Në suren “Enfal”, ajeti 24 Allahu i Madhëruar thotë:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱسْتَجِيبُواْ لِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ إِذَا دَعَاكُمْ لِمَا يُحْيِيكُمْ ۖ وَٱعْلَمُوٓاْ أَنَّ ٱللَّهَ يَحُولُ بَيْنَ ٱلْمَرْءِ وَقَلْبِهِۦ وَأَنَّهُۥٓ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ

“O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të tuboheni të gjithë.”

Në të vërtetë, dashuria për Profetin dhe për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!), konsiderohet si një domosdoshmëri prej domosdoshmërive të padyshimta e të prera në fenë islame, sepse ata janë pishtarët ndriçues për të gjithë njerëzit. Ata janë udhërrëfyesit e drejtë. Ata janë argument i Allahut të Lartësuar në tokë. Dashuria për ta u jep jetë zemrave, sepse ata janë Kur’ani folës dhe janë rëndesa e dytë për nga vlera që Profeti e ka shoqëruar me Kur’anin, siç thotë në hadithin “Thakalejn”: “Unë po ju lë juve dy gjëra me peshë të madhe për nga rëndësia. Nëse ju do të kapeni për këto të dyja, nuk do të humbisni kurrën e kurrës, pas meje. Njëra prej tyre është më madhështore se tjetra: Libri i Allahut, një litar që zgjatet nga qielli në Tokë dhe pasardhësit e mi, Ehli Bejti im. Ata nuk ndahen deri sa të ktheheni te Haudhi (burimi Keuther). Prandaj, hapini sytë se si do të më kundërshtoni mua me këto të dyja.”

Profeti dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) janë të dashurit e Allahut të Madhëruar. Nëse duam që të jemi edhe ne prej të dashurve të Allahut, atëherë le t’i duam ata dhe të ndjekim rrugën e tyre të drejtë e të qartë.

Ne jemi krenarë që kemi për udhëheqës dhe udhërrëfyes Profetin Muhamed dhe Familjen e tij të pastër e të dlirë (Ehli Bejtin). E falenderojmë Allahun e Plotfuqishëm që na ka mirësuar e na ka begatuar me medresenë e madhe e të pastër të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të Ehli Bejtit të pastër e të dlirë (Paqja qoftë mbi ta!), nga e cila arrijmë të mësojmë kuptimin e vërtetë të Kur’anit të Shenjtë dhe qëllimin tonë në këtë jetë.

 Të dashur vëllezër dhe motra!

Profeti Muhamed, biri i Abdullahut dhe i Eminesë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson që të jemi mbartës të moraleve të larta, sepse i tillë ishte edhe ai, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kur’anin e Shenjtë, në ajetin 4 të sures “Kalem”: “se ti je me virtyte madhore.” (Sure “Kalem”, ajeti 4). Profeti ynë i dashur, na mëson se si të sillemi me të tjerët, si të përhapim dashurinë në mesin e njerëzve, si të jemi të mëshirshëm e të butë. Vetë ai ishtë mëshirë për mbarë botët, siç e përshkruan Kur’ani në ajetin 107 të sures “Enbija”: Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.

 Profeti Muhamed na mëson si të zhdukim injorancën, fanatizmin, diskriminimin. Ai na thotë se nuk ka dallim mes arabit e jo arabit, as mes të ziut e të bardhit vecse me devotshmëri. Para se të vinte Profeti Muhamed, bota ishte një trup pa shpirt. Ishte ekzistencë e errët. Dhe, Profeti Muhamed, me anë të Fjalës së Allahut, Kur’anit të Shenjtë arriti t’i zgjojë shpirtart e njerëzve dhe ndriçoi mbarë botën me dritën Kur’anit. Kur doli nga Taifi, në të cilin shkoi për t’i ftuar banorët e tij në Islam, banorët e atij vendi e goditën me gurë dhe e plagosën. Edhe pse u largua i mërzitur e i pikëlluar prej tyre, ai lutej për ta duke thënë: “O Zoti im! Udhëzoje popullin tim se ata nuk e dinë (të vërtetën)!” Profeti Muhamed na mëson lirinë, drejtësinë, paqen, vëllazërinë.

Prijësi i besimtarëve, imam Aliu i biri i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!) na mëson që të jemi gjithmonë me të vërtetën edhe pse janë të paktë përkrahësit e saj. Ai na porosit e na thotë: Ji ndihmës për të shtypurin dhe kundërshtar i shtypësit.” Gjithashtu, ka thënëka thënë: “E vërteta nuk më ka lënë asnjë shok mua.” Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), na mëson drejtësinë, devotshmërinë, trimërinë, vendosmërinë, besnikërinë dhe të përmbajturit ndaj dynjasë. Kur mori udhëheqësinë e myslimanëve ai shkoi te thesambajtësja dhe tha: “O ti e verdhë o ti e bardhë, shko mashtro tjetër kënd.” Apo thënia e tij: “O dynja unë të kam divorcuar tri herë.” A jemi të tillë ne sot? A është ky imam Aliu që ndjekim ne apo është ndonjë Ali tjetër? Imam Aliu as na thotë: “La tekunu mine sebababijne”- “Mos jini prej atyre që shajnë (fyejnë)!”. Imam Aliu është ai i cili kur u plagos porositi djemtë e tij: Nëse unë vdes nga kjo plagë, të ndëshkohet vetëm goditësi. E kundërta ndodh sot. Të mësojmë nga imam Aliu që të mos jemi skellevër të krijesave port ë jemi rob të Allahut: “Mos ji rob i askujt sepse, Allahu të ka krijuar të lirë.” Të mësojmë durimin për të cilin imam Aliu ka thënë: “Do të duroj derisa durimi të bëhet i paduruar ndaj durimit”

Zonja e grave të botëve, Fatime Zahraja, e bija e profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!) na mëson që të kërkojmë të drejtën tonë edhe nëse jemi të rënduar me plagë. Na mëson përkushtimin, respektin dhe dashurinë bashkëshortore dhe familjare. Duhet që ajo të merret shembull nga të gjitha nënat dhe motrat muslimane e besimtare. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fatimeja është zonja e grave të botëve”  

Imam Hasani, i biri i imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i quajtur ndryshme (Kerijmu Ehlil Bejt), “Bujari i Ehli Bejtit”, na mëson që të jemi bujarë, solidarizues dhe përkrahës të nevojtarëve. Ai na mëson se si të mbajmë premtimin dhe si të ndreqim çështjet në të cilat ka mirësi e dobi për muslimanët dhe për Islamin. Ai na mëson mençurinë, urtësinë dhe larpamësinë.

Prijësi I dëshmorëve, imam Husejni i biri i Aliut (Paqja qoftë mbi të!) na mëson që të jemi krenarë dhe të pamposhtur. Gjithmonë të kujtojmë thënien e tij madhështore:

  {الا وإن الدعي ابن الدعي قد ركز بين اثنتين: بين السلة والذلة، وهيهات منّا الذلة.}

“Vërtet, ky i poshtëri, biri i të poshtërit (duke iu referaur Ubejdullah ibn Zijadit ose Jezidit), na ka vënë përballë dy zgjedhjeve: ose lufta me shpatë, ose poshtërimi. Por është larg prej nesh poshtërimi!” Imam Husejni na mëson se si të sakrifikojmë për të përhapur fjalën e Allahut, Kur’anin e Shenjtë dhe mesazhin e pastër Islam. Na mëson se si të triumfojmë ndaj padrejtësisë dhe të padrejtëve. Gandi, udhëheqësi i Indisë ka thënë: Më mësoi Husejni se sit ë triumfoj kur jam i shtypur.”

Zonja e Madhe Zejneb, e bija e imam Aliut, (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se si të vazhdojmë rrugën e sakrificës dhe të përçimit të mesazhit, edhe nëse jemi robër te armiku. Na mëson durimin, guximin dhe qëndresën.

Ebul Fadl Abbasi, i biri i imam Aliut, (Paqja qoftë mbi të!) na mëson zbatimin e premtimit, besnikërisë. Na mëson përkrahjen e vëllezërve e të dashurve dhe mosbraktisjen e prijësit, ndjekja e të cilit është detyrim për ne.

Shokët dhe përkrahësit e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të dhe mbi ta!) në Qerbela na mësojnë që të mos tradhëtohet imami i kohës edhe nëse na coptojnë e na bëjnë copa-copa. Xhorxh Xhordak, dijetar dhe letrar i krishterë ka thënë: “Kur Jezidi përgatiti njerëzit për vrasjen e Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe për gjakderdhje ata thoshin: ‘Sa para na jep?’ Kurse përkrahësit e Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) thoshin: ‘Sikur të vritemi shtatëdhjetë herë, ne jemi të gatshëm që të luftojmë me ty dhe të vritemi përsëri.’

Imam Sexhadi, Aliu i biri i Husejnit, (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se si t’i lutemi Allahut të Madhëruar kur jemi në vështirësi e në mirësi, që të mos na mposhtë fatkeqësia dhe zemërimi. Sa të mrekullueshme janë lutjet e tij në librin “Sahife Sexhadije” që janë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe dhe gjenden ne faqen e internetit të Shoqatës Flladi. Po ashtu edhe në kanalin: “Rtv online Drita e Ehli Bejtit” në jutub.

Imam Bakiri, Muhamedi i biri i Aliut, (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se si të mësojmë e të nxëmë dijen. Ai ishte themeluesi i universitetit të dijeve islame në Medine.

Imam Sadiku, Xhaferi i biri i Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se si të jemi të vërtetë në fjalë e në vepra. Imam Sadiku e vazhdoi misionin e babait të tij imam Bakir dhe e zgjeroi më shumë qendrën e dijes që themeloi babai i tij. Te ky imam i nderuar kanë studiuar shumë dijeratarë dhe ndër ata imam Ebu Hanife, Enes ibn Malik, Sufjan Eth Theurij, etj.  Ai ka thënë: “Jini ftues në rrugën tonë jo vetëm me gjuhët tuaja (por edhe me veprat tuaja).” Ai na mëson se si të dialogojmë me ateistët, filozofët, mjekët, etj, siç veproi në kohën e tij.

Imam Kadhimi, Musai i biri i Xhaferit (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se prangat, burgu dhe torturat janë revolucion përballë tiranisë, padrejtësisë dhe ashpërsisë. Ai na mëson se si ta mposhtim zemërimin. Prandaj ka edhe epitetin El Kadhim, që do të thotë mposhtës i zemërimit.

Imam Rizai, Aliu i biri i Musait (Paqja qoftë mbi të!) na mëson që të jemi të dashur, bujarë, përkrahës të nevojtarëve dhe të jemi të kënaqur me atë që na është caktuar. Ai na mëson se si ta shtypim zemërimin dhe hidhërimin.

Imam Xhevadi, Muhamedi i biri i Aliut (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se udhëheqja dhe dija nuk janë kufizuara me moshën. Ai debatoi me dijetarë të shquar të asaj kohe edhe pse ishte një djalë i ri.   

Imam El Hadij, Aliu i biri i Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!) na mëson që të jemi të qetë dhe të devotshëm në veprat tona. Ai ka thënë: “Mos u bëj mik i Allahut në dukshmëri dhe armik i Tij në fshehtësi.”

Imam Askeriu, Hasani i biri i Aliut (Paqja qoftë mbi të!) na mëson që të ruajmë amanetin dhe të mos zbulojmë sekretet e të tjerëve.

Imam Mehdiu, Muhamedi i biri i Hasanit, (Allahu ia shpejtoftë ardhjen!) na mëson pritjen dhe durimin derisa të vijë vendimi i Allahut. Vërtet, imam Mehdiu pret urdhërin e Allahut për ardhjen. Por pritja e ardhjes së imam Mehdiut nuk ka kuptimin e mosveprimit, apo të moskundërshtimit të zullumit dhe të zullumqarëve. Pritja e ardhjes së tij ka kuptimin e lëvizjes, angazhimit dhe të rezistencës.

Nëse duam të jemi të lumtur dhe të shpëtuar në të dyja jetët, të ndjekim Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!), sepse rruga e tyre është rruga e Kur’anit. Cilido që ndjek rrugën e Kur’anit do të jetë prej të shpëtuarve në Jetën Tjetër.

Sa bukur e përshkruan imam Shafiiu dashurinë për Ehli Bejtin ku thotë:

يا آلَ بيتِ رسولِ اللّهِ حُبَّكُمُ
فَرضٌ مِنَ اللّهِ في القُرآنِ أَنزَلَهُ
يَكفيكُمُ مِن عَظيمِ الفَخرِ أَنَّكُمُ
مَن لَم يُصَلِّ عَلَيكُم لا صَلاةَ لَهُ

O Familja e Shtëpisë së të Dërguarit të Allahut,

 dashuria për ju është detyrim nga Allahu,

 që Ai e ka zbritur në Kuran.

Mjafton për ju nga madhështia e krenarisë se,

ai që nuk dërgon salavate mbi ju, nuk ka namaz të pranuar.

Në këto vargje imam Shafiiu shpreh dashurinë dhe respektin e thellë për Ehli Bejtin e Profetit Muhamed dhe rëndësinë e dërgimit të salavateve mbi ta. A jemi ne të tillë?

Allahu na bëftë prej ndjekësve të shkollës së Ehli Bejtit në këtë jetë dhe na bashkoftë me ta në Jetën Tjetër!

-Haxhi Shejkh, Vullnet Merja