Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Ndjekësit (shiitët) tanë janë ata që e njohin Allahun, veprojnë sipas urdhrit të Tij, janë njerëz virtyti, flasin drejt, ushqimi i tyre është vetëm aq sa për nevojë, veshja e tyre është modeste dhe ecja e tyre është me përulësi. Ata ia kanë dorëzuar jetën e tyre Allahut me bindje ndaj Tij dhe i janë nënshtruar Atij në adhurim. Ata ecin përpara (në jetë) duke i larguar shikimet nga ato që Allahu i ka ndaluar për ta, dhe duke ia përqendruar dëgjimin e tyre diturisë së fesë së tyre. Njerëzit e tillë janë të njëjtë si në kohë sprovash ashtu edhe në kohë begatie. Janë të kënaqur me atë që ka caktuar Allahu për ta. Po të mos ishte për afatet e jetës që Allahu ua ka caktuar, shpirtrat e tyre nuk do të qëndronin as për një çast në trupat e tyre, nga dëshira e madhe për të takuar Allahun dhe për të fituar shpërblimin e Tij, si dhe nga frika prej dënimit të dhimbshëm.

Krijuesi është bërë i madh në zemrat e tyre dhe gjithçka tjetër është bërë e vogël në sytë e tyre. Ata janë sikur ta kishin parë Xhenetin, dhe mendojnë sikur janë ulur në kolltukët e tij të rehatshëm. Ata janë sikur ta kishin parë Zjarrin (e Xhehenemit), dhe ndihen sikur po torturohen në të.

Ata duruan disa ditë të pakta (në këtë botë), e që më pas u solli një rehati të gjatë (në Botën Tjetër). Dunjaja (bota) i kërkoi, por ata nuk e dëshiruan. Ajo i ndoqi, por ata e mundën dhe e lanë pas.

Ndërsa natën, ata janë të qëndrojnë në këmbë, duke recituar pjesë nga Kur’ani dhe duke e shqiptuar atë në mënyrë të bukur. E këshillojnë veten me shembujt e tij dhe e shërojnë sëmundjen e shpirtit me ilaçin e tij. Herë pas here, e vendosin ballin, trupin, gjunjët dhe këmbët e tyre mbi tokë, dhe u rrjedhin lotët mbi faqet e tyre. E madhërojnë Zotin e Fuqishëm dhe i drejtohen Atij me britma në kërkim të shpëtimit të qafave të tyre (nga zjarri). Kjo është nata e tyre.

Ndërsa dita e tyre është si e njerëzve të urtë, dijetarë, të devotshëm, të drejtë. Frika nga Krijuesi i tyre i ka formuar (e edukuar), dhe për këtë arsye janë si shigjeta (të mprehta e të sakta). Kur i sheh, të duket sikur janë të sëmurë, e sikur janë të hutuar, por nuk janë ashtu. Ajo që i ka prekur është madhështia e Zotit të tyre dhe fuqia e Tij e madhe, saqë u janë tronditur zemrat dhe janë hutuar mendjet e tyre.

Kur i kaplon dëshira (për më shumë afërsi me Zotin), i drejtohen menjëherë Allahut me vepra të pastra. Nuk kënaqen me pak për Allahun dhe nuk e konsiderojnë të shumtë atë që japin për Të. Ata janë vetëkritikë ndaj vetes së tyre dhe kanë frikë për veprat e tyre…”

Burimi: “Biharul Anuar”, vëll. 75, f. 29.