Një nga kanalet satelitore të paguara nga qarqe që nuk ia duan të mirën as Islamit e as muskimanëve, i cili gjithmonë ka shërbyer në favor të armiqve të Ehli Bejtit, u publikua një mesazh në të cilin kundërshtohej përkujtimi i ditës së Ashurasë, duke pretenduar se kjo ngjarje ka ndodhur para 1386 vjetëve dhe se përmendja e saj nuk sjell asnjë dobi.
Ne i përgjigjemi kështu: Ky kundërshtim tregon për moskuptimin e Kur’anit të Shenjtë, në të cilin Allahu e urdhëron Profetin e Tij të njoftojë njerëzit për një ngjarje të përgjakshme që ka ndodhur mijëra vjet më parë: “Dhe lexoju atyre me të drejtë lajmin e dy bijve të Ademit: kur ofruan një kurban dhe u pranua nga njëri prej tyre, e nuk u pranua nga tjetri. Ai (që nuk iu pranua) tha: ‘Do të të vras!’”
(Sure “Maide”, ajeti 27)
Sa mijëra vjet kishin kaluar nga koha e krimit të Kabilit kundër Habilit e deri te koha e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)? Përse Allahu e urdhëron Profetin e Tij t’ua lexojë atyre këtë ngjarje tragjike dhe krim të urryer, edhe pse ka ndodhur mijëra vjet më parë?
A nuk ka në këtë mësim për ata që kanë mend, në çdo kohë dhe vend, që të kujtojnë krimet e armiqve të Allahut kundër të dashurve të Tij, në mënyrë që të jenë në anën e të dashurve të Allahut dhe të armiqësohen me armiqtë e Tij?
Po ashtu, edhe përmendja nga ana e shiitëve të Ehlil Bejtit në çdo kohë dhe vend e fatkeqësive të Kerbelasë, është për të forcuar dashurinë e tyre ndaj Husejnit, i cili mbrojti fenë e gjyshit të tij (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij). Gjithashtu, përmendja e Kerbelasë bëhet për të shprehur armiqësinë dhe distancimin nga armiqtë e imam Husejnit, sepse në realitet, ata janë armiq të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij.
Prandaj, kundërshtimi i përmendjes së Ashurasë dhe i ndodhisë së Kerbelasë për shkak të kalimit të një kohe të gjatë, bie ndesh me ajetet e Kur’anit të Shenjtë, i cili jo vetëm që përmend por edhe urdhëron përmendjen e përballjes mes së drejtës dhe së padrejtës përgjatë epokave.
“Merrni mësim, o ju që keni mend!”
(Sure “El Hashr, ajeti 2)
