Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë:
اِنَّ الحسینَ مِصباحُ الهُدی و سَفینةُ النَجاة
“Vërtet, Husejni është pishtari i udhëzimit dhe anija e shpëtimit.”
Në këtë thënie profetike, imami Husejni (Paqja qoftë mbi të!) përshkruhet si burim drite që udhëzon njerëzit dhe si mjet shpëtimi për ata që e ndjekin të vërtetën.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur e rikujtojmë imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!), nuk rikujtojmë vetëm historinë e Ashurasë dhe ndodhinë e Kerbelasë, por të sjellim në mendje një personalitet të madh, i cili i shërbeu fesë islame dhe muslimanëve dhe sakrifikoi veten e tij, fëmijtë e tij, të dashurit e tij dhe shokët e tij në rrugën e mbrojtjes së Mesazhit islam. Ne e rikujtojmë imam Husejnin për të shprehur dashurinë, ndjenjat dhe emocionet tona ndaj tij, i cili iu përkushtua sinqerisht Allahut dhe veproi për të mirën e umetit islam. E përkujtojmë për të theksuar besën dhe besnikërinë tonë ndaj imam Husejnit dhe për të forcuar vlerat e Ashurasë në shpirtrat tanë. Këto ditë të Matemit t’i shfrytëzojmë duke bërë adhurim, reflektim, lutje dhe përgjerim. Imam Husejni ishte udhëheqësi i muslimanëve, ishte udhëzuesi, mësuesi dhe edukuesi i tyre. Literaturat islame, qoftë te Ehli Sunite apo teShiajat, janë të mbushura më thënie e porosi edukative të imam Husejnit.
Për sonte kam pëzgjedhur disa nga thëniet dhe porositë e Prijësit të dëshmorëve, imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!). shpresoj që të përfitojmë të gjithë nga këto thënie të ndritura të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!).
1- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “A nuk e shihni se e drejta nuk zbatohet dhe e padrejta nuk ndalohet? Atëherë, le të dëshirojë besimtari takimin me Allahun me të drejtën. Unë nuk e shoh vdekjen veçse lumturi dhe jetën me zullumqarët veçse poshtërim.” (“Biharul Anuar”, vëll. 44, f. 192.)
Sa e mrekullueshme dhe sa domethenëse kjo thënie e imam Husejnit, e cila është në përputhje të plotë me realitetin e sotëm. Kjo thënie është një nga fjalët më të fuqishme dhe më të thella që ai ka thënë përpara betejës së Karbalasë. Kjo thënie nuk është vetëm një shpallje e qëndrimit të tij personal, por një manifest moral, politik dhe shpirtëror, që përçon shumë mësime të rëndësishme për çdo kohë dhe brez. Këtuimam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) nuk flet për veten, por i fton të gjithë besimtarët të shohin realitetin përreth. Ai kërkon vetëdije shoqërore dhe jo pasivitet. Kjo e bën të domosdoshme veprimin me drejtësi dhe kundërshtimin e padrejtësisë, në çdo formë që ajo paraqitet. Këtu imam Husejni jep një porosi thellësisht shpirtërore, e cila është se: Nuk ka takim të vërtetë me Allahun pa drejtësi. Drejtësia nuk është vetëm koncept ligjor, por rrugë për tek Allahu.
2- Imam Husejni (a.s) porosit për moralet e larta:
Ai ka thënë: “O njerëz! Garoni në morale të mira dhe nxitoni në pasuri shpirtërore!” (“Keshful Gimmeh”, vëll. 2, f. 30.)
3- Imam Husejni porosit për ruajtjen e besimtarit
Ai ka thënë: “Mos thuaj për vëllain tënd besimtar kur ai nuk është i pranishëm atë që nuk dëshiron të thonë të tjerët për ty në mungesën tënde!” (“Biharul Anuar”, vëll. 75, f. 127.)
4- Imam Husejni porosit që mos i bëj padrejtësi tjetrit.
Në ditën e Ashures, Imami porositi djalin e tij imam Zejnul Abedin (Paqja qoftë mbi të!): “Biri im! Mos guxo t’i bësh padrejtësi dikujt që nuk ka ndihmës tjetër përveç Zotit të Madhëruar!” (“Biharul Anuar”, vëll. 75, f.11). Duhet të kemi kujdes, vëllezër dhe motra, që askush të mos na thotë: Të lënsha Zotin sepse është lutje e fuqishme dhe Allahu i përgjigjet lutjes së atij që i bëhet padrejtësi kur ia lë në dorë të Tij çështjen.
5- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) porosit për durim ndaj të drejtës dhe të vërtetës.
Ai ka thënë: “Biri im! Duro ndaj të vërtetës e të drejtës, edhe pse mund të jetë e hidhur!” (“El Kafij”, vëll. 2. f. 28.)
6- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) porosit për Dashuri për Ehli Bejtin
Ai ka thënë: “Dashurinë ndaj nesh Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), konsiderojeni të detyrueshme. Sepse kushdo që e takon Zotin me dashurinë ndaj nesh, Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), do të shkojë në Xhennet përmes ndërmjetësimit tonë. Betohem në Zotin që ka shpirtin tim në dorën e Tij, asnjë rob, i cili nuk e njeh të drejtën tonë (Ehli Bejtit), nuk do të ketë përfitim!” (“Mustedrekul Uesail”, vëll. 1, f. 151.)
7- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) na sqaron butësinë dhe besnikërinë.
A ka thënë: “Butësia është stoli dhe besnikëria është shenjë fisnikërie.” (“Biharul Anuar”, vëll.
75, f. 122.)
8- Imam Husejni na ka folur në lidhje me të mirën e dynjasë dhe të Ahiretit
Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), se ka thënë: “Një burrë i shkroi imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: ‘O zotëria im, më trego për të mirën e dynjasë dhe të Ahiretit (Jetës Tjetër). Imam Husejni i shkroi atij: ‘Me emrin e Allahut, të Gjthmësrëshmit, Mëshirëplotit. E më pas… Kush e kërkon kënaqësinë e Allahut duke zemëruar njerëzit, Allahu ia mjafton atij çështjet e njerëzve; ndërsa kush e kërkon kënaqësinë e njerëzve duke zemëruar Allahun, Allahu e lë atë në duart e njerëzve. Selam!’”
Imam Husejni, me fjalë të pakta, por me kuptim të madh, jep një udhëzim që i përmbledh të gjitha të mirat e dynjasë dhe të ahiretit duke thënë:
– Kush e kërkon kënaqësinë e Allahut edhe nëse njerëzit zemërohen, Allahu mjafton për të në çdo gjë që ka lidhje me njerëzit.
– Kush e kërkon kënaqësinë e njerëzve duke zemëruar Allahun, Allahu e lë atë të varur te njerëzit, dhe ai nuk do të gjejë as rehati e as sukses.
9- Imam Husejni na thotë se njerëzit janë skllevërit e kësaj bote
Ai ka thënë: “Njerëzit janë skllevër të kësaj bote, dhe feja është vetëm një shije në gjuhët e tyre; ata e mbrojnë atë përderisa jetesa e tyre ecën mirë. Por kur sprovohen me fatkeqësi, pak janë ata që qëndrojnë besnikë ndaj fesë.” (Tuhaful Ukul, f. 245)
10- Për ndihmën e të shtypurit imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kushdo që dëgjon thirrjen e një të shtypuri që kërkon ndihmë, por nuk përgjigjet, nuk është mysliman.” (Burimi: “Biharul Anuar, vëll. 44, f. 382.)
11- Për durimin në vështirësi dhe sprova imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:“Durimi është çelësi i shpëtimit, dhe përfundimi i duruesve është gjithmonë i ndritur.”
(Burimi: Nuz’hat En Nadhir, f. 136.)
12- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O bir i Ademit! Ti je vetëm ditë (kohë); sa herë që kalon një ditë, ikën një pjesë prej teje.” (Burimi: “Irshadul Kulub”, vëll. 1, f. 40.)
Kujt t’ia parashtrojmë nevojën tonë?
13- Për këtë imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos ia parashtroni nevojën tuaj veçse njërit nga tre lloje njerëzish: atij që ka fe, ose atij që ka burrëri, ose atij që ka fisnikëri.” (Burimi: “Biharul Enuar”, vëll. 75, f. 119)
14- Për lehtësimin e një vuajtjeje besimtarit, imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush ia lehtëson një vuajtje një besimtari, Allahu do t’ia lehtësojë vuajtjet e tij në këtë botë dhe në Botën Tjetër.” (Burimi: “Biharul Enuar”, vëll. 75, f. 122).
15- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mjerë ju, o ndjekës të familjes së Ebu Sufjanit! Nëse nuk keni fe dhe nuk i frikësoheni ditës së gjykimit, atëherë të paktën jini njerëz të lirë në këtë botë tuajën.” (Burimi: “Biharul Enuar”, vëll. 45, f. 51).
Kjo ishte thirrja e tij drejtuar ushtrisë së Jezidit, për t’i bërë ata të reflektojnë edhe nëse nuk besonin.
Përgojimi është ushqim i qenve të Zjarrit
16- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) dëgjoi një njeriu që përgojoi dikë para tij dhe i tha: “O ti! Ndalu nga përgojimi, sepse ai është ushqimi i qenve të Zjarrit (të Xhehenemit).” (Tuhaful Ukul, f. 245)
Të dashur vëllezër dhe motra:
Imam Husejni i biri Aliut është emblema e drejtësisë dhe i vlerave shpirtërore. Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) i dha një mësim praktik e madhështor historisë islame dhe siguroi qëndrueshmërinë e Islamit jo vetëm në kohën e tij, por në çdo kohë.
Imam Husejni na mësoi se kush e do të vërtetën, sakrifikon për të; kush dëshiron lirinë, nuk pranon skllavërinë; kush synon nderin, heq nga vetja pluhurin e poshtërimit dhe përuljes, dhe e meriton dashurinë dhe shoqërinë e Allahut.
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) nuk kërkon dikë që të qajë për të, por dëshiron që dikush të ndjekë rrugën e tij në forcimin e marrëdhënieve me Allahun dhe respektimin e të drejtave të robve të Tij.
– Haxhi Shejkh, Vullnet Merja
