shkatërrojë një ndërtim të shenjtë si xhamia, menjëherë do ta konsideroje të gabuar, madje kriminel. E njëjta gjë vlen për lidhjen martesore, ajo është një ndërtim që respektohet në maksimum në Islam. Madje, sipas tekstit të hadithit: “Nuk është ndërtuar ndonjë ndërtim në Islam më i dashur për Allahun se martesa.” Prandaj kushdo që përpiqet ta shkatërrojë apo t’i shkaktojë dëm, ka kryer një prej mëkateve më të mëdha.
Kjo, sigurisht, i ngarkon besimtarit një përgjegjësi të madhe: Si tw kujdeset pwr atë? Si ta mbrojë? Si të jetë i mençur në trajtimin e problemeve që dobësojnë jetën martesore? Si të japë kohë, energji, dhe rëndësi për këtë jetë familjare, pa e nënvlerësuar apo marrë me lehtësi? Kjo kërkon dije, urtësi, aftësi në komunikim, mençuri në sjellje, si dhe aftësinë për të injoruar gjërat e vogla dhe të parëndësishme, përmbajtje, durim dhe vetëpërmbajtje.
Së katërti: Allahu i Lartësuar ka urdhëruar njeriun e përgjegjshëm që të mbrojë veten nga Zjarri i Xhehenemit, dhe këtë urdhër e ka shoqëruar menjëherë me një tjetër: që të mbrojë edhe familjen e tij nga ai zjarr. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një urdhër detyrues dhe obligues, që i ngarkon njeriut, i cili ndërton një familje dhe jetë martesore, një përgjegjësi shumë të madhe ndaj tyre.
Këtë përgjegjësi të madhe e kanë ndier disa besimtarë menjëherë pas zbritjes së ajetit, dhe e kanë shprehur këtë ndjesi përpara të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).
Wshtw transmetuar nga imam Xha‘ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kur zbriti ky ajet: ‘O ju që besuat! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri…’,[1] një burrë nga besimtarët u ul dhe filloi të qajë, duke thënë: ‘Unë mezi e përballoj veten time, e tani më është ngarkuar edhe përgjegjësia për familjen.’”
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha:
“Mjafton që t’i urdhërosh ata për atë që e urdhëron veten tënde, dhe t’i ndalosh nga ajo që e ndalon veten tënde.”(“El Kafij”, vëll. 5, f. 62.)
Në një transmetim Prijësi i besimtarëve, nga imami Aliu (Paqja qoftë mbi të!), për fjalën e Allahut: “Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri,” ai ka thënë: “Mësoni veten dhe familjet tuaja të mirën dhe edukojini.” (“Kenzul Ummali”, I El Mutekij El Hindij, vëll. 2, f. 540.) Pra, vëreni përgjegjësinë që u është ngarkuar besimtarëve ndaj familjeve të tyre.
Besimtari duhet t’i urdhërojë anëtarët e familjes për ato gjëra për të cilat e urdhëron edhe veten e tij dhe t’i ndalojë nga ato që ia ndalon vetes. Për shembull, nëse sheh djalin tënd të flasë me fjalë të pahijshme, ti je i ngarkuar ta ndalosh. Nëse e sheh duke shoqëruar njerëz të këqij, ti je i detyruar ta këshillosh dhe ta udhëzosh të largohet nga shoqëria e prishur. Nëse e sheh që e neglizhon namazin, ti duhet ta urdhërosh për ta falur dhe ta nxitur që të kujdeset për kohët e tij dhe për kushtet që e bëjnë të vlefshëm.
Nëse, për shembull, nuk zgjohet për namazin e sabahut, ti duhet të kujdesesh dhe ta nxisësh të zgjohet për ta falur atë.
Po ashtu, duhet ta ndalosh nga gënjeshtra, përgojimi, shpifja, padrejtësia, dhe mosbindja ndaj prindërve, dhe ta urdhërosh për virtytet e kundërta.
Pra, çështja nuk është aq e thjeshtë sa mund të mendohet, është një përgjegjësi e rëndë, saqë disa besimtarë që e ndienin thellë këtë detyrë misionare në të gjitha dimensionet e saj, kanë shpërthyer në lot.
Po ashtu, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na e ngarkon këtë përgjegjësi në aspektin edukativ e arsimor duke thënë: “Mësoni veten dhe familjet tuaja të mirën.”
Mos ua kurse dijeve të tuaja atyre. Mos thuaj: “u lodha duke folur” apo “nuk kam energji për këshilla dhe udhëzime” apo “më mjaftojnë hallet e jetës e të përditshmërisë”.
Ky është një detyrim për ty, një urdhër nga vetë imami i besimtarëve (paqja qoftë mbi të).
Sa i përket aspektit edukativ në fjalinë “dhe edukojini”, do të thotë: mësomju atyre rregullat e sjelljes dhe vazhdimisht kujtojuni ato, në mënyrë që të përvetësohen dhe të bëhen pjesë e karakterit të tyre. Sepse mësimdhënia nuk është e njëjtë me edukimin.
Mund të ndodhë që dikush t’i japë një informacion dikujt tjetër dhe ai ta mësojë, por të mos veprojë sipas tij dhe të mos e përvetësojë në sjellje. Kjo quhet mësim, jo edukim.
Edukimi është mësim plus diçka më shumë. Është mësimi i tjetrit për rregullat e sjelljes, ndjekja e vazhdueshme e tij, përsëritja e tyre, rikujtimi i vazhdueshëm dhe nxitja e përhershme, derisa ato të bëhen pjesë përbërëse e personalitetit të tij, dhe të shfaqen në sjelljet e tij, atëherë ai quhet i edukuar.
Kjo mund të kërkojë ndryshime në mënyrën e komunikimit, përdorimin e argumenteve bindëse, afrim të informacionit me nivelin e të kuptuarit dhe mendjes së tij, nxitje të motiveve të mira, motivim dhe lavdërim, e ndonjëherë edhe rreptësi, qortim, kritikë, e deri tek ndëshkimi – nëse është e nevojshme.
Cili është shtysa për jetën bashkëshortore?
Shtysa e parë dhe themelore është arritja e kënaqësisë së Allahut të Lartësuar dhe devotshmëria për të shpëtuar nga dënimi i Tij. Ky është rregulli fillestar dhe baza mbi të cilën ndërtohet jeta bashkëshortore, tek i cili ajo kthehet dhe me të rregullohet. Pra, secili prej burrit dhe gruas duhet të ketë si qëllim, para martesës dhe pas saj, realizimin e asaj që dëshiron Allahu i Madhëruar, të zbatojë mësimet e sheriatit në jetën e tij me palën tjetër, dhe të ketë frikë ndaj Allahut për çdo tejkalim, arrogancë, padrejtësi, shfrytëzim apo mashtrim për të shkelur të drejtat e tjetrit apo për ta tradhtuar. Ekziston një mesazh familjar që buron nga feja e drejtë, të cilin duhet ta mbartim në mënyrën më të mirë, të punojmë për suksesin e tij dhe të qëndrojmë një pengesë e fortë përballë dështimit dhe shkatërrimit të tij aq sa kemi mundësi. Allahu i Lartësuar thotë:
“O ju që keni besuar! Ruani veten dhe familjet tuaja nga një zjarr…” (Sureja Tahrim, ajeti 6).
Njeriu martohet që të realizojë dëshirën e të Dërguarit të Allahut, paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij, i cili ka urdhëruar për martesë dhe e ka bërë atë pjesë të sunetit të tij, dhe të ndërtojë një familje që themelin e ka tek devotshmëria ndaj Allahut në marrëdhëniet mes anëtarëve të saj: burri me gruan, babai dhe nëna me fëmijët, fëmijët me prindërit dhe vëllezërit me njëri-tjetrin. Të gjitha këto lloje marrëdhëniesh duhet t’i nënshtrohen ligjit të devotshmërisë ndaj Allahut, bindjes ndaj Tij dhe frikës nga kundërshtimi i Tij. Ne duhet ta marrim këtë përgjegjësi në mënyrën më të plotë.
Shtyllat e jetës bashkëshortore në Islam
Ekzistojnë disa shtylla thelbësore për të arritur qëllimin e dëshiruar fetar nga jeta bashkëshortore:
1. Qetësia dhe siguria shpirtërore
Secili prej bashkëshortëve është i paplotë në vetvete dhe ka nevojë për tjetrin. Nga bashkimi i burrit dhe gruas krijohet një njësi e plotë, natyra e së cilës është të lindë dhe të shumojë pasardhës. Për shkak të këtij mangësie dhe nevoje, secili prej tyre tërhiqet nga tjetri. Kur bashkohen, gjejnë qetësi te njëri-tjetri, sepse çdo krijesë e paplotë dëshiron plotësimin, dhe çdo nevojtar synon atë që e largon varfërinë e tij. Kjo është ajo ndjenjë e fortë (dëshira seksuale dhe emocionale) që është vendosur tek të dy bashkëshortët.
Pra, themeli është që burri të gjejë qetësi te gruaja dhe anasjelltas, dhe kjo nuk ndodh veçse përmes harmonisë. Ai që shpreson të ndiejë afërsi me dikë me të cilin nuk ka harmoni, po shpreson në diçka të paarritshme. Prandaj, duhet të hiqen pengesat dhe faktorët që e pengojnë këtë harmoni. Kjo na kthen te ndjenja e përgjegjësisë dhe mos-nënvlerësimit të jetës bashkëshortore – qoftë nga burri apo gruaja. Harmonia ka shkaqe reale dhe nuk ndodh rastësisht apo me mrekulli.
Secili prej bashkëshortëve duhet të kushtojë kohë për të kuptuar tjetrin, sepse natyrat janë të ndryshme – zakonet, bindjet, mënyrat e të menduarit, dhe mënyra e përballimit të ngjarjeve të lumtura apo të trishtuara gjithashtu ndryshojnë.
Përfundimi: Harmonia që sjell qetësi, siguri dhe afërsi shpirtërore ka një çmim – ajo nuk vjen falas.
2. Dashuria (El Meueddetu)
Dashuria këtu nënkupton një ndjenjë dashurie që shoqërohet me shprehje konkrete dhe të dukshme në veprim.
Edhe kjo çështje (dashuria e shprehur) nuk realizohet veçse përmes një pune të vazhdueshme që përfshin:
- mirësinë ndaj tjetrit,
- sakrificën për hir të tij,
- durimin ndaj vështirësive,
- pajtueshmërinë dhe shmangien e konfliktit e të përplasjeve të vazhdueshme,
- dhe angazhimin e palodhur për të arritur sa më shpejt pajtimin kur ka dallime në mendim, si dhe për të mos zgjatur periudhën e grindjeve dhe mospajtimeve — sepse kjo sëmur dashurinë.
Prandaj, nuk duhet të lejojmë që zënkat të shtohen dhe të përsëriten shpesh. Nuk mund të mohojmë që dallimet në mendime ekzistojnë, sepse kjo është diçka reale dhe e natyrshme, por duhet të ketë zgjuarsi, aftësi dhe mjeshtëri në përballimin e tyre për t’i kapërcyer shpejt dhe për të arritur një marrëveshje sa më parë. Gjithashtu, duhet të injorohen shumë nga gjërat e vogla dhe të parëndësishme.
Nga Imami ynë, Imam Bakiri (paqja qoftë mbi të), thuhet:
“Rregullimi i marrëdhënieve në bashkëjetesë është një enë e mbushur: dy të tretat janë zgjuarsi dhe një e treta është injorim i qëllimshëm (bërje sikur nuk sheh).”
Këto gjëra që përmendëm janë të lodhshme, kërkojnë mund dhe përfshijnë një përpjekje të madhe shpirtërore – një luftë me veten që është lufta më e madhe.
3. Mëshira
Mëshira duhet të jetë e ndërsjellë – si nga burri për gruan, ashtu edhe nga gruaja për burrin. Secili e tregon mëshirën në mënyrën e vet dhe në vendin e duhur.
Burri tregon mëshirë ndaj gruas:
- Kur ajo nxiton apo gabon, ai e fal – siç përmendet në hadith që një nga të drejtat e saj është që burri ta falë kur ajo gabon nga padija.
- Kur ajo dobësohet apo nuk arrin të përmbushë disa nga detyrimet ndaj tij, ai e kupton dhe e fal.
- Kur ajo ka nevojë për të, ai është pranë saj.
Mëshira kërkon që të mos ketë ashpërsi e egërsi – as në fjalë, as në sjellje. Është për të ardhur keq që disa burra e tregojnë forcën dhe autoritetin e tyre përballë bashkëshortes, si një provë force, gjë që bie ndesh me mëshirën që kërkon feja.
Gruaja tregon mëshirë ndaj burrit:
- Kur e sheh të lodhur dhe të rraskapitur nga puna dhe përballja me vështirësitë e jetës, ajo i del në ndihmë për t’ia lehtësuar gjendjen.
- Kur e sheh të shqetësuar për shkak të barrës së rëndë të jetesës dhe shpenzimeve të vështira që e rëndojnë.
- Kur ai nuk arrin të plotësojë ndonjë nevojë të shtëpisë për shkak të angazhimit të tij në punë dhe përpjekjes për të siguruar jetesën për të gjithë familjen.
- Kur puna e tij bëhet e vështirë, apo të ardhurat e tij nuk mjaftojnë për shpenzimet, ajo duhet të ketë durim, të tregojë mëshirë, të mos e qortojë apo ta lëndojë me fjalë, por përkundrazi, ta ndihmojë, ta inkurajojë dhe ta nxisë që të përmirësojë gjendjen e tij dhe të punojë më mirë.
E gjithë kjo kërkon ndihmën dhe bekimin e Allahut të Lartësuar, mbështetje tek Ai dhe lutje të vazhdueshme me një qëllim të sinqertë, në mënyrë që Allahu të sjellë bereqet në jetën martesore dhe t’i përfshijë bashkëshortët me mirësinë e Tij, që ata të jenë në gjendje ta përballojnë me sukses këtë përgjegjësi të madhe.
Mos e fillo jetën tënde martesore me haram
Që Allahu i Lartësuar të sjellë bekimin mbi shtëpinë martesore, është e nevojshme që të dy bashkëshortët të ndjekin mësimet e qarta të sheriatit, të cilat sjellin mëshirën e Allahut. A nuk themi në lutje: “O Allah, të kërkoj gjërat që e bëjnë të detyrueshme mëshirën Tënde”?
Pra, ka gjëra që e sjellin mëshirën, dhe po ashtu ka gjëra që sjellin bekimin dhe pajtimin mes bashkëshortëve. Po ashtu, ekzistojnë edhe gjëra që i pengojnë të gjitha këto kuptime dhe sjellin të kundërtat: mjerim, fatkeqësi, mungesë dashurie dhe harmonie…
Njeriu i mençur përpiqet, që nga fillimi i jetës martesore – madje që në hapin e parë – të hapë veten ndaj frymës së mëshirës hyjnore dhe begative të Allahut, përmes kryerjes së veprave të pëlqyera (mustehabeve), shmangies së gjërave të papëlqyera (mekruhat), dhe duke bërë lutje për sukses.
Ndërsa i padituri e nis që në ditën e parë jetën martesore me dasma të ndaluara nga feja, që përfshijnë këngë, muzikë dhe vallëzim që i tejkalon kufijtë e ligjit hyjnor, si dhe me veshje të pahijshme të grave, që bien ndesh me themelet tona fetare dhe moralin tonë njerëzor.
Për hir të Zotit, çfarë shkaktojnë këta njerëz që të sjellin mëshirën hyjnore?
Çfarë fryme hyjnore apo mirësie shpresojnë të marrin?
Çfarë bekimi presin nga një martesë që fillon me mëkat të hapur ndaj Allahut të Lartësuar?
Në një hadith thuhet: “Shtëpia në të cilën dëgjohet kënga, nuk e vizitojnë engjëjt, nuk pranohen lutjet që bëhen aty, nuk është e mbrojtur nga fatkeqësitë, dhe me të vërtetë, kënga është strehë e hipokrizisë…” dhe ka shumë përmbajtje të tjera që dënojnë këngën dhe ata që e dëgjojnë atë.
Njeriu shpesh justifikohet me fjalë të dobëta, që zakonisht i shqipton shejtani përmes gjuhës së tij, si për shembull: “Është një natë në jetë dhe kalon!”
Sa e çuditshme! Domethënë, nëse është vetëm një herë, atëherë më lejohet ta kundërshtoj Zotin?
Në një hadith thuhet: “Kur të të vijë dëshira për të bërë një mëkat, mos e bëj, sepse ndoshta Allahu po të shikon dhe thotë: Nuk të fal kurrë.”
Dhe nëse ky lloj arsyetimi do të ishte i saktë, atëherë çdokush do të kishte të drejtën të bënte të gjitha mëkatet – por secilën vetëm një herë: të vrasë një herë, të kryejë marrëdhënie jashtëmartesore një herë, të vjedhë një herë…
A është kjo mënyrë e arsyetuar e të menduarit?!
Ose ndonjëherë thuhet: Familjarët e gruas, apo disa nga familja ime, duan të gëzohen për ne. Kështu është tradita dhe nuk mund ta thyejmë zakonin.”
Njerëzit do të flasin keq për ne dhe do të thonë që dasma jonë ishte si një ceremoni mortore.
Unë them: besimtari nuk gëzohet me mëkatin, përkundrazi, mëkati është një fatkeqësi për të. Nuk i ka hije një besimtari të mençur të dorëzohet përpara zakoneve e traditave që bien ndesh me kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
Mund të shprehet gëzimi, sepse Islami nuk e ndalon gëzimin – përkundrazi, e lejon atë, veçanërisht në dasma. Por qëllimi është që të mos bëhen mëkate në emër të gëzimit.
A është vallë gëzimi i vërtetë i lidhur vetëm me kundërshtimin ndaj Allahut?!
Ka mënyra të shumta dhe të ligjshme në Islam për të shprehur gëzimin dhe lumturinë.
Lusim Allahun për sukses, mëshirë dhe bekim në të gjitha çështjet tona!
[1] Sure “Tahrijm”, ajeti 6.
Marrë nga libri “Meuaidhul Kur’anijeh”
