Me rastin e ditëlindjes së Imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ju përcjell urimet më të përzemërta dhe e lus Allahun e Madhëruar që të na mbarësojë të gjithëve në këtë jetë dhe të na bashkojë me Profetin dhe me familjen e tij të pastër në Jetën Tjetër!
Të flasësh për prijësin e besimtarëve, imam Aliun (paqja qoftë mbi të!) nuk është e thjeshtë, sepse personaliteti i tij nuk ka pozitë të lartë vetëm tek myslimanët, por tek e gjithë shoqëria njerëzore. Kemi të bëjmë me një personalitet, i cili ka cilësitë dhe vitytet më të larta, pas vulës së profetësisë, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Jeta e tij ka qenë e tëra Islam. Për këtë, kur flasim për imam Aliun, flasim për Islamin, fenë e fundit të Allahut.
Prania e Imam Aliu nuk ka qenë e kufizuar vetëm me kohën e tij, por me mendimin dhe gjenialitetin e tij ka qenë përtej kohërave. Personaliteti i imam Aliut e meriton të jetë shembull dhe model për personalitetin e çdo myslimani, pas profetit Muhamed, sepse ai u rrit dhe u edukua në medresenë e Profetit, e cila ishte medreseja e Allahut. Profeti Muhamed ka qenë mësuesi dhe edukuesi i imam Aliut.
Qëllimi kryesor i medresesë së Ehli Bejtit të profetit Muhamed (paqja qoftë mbi ta!) ka qenë mbrojtja e Sheriatit që solli profeti Muhamed, nga ana teorike dhe praktike. Të gjithë imamët e Ehli Bejtit sakrifikuan me gjithçka për këtë qëllim dhe askush të mos mendojë se ata sollën Sheriat tjetër.
Nëse e studiojmë me vëmendje jetën e imam Aliut, larg çdo fanatizmi apo botëkuptimi të ngushtë, do të vërejmë se jeta e tij nga lindja e deri te martirizimi, ndahet në pesë faza:
E para: Nga lindja (13 rexheb), tridhjetë vjet pas vitit të Elefantit (që përkon me vitin 600 të erës sonë), e deri më 27 Rexheb (data e dërgimit të Profetit)-(10 vjet).
Në këtë fazë vlen të përmendet ndodhia më e rëndësishme, e cila është lindja e imam Aliut brenda në Qabe. Prindërit e Aliut ishin Ebu Talibi, djali i Abd’ul-Muttalibit dhe Fatimeja, e bija e Esadit – që të dy nga Hashimitët. Në atë kohë, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka qenë 30 vjeç.
Lindjen e imam Aliut brenda në Qabe e përmendin edhe dijetarët e historianët. Historiani i famshëm Mes’udiu, në faqen 76 të vëllimit të dytë të librit të tij “Muruxh’udh-Dheheb”, shkruan se njëra nga cilësitë unike të imam Aliut ishte fakti se kishte lindur brenda Shtëpisë së Zotit. Edhe disa dijetarë të tjerë e kanë konfirmuar lindjen e tij në Qabe.
Ndër dijetarët e tjerë që e përmendin këtë ndodhi, janë: Hakimi në veprën “El-Mustadrak”, vëll.3, fq.483, Halabiu në veprën “Sira”, vëll.1, fq.156, Sibt ibn el-Xheuziu në veprën “Tadhkera Khavasil Ummah”, fq.7, Ibn Sabbagh Melekiu në veprën “Fusul’ul-muhimme”, fq.14, Muhammed ibn Jusuf Shafiu në “Kifajet el-Talib”, fq.261, Shablanxhiu në veprën “Nur’ul-Ebsar”, fq.76 etj.
Nga historianët bashkëkohorë, Abbas Mahmud el-Ukkad nga Egjipti, në veprën e tij “El-Ekberrijet el-Imam Ali” (botuar në Kairo, 1970), shkruan se Ali ibn Ebu Talibi lindi brenda Qabes. Një historian tjetër bashkëkohor, Mahmud Said Tantaviu, nga Këshilli Suprem i Çështjeve Islame të Republikës Arabe të Egjiptit, në faqen 186 të librit të tij “Min Fada-il el-Ashrat el-Mubashirin bil Xhenne”, të botuar në vitin 1976 nga Matab el-Ahram et-Tixharijja në Kairo, shkruan: “Zoti e mëshiroftë Ali ibn Ebu Talibin! Ai lindi brenda Qabes. Ai ishte dëshmitar i rritjes së Islamit, dëshmitar i përpjekjeve të Muhammedit dhe dëshmitar i Shpalljes. Ai menjëherë e pranoi Islamin, ndonëse ishte fëmijë dhe gjatë gjithë jetës luftoi që fjala e Zotit të sundonte mbi Tokë.”.
Aliu është personi i parë dhe i fundit që ka lindur në Qabe.
Tek arabët ekzistonte tradita që fëmija i sapolindur të vendosej tek këmbët e idhullit ose idhujve të fisit, duke ia dedikuar kështu fëmijën perëndisë pagane. Të gjithë fëmijët arabë i ishin “dedikuar” një perëndie pagane, përveç Ali ibn Ebu Talibit. Kur fëmijët e tjerë arabë lindnin, ndonjë politeist shkonte dhe i merrte në krahë. Kur lindi Aliu, ishte Muhamedi, vetë i Dërguari i Zotit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili erdhi deri në Qabe, e mori në krahë dhe ia dedikoi këtë foshnje Zotit të Vetëm. Profeti i ardhshëm, mbase e dinte se foshnja që mbante në krahë, një ditë do ta dëbonte idhujtarinë nga Arabia me shpatën e tij.
Ndodhia tjetër ishte edhe marrja përsipër e rritjes së imam Aliut nga ana e Profetit, sepse Ebu Talibi kishte shumë fëmijë dhe ishte i dobët ekonomikisht. Për këtë, Profeti mori imam Aliun, kurse xhaxhai i tij, Abbasi mori vëllanë e imam Aliut Xhaferin.
E dyta: Nga dërgimi profetik e deri në hixhret (13 vjet). Edhe kjo periudhë ka qenë e mbushur me shumë ndodhi. Ndër to, përmendim ndodhinë e paralajmërimit apo të informimit të fisit, ku Allahu i Madhëruar e urdhëroi profetin Muhamed që të mblidhte fisin e tij për të mësuar prej tyre se kush do ta përkrahte dhe kush do të ishte pasardhësi i tij: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm!” Këtë e përsëriti tri herë (pra e ftoi fisin e tij tri herë dhe në të tri herët ishte vetëm imam Aliu ai që e pranoi ftesën e Profetit, edhe pse ishte më i riu.)
Ndodhia e dytë është ajo e fjetjes në shtratin e Profetin në kohën që Profeti doli nga Meka për të emigruar në Medine. Këtë ndodhi e përmend edhe Kur’ani në suren “Bekare”, ajeti 207, ku thuhet: “Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i Mëshirshëm me robtë e Vet.”
E treta: Nga hixhreti e deri në ndarjen nga jeta të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)-(10 vjet). Atëherë imam Aliu ishte 33 vjeç. Edhe kjo periudhë e jetës së tij të begatë ka qenë e mbushur plot me ndodhi. Sepse në këtë periudhë edhe Islami mori një rrjedhë tjetër, duke u zgjeruar më shumë. Ndodhia e parë, është ajo e vëllazërimit që bëri Profeti kur mbërriti në Medine mes emigrantëve dhe përkrahësve. Në këtë periudhë janë zhvilluar shumë beteja, si: Beteja e Bedrit, e Uhudit, e Khandekut e Khajberit (hadithi i flamurit), beteja e Tebukut (Ai nuk mori pjesë. Munafikët filluan të thonin se e la me gratë e me pleqtë). Imam Aliu e ndoqi Profetin dhe Profeti i tha: “A nuk dëshiron të jesh tek unë si Haruni tek Musai, veçse nuk ka profet pas meje?”
Në këto tri faza na sqarohet se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me thëniet dhe veprimet e tij ndaj imam Aliut ka dashur t’u tërheqë vëmendjen myslimanëve se ai ishte më i miri, më i devotshmi, më trimi, më asketi etj.
E katërta: Është periudha e tre halifave {pra nga Sakifja e Beni Saide e deri në vdekjen e Osman ibn Afan (dhe kjo periudhë është 25 vjet)}. Gjatë gjithë këtyre periudhave, qëllimi kryesor i imamit ka qenë: mbrojtja e mesazhit islam/ mbrojtja e Kur’anit {Imami e tuboi së bashku me sqarimin, komentimin, shkaqet e zbritjes e të tjera: “Jam betuar që të mos dal nga shtëpia vetëm se ditën e xhuma, derisa ta grumbulloj Kur’anin.” (Xhelaludin Sujuti, në librin e tij El Itkan fi ulumil Kur’an, vëll. 1, f. 205)}/ mbrojtja e ymetit islam pas Profeit, sepse duart dhe mendjet dashakeqe filluan të lëviznin pas largimit nga kjo jetë të Profetit. Të gjithë halifat para tij këshilloheshin me imam Aliun për çështje të rëndësishme. Omeri ka thënë: “Po të mos jetë Aliu, ka mbaruar Omeri. O Babai i Hasanit! Allahu mos më lëntë në atë tokë, ku nuk ndodhesh ti!”/ mbrojtja e unitetit islam {Ai nuk e ngriti shpatën për të marrë të drejtën e tij e as të bashkëshortes së tij (Fedeku).}
E pesta: Koha prej dhënies së besës imamit për udhëheqje e deri në martirizimin e tij, më 21 Ramazan të vitit 40 të hixhrit (pra, afërsisht 5 vjet) dhe kjo është periudha e udhëheqjes së tij.
Në këtë perudhë ai u përpoq të zbatonte drejtësinë dhe Sheriatin islam, por u përball me kundërshtime të shumta, sidomos nga Muavija dhe nga khavarixhët.
Porosi të përgjithshme të imam Aliut (paqja qoftë mbi të!)
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka lënë disa porosi madhështore. Ndër to, janë:
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, i Vetëm e i Pashoq. Muhamedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij, të cilin Allahu e ka dërguar me udhëzim dhe me fenë e vërtetë, për ta bërë atë mbi të gjitha fetë, edhe pse politeistët e urrejnë. Allahu e bekoftë atë dhe familjen e tij! Vërtet, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve, i Cili nuk ka shok. Me këtë jam urdhëruar. Unë jam prej myslimanëve.”
“O Hasan! Unë të porosis ty, të gjithë familjen time dhe ata të cilëve u mbërrin porosia ime, që të jeni të devotshëm ndaj Allahut, Zotit tuaj. Mos vdisni ndryshe, vetëm duke qenë myslimanë. Kapuni të gjithë pas litarit të Allahut (fesë së Tij të pastër islame) dhe mos u përçani, sepse unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) të thotë: ‘Pajtimi mes njerëzve është më i mirë se namazi dhe agjërimi në përgjithësi. Përçarja mes njerëzve është shkatërruese për fenë dhe fuqia i takon vetëm Allahut të Madhëruar e të Lartësuar.’
Kini vëmendjen ndaj të afërmve tuaj dhe mbajini lidhjet me ta, sepse Allahu do t’ua lehtësojë llogarinë.
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni sa më shumë për jetimët dhe mos lejoni që në praninë tuaj të drejtat e tyre të humbasin. Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: ‘Kush mbështet një jetim që ai të mos ketë më nevojë për njerëzit, Allahu ia ka garantuar Xhenetin, ashtu siç e ka garantuar zjarrin për atë që ha pasurinë e jetimit.’
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për Kur’anin. Asgjë të mos jetë më parësore se zbatimi i tij.
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për fqinjët tuaj, sepse i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka porositur për ta! Ai ka porositur aq shumë për fqinjët, saqë menduam se ata do ta trashëgonin atë.
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për Shtëpinë e Zotit tuaj! Në asnjë kohë të mos lihet e zbrazët sa të jeni gjallë, sepse, nëse hiqet dorë nga ajo Shtëpi, do të zbresë dënimi i Allahut pa ju dhënë afat apo pa e vonuar atë. Dhurata më e vogël e atij që e viziton atë Shtëpi është falja e të gjitha gjynaheve të kaluara.
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për namazin, sepse ajo është puna më e mirë dhe vërtet që është shtylla e fesë tuaj!
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për zekatin, sepse ai shuan zemërimin e Zotit tuaj!
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për muajin e Ramazanit, sepse agjërimi i tij është mburojë prej zjarrit!
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për të varfërit dhe të mjerët. Bëjini ata pjesë të jetës tuaj!
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për sakrificën (xhihadin) me pasuritë tuaja, me vetat tuaja dhe me gjuhët tuaja, sepse dy njerëz bëjnë xhihad (përpjekje, sakrificë): imami i drejtë dhe i binduri që ka një shembull në udhëzimin e tij.
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për gjenezën e Profetit tuaj! Të mos u bëhet padrejtësi atyre në praninë tuaj! Ju keni mundësi t’i mbroni ata.
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për shokët e Profetit tuaj, të cilët nuk kanë sjellë asnjë risi (bidat) dhe as nuk shpifin, sepse i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka porositur për ta!
Për Allah, për Allah, për Allah! Kujdesuni për gratë dhe për ato që keni në sundim sepse Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘U lë porosi dy rende të pafuqishme: gratë dhe ata që keni nën sundim.’
Namazin. Namazin. Namazin. Mos iu frikësoni askujt përveç Allahut, sepse Ai ua largon të keqen dhe padrejtësinë! U thoni njerëzve fjalë të mira, ashtu siç ju ka urdhëruar Zoti juaj i Madhëruar! Mos e lini pa zbatuar urdhrimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, sepse, nëse nuk e bëni, atëherë Allahu do t’i vendosë çështjet tuaja në duart e të këqinjve, e ju pastaj do të luteni kundër tyre dhe nuk do të gjeni përgjigje. O biri im! Mbajini lidhjet, plotësoni nevojat e njëri-tjetrit dhe mos u përçani! Mjerë ju nga shkëputja e lidhjeve dhe përçarja! Bashkëpunoni me mirësi dhe devotshmëri dhe mos bashkëpunoni me urrejtje dhe armiqësi! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë, sepse Ai është Ndëshkues i ashpër! Allahu e mbroftë Ehli Bejti im! Allahu i ruajttë gjurmët e Profetit përmes jush! Unë ju lë amanet tek Allahu.
PYETJA QË IU DREJTUA PRIJËSIT TË BESIMTARËVE, IMAM ALIUT (paqja qoftë mbi të!)
Një ditë xhumaje, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) mbajti një fjalim. Pas fjalimit (hytbes), një burrë nga të pranishmit e pyeti imam Aliun: “O prijës i besimtarëve! Përse nuk na përgjigjet lutja jonë dhe Allahu i Madhëruar thotë: ‘Lutmuni Mua, t’i përgjigjem lutjes suaj!’”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) iu përgjigj: “Vërtet, zemrat tuaja i kanë tradhëtuar tetë virtyte:
E para: Ju e njohët Allahun dhe nuk e keni zbatuar të drejtën ndaj Tij ashtu siç duhet ta bëni. Kjo njohje e juaja nuk ju solli asnjë dobi.
E dyta: Ju i besuat Profetit të Tij e pastaj e kundërshtuat synetin e tij dhe e braktisët Sheriatin e tij. Atëherë, ku është fryti i besimit tuaj?
E treta: Ju e lexoni Librin e Tij që e ka zbritur për ju, por nuk e zbatoni atë. Ju thatë: ‘Dëgjuam dhe u bindëm.’, pastaj e kundërshtuat.
E katërta: Ju thoni: ‘I frikësohemi zjarrit.’, por në çdo kohë i afroheni atij me gjynahet tuaja. Ku është frika juaj?!
E pesta: Ju thoni se e dëshironi Xhenetin dhe çdo ditë veproni vepra që ju largojnë prej tij. Ku është dëshira juaj?!
E gjashta: Ju ushqeheni me mirësitë e Krijuesit, por nuk e falënderoni Atë për ato mirësi.
E shtata: Allahu ju ka urdhëruar që ta merrni armik shejtanin dhe ka thënë: ‘Me të vërtetë, djalli është armik për ju, prandaj vështrojeni si armik!…’ (Sure “Fatir”, ajeti 6) Mirëpo, ju u armiqësuat me të me fjalë dhe e mbështesni me vepra.
E teta: Ju i keni vendosur të këqijat e njerëzve para syve tuaj dhe të këqijat tuaja i keni hedhur pas shpinave tuaja. Ju akuzoni të tjerët, ndërkohë që e meritoni më shumë atë akuzë.
Çfarë lutjeje do t’ju përgjigjet juve, pas gjithë kësaj, ndërkohë që i keni mbyllur me duart tuaja dyert e lutjes?! Jini të devotshëm dhe ndreqini punët tuaja! Bëjini të çiltërta të fshehtat tuaja! Urdhëroni në të mira dhe ndaloni nga të këqijat, që t’ju përgjigjet (plotësohet) lutja juaj.” (Sefinetul Bihar; vëll. 1, f. 448-449)
Urtësi nga imam Aliu (paqja qoftë mbi të!)
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kopraci mbetet pa shokë.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Fëmija më i keq, është ai që nuk sillet mirë me prindërit.“
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vesi më i keq është gënjeshtra dhe hipokrizia (nifaku).”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa e sa vepra janë të pavlera për shkak të qëllimit.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që e shet Ahiretin e tij (Jetën Tjetër) për këtë jetë, i ka humbur të dyja.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ka mirësi në njeriun që nuk ka turp.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kërkimi i Xhenetit pa vepra është çmenduri.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E keqja që ndëshkohet më shpejt është padrejtësia.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu më i lig është ai që e shet fenë e tij për dynjanë e një tjetri.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu më budalla është ai që mendon se është më i mençur se të tjerët.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu më i poshtër është ai që i ofendon njerëzit.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Habitem me njerëzit, të cilët kur i respekton, të poshtërojnë dhe kur i poshtëron, të respektojnë.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu më fatkeq në jetë është smiraku.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Fatkeqësia më e madhe është injoranca.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruhuni nga zemërimi, sepse ai është zjarr djegës.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mjerë ti dhe zemërimi, sepse fillimi i tij është çmenduri dhe fundi i tij është pendim.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Smiraku është gjithmonë i sëmurë dhe kopraci është gjithmonë i poshtëruar.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Fjala e hipokritit të gëzon dhe zemra e tij të dëmton.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mendjemadhësia është kurthi i madh i djallit.”
Allahu i Madhëruar na e forcoftë besimin në rrugën e Tij dhe na bëftë prej ndjekësve të sinqertë të profetit Muhamed, familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij të zgjedhur!
Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju!”
