Shumë transmetime (riuajete) janë përcjellë në burimet e sunive dhe shi’itëve në lidhje me ajetin:
قُلْ لَا أَسْأَلُكُمْ عَلَيهِ أَجْراً إِلَّا الْمَودَّةَ فِى الْقُربى
“Thuaj: Unë nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër për këtë (mesazhin) veç dashurisë ndaj të afërmve.” (Sure “Esh Shura”, ajeti 23)
Këto transmetime kanë një ndikim të madh në interpretimin dhe sqarimin e kuptimit të këtij ajeti. Disa prej tyre janë si vijon:
1- Hakim Haskaniu, një nga dijetarët e njohur të shekullit të pestë hixhri (islami), në librin e tij “Sheuahidu Et Tenzijl” transmeton nga Said ibn Xhubejr, nga Ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Kur zbriti ajeti ‘Thuaj: Nuk ju kërkoj shpërblim tjetër veç dashurisë ndaj të afërmve’, ata i thanë: ‘O i Dërguar i Allahut, kush janë këta të afërm, të cilëve Allahu na ka urdhëruar t’u duam?’Ai tha: ‘Aliu, Fatimja dhe dy bijtë e tyre (Hasani dhe Husejni).’” (“Sheuahidu Et Tenzijl”, vëll. 2, f. 130.)
Në të njëjtin libër janë transmetuar disa hadithe të tjera me këtë kuptim, nga rrugë të ndryshme, gjithashtu nga Ibn Abbasi. (“Sheuahidu Et Tenzijl”, vëll. 2, f. 131-135.)
2- Në një transmetim tjetër në të njëjtin libër, përcillet nga Ebu Umame El Bahilij, se Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:“Vërtet, Allahu i ka krijuar profetët nga pemë të ndryshme, ndërsa mua dhe Aliun na ka krijuar nga e njëjti pemë. Unë jam trungu i saj, Aliu është dega e saj, Fatimja është lulëzimi i saj, Hasani dhe Husejni janë frutat e saj, dhe ndjekësit tanë janë gjethet e saj.
Kush kapet për një degë të saj, ai shpëton. Kush largohet, humb. Edhe sikur një njeri të adhurojë Allahun midis Safas dhe Merves për një mijë vjet, pastaj edhe një mijë të tjera, edhe një mijë të tjera, derisa të bëhej si lëkura e tharë, dhe nuk ka dashuri për ne, Allahu do ta hedhë me fytyrë në zjarr.
Pastaj lexoi: ‘Thuaj: Nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër, veç dashurisë ndaj të afërmve.’” (“Sheuahidu Et Tenzijl”, vëll. 2, f. 141)
3- Sujuti, komentuesi i njohur sunit, transmeton në veprën e tij “Ed Durrul Menthur”, në komentimin e këtij ajeti, nga Muxhahidi prej Ibn Abbasit, se Profeti (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Thuaj: Unë nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër për këtë (mesazhin) veç dashurisë ndaj të afërmve.” (Tefsijr “Ed Durrul Menthur”, vëll. 6, f. 7.
4- Ahmedi ibn Hanbel, në librin e tij “Fadailu Es Sahabe” transmeton nga Said ibn Xhubejr: “Kur zbriti ajeti: ‘Thuaj: Nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër, përveç dashurisë për të afërmit,” njerëzit e pyetën të Dërguarin e Allahut: ‘Kush janë të afërmit e tu, dashuria për të cilët është bërë detyrë për ne?’
Ai tha: “Aliu, Fatimja dhe dy bijtë e tyre”, dhe këtë e tha tri herë.” (“Ihkakul Hakki”, vëll. 3, f. 2.)
Edhe komentuesi “El Kurtubij” ka përcjellë të njëjtin kuptim në komentin e këtij ajeti, me një version paksa të ndryshëm, përsëri nga Said ibn Xhubejr përmes Ibn Abbasit.
5. Hafidh Ebu Nuajmi El Isfahani, në librin “Hiljetul Eulija”, transmeton nga Xhabiri:
“Një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe i tha: ‘O Muhamed, më shpjego Islamin.’
Profeti i tha: ‘Dëshmo se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe pa ortak, dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.’
Beduini pyeti: ‘A më kërkon ndonjë shpërblim për këtë?’
Profeti tha: ‘Jo, veçse dashuri ndaj të afërmve të mi.’
Beduini tha: ‘Të afërmit e mi, apo të afërmit e tu?’
Profeti tha: ‘Të afërmit e mi.’
Ai tha: ‘Më jep dorën që të të jap besën (përkushtimin). Mallkimi i Allahut qoftë mbi atë që nuk të do ty dhe të afërmit e tu!’
Profeti tha: ‘Amin!’” (“Hiljetul Eulijai”, vëll. 3, f. 201.)
6. Edhe komentuesi i njohur Ibn Xherir Taberiu, në komentimin e këtij ajeti, transmeton nga Ibn Xhubjeri, i cili ka thënë: “(Fjala ‘kurba’ në ajet) i referohet të afërmve të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij!).”
7- Hakimi, në librin e tij “El Mustedrek ala’s-Sahihajn”, transmeton se: Kur u vra imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), Hasan ibn Aliu mbajti një hutbe (fjalim). Në fjalimin e tij, duke përshkruar veten e tij, ndër të tjera, ai tha: “Ne jemi prej Ehli Bejtit (familjes së Profetit), të cilëve Allahu ua ka bërë detyrë dashurinë për çdo musliman. Allahu i Madhëruar i ka thënë Profetit të Tij (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Thuaj: Nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër për këtë, përveç dashurisë për të afërmit.’” (“Mustedrek Es Sahihejn”, vëll. 3, f. 172.)
Këtë transmetim e kanë përcjellë edhe një grup prej dijetarëve të shquar të Ehli Sunetit sunitë, si: Muhibbuddin Taberiu, në librin “Edh Dhekhair” (f. 138); Ibn Haxher, në “Es Sauaikul Muhriqah” (f. 101); Sujutij, në “Ed Durrul Menthur”, në komentimin e këtij ajeti.
8- Muhamed ibn Xherir Taberiu, komentuesi i njohur, në veprën e tij “Xhamiu’l Bejan”, transmeton nga Ebu Dujlem se ka thënë: Kur u soll si rob në Sham (Damask) Ali ibn Husejni (Paqja qoftë mbi të!), e ndalën para portës së Damaskut. Një burrë nga banorët e Shamit tha: Falënderimi i qoftë Allahut që ju vrau, ju shfarosi dhe i shkatërroi degët e fitnes. Ali ibn Husejni i tha: “O plak, a e ke lexuar Kur’anin?”
Ai tha: “Po.” Imami e pyeti: “A e ke lexuar suren Ha Mim (Esh Shura)?”
Plaku tha: “Kam lexuar Kur’anin, por jo suret që fillojnë me ‘Ha Mim’.”
Imami i tha: “A nuk ke lexuar ajetin: ‘Thuaj: Nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër për këtë, përveç dashurisë për të afërmit?’” Ai tha: “A jeni ju ata të afërmit?”
Imami u përgjigj: “Po!” (Tefsijru “Xhamilul Bejani”, vëll. 25, f. 16.)
9- Ibn Haxheri, në librin “Es Sauaikul Muhrikah”, transmeton nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Në lidhje me ne, Ehli Bejtin, është një ajet në suren Ha Mim për neve. Askush nuk e ruan dashurinë për ne përveç një besimtari të vërtetë.”
Pastaj lexoi ajetin: “Thuaj: Nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër për këtë, përveç dashurisë për të afërmit.” (Es Sauaikul Muhrikah”, f. 101.)
Ky kuptim është transmetuar gjithashtu në librin “Kenzul Ummal”. (“Kenzul Ummal”, vëll. 1, f. 118.)
Nga të gjitha këto transmetime kuptohet qartë se ajo që nënkuptohet me “të afërmit (el kurba)” në ajetin e lartpërmendur janë të afërmit e Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), domethënë Ehli Bejti.
Sa i përket shprehjes “Ha Mim”, ajo i referohet një grupi suresh që fillojnë me “حم” në Kur’an, dhe janë: “El Mu’min” (Gafir), “Fussilet”, “Esh Shura”, “Ez Zukhruf”, “Ed Dukhan”, “El Xhathije” dhe “El Ahkaf”.
Ajeti në fjalë (“قل لا أسألكم عليه أجراً إلا المودة في القربى”) ndodhet në njërën prej këtyre sureve, pikërisht në suren“Esh Shura.” (Shih shënimin në fundfaqe të Tefsirit “Mexhmeu’l Bejan”, vëllimi 7 dhe 8, faqja 512, në hyrje të sures “El Mu’min, Gafir.)
10- Është përcjellë nga Zemakshariu në “El Keshshaf”, si dhe nga Fakhru Rrazi dhe Kurtubiu në komentimet e tyre të Kur’anit, hadithi i Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë:
“Kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, vdes si dëshmor. Vërtet, kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, vdes i falur. Vërtet, kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, vdes i penduar. Vërtet, kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, vdes si besimtar me besim të plotë. Vërtet, kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, engjëlli i vdekjes i jep atij lajmin e Xhenetit, dhe ashtu bëjnë edhe Munker dhe Nekir. Vërtet , kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, do të përcillet drejt Xhenetit ashtu siç përcillet nusja në shtëpinë e burrit të saj. Vërtet , kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, në varrin e tij do t’i hapen dy dyer nga Xheneti. Vërtet,kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, varri i tij do të bëhet vend që e vizitojnë engjëjt e mëshirës. Vërtet, kush vdes me dashuri për Ehli Bejtin e Muhamedit, vdes duke qenë në sunnet dhe në bashkësi (xhamaat). (efsiri “El-Keshshaf”, vëllimi 4, faqet 220 dhe 221; Tefsiri “El-Kebir” (nga Fahruddin Rrazi), vëllimi 27, faqet 165 dhe 166; Tefsiri i Kurtubiut, vëllimi 8, faqja 5843.) Vërtet, kush vdes me urrejtje ndaj Ehli Bejtit të Muhamedit, në Ditën e Gjykimit do të ketë të shkruar mes syve: ‘I dëshpëruar nga mëshira e Allahut.’ Vërtet, kush vdes me urrejtje ndaj Ehli Bejtit të Muhamedit, vdes si jobesimtar. Vërtet, kush vdes me urrejtje ndaj Ehli Bejtit të Muhamedit, nuk do të ndiejë as aromën e Xhenetit.”
Është e habitshme se në disa prej fotnatave të Tefsirit “El Keshshaf”, të shkruara nga disa fanatikë, pas transmetimit të këtij hadithi të ndritur profetik, është shkruar: “Shenjat e falsifikimit janë të qarta mbi këtë hadith!”
Por cilat janë provat që ky hadith është i trilluar, dhe në cilin vend të tij dallohet kjo ‘trillimësi’? Kjo nuk është sqaruar aspak.
E vetmja arsye që duket është se madhështia e pozitës së Ehli Bejtit të Muhamedit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që paraqitet në këtë hadith të bekuar, nuk përputhet me paragjykimet e disave. Ndoshta, ata për herë të parë po përballeshin me një përshkrim kaq të lartë e të madhërishëm të Ehli Bejtit në një hadith të Profetit.
Megjithatë, këtë hadith të hershëm e kanë transmetuar tre prej komentuesve më të mëdhenj të Kuranit, të cilët e kanë besuar dhe e kanë pranuar mirë, pa ngritur ndonjë vërejtje ndaj tij.
Në këtë kontekst, Fakhruddin Rrazi thotë në fund të komentit të tij mbi këtë hadith: “Edhe nëse ka debat dhe mosmarrëveshje lidhur me kuptimin e fjalës ‘Āl’ (familja), nuk ka asnjë dyshim se Fatimja, Aliu, Hasani dhe Husejni kishin lidhjen më të fortë me të Dërguarin e Allahut. Dhe kjo është diçka e sigurtë, e njohur në mënyrë të vazhdueshme përmes transmetimeve të shumta. Prandaj, është e detyrueshme që ata të jenë ‘Āl’ (Familja) e tij.”
Fakhruddin Rrazi, gjithashtu, jep dëshmi dhe argumente të shumta për të mbështetur kuptimin se Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni (Paqja qoftë mbi ta!) janë përfshirë në këtë ajet. (Për më shumë informacion, shih “Et Tefsir El-Kebijr”), vëllimi 27, faqet 166 dhe 167.)
Nga ato që u thanë më sipër kuptohet se disa transmetime që janë përcjellë në komentimin e këtij ajeti dhe që thonë: Se të drejtuarit në këtë ajet janë jobesimtarët e Kurejshit, dhe se qëllimi është: ‘Mos harroni lidhjen farefisnore me mua dhe mos më lëndoni për shkak të afërsisë suaj me mua,’” këto janë të papranueshme.
Ka shumë gjasa që falsifikuesit e haditheve ta kenë shpikur një kuptim të tillë për të zvogëluar rëndësinë e pozitës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Sepse një fjalë e tillë drejtuar jobesimtarëve kurejshit bie krejtësisht ndesh me kuptimin e ajetit.
Është e pamundur që Profeti t’u thotë atyre: “Nuk po ju kërkoj shpërblim tjetër, përveçse të mos harroni lidhjen tuaj farefisnore me mua,” ndërkohë që ata nuk besonin fare në profetësinë e tij, dhe lëre më të kenë dëshirë për t’i dhënë atij ndonjë shpërblim.
Përmbledhje
Në përfundim, ata që i përmbahen atij transmetimi që e shkëput lidhjen e ajetit nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!), në të vërtetë mohojnë vetë përmbajtjen e ajetit. Sepse të kërkosh shpërblim për misionin profetik nga ata që nuk e besojnë këtë mision, është krejtësisht pa kuptim.
E përfundojmë këtë hulumtim me disa vargje të poezisë që i kanë përmendur Fakhruddin Rrazi dhe El Alusi në veprat e tyre “Et Tefsir El Kebijr” dhe “Ruhul Meanij”, në fund të komentit të këtij ajeti, që të jetë përmbyllje e bekuar, dhe siç thuhet: “Përfundimi është me misk (aromë të mirë).”
Kjo poezi është thënë nga Imam Shafi’u, i cili është i njohur për besimin e tij të fortë ndaj Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta). Ai thotë:
O udhëtar, ndalo tek Muhassib në Mina,
dhe thirri banorëve të Khifit dhe atyre që janë ngritur.
Në agim, kur haxhilerët derdhen drejt Minasë,
si vala e Furatit që vërshon pa ndërprerje.
Nëse dashuria për Ehli Bejtin e Muhamedit
quhet “rafidizëm”, atëherë le të dëshmojnë të dy botët (xhindët dhe njerëzit) se unë jam rafidi! (Tefsiri i Madh (Et Tefsir El Kebir), vëll. 27, f. 166Tefsiri “Ruhul Meani”, vëll. 25, fq. 32, Libri: Nefehatul Kur’an, Shejkh Naser Mekarim Shirazi,vëllimi dhe faqet: Vëllimi 9, faqet 172–177)
Allahu na bëftë prej atyre që i duan Ehli Bejtin e Muhamedit (Paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij!), ata për të cilët ne i dërgojmë salavate në çdo namaz dhe pa këtë, namazi nuk pranohet.
O Allah, bëje këtë dashuri hyrje drejt njohjes së pozitës së tyre të lartë, që të mos mendojmë se kjo çështje madhështore është thjesht një dashuri e zakonshme.
Bëje që kjo njohje të jetë udhërrëfyese drejt ndjekjes së rrugës së tyre.
Marrë nga: https://almaaref.org.lb/
.
