Nëse leximi i Kur’anit bëhet në mënyrë të saktë dhe të bukur, atëherë ai duhet të na sjellë dy përfitime:
-I pari: Të thellojë shpirtëroren tonë dhe ta forcojë atë. Ne jemi të mbytur në çështje materiale, ndërkohë që njeriu ka nevojë për orientim dhe ushqim shpirtëror, dhe këtë e arrijmë përmes leximit të Kur’anit, nëse e lexojmë bukur dhe me përkushtim.
-I dyti: Ta zgjerojë mendimin tonë dhe ta ushqejë atë me njohuri kuranore; domethënë, Kur’ani ndikon në zemrat tona, por gjithashtu ndikon edhe në mendjet tona. Nëse e duam dhe ndjejmë afri me Kur’anin, shumë nga konceptet e jetës do të na bëhen të qarta.
Devijimet, keqkuptimet, dëshpërimi, tradhtitë ndërmjet njerëzve, armiqësitë e tyre ndaj njëri-tjetrit, poshtërimi i njeriut përballë tiranëve të botës, e të tjera si këto, të gjitha burojnë nga largësia prej Kur’anit. Kur’ani na jep shpirtëroren dhe na jep gjithashtu dijeninë.
Porisia e fundit është që të mos e lini mbështetjen te Allahu, as kërkimin e ndihmës prej Tij, as lutjen dhe as shpirtëroren. Mos e braktisni shoqërimin me Kur’anin, mos e braktisni lidhjen me Ehli Bejtin, dhe mos e harroni shmangien e mëkateve dhe gabimeve. Shmangia e mëkateve ka qenë ndër më të theksuarat që na kanë këshilluar ata njerëz të cilëve u japim nderim dhe vlerë të madhe për çdo fjalë të tyre, madje kjo ka qenë ndoshta në krye të këshillave të tyre. Prandaj, përforcojeni këtë sjellje në vetveten tuaj, në familjet tuaja, te fëmijët tuaj dhe te çdokush që ka lidhje me ju.
Vërtet, begatitë e Kur’anit nuk kufizohen vetëm në këto çështje që i kam përmendur me gjuhën time të mangët, por janë begati të pafundme. Në Kur’an dhe përmes Kur’anit gjenden nderi, forca, përparimi, mirëqenia materiale, ngritja shpirtërore, përhapja e mendimit dhe besimit, gëzimi dhe qetësia e shpirtit, siç thotë Allahu:
فَأَنزَلَ ٱللَّهُ سَكِينَتَهُۥ عَلَىٰ رَسُولِهِۦ وَعَلَى ٱلۡمُؤۡمِنِينَ وَأَلۡزَمَهُمۡ كَلِمَةَ ٱلتَّقۡوَىٰ وَكَانُوٓاْ أَحَقَّ بِهَا وَأَهۡلَهَاۚ
“Allahu e zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët, dhe i përforcoi ata me fjalën e devotshmërisë, dhe ata ishin më të denjë për të dhe të zotët e saj.” (Surja “el-Feth”, 26)
Kur vendoset qetësia, siguria dhe paqja shpirtërore, atëherë shtohet devotshmëria, siç thotë Allahu:
هُوَ ٱلَّذِيٓ أَنزَلَ ٱلسَّكِينَةَ فِي قُلُوبِ ٱلۡمُؤۡمِنِينَ لِيَزۡدَادُوٓاْ إِيمَٰنا مَّعَ إِيمَٰنِهِمۡۗ
“Ai është që e zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve, për t’ua shtuar atyre besimin mbi besimin që kishin.” (Surja “el-Feth”, 4)
Kjo do të thotë se qetësia shpirtërore çon në rritje të besimit, ditë pas dite. Por besim në çfarë? Besim në Allahun, në fuqinë hyjnore. Pastaj thotë:
وَلِلَّهِ جُنُودُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِۚ
“Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të tokës.” (Sureja “el-Feth”, 4)
Çdo gjë është në dorën e Allahut, çdo gjë është ushtar i Tij. Dhe në një vend tjetër thotë:
وَمَا يَعۡلَمُ جُنُودَ رَبِّكَ إِلَّا هُوَۚ
“Askush nuk i di ushtritë e Zotit tënd, përveç Atij.” (Surja “el-Muddethir”, 31)
Imam Sejid Ali Khammenei
[Fragment nga një fjalim i tij (ju shtoftë jeta!), mbajtur më 07/06/2016]
