Krimet kundër njerëzimit janë ndër shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe të vetë ndërgjegjes njerëzore. Ato përfshijnë vrasje masive, tortura, dëbime me forcë, skllavëri, persekutime politike e fetare, bllokadë dhe akte të tjera të dhunshme që kryhen në mënyrë të qëllimshme kundër civilëve. Megjithatë, historia na tregon se shumë herë këto krime ndodhin përballë syve të politikës ndërkombëtare dhe ajo hesht ose tregohet dyfytyrake. Pse ndodh kjo? Cilat janë arsyet që e bëjnë politikën shpesh të verbër dhe të shurdhër ndaj mizorive të tilla? Prej arsyeve janë:

1- Interesat politike dhe ekonomike mbi drejtësinë

Shumë vende dhe aktorë politikë vënë interesat e tyre kombëtare ose strategjike përpara parimeve të të drejtës ndërkombëtare. 

Për shembull: Nëse një regjim që kryen krime ka pasuri natyrore (si nafta) apo është një aleat strategjik në një rajon të tensionuar, fuqitë e mëdha mund të zgjedhin të mos ndërhyjnë apo të minimizojnë krimet për të ruajtur aleancat.

Disa shtete përdorin standarde të dyfishta: dënojnë krimet e kundërshtarëve, por heshtin ndaj krimeve të aleatëve të tyre. Shembulli real sot është Gaza. 

2- Frika nga pasojat politike dhe ushtarake

Denoncimi i krimeve kundër njerëzimit shpesh kërkon masa konkrete, si vendosja e sanksioneve apo edhe ndërhyrje ushtarake. Mirëpo kjo nuk shihet sot. U vihen sanksione shteteve apo organizatave apo individëve që flasin të vërtetën dhe e mbrojnë atë. Ndërsa për xhelatët mjaftohen vetëm me blla blla blla. Politikanët hezitojnë të marrin hapa të tillë sepse përballen me pasoja të paparashikueshme, si luftëra të reja, krizë refugjatësh apo përkeqësim të marrëdhënieve diplomatike.

3- Kontrolli i informacionit dhe propaganda

Shumë regjime që kryejnë krime kundër njerëzimit janë të zotë në fshehjen e fakteve, përdorimin e propagandës dhe manipulimin e realitetit. Këtë bën sot regjimi fëmijëvrasës në Gaza, i cili i mbulon krimet e tij me propagandë dhe manipulim.

Politika shpesh mbështetet te burime zyrtare ose diplomatike, dhe kur këto burime janë të kontrolluara, e vërteta fshihet ose del me vonesë.

Media ndërkombëtare mund të mos ketë qasje të lirë, duke e bërë të vështirë presionin publik. 

4- Mungesa e një rendi botëror të drejtë dhe funksional

Organet ndërkombëtare, si OKB-ja, janë të kufizuara në fuqi, sidomos kur interesat e fuqive të mëdha përplasen.

Vendet me veto në Këshillin e Sigurimit (si SHBA, Rusia, Kina) mund ta bllokojnë çdo përpjekje për ndëshkimin e krimeve nëse ato bien ndesh me interesat e tyre.

5- Apatia dhe normalizimi i dhunës

Kur krimet përsëriten dhe botës i mungon një përgjigje e shpejtë, ndodh një lloj normalizimi i dhunës. Politika më pas e sheh si “një çështje të vështirë e të komplikuar”. Shumë politikanë zgjedhin mos të përzihen, duke mos rrezikuar imazhin apo interesat e tyre në emër të një parimi. Me një fjalë hiqen indiferent ndaj krimeve kundër njerëzimit

Shembuj konkretë të krimeve kundër njerëzimit: 

Ruandë (1994). Gjenocidi u zhvillua para syve të botës, por nuk pati reagim të menjëhershëm nga fuqitë kryesore.

Bosnja (1995 – Masakra e Srebrenicës). Edhe pse në Evropë, forcat ndërkombëtare dështuan të ndalojnë vrasjen e mbi 8000 civilëve. 

Rrënimi i Gazës dhe krimet në Palestinë.

Përballë mizorive të dokumentuara në Gaza, shumë vende perëndimore heshtin ose ofrojnë mbështetje për agresorin shtypësin dhe vrasësin e pamëshirshëm. Po ashtu shohim një heshtje edhe në politikën arabo-muslimane. 

Heshtja e politikës ndaj krimeve kundër njerëzimit nuk është çështje e padijes apo mungesës së informacionit, por një përzierje komplekse e interesave, frikës, hipokrizisë dhe paaftësisë. Megjithatë, zëri i njerëzve liridashës, organizatave joqeveritare, aktivistëve dhe mediave të pavarura, mund ta thyejë këtë heshtje. Vetëm kur shoqëria civile ngrihet dhe kërkon llogari, politika fillon të veprojë.

Vrasja, barbarizmi, uria dhe gjenocidi që po ndodh sot në Gaza është një njollë e madhe turpi për politikën ndërkombëtare. Heshtja para padrejtësisë nuk është neutralitet, është bashkëfajësi në krim e në gjenocid. 

Në ajetin 42 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar thotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë zullumqarët. Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” 

Të gjithë do japin llogari për heshtjen ndaj krimeve kundër njerëzimit.