Ne shpeshherë dërgojmë salavate mbi Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), por a të ka bërë ndonjëherë të reflektosh mbi kuptimin e këtij veprimi?
Është transmetuar nga Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), në komentimin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Vërtet Allahu dhe engjëjt e Tij e dërgojnë bekimet mbi Profetin. O ju që besuat! Dërgoni bekime mbi të dhe përshëndeteni me paqe të plotë!” (Sure “El Ahzab”, ajeti 56)
Imami ka thënë: “Salavati nga ana e Allahut është mëshirë, nga ana e engjëjve është pastrim dhe nderim, e nga ana e njerëzve është lutje.”
Të falënderosh për mirësitë dhe të mirat është virtyt i fisnikëve dhe i njerëzve të mençur, ndërsa mosmirënjohja është shenjë e poshtërsisë dhe e dobësisë shpirtërore.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka mirëdi dhe mirënjohje të pakrahasueshme për çdo mysliman. Ai ishte që na nxori nga errësirat në dritë përmes mesazhit të tij.
Ai sakrifikoi, u lëndua për hir të Allahut, luftoi dhe e kaloi tërë jetën e tij në mënyrë që ne të bëhemi njerëz të Allahut dhe robër të devotshëm, në mënyrë që të jemi me të (Profetin) pranë Allahut, dhe larg nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij.
E, cili mirëbërës ka bërë një mirësi më të madhe se kjo?!
Sado që të veprojmë, ne nuk jemi në gjendje ta shpërblejmë Profetin për këtë mirësi të madhe. Prandaj, nuk na mbetet gjë tjetër përveçse të kthehemi me përulësi te i Larti dhe Bujari Zot dhe t’i lutemi Atij që ta shpërblejë të Dërguarin e Tij në emrin tonë, dhe t’i japë atij shpërblimin më të mirë.
Dërgimi i salavateve për Profetin përmban kuptimin e njohjes, pranimit dhe mirënjohjes për këtë mirësi madhështore. Dërgimi i salavatit është një vepër që e do Allahu dhe i Dërguari i Tij nga ne, sepse Ai na sheh si robër falënderues. E ai që Allahu e sheh si të tillë, do ta shpërblejë me një shpërblim aq të madh saqë do t’i mahnitë mendjet.
All’llahumme sal’li ala Muhammedin ue ali Muhammed
O Allah! Bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit!
