
Në ajetin 74 të sures “Furkan”, Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَاماً﴾
“edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”.
Nevoja për fëmijë është një nevojë instinktive për çdo baba dhe nënë. Fëmija është një dhuratë nga Allahu i Lartësuar. Sa e sa prindër janë të privuar nga kjo dhuratë. E kur Allahu i Lartësuar i dhuron atyre një fëmijë, gëzimi mbush çdo anë të jetës së tyre. Por a ka gëzim më të madh, nëse fëmija është i mirë, besimtar, që mban me krenari emrin e familjes dhe i shoqëron prindërit me lutje të mira falë moralit dhe fesë së tij?
Edukimi i fëmijëve është çështje madhështore, sepse edukimi i fëmijëve përcakton të ardhmen e një kombi. Feja e pastër islame i kushton rëndësi të madhe edukimit dhe formimit të njeriut.
Allahu i dërgoi të dërguarit dhe i zbriti Librat me qëllim që njeriu të formohet dhe të edukohet ashtu siççe pëlqen Krijuesi i tij.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fëmija i mirë është një aromë nga aromat e Xhennetit.”(Uesailu Esh Shiati”, i autorit El Hurr El Amilij, vëll. 15, f. 97).
Me këtë shprehje të mrekullueshme, Profeti Muhamed ka treguar për begatinë e madhe që Allahu i Madhëruar ia dhuron njeriut kur ia jep një fëmijë të mirë. Ai është si një lule aromatike që mbush shtëpinë e vet me erë të këndshme, qetëson shpirtin dhe mbush zemrën me gëzim dhe hare.
Fëmija i mirë nuk është si aromat e kësaj bote, por është një aromë nga aromat e Xhennetit. Prandaj Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e krahasuar fëmijën e mirë me një aromë nga aromat e Xhennetit.
Imami Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) në një hadith të ardhur prej tij ka thënë: “Prej lumturisë së njeriut është të ketë një fëmijë të mirë.”(Uesailu Esh Shiati”, i autorit El Hurre El Amilij, vëll. 15, f. 97).
NDIKIMI I FËMIJËS SË MIRË NË KËTË BOTË
Fëmija është stolia e kësaj jete siççthotë ajeti 46i sures “Kehf”:
﴿ٱلْمَالُ وَٱلْبَنُونَ زِينَةُ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۖ وَٱلْبَٰقِيَٰتُ ٱلصَّٰلِحَٰتُ خَيْرٌ عِندَ رَبِّكَ ثَوَابًا وَخَيْرٌ أَمَلًا﴾
“Pasuria dhe fëmija janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim).”
Gjithashtu, ata janë sprovë, siç thotë ajeti 15 i sures “Tegabun”:
﴿إِنَّمَا أَمْوَالُكُمْ وَأَوْلادُكُمْ فِتْنَةٌ﴾
“Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju…”
Për të na sprovuar se si do e fitojmë pasurinë dhe ku do e shpenzojmë atë. Gjithashtu, fëmijët anë sprovë se si do t’i formojmë dhe si do t’i edukojmë ata.
Fëmija i mirë ka ndikim të madh në këtë botë. Prej tij përfiton familja dhe shoqëria, të cilët gjejnë mbështetje tek ai. Për këtë imam Zejnul Abidijni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Prej lumturisë së njeriut është të ketë fëmijë te të cilëte mbështetet.” (Uesailu Esh Shiati”, i autorit El Hurr El Amilij, vëll. 15, f. 356, hadithi 27286/7.)
Ky hadith thekson se fëmija i mirë nuk është vetëm një bekim shpirtëror, por edhe një ndihmë praktike në jetën e përditshme, për familjen dhe për shoqërinë.
NDIKIMI I FËMIJËS SË MIRË NË BOTËN E BERZAKHUT (jetën pas vdekjes dhe para Ringjalljes)
Ndikimi i fëmijës së mirë vazhdon edhe pas vdekjes së prindërve të tij, ku veprat e tij të mira bëhen një burim shpërblimesh që i dërgohen prindërve të tij, duke ndriçuar varrin e babait dhe nënës me një dritë mbinatyrore dhe duke larguar prej tyre tmerrin e frikshëm të varrit. Madje, kjo mund të ndryshojë fatin e prindërve nga ndëshkimi në kënaqësi dhe lumturi.
Pikërisht për këtë të vërtetë na flet edhe Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në hadithin e transmetuar prej tij: “Pesë vetë ndodhen në varrezat e tyre, ndërsa shpërblimi i veprave të tyre vazhdon t’u shkruhet në regjistrin e tyre:
1- Ai që ka mbjellë një palmë hurme,
2- Ai që ka hapur një pus,
3- Ai që ka ndërtuar një xhami,
4- Ai që ka shkruar një mushaf (Kuran),
5- Dhe ai që ka lënë pas një fëmijë të mirë.” (Biharul Anuari”, I eruditit El Mexhlisij”, vëll. 104, f. 100, botuar nga Fondacioni për publikim El Uefau, botimi I tretë, viti 1403 hixhri, Beirut.)
Ky hadith tregon qartë se veprat e dobishme dhe pasardhësit e mirë vazhdojnë t’i dhurojnë shpërblime njeriut edhe pas vdekjes së tij.
Është transmetuar nga imami Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Nuk i ndjek njeriu pas vdekjes së tij asgjë nga shpërblimi përveç tre gjërave:
1- Një sadaka (lëmoshë) që e ka dhënë gjatë jetës së tij, e cila vazhdon edhe pas vdekjes së tij.
2- Një traditë të udhëzimit që ai e ka lënë pas, me të cilën veprohet pas vdekjes së tij.
3- Dhe një fëmijë i mirë që kërkon falje për të.” (Biharul Anuari”, I eruditit El Mexhlisij”, vëll. 104, f. 100, botuar nga Fondacioni për publikim El Uefau, botimi I tretë, viti 1403 hixhri, Beirut.)
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ai u ka treguar shokëve të tij një ngjarje që i ka ndodhur Profetit Isa (Paqja qoftë mbi të!). Profeti u tha shokëve të tij: “Isa biri i Merjemes kaloi pranë një varri, dhe e dëgjoi që i zoti i varrit po ndëshkohej. Kur kaloi pranë tij pas një viti, e pa se nuk po ndëshkohej më. Aty Profeti Isa tha: ‘O Zot, vitin e kaluar kalova pranë këtij varri dhe i zoti i tij po ndëshkohej, e tani nuk po ndëshkohet më.’ Atëherë Allahu i shpalli: ‘O Shpirti i Zotit, ai pati një fëmijë të mirë, i cili rregulloi një rrugë dhe strehoi një jetim, dhe për shkak të veprave të birit të tij, unë e fala atë (babain).’” (Biharul Anuari”, I eruditit El Mexhlisij”, vëll. 104, f. 101, botuar nga Fondacioni për publikim El Uefau, botimi I tretë, viti 1403 hixhri, Beirut.)
Nga tregimet e bukura që janë rrëfyer për këtë temë është ajo që një njeri ka thënë: “Unë nuk kisha dëshirë të kem fëmijë, derisa një ditë që isha në Arafat (në haxh), ndodhej pranë meje një djalosh i ri që lutej dhe qante duke thënë: ‘O Zot, prindërit e mi! Prindërit e mi!’ Dhe kjo më bëri të dëshiroj të kem fëmijë, kur e dëgjova këtë.” (Uesailu Esh Shiati”, i autorit El Hurre El Amilij, vëll. 15, f. 95).
Ky hadith tregon qartë për ndikimin e madh që ka një fëmijë i mirë në jetën pas vdekjes së prindërve dhe se veprat e tij të mira mund të jenë shkak për faljen dhe mëshirën hyjnore ndaj tyre.
NDIKIMI I FËMIJËS SË MIRË NË SHPËTIMIN NGA ZJARRI I XHEHENEMIT
Ndikimi i fëmijës së mirë vazhdon edhe në Botën Tjetër (Ahiret), ku drejtësia dhe devotshmëria e tij bëhen shpëtim për prindërit nga dënimi i zjarrit që ata mund ta kishin merituar për shkak të veprave të tyre. Por, përshkak se prindërit lënë pas një vajzë që vesh hixhabin islam dhe ruan nderin e saj me të, atëherë, hixhabi i saj bëhet një mbulesë dhe mbrojtje mes prindërve të saj dhe Zjarrit të Xhehennemit.
Kjo është ajo që na është transmetuar nga i Dërguari besnik (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Sa fëmijë të mirë janë vajzat e mbuluara! Kush ka një të tillë, Allahu e bën atë mburojë nga zjarri i Xhehennemit.” (Biharul Anuari”, I eruditit El Mexhlisij”, vëll. 104, f. 91.)
Ky thadith i bekuar thekson se edhe vajza e devotshme dhe e moralshme është një shkak i madh për mëshirë dhe shpëtim për prindërit e saj në Jetën Tjetër.
Fëmija i mirë në lutjet e profetëve (Paqja qoftë mbi ta!)
Për shkak të vlerës së madhe të fëmijës së mirë dhe përfitimeve të shumta që sjell, dhurimi i një fëmije të mirë ka qenë ndër lutjet e profetëve të mëdhenj të Allahut. Kështu, Kurani Famëlartë na rrëfen për lutjen e Profetit Zekerija (paqja qoftë mbi të), kur thotë:
﴿هُنَالِكَ دَعَا زَكَرِيَّا رَبَّهُ قَالَ رَبِّ هَبْ لِي مِنْ لَدُنْكَ ذُرِّيَّةً طَيِّبَةً إِنَّكَ سَمِيعُ الدُّعَاءِ﴾
“Atëherë Zekeria iu lut Zotit të tij: ‘O Zoti im, më dhuro nga ana Jote një pasardhës të mirë, vërtet Ti je Dëgjues i lutjes.’” (Sure “Ali Imran”, ajeti 38)
Prandaj, është e denjë për ne që të përpiqemi vazhdimisht për ndërtimin dhe edukimin e një fëmije të mirë, duke u mbështetur së pari tek Allahu i Lartësuar për ta ruajtur këtë dhuratë të madhe. Duhet të përfitojmë nga mësimet e Islamit, të cilat kanë theksuar faktorët ndikues në rritjen e fëmijëve të mirë, duke filluar që nga momenti i vendimit për martesë, duke kaluar nëpër etapa të ndryshme, siç janë: përzgjedhja e bashkëshortes, sjellja me të, ushqimi i saj gjatë shtatzënisë, çfarë të bëhet me fëmijën në çastin e lindjes dhe pas saj, deri sa ai të bëhet subjekt i edukatës që e do Allahu i Madhëruar, sipas metodave që i ka përcaktuar me përpikëri Sheriati i shenjtë islam.
Të gjitha doktrinat dhe ideologjitë në botë i përqendrojnë përpjekjet e tyre te njeriu i rritur, i cili ka arritur një nivel të caktuar të kuptimit dhe ndërgjegjes. Por Islami ka vendos rregulla për njeriun që para se të lindë. Ai përcakton për prindërit, para martesës, llojin e personit që secili duhet të zgjedhë. I thotë vajzës cilin burrë duhet të zgjedhë dhe i përcakton djalit cilat janë cilësitë që duhet të ketë gruaja që ai do të zgjedhë.”
Pse e bën Islami këtë? Sepse secili prej të rinjve – djali dhe vajza – do të bëhen burim i individëve të tjerë. Islami dëshiron që ky individ, i cili do t’i bashkohet shoqërisë, të jetë i mirë (i drejtë, i devotshëm).”
Ky tekst nënvizon se edukimi dhe formimi i brezit të ardhshëm në Islam fillon që para lindjes së tij, që nga përzgjedhja e bashkëshortit/bashkëshortes, sepse qëllimi i Islamit është ndërtimi i një shoqërie të drejtë dhe të shëndoshë përmes individëve të mirë.
Prandaj, ejani së bashku të njihemi me rrezatimet e Islamit, të cilat ndriçojnë rrugën që të çon drejt ndërtimit të një fëmije të mirë.
Në ajetin 6 të sures “Tahrim” Allahu i Madhëruar na urdhëron dhe na thotë:
﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ قُوٓاْ أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا ٱلنَّاسُ وَٱلْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلَٰٓئِكَةٌ غِلَاظٌ شِدَادٌ لَّا يَعْصُونَ ٱللَّهَ مَآ أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ﴾
“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.”
Haxhi Shejkh Vullnet MERJA
