نِ اِبْنِ سِنَانٍ عَنْ جَعْفَرِ بْنِ مُحَمَّدٍ عَلَيْهِ السَّلاَمُ قَالَ: “نَظَرَ اَلنَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَ آلِهِ إِلَى اَلْحُسَيْنِ بْنِ عَلِيٍّ عَلَيْهِ السَّلاَمُ وَ هُوَ مُقْبِلٌ فَأَجْلَسَهُ فِي حِجْرِهِ وَ قَالَ إِنَّ لِقَتْلِ اَلْحُسَيْنِ حَرَارَةً فِي قُلُوبِ اَلْمُؤْمِنِينَ لاَ تَبْرُدُ أَبَداً”

Nga ibn Sinani, nga Xha’ferr ibn Muhammed (Paqja qoftë mbi të!), se ka thënë: “Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qoofshin  mbi të dhe mbi familjen e tij!) e pa Husejnin, birin e Aliut (Paqja qoftë mbi të!), ndërsa po vinte, dhe e uli në prehrin e tij dhe tha: “Vërtet, për vrasjen e Hysejnit ka një nxehtësi (dhembje) në zemrat e besimtarëve që kurrë nuk do të ftohet.” (Burimi: “Mustedrek Uesailu Esh Shiia”, vëll. 10, f. 318)

Çështja e imam Husejnit (a.s.) është një nga ngjarjet më madhore dhe më domethënëse në historinë islame, e cila nuk i përket vetëm një grupi të caktuar, por gjithë botës myslimane dhe, më gjerë, njerëzimit. Kryengritja dhe martirizimi i tij në Karbala, më 10 Muharrem të vitit 61 h. (680 e.s.), është simbol i qëndresës ndaj padrejtësisë, tiranisë dhe shtypjes.

Imam Husejni u ngrit kundër regjimit tiranik të Jezidit ibn Muavies, i cili po devijonte hapur parimet islame dhe po vendoste themele të padrejta të qeverisjes. Refuzimi i tij për t’iu bindur një udhëheqësi si Jezidi u bë shembull i guximit, devotshmërisë dhe ruajtjes së dinjitetit islam.

Për myslimanët e të gjitha shkollave të mendimit, mesazhi i Kerbelasë është një thirrje e përjetshme për të qëndruar në anën e së vërtetës dhe për të kundërshtuar shtypjen, pavarësisht çmimit. Për këtë arsye, çështja e imam Husejnit nuk është vetëm historike apo sektare, por përfaqëson vlera universale islame si drejtësia, sakrifica dhe mbrojtja e fesë dhe të drejtave njerëzore.

Kujtimi i tij, përmes ceremonive si Ashura, leksioneve, librave dhe studimeve, vazhdon të frymëzojë breza myslimanësh kudo në botë dhe të forcojë ndjenjën e unitetit rreth parimeve themelore të Islamit.

Në thelb, çështja e imam Husejnit është një amanet i përbashkët i të gjithë myslimanëve, që i fton ata të jenë të vetëdijshëm, të drejtë dhe të guximshëm përballë çdo forme padrejtësie.

Në historinë islame dhe në hadithet e transmetuara në literaturat e Ehli Sunetit thuhet se profeti Muhamed e ka qarë vrasjen e imam Husejnit në tokën e Kerbelasë. Ndër ato thënie thënie të Profetit përmendim:

1- El Hakim En Nijsaburij me sened nga Ummu Fadl bintul Harith, bashkëshortja e Abbas ibn Abdul Muttalibit, e cila ka shkuar tek i Dërguari i Allahut dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë kam parë një ëndërrtë keqe mbrëmë. Ai i tha: “Si ishte?” Ajo i tha: “Ishte e tmerrshme.” Ai i tha: “Si ishte?” Ajo i tha: “Unë pashë sikur një pjesë e trupit tënd u pre dhe ra në prehërin tim.” I Dërguari i Allahut i tha: “Ke parë diçka të mirë. Fatimeja do të lindë, inshaAllah, një djalë dhe do të jetë në prehërin tënd.” Fatimeja lindi Husejnin dhe u vendos në prehërin tim, ashtu siç tha i Dërguari i Allahut. Një ditë, hyra te i Dërguari dhe e vendosa atë në prehërin e tij. Pastaj pashë sytë e të Dërguarit të Allahut që po lotonin. Ajo tha: I thashë: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime dhe babai im qofshin kurban për ty! Çfarë ke?” Ai tha: “Më erdhi Xhebraili (Paqja qoftë mbi të!) dhe më lajmëroi se ummeti im do ta vrasë këtë djalin (nipin) tim.” Unë i thashë: “Këtë?” Ai tha: “Po. Ai më solli edhe dheun e kuq.” (El Mustedrek ala Es Sahihejn, 3/194, hadithi nr. 4818. E ka transmetuar Ibn Asakiri në Tarijkh Dimashk, 14/197.).

2- Imam Ahmedi, imam i Medhehebit Hanbeli,  ka përcjellë me zinxhirin e tij të transmetimit nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: Një engjëll i shiut kërkoi leje që të vinte tek Profeti ﷺ. Profeti ﷺ i dha leje. I tha Ummu Selemes (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Ruaje derën që të mos hyjë askush.”

Pastaj erdhi Husejni, biri i Aliut, dhe hidhej (me gëzim) derisa hyri brenda dhe filloi të ngjitej mbi supin e Profetit ﷺ.

Engjëlli i tha Profetit ﷺ: “A e do atë?”

Profeti ﷺ tha: “Po.”

Engjëlli i tha: “Vërtet, umeti yt do ta vrasë atë. Nëse dëshiron, ta tregoj vendin ku do të vritet.”

Ai ra me dorë tokës dhe i tregoi dhê të kuq. Ummu Seleme e mori atë dhe e mbështolli në skajin e rrobës së saj. Tha: “Dhe ne dëgjonim se do të vritej në Karbala.”

3- Ka thënë Ebu Kasim El Begauij me zinxhirin e tij të transmetimit nga Esh‘ath ibn Sehijm, nga babai i tij, i cili ka thënë: Kam dëgjuar Enes ibn Harithin të thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Ky biri im, duke nënkuptuar Husejnin, do të vritet në një tokë që quhet Karbela. Kushdo prej jush që e arrin atë kohë, le ta ndihmojë atë!”

Më pas transmetuaesi tha: Enes ibn Harithi doli për në Kerbela dhe u vra bashkë me Hysejnin.

4- Është transmetuar nga Abdallah ibn Nexhij, nga babai i tij (Nexhij), i cili ka ecur me Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe ai ishte kujdestari i enës së abdesit të tij. Kur kaloi pranë Nejnevas, ndërsa ishte duke shkuar drejt Sifinit, Aliu thirri: “Bëhu i duruar, o Ebu Abdillah! Bëhu i duruar, o Ebu Abdillah, pranë bregut të Eufratit!”

Unë i thashë: Çfarë është kjo?

Ai (imam Aliu) tha: Një ditë hyra tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe sytë e tij po i rridhnin lot. I thashë: O i Dërguar i Allahut! A të ka hidhëruar ndokush? Pse po të rrjedhin sytë kështu?”

Ai (Profeti) tha: “Jo, por sapo u largua prej meje Xhibrili dhe më tregoi se Husejni do të vritet pranë bregut të Eufratit.”

Pastaj (Xhibrili) më tha: A dëshiron që të të jap të nuhasësh nga dheu i tij?”

Unë i thashë: “Po.” Ai (Xhibrili) zgjati dorën, mori një grusht nga dheu dhe ma dha mua. Unë nuk arrita t’i mbaj dot lotët që më rridhnin nga sytë.”

5- Muhamed ibn Sa‘di dhe të tjerë, ka transmetuar me rrugë të ndryshme, se Ali ibn Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur kaloi nga Kerbelaja, pranë disa pemëve të hënzallit (një bimë e egër), ndërsa po shkonte për në Sifin, pyeti për emrin e atij vendi. I thanë: Kerbela.

Tha: “(Ky është) vuajtje (kurb) dhe fatkeqësi (bela).”

Zbriti atje dhe fali namaz pranë një peme, pastaj tha: “Këtu do të vriten dëshmorë, që janë më të mirët nga dëshmorët përveç shokëve (të Profetit). Ata do të hyjnë në Xhenet pa llogari.”

Pastaj tregoi një vend aty dhe e shënuan atë me diçka. Dhe pikërisht në atë vend u vra Hysejni (Allahu qoftë i kënaqur me të).

6- Ebu Xhenab El Kelbi dhe të tjerë kanë treguar se banorët e Kerbelasë vazhdojnë të dëgjojnë vajin e xhinëve për Husejnin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe ato thonë:

“E fshiu i Dërguari ballin e tij, e në faqe i ndriti shkëlqimi;

prindërit e tij janë nga më fisnikët e Kurejshit, gjyshi i tij është më i miri ndër gjyshërit.

7- Ibn Asakiri ka transmetuar se një grup njerëzish shkuan në një luftë në tokat e Romës dhe gjetën në një kishë të shkruar:

A shpreson një popull që ka vrarë Hysejnin

ndërmjetësimin e gjyshit të tij në Ditën e Llogarisë?

Ata i pyetën: Kush e ka shkruar këtë?

Ata thanë: Kjo është shkruar këtu treqind vjet para se të dërgohej Profeti juaj.

8- Ka transmetuar Imam Ahmedi me zinxhirin e tij të transmetimit nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: E pashë Profetin ﷺ në ëndërr në mesditë, me flokët e çrregullt dhe me pluhur mbi vete. Ai mbante në dorë një shishe që kishte gjak në të. I thashë: “Qofsha i flijuar për ty, o i Dërguar i Allahut, çfarë është kjo?”

Tha: “Ky është gjaku i Husejnit dhe i shokëve të tij. Nuk kam pushuar duke e mbledhur atë që nga mëngjesi i sotëm.”

9- Tirmidhiu ka transmetuar me zinxhirin e tij të transmetimit te Selma, e cila ka thënë:

Hyra tek Ummu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe ajo po qante. I thashë: “Pse po qan?”

Tha: “E pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ në ëndërr, me pluhur mbi kokë dhe mbi mjekrën e tij. I thashë: “Çfarë ka ndodhur me ty, o i Dërguar i Allahut?”

Tha: “Porsa isha dëshmitar i vrasjes së Hysejnit.”

10- Ka transmetuar Muhamed ibn Sa‘d me zinxhirin e tij nga Shehr bin Hausheb, i cili ka thënë: Ne ishim tek Ummu Seleme, gruaja e Profetit ﷺ, kur dëgjuam një zë vajtues. Ajo erdhi derisa arriti tek Ummu Seleme dhe tha: “U vra Husejni.”

Tha Ummu Seleme: “E kanë bërë (atë krim)! I mbushtë Allahu varret e tyre, ose shtëpitë e tyre, me zjarr!” Pastaj ra pa ndjenja dhe ne u ngritëm (për ta ndihmuar).

11- Husejn ibn Idrisi ka transmetuar me zinxhirin e tij nga Ummu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të), e cila ka thënë: Kam dëgjuar xhinët duke vajtuar për Husejnin, dhe ato thoshin:

“O ju që e vratë padrejtësisht Husejnin,

gëzohuni (në të vërtetë) me dënimin dhe ndëshkimin!

Të gjithë banorët e qiellit luten kundër jush,

qoftë profet, i dërguar apo engjëll fisnik.

Ju jeni mallkuar në gjuhën e birit të Davudit,

dhe të Musait, e të zotërisë së Inxhilit (Isait).”

Është transmetuar edhe me një rrugë tjetër nga Ummu Seleme, me vargje të tjera përveç këtyre. Allahu e di më së miri (se cila është e saktë).

12- El Khatibi përcjell me zinxhirin e tij të transmetimit nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ka thënë: Allahu i Lartësuar i shpalli Muhamedit ﷺ: “Unë vrava për shkak të Jahjait, birit të Zekerijas, shtatëdhjetë mijë veta. Dhe Unë do të vras për birin e bijës sate (Husejnin) shtatëdhjetë mijë e shtatëdhjetë mijë veta.”

13- Tha‘labi ka transmetuar në librin e tij “Emali” nga Ebu Xhenab El Kelbij, i cili ka thënë:

Shkova në Kerbela dhe i thashë një burri prej fisnikëve të arabëve atje: “Më ka arritur lajmi se ju dëgjoni vajin e xhinëve?”

Ai tha: “Nuk takon askënd këtu që të mos ta ketë dëgjuar këtë.”

I thashë: “Më trego çfarë ke dëgjuar ti?”

Tha: “I kam dëgjuar të thonë:

E fshiu i Dërguari ballin e tij,

dhe në faqet e tij kishte shkëlqim.

Prindërit e tij janë prej më të lartëve të Kurejshit,

dhe gjyshi i tij më i miri ndër gjyshërit.”

14- Nga Ebu Tufejli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se ka thënë:

Një engjëll i shiut kërkoi leje që të përshëndeste Profetin ﷺ në shtëpinë e Ummu Selemes (Allahu qoftë i kënaqur me të). Profeti ﷺ tha:

“Mos lejo askënd të hyjë tek ne.”

Por erdhi Husejni, biri i Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), dhe hyri. Ummu Seleme tha: Është Husejni.

Profeti ﷺ tha: “Lëre të hyjë!”

Husejni filloi të ngjitej mbi qafën e Profetit ﷺ dhe të luante me të, ndërsa engjëlli e shikonte. Engjëlli i tha Profetit ﷺ: “A e do atë, o Muhamed?”

Ai tha: “Po, pasha Allahun, unë e dua!”

Engjëlli i tha: “Eh, vërtetë, umeti yt do ta vrasë atë. Nëse dëshiron, ta tregoj vendin ku do të vritet.”

Pastaj engjëlli shtriu dorën e mori një grusht dhe nga dheu. Ummu Seleme e mori atë dhe e lidhi në shaminë e saj. Atyre u dukej se ky dhe ishte nga Karbala.

E ka transmetuar Taberaniu dhe zinxhiri i transmetimit është i mirë (hasen).

Pavarësisht ndarjeve në medhhebe, të gjithë muslimanët e njohin Huseinin si një figurë të shenjtë dhe të përkushtuar për fenë, veçanërisht për sakrificën e tij të madhe në Betejën e Kerbelës.

Kerbelaja është një ngjarje historike që i përket të gjithëve muslimanëve, pavarësisht ndarjeve të tyre në medhhebe. Ajo përfaqëson një akt të madh të sakrificës dhe qëndresës për të vërtetën, për të mbrojtur Islamin dhe moralin e lartë. Imam Husejni dhe shokët e tij i dhanë jetën për të mbrojtur vlerat e Islamit dhe kundërshtimin e padrejtësisë. Pjesa më e madhe e muslimanëve e nderon këtë akt të madh të sakrificës dhe shpesh përmend ngjarjen si një mësim për besimin dhe bashkim ë jetën e muslimanëve.

Paqja qoftë mbi imam Husejnin, mbi fëmijtë e tij dhe mbi shokët e tij!

-Haxhi Shejkh, Vullnet Merja