Studiuesit e çështjeve fetare i kërkuan udhëheqësit Khamenei të shprehë mendimin e tij rreth asaj që është përmendur për ofendimin e qartë dhe fyerjen me fjalë të ulëta dhe fyese ndaj Aishes në këtë pyetje fetare (istifta’):

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Drejtuar fort të nderuarit, Ajatullahu, të Madh, Sejid Ali Khamenei El Husejni, (E zgjatë Allahu hijen e tij të bekuar!),

Es selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu

Umeti islam po kalon një krizë metodologjike që çon në ndezjen e përçarjeve mes ndjekësve të shkollave islame dhe në mungesën e kujdesit ndaj përparësive të bashkimit të radhëve të myslimanëve. Kjo ka qenë burim i përçarjeve të brendshme dhe i shpërndarjes së përpjekjes islame në çështje të ndjeshme dhe jetike. Si rezultat i kësaj metode ekstreme, është shfaqur një dukuri e dëmshme që përfshin fyerjen e qëllimshme dhe të përsëritur të figurave dhe shenjtërive të ndjekësve të nderuar të shkollës sunite.

Cili është qëndrimi i Lartmadhërisë suaj ndaj asaj që shfaqet në disa media si televizione dhe internet nga disa persona që i atribuohen dijes, ku ofendohet në mënyrë të qartë dhe fyhet me fjalë të ulëta dhe fyese gruaja e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), nëna e besimtarëve, zonja Aishe, duke e akuzuar për gjëra që cenojnë nderin dhe dinjitetin e bashkëshorteve të Profetit, nënat e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me to)!?

Ju lutemi të na nderoni me shpjegimin e qëndrimit fetar në mënyrë të qartë për shkak të trazirës që kanë shkaktuar këto provokime fyese në mesin e shoqërisë islame dhe për shkak të gjendjes së tensionuar shpirtërisht mes myslimanëve ndjekës të shkollës së Ehli Bejtit (alejhimus-selam) dhe myslimanëve të tjerë nga medhhebet islame, meqë këto fyerje janë shfrytëzuar në mënyrë sistematike nga disa dashakeqës dhe nxitës të përçarjeve në disa televizione dhe faqe interneti për të ngatërruar dhe destabilizuar arenën islame dhe për të ndezur përçarjen mes myslimanëve.

Në përfundim, qofshi gjithmonë mbështetje dhe krenari për Islamin dhe myslimanët.

Një grup dijetarësh dhe intelektualësh nga Ahsa (në Arabinë Saudite) 4 Shaual 1431 hixhri

Dhe imam Sejid Ali Khamenei lëshoi këtë fetva si përgjigje ndaj kësaj kërkese:

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu

Ndalohet (është haram) të sulmohen figurat e nderuara të vëllezërve tanë sunitë, e lëre më të akuzohet gruaja e Profetit (paqja qoftë mbi të) me diçka që cenon nderin e saj. E, kjo është diçka e pamundur (e përjashtuar) për gratë e profetëve, sidomos për gratë e udhëheqësit të tyre, Profetit më të madh (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Qofshi të suksesshëm në çdo të mirë.