Disa njerëz, edhe sikur qielli të zbresë mbi tokë, nuk e përkulin zemrën dhe nuk besojnë, sepse brenda tyre ka errësirë dhe ngurtësi që ua mbyll dyert e udhëzimit. Këta njerëz mund ta recitojnë Kur’anin me gjuhë, por zemrat e tyre mbeten larg shpirtit të tij, larg pasurisë së kuptimeve dhe larg dritës së udhëzimit hyjnor.
Allahu i Madhëruar e përshkruan këtë realitet kur thotë: “A nuk meditojnë ata mbi Kur’anin, apo zemrat e tyre janë të kyçura?” (Sure Muhammed, ajeti 24). Ky përshkrim tregon se problemi nuk është tek mungesa e dijes, por tek mungesa e përulësisë, sinqeritetit dhe pranisë shpirtërore.
Ne duhet t’i afrohemi Kur’anit me zemër të hapur, sepse ai është burimi i urtësisë, thesari i dritës dhe udhëzuesi i çdo rruge që njeriun e nxjerr nga errësira drejt dritës.
Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e drejta.” (Sure El-Isra, ajeti 9). Ky ajet na kujton se Kur’ani nuk është thjesht një libër fjalësh, por një dritë që shfaq të vërtetën më të pastër dhe të drejtën më të lartë.
Ai i orienton zemrat drejt rrugës së maturisë, drejtësisë, mëshirës dhe pastërtisë së shpirtit. Çdo ajet që zbret, zbret për ta ngritur njeriun, për t’ia ndriçuar mendjen dhe për ta mbrojtur nga shtrembërimet e kësaj bote.
Dhe Allahu e plotëson këtë urtësi kur thotë: “Ne po e shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (Sure El-Isra, ajeti 82). Sa madhështor është ky premtim hyjnor! Kur’ani nuk është vetëm udhëzim, por edhe balsam që shëron plagët e zemrës, heq brengat e shpirtit dhe i jep njeriut forcë kur bota i rëndon mbi shpatulla.
Fjalët e tij janë ilaç për shqetësimet, dritë për zemrat e lodhura dhe mbrojtje për ata që i afrohen me besim dhe sinqeritet. Kështu, Kur’ani bëhet udhërrëfyes, shërues dhe mëshirë, një dhuratë hyjnore që nuk shuhet dhe një dritë që nuk zbehet kurrë.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) thotë në “Nahxhul Belaga” se “Kur’ani është drita që nuk shuhet, udhërrëfyesi që nuk e çon njeriun në humbje dhe ilaçi që nuk gabon në shërimin e tij”.
Kur zemra hapet për këtë dritë hyjnore, gjoksi i njeriut zgjerohet, shpresa ringjallet dhe besimi bëhet i palëkundur. Kur njeriu zhytyet në epshe, në dëshira boshe dhe në kënaqësitë e kësaj bote, ai largohet nga Kur’ani, dhe zemra i ngjan një pasqyre të zënë nga pluhuri që nuk reflekton dritë.
Allahu thotë: “A është ai të cilit Allahu ia ka hapur gjoksin për Islamin dhe ecën në dritë nga Zoti i tij (i njëjtë) me atë që zemra i është ngurtësuar?” (Sure Ez-Zumer, ajeti 22).
Hadithi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), tek “Bihar al-Anwar”, na kujton: “Ky Kur’an është këshilluesi më i sinqertë, udhëzuesi më i qëndrueshëm dhe ai që nuk të mashtron kurrë.” Nëse zemra nuk përfiton prej tij, problemi nuk qëndron tek drita, por tek pasqyra e njeriut që e ka lënë të errësohet nga mëkatet.
Fatkeqësisht, bota islame ka filluar ta largoje dorën nga Kur’ani, duke u mjaftuar me recitim pa reflektim, me dëgjim pa meditim dhe me zbukurim pa zbatim. Allahu paralajmëron: “Kush largohet nga përkujtimi Im, ai do të ketë jetë të vështirë.” (Sure Ta Ha, ajeti 124).
Historia e civilizimit islam është dëshmi se sa herë muslimanët u kapën fort pas Kur’anit, u ngritën në dije, në moral dhe në drejtësi dhe sa herë e lanë pas shpine, u përplasën me përçarje, dobësi dhe humbje të nderit.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Askush nuk do të humbasë kur të kapet me Kur’anit, dhe askush nuk do të shpëtojë kur ta braktisë atë.”
Edhe shkenca moderne, me gjithë kufizimet e saj, ka nisur të zbulojë ndikimin e jashtëzakonshëm të leximit kur’anor. Studime neuroshkencore tregojnë se tingulli i Kur’anit ul frekuencat e stresit, qetëson sistemin nervor dhe stabilizon ritmin e zemrës.
Në një studim të realizuar me rezonancë magnetike, u pa se recitimi i ajeteve të Kur’anit aktivizon zonat e trurit që lidhen me fokusin, qetësinë dhe ekuilibrin emocional. Kjo tregon se Kur’ani nuk flet vetëm me shpirtin, por edhe me natyrën fizike të njeriut. A nuk është kjo një shenjë e qartë dhe nje argument hyjnor?
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kur’ani është litar i fortë i Allahut, i shtrirë mes qiellit dhe tokës; kush i kapet atij, nuk do të devijojë kurrë.”
Ky hadith i bekuar na zbulon madhështinë e lidhjes që Kur’ani krijon midis njeriut dhe Zotit të tij. Ai nuk është thjesht një libër për t’u lexuar, por një urë hyjnore, një lidhje që e mban njeriun të qëndrueshëm mes dallgëve të jetës dhe e ngre shpirtin drejt dritës së përjetshme.
Të kapesh pas Kur’anit do të thotë të kapesh pas sigurisë, pas drejtësisë dhe pas së vërtetës që nuk lëkundet. Ai është mbështetja që nuk këputet, udhëzuesi që nuk gabon dhe mbrojtësi që nuk të braktis.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur’ani është marrëveshja e Allahut me robërit e Tij. Njeriu nuk duhet ta lexojë si një tekst të zakonshëm, por si mesazhin që Zoti ia drejton atij në çdo ajet.”
Imam Bakiri (Paqja qoftë mbi të) shton: “Lexo Kur’anin me zërin tënd, sepse zëri i bukur e stolis Kur’anin.”
Kush e merr Kur’anin si shok, si këshilltar dhe si udhërrëfyes, ecën në një rrugë të ndriçuar dhe nuk bie në humbje, sepse po mbahet fort pas litarit të Zotit që garanton shpëtim në këtë botë dhe në tjetrën.
Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu: “Ky është një Libër që Ne ta zbritëm ty, i bekuar, që ata të meditojnë mbi ajetet e tij dhe që njerëzit e mendjes të marrin mësim.” (Sure Sad, ajeti 29). Ky ajet tregon qartë se qëllimi i Kur’anit nuk është vetëm recitimi, por meditimi i thellë dhe zbatimi.
Në fund, ne i drejtohemi Allahut me lutje, sepse zemrat e gjalla i kthehen Kur’anit dhe zemrat e vdekura ringjallen me të:
O Zot, na jep jetë me Kur’anin dhe na bëj prej atyre që e lexojnë, e kuptojnë dhe e zbatojnë.
O Zot, na ringjall me dritën e tij dhe na bashko me të në Ditën e Gjykimit.
O Zot, forco zemrat tona me dritën e Tij dhe shkruaj dobësimin e armiqve të Kur’anit.
O Zot, na dhuro dije të vërtetë, shpirt të pastër dhe rrugë drejt shërbimit të sinqertë ndaj Librit Tënd të Madhërishëm.
