Faktorët që çojnë në krijimin e bindjes për lindjen e Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekua!r) janë si më poshtë[1]:
1] Shih: El Ijruvanij, Shejkh Muhamed Bakir, “El imam Mehdi (a.xh) bejne et tevatur ue Hisabul Ihtimali”, Qendra e Kërkimeve Doktrinare, Iran – Kum, 1420 hixhri, botimi i parë, f. 23–47.
Faktori i parë: Hadithet e bekuara
Hadithet e shumta, të pranuara nga të dyja palët, imamijtë (shiitët imamij) dhe sunitët, të cilat, në mënyrë të tërthortë (me nënkuptim të domosdoshëm), tregojnë për lindjen e Imamit Ppaqja qoftë mbi të!).
Prej këtyre haditheve janë:
1- Hadithi i parë: Hadithi i Thekalejnit (Dy Rëndesave)
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë po ju lë në mesin tuaj dy gjëra me peshë (thekalejn): Librin e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar dhe pasardhësit e mi, Ehli Bejtin tim. Dijeni se këto të dyja janë dy zëvendësuesit e mi pas meje dhe nuk do të ndahen kurrë nga njëri-tjetri derisa të më vijnë tek Haudhi (Burimi)”.[2]
2] Es Saduk, Shejkh Muhamed ibn Ali, “El Amalij”, verifikuar nga: Departamenti i Studimeve Islame – Institucioni El Bi‘thetu, Iran – Kum, 1417 hixhri, botimi i parë, f. 500; po ashtu, Shejkh Saduku, “Ujun Akhbar Err Rrida (Paqja qoftë mbi të!), vëll. 2, f. 34; Ibn Hanbeli, Musned Ahmed, burim i mëparshëm, vëll. 3, f. 14; El Hakim En Nisaburij, Muhamed ibn Abdullah, “El Mustedrek ala Es Sahihejn”, nën mbikëqyrjen e Jusuf Abdurrahman El Mara‘ashli, Darul Ma‘rife për shtyp dhe botim, Liban – Bejrut, pa vit botimi, pa numër botimi, vëll. 3, f. 148; dhe shumë burime të tjera.
Kjo tregon se Ehli Bejti i pastër vazhdon së bashku me Librin e Shenjtë. Kjo vazhdimësi nuk mund të shpjegohet ndryshe, përveçse duke supozuar se imam Mehdiu (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!) ka lindur, por është i fshehur nga sytë.
Sepse, nëse ai nuk do të kishte lindur, ose do të lindte vetëm në të ardhmen, atëherë Libri do të ndahej nga Ehli Bejti i pastër, gjë që bie ndesh me fjalën e Profetit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), i cili tha: “Nuk do të ndahen derisa të më vijnë tek Haudhi (Burimi)”.
Kjo domethënë se Ehli Bejti ka vazhdimësi dhe qëndrueshmëri së bashku me Librin deri në momentin kur të dyja do të paraqiten para Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe, përveçse duke u bazuar në pohimin e lindjes së imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!) dhe më pas në fshehjen e tij; përndryshe, do të nënkuptonte një lajmërim në kundërshtim me realitetin.
Ky hadith ka një domethënie të qartë për lindjen e imamit Mehdiut, megjithëse nuk është përmendur fillimisht posaçërisht për imam Mehdiun (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!). Megjithatë, prej tij përfitojmë argumentin për lindjen e Imamit përmes nënkuptimit të domosdoshëm.
2- Hadithi i dytë: Hadithi i dymbëdhjetë khalifëve
Hadithi i dymbëdhjetë halifëve, i transmetuar në librat e hadithit tek të dyja palët, sunitët dhe shiitët. Ky hadith nuk ka një zbatim të arsyeshëm përveçse mbi dymbëdhjetë imamët prej Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
Ky hadith, në mënyrë të domosdoshme (me nënkuptim), tregon për lindjen e imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!). Sepse, nëse ai nuk do të kishte lindur deri më tani, ndërkohë që dihet se imam Hasan El Askariu (Paqja qoftë mbi të!) ka ndërruar jetë dhe askush nuk pretendon se ai është ende gjallë, atëherë si do të mund të lindte imam Mehdiu (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!) nga një baba i vdekur?
Prandaj, domosdoshmërisht duhet të pranojmë se lindja e Imamit tashmë ka ndodhur; përndryshe, zbatimi i këtij hadithi do të ishte i paqëndrueshëm. Kështu, ky hadith, përmes nënkuptimit të tij të domosdoshëm, dëshmon për lindjen e Imamit.
3- Hadithi i tretë: “Kush vdes dhe nuk e njeh Imamin e kohës së tij”
Ebu Ali ibn Hemmami transmeton dhe thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibn Uthman El Umarij (Allahu ia shenjtëroftë shpirtin!) duke thënë: Kam dëgjuar babanë tim të thotë: E pyetën Ebu Muhamed El Hasan ibn Aliun, imam Askeriun (Paqja qoftë mbi të dy!), ndërsa unë isha pranë tij, rreth hadithit të transmetuar nga etërit e tij (Paqja qoftë mbi ta!): “Se toka nuk mbetet pa një Argument (Huxhxhetun) të Allahut mbi krijesat e Tij deri në Ditën e Kiametit, dhe se kush vdes pa e njohur Imamin e kohës së tij, vdes me një vdekje xhahilijjeti (injorance paraislame).” Ai (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë dita.”
Atëherë iu tha: O biri i të Dërguarit të Allahut, kush është Argumenti dhe Imami pas teje?
Ai tha: “Biri im, Muhamedi. Ai është Imami dhe Argumenti pas meje. Kush vdes dhe nuk e njeh atë, vdes me një vdekje xhahilijjeti. Ai do të ketë një fshehje (gajbetun), në të cilën do të hutohen injorantët, do të shkatërrohen ata që ndjekin të pavërtetën dhe do të gënjejnë ata që caktojnë kohë (për daljen e tij). Pastaj ai do të dalë, dhe sikur po i shoh flamujt e bardhë që valëviten mbi kokën e tij në Nexhef të Kufes.”[3]
3] Shejkh Saduku, Kemalu Ed Dijni ue Temam En Ni‘meti”, f. 409.
Ky hadith është transmetuar si tek sunnitët ashtu edhe tek shiitët.[4]
[4] Shih: El Mufijd, Shejkh Muhamed ibn Muhamed, “El Fusulul Mukhtaratu”, verifikuar nga: Sejjid Nuruddin Xha‘ferijan El Esfahanij, Shejkh Ja’kub El Xha‘ferrij, Shejkh Muhsin El Ahmedij, Darul Mufijd për shtyp, botim dhe shpërndarje, Liban – Bejrut, 1414 hixhri – 1993, botimi i dytë, f. 325; El Khazzaz El Kummij, “Kifajetul Ether”, f. 296; Ebul Fet’h El Karaxhakij,El Al’lametu Muhamed ibn Ali, “Kenzul Feuaid”, Biblioteka El Mustafauij, Iran – Kum, 1369 , botimi i dytë, fq. 152; Et Tajalisi, Sulejman ibn Daud, “Musned Ebi Davud Et Tajalisi”, Darul Ma‘rife për shtyp dhe botim, Liban – Bejrut, pa vit, pa botim, fq. 259; Ebu Xha‘ferr El Iskafij, Muhamed ibn Abdullah, “El Mi‘jar uel Muvazene”, verifikuar nga Shejh Muhamed Bakir El Mahmudi, pa vend botimi, pa shtëpi botuese, 1402 hixhri – 1981, botimi i parë, f. 24; Ibn Ebi Asim, Amr ibn Ebi ‘Asim, “Es Sunnetu”, verifikuar nga Muhamed Nasiruddijn El Albani, El Mektebul Islamij, Liban – Bejrut, 1413 hixhri – 1993, botimi i tretë, f. 489; Ebu Ja‘la El Meusili, Ahmed ibn Ali, “Musned Ebi Ja‘la”, (redaktuar nga) Husejn Selim Esed, Darul Me’mun li Turath, pa vit, pa botim, vëll. 13, f. 366; Et Taberanij, Sulejman ibn Ahmed, “El Mu‘xhemul Eusat”, verifikuar nga Departamenti i verifikimit në Darul Haramejn, Darul Haramejn për shtyp, botim dhe shpërndarje, 1415 hixhri – 1995, pa botim, vëll. 6, f. 70; dhe shumë burime të tjera.
Mënyra e argumentimit me këtë hadith është se, nëse imam Mehdiu (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!) nuk do të ishte i lindur tani, atëherë kjo do të nënkuptonte se ne nuk do ta njihnim Imamin e kohës sonë dhe, si pasojë, vdekja jonë do të ishte një vdekje xhahilijjeti (injorance paraislame), sepse nuk do ta kishim njohur dhe nuk do të kishim besuar në Imamin e kohës sonë.
Faktori i dytë: Lajmërimet e Profetit dhe të imamëve (Paqja qoftë mbi ta!) rreth lindjes së Mehdiut (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!)
Janë të shumta transmetimet nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nga imamët (Paqja qoftë mbi ta!), të cilat flasin se imam Hasan El Askariu (Paqja qoftë mbi të!) do të ketë një djalë që do ta mbushë tokën me drejtësi dhe barazi, pasi ajo të jetë mbushur me padrejtësi, por që para kësaj do të hyjë në fshehje (gajbe).
Shejkh Saduku, në librin “Kemalu Ed Dijn”, i ka renditur këto transmetime në kapituj të ndryshëm[5], dhe hadithet e mbledhura arrijnë në njëqind e nëntëdhjetë e tre transmetime. Nëse këtyre u shtojmë edhe ato që kanë përmendur Shejkh Kulejni në “El Kafij”, Shejkh Tusij dhe të tjerë, atëherë numri ndoshta e tejkalon një mijë transmetime.
[5] Kapitulli mbi atë që është transmetuar nga Profeti (Paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij!) rreth imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!), në të cilin janë përmendur dyzet e pesë hadithe.
Më pas është përmendur kapitulli mbi atë që është transmetuar nga Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), rreth Imam Mehdiut.
Pastaj kapitulli mbi zonjën Fatime Zahra (Paqja qoftë mbi të!) dhe ajo që është transmetuar prej saj rreth imam Mehdiut (Paqja qoftë mbi të!), ku janë përmendur katër hadithe.
Pastaj nga imam Hasani (Paqja qoftë mbi të!), ku janë përmendur dy hadithe.
Pastaj nga imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), ku janë përmendur pesë hadithe.
Pastaj nga imam Sexhadi (imam Zejnul Abidini) (Paqja qoftë mbi të!), ku janë përmendur nëntë hadithe.
Pastaj nga imam Bakiri (Paqja qoftë mbi të!), ku janë përmendur shtatëmbëdhjetë hadithe.
Pastaj nga Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të), ku janë përmendur pesëdhjetë e shtatë hadithe.
Është transmetuar nga Profeti (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!); Ibn Abbasi thotë: E kam dëgjuar Profetin (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) duke thënë: “… Dijeni se Allahu, i Bekuar dhe i Lartësuar, më ka bërë mua dhe ata (Ehli Bejtin) argumente (huxhxhe) mbi robtë e Tij, dhe nga pasardhësit e Husejnit ka caktuar imamë që do ta zbatojnë urdhrin tim dhe do ta ruajnë porosinë time. I nënti prej tyre është Kaimi i Ehli Bejtit tim dhe Mehdiu i umetit tim; ai është njeriu që më së shumti më përngjan në tipare, në fjalë dhe në vepra. Ai do të shfaqet pas një fshehjeje të gjatë…”… deri në fund të hadithit[6].
6] Shejkh Saduku, “Kemalu Ed Djin ue Temamu En Ni‘meti”, f. 257.
Në një hadith tjetër nga Zurare, ai thotë: E kam dëgjuar Ebu Abdullahun (imam Sadikun, paqja qoftë mbi të!) duke thënë: “Me të vërtetë, për djaloshin (Imamin) do të ketë një fshehje para se të ngrihet (të dalë).”
Thashë: Pse?
Ai tha: “Nga frika”, dhe bëri me shenjë me dorë drejt barkut të tij (duke treguar rrezikun e vrasjes). Pastaj tha: “O Zurare, ai është i Prituri (El Muntedharu), ai për lindjen e të cilit do të ketë dyshime. Disa do të thonë: Babai i tij vdiq pa lënë pasardhës. Të tjerë do të thonë: Ishte vetëm një barrë (në bark). Të tjerë do të thonë: Lindi dy vjet para vdekjes së babait të tij. Ai është i Prituri. Por Allahu, i Lartësuar dhe i Madhëruar, dëshiron t’i sprovojë shiitët; në atë kohë do të dyshojnë ata që ndjekin të pavërtetën. O Zurare!”
Thashë: U bëfsha flijim për ty, nëse e arrij atë kohë, çfarë të bëj?
Ai tha: “O Zurare, nëse e arrin atë kohë, lute Allahun me këtë lutje: ‘O Allah, ma bëj të njohur Veten Tënde, sepse nëse Ti nuk ma bën të njohur Veten Tënde, nuk do ta njoh Profetin Tënd.
O Allah, ma bëj të njohur të Dërguarin Tënd, sepse nëse Ti nuk ma bën të njohur të Dërguarin Tënd, nuk do ta njoh Argumentin Tënd.
O Allah, ma bëj të njohur Argumentin Tënd, sepse nëse Ti nuk ma bën të njohur Argumentin Tënd, do të humbas nga feja ime.’”
Pastaj tha: “O Zurare, patjetër që në Medinë do të vritet një djalosh.”
Thashë: U bëfsha flijim për ty, a nuk do ta vrasë ushtria e Sufjanit?
Ai tha: “Jo, por do ta vrasë ushtria e familjes së filanit. Ai do të vijë derisa të hyjë në Medinë, do ta marrë djaloshin dhe do ta vrasë. Kur ta vrasë padrejtësisht, me armiqësi dhe dhunë, atëherë nuk do të vonohen (ndëshkimi dhe zhvillimet pasuese). Në atë moment prite çlirimin (daljen), nëse do Allahu.”[7]
[7] El Kulejni, Shejkh Muhamed ibn Ja’kub, “El Kafij”, verifikuar dhe korrigjuar nga Ali Ekber El Gaffari, Darul Kutubil Islamijjeti, Iran – Teheran, 1363 sh., botimi i pestë, vëll. 1, f. 337.
Si përfundim, themi: Kjo shumicë e haditheve e bën transmetimin e tyre të mutauater (tepër të sigurt), dhe nuk ka kuptim të diskutohet për to. Ato janë të qarta, të pamundura për interpretim ose për gjykim të ndryshëm (ixhtihad). Ky faktor konsiderohet një nga arsyet kryesore që çojnë në bindjen e plotë për lindjen e Imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!).
Faktori i tretë: Katër të Dërguarit (es suferau)
Çështja e katër të dërguarve (es suferau) dhe dalja e tevqi’ateve (letrave/urdhëresave) përmes tyre është e qartë në burimet historike të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Kjo nuk është vënë në dyshim nga askush që nga koha e shejkh Kulejnit, i cili ishte bashkëkohës i sefiritëve të Gajbetit të Vogël, si dhe babait të shejkh Sadukut, Ali ibn Husejnit, e deri në ditët tona.
Ata gëzonin një pozitë dhe status të veçantë tek shiitët, dhe për këtë arsye askush prej shiitëve nuk ka dyshuar në madhështinë dhe fisnikërinë e këtyre sefiritëve, as nuk ka marrë në konsideratë mundësinë që ata të kenë gënjyer, qoftë edhe për një çast.
Faktori i katërt: Qëndrimi i pushtetit abasid
Historia e imamijëve dhe e të tjerëve përcjell se El Mu‘temid El Abbasij, sapo mori vesh se Imamit (imam Askeriut)i kishte lindur një fëmijë, dërgoi policinë e tij në shtëpinë e Imamit. Ata morën të gjitha gratë e shtëpisë dhe i arrestuan, derisa të vëzhgonin se nga cila prej tyre kishte ndodhur lindja.
Nga ky veprim kuptojmë se vetë sjellja e pushtetit është një tregues i qartë se çështja e lindjes ishte e vërtetë dhe e konfirmuar; përndryshe, ky reagim, i përmendur në shumë burime historike, nuk do të kishte asnjë arsye.
Faktori i pestë: Konsensusi i shiitëve
Që nga koha e Shejkh Kulejnit dhe babait të Shejkh Sadukut e deri në ditët tona, shiitët kanë qenë të një mendimi dhe të bashkuar rreth çështjes së imam Mehdiut dhe Gajbetit të tij. Në të gjitha shtresat e shiitëve, nuk gjejmë askënd që ta ketë vënë në dyshim lindjen e Imamit, e aq më pak Gajbetin e tij. Për këtë arsye, kjo çështje është bërë pjesë e themeleve të besimit të shiitëve në imam Mehdiun (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar!).
Këta janë pesë faktorë për lindjen e bindjes së sigurt (jekinit). Ose duhet ta pranojmë shumësinë e transmetimeve, përsëritjen (teuaturin) e tyre dhe qartësinë e domethënies së tyre mbi Gajbetin, dhe në këtë rast askush nuk mund të ushtrojë ixhtihad kundër tyre, sepse do të ishte ixhtihad përballë një teksti të qartë (en nassu). Ose nuk e pranojmë teuaturin (përsëritjen e shumtë të transmetimeve), por duke i bashkuar këtyre lajmeve faktorët e tjerë, si: konsensusi i shiitëve, fjalët e historianëve, qartësia e çështjes së imam Mehdiut dhe e lindjes së tij ndër shtresat e shiitëve që nga ajo periudhë e hershme, qëndrimi i pushtetit ndaj kësaj çështjeje, çështja e sefirit dhe e teuki’ateve, si dhe faktorë të tjerë, arrihet bindja e sigurt për vërtetësinë e çështjes së lindjes së imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë shfaqjen e tij të bekuar).
Nga libri: “El Mehdi El Meu’ud (a.xh.)”, Darul Me’ariful Islamijjeh.
