PROF. HAJRI SHEHU
(Përshtypje udhëtimi)
Ne shqiptarët i njohim Iranin dhe iranianët, madje që nga shekulli XVI-XVII. Njohim historinë e tyre, kulturën e tyre, letërsinë e tyre. Ne njohim poetët iranianë, – Sa’adiun, Rumiun, Firdusiun, Hafiz Shirazin etj., matematikanin Al-Horezmi, historianin e astronomin Al-Biruni, filozofët Ibn Sina (Ebu Ali Sina / Avisena), Al-Farabiu, Gazaliu e të tjerë dhe tubuesit e teoricienët e mijëra haditheve (thënieve të profetit Muhamed) – Imam Ebu Hanife e Muslim Al Kushehri. Rubaitë e Omer Khajamit, të përkthyera mjeshtërisht nga Fan Noli lexohen me ëndje edhe sot e kësaj dite. Lexuesi shqiptar ka tashmë në bibliotekën e tij librat “Gjylistani dhe bostani”, “Shah-Name”-ja (Tregime për mbretër), “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” etj. Mund të lexojë për këta e edhe për të tjerë edhe te “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë” i profesor Shefik Osmanit. E pse jo, edhe te revista islame e viteve ‘30, “Zani i Naltë”; pas viteve ’90 – te revista “Perla” e gazeta “Gjylistani dhe bostani” të ish-fondacionit “Sa’adi Shirazi”. Irani është vend me kulturë të madhe e me njerëz të mëdhenj. Jo vetëm për vete, por edhe për botën. Dua t’u shtoj këtyre rreshtave të parë edhe një të thënë, lexuar vite më parë diku se edhe Shekspiri i madh mund të jetë me origjinë persiane. (Në parantezë: Irani është Perandoria e dikurshme Perse).
Irani është vendi i një prej qytetërimeve më të lashta të botës, me histori pesëmijëvjeçare (thonë, edhe dhjetëmijëvjeçare). Për këtë flasin qytetet historike – Teherani, Isfahani, Shirazi, Jazdi, Kermani, Mashshadi, Kumi etj. Qytetarët e parë të Iranit qenë ilamitët, rreth 3000 vjet para erës sonë.
Në fillim të shekullit të dytë para erës sonë, një grup nga arianët emigroi nga Rusia Jugore e u vendos në pjesën veriore të Iranit, midis lumenjve Zion dhe Xhihon. Fiset kryesore qenë medët (në perëndim), persët (në jug) dhe parthët (në juglindje). Ata e quajtën atdheun e tyre të ri Iran, që do të thotë “toka e arianëve”. Arian do të “thotë fisnik, i ndershëm”.
Irani ka një sipërfaqe prej 1 648 000 km2 – sa sipërfaqja e Anglisë, Irlandës, Gjermanisë, Austrisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut, marrë së bashku. Kufizohet me Turkmeninë, Azerbaixhanin dhe Armeninë në veri, me Afganistanin dhe Pakistanin në lindje dhe me Turqinë e Irakun në perëndim. Deti i Omanit, Gjiri Persik dhe Deti Kaspik krijojnë një vijë bregdetare 1952 kilometra të gjatë. Ka dy vargmale të mëdhenj – Alborzi në veri dhe Zagrosi në jug dhe në lindje. Maja më e lartë e maleve iraniane është Damavandi, 5671 m. mbi nivelin e detit. Teherani, kryeqyteti është në rrëzë të malit Alborz, ashtu si Tirana në rrëzë të Dajtit.
Persishtja është gjuha zyrtare e Iranit. Ajo është degë e familjes gjuhësore indoeuropiane, çka do të thotë se është farefisnore me shqipen. Vendësit e quajnë gjuhën e tyre “farsi”. Persishtja shkruhet me alfabet arab. Kultura e të folurit të iranianëve përbashkohet me tingëllimin joshës të o-ve të persishtes.
Irani është republikë islamike. Irani e ka përqafuar Islamin në mes të viteve 600. 98% e popullsisë janë myslimanë; pjesa tjetër janë zjarradhurues (zoroastrianë), të krishterë dhe judaistë. Çdo grupim ka përfaqësuesin e vet në parlament. Presidenti, anëtarët e parlamentit, këshilltarët e qytetit dhe të fshatit etj. zgjidhen drejtpërdrejt me votim nga populli. Irani ka 28 provinca dhe 257 qytete. Çdo provincë ka kryeqytetin e vet. Kryeqyteti i Republikës, Teherani, është një ndër qytetet më të populluara në vend (mbi 13 milionë banorë). (Shifra është e paradokohshme. Edhe shifrat që vijnë më tej janë të paradokohshme. Ato ndryshojnë. Për më shumë e jo për më pak). 2 500 vjet më parë, kryeqytet ka qenë Shirazi. Irani ka një popullsi me mbi 65 milionë banorë. Dita e pushimit javor zyrtar është e premtja. Nouruzi (21 marsi) është Viti i Ri iranian e festë kombëtare (nou = i ri; ruz = ditë ® dita e re).
Disa vjet më parë kam marrë pjesë në një veprimtari shkencore në Teheran. Me një sipërfaqe prej rreth 1500 km2, me rrugë e bulevarde moderne, me parqe e lulishte, me mbi dhjetë universitete e me mbi njëqind kolegje, me aq shumë shkolla e muze, me xhami e tyrbe madhështore, me vepra arti në sheshe e në parqe, Teherani është një përmendore e gjallë dhe historike e popullit iranian. Dy vepra arti në qytet –

“Një dorë mban një gonxhe të sapoçelur” dhe “Një kalli gruri”, i rrethuar me vargje dritash shumëngjyrëshe sintetizojnë vetëm një pjesë të jetës dhe të punës së popullit iranian e të kryeqytetit iranian. Mauzoleu hijerëndë i Ajatullah Khomeinit në një park shumë të hapët, Pallati i Bardhë i Shahut, Tyrbja e Imam Rezahit etj. kanë çdo ditë vizitorë. Ekspozitat për Kur’anin e Shenjtë, që hapen në një ndërtesë trekatëshe, të tejlirshme, gëlojnë nga qytetarët, nxënësit, studentët, vajzat, gratë, të moshuarit. Një pelegrinazh i vërtetë. Në parkun e ish-pallatit të Shahut ka disa muze: muze të kaligrafisë (kaligrafia është art më vete në Iran) në letër e edhe në gur; muze pikturash etj. në miniaturë; muze të artit modern (me tablo, si: Sa’adiu; sekreti pas perdes; dyqani i poçarit; bujku; nata e mbrëmshme pranë tavernës (një njeri i tmerruar midis poçeve të rakisë mbi kokë, nën këmbë, kudo); falltari; gruaja në mëndafsh; pylli; aroma e dashurisë; meditimi; lartësimi; buzëqeshja etj. Në muze ka zbukurime në korale, rrahje në bakër, gdhendje etj.
Isfahani (Irani Qendror) është njëra ndër provincat kryesore të Iranit. Nakshi Xhehon është sheshi më i madh në vend. Ai rrethohet nga monumente të mëdha islamike: Xhamia Mbretërore (tani, Xhamia e Imamit), pallatet “Sheikh Lutfullah” dhe “Ali Kapu”. Çehel Sutuni (pallati prej dyzet kolonash) është një përmendore madhështore. Quhet kështu sepse dyzet kolonat e tij pasqyrohen në liqenin përballë. Pikturat murale nga brenda janë të kohës safavide. Isfahani ka rreth 150 vende historike – xhami, pallate, hamame, ura etj. Provinca ka shumë gjelbërim e shumë lule. Për lule krahasohet me Holandën. Koha më e mirë për ta vizituar, – të thonë, – është vjeshta e hershme, kur ca nga ca fillon të freskohet moti dhe kopshtet e arat e mbushura me shegë e me lule dielli presin dorën e njeriut.
Më se 63% të rezervave të përgjithshme botërore të naftës dhe 28.5% të gazit gjenden në zonën e Detit të Omanit dhe të Gjirit Persik. Kjo do të thotë që kjo pjesë e Iranit është me rëndësi ekonomike botërore. Këtu janë edhe ishujt piktoreskë të Kishit, Keshmit, Kharkut dhe Hormuzit. Mauzoleu i profetit Daniel, pallatet e Dariusit dhe të Kirasit, ishulli koral i Kharkut nuk janë vetëm për turistët.
Zona e Zagrosit dhe e Marhazit është po aq tërheqëse, me përmendore, me liqene e ujëvara, me Shtatoren e Herkulit, me mbishkrime në gurë, me mauzoleun e Avisenës, me kështjellën e Solomonit / Sulejmanit, me mbijetojat e qytetit antik të Persepolisit (518 para e.r.), me mauzoleun e Sa’adiut dhe të Hafizit.

Qyteti i lashtë: Persepolis (518 p.e.r.)
Në zonën e Shkretëtirës Qendrore ka qytete, si Kumi – qendër pelegrinazhi për tyrben e Mesumes dhe të Imam Rezahit.
Në Iran rriten 160 lloje sisorësh, 350 lloje shpendësh e 180 lloje peshqish.
Nëse do të flisnim edhe pak për kulturën materiale të Iranit, do të ndaleshim te lulet e te drurët zbukurimorë dhe te qilimat. Në Iran rriten të gjitha llojet e luleve. Trëndafili i Damaskut, nga i cili nxirret esenca më e mirë në botë, rritet gjithkund. Lulja kombëtare e Iranit është laleh – tulipani, lulekupa. Në Teheran, një nga hotelet e tij moderne ka emrin “Laleh”. Edhe në Tiranë ka një lule me emrin lulelale. E bukur është. Irani eksporton në botë shelgun e kuq. Iranianët janë artistë nga natyra. Punët e tyre të dorës, – thonë vetë të huajt, – janë nga më të mirat dhe më të lirat në botë. Irani zë vendin e parë në botë për eksportin e qilimave të endur me dorë. Disa nga qilimat iranianë kanë zënë vend në muze të botës. Në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, në ndërtesën e konferencave është ekspozuar në një sallë një qilim shumë i bukur, i paparë, i pashoq. Është dhuruar nga populli iranian me rastin e Vitit Ndërkombëtar të Dialogut ndërmjet Qytetërimeve (2001-2005). Në qilim janë endur edhe shkronjat e vargjeve poetike, të poetit të madh persian të shekullit XIII, Sa’adi Shirazi. Persishtja shkruhet me alfabet arab. Në gjuhën shqipe vargjet (përkthimi është i çastit) janë:
Popujt janë një qenie e vetme
E gjymtyrë të një trupi të vetëm.
Dhe, kur njëra gjymtyrë dhemb,
As gjymtyrët e tjera s’kanë qetësi e gjumë.
Dhe nëse ti dhembje s’ke, kur tjetri heq e vuan,
Si mundet që veten, ti njeri e quan?!
Vargjet bëjnë thirrje për paqe mes kombeve, për solidarësi mes kombeve, për bashkim njerëzor mes kombeve, për vëllazërimin e kombeve.


Një ditë, diku, në anë të një rruge të gjerë vura re një djalosh të gjatë, të zeshkët, me një tufë tulipanësh, mbështjellë secili me celofan. Djaloshi shiste tulipanë. Kjo sigurisht nuk na habit ne europianëve. Por mund të na habitë diçka tjetër: Mbi 130 000 parashkollorë (fëmijë të moshës 5-6 vjeç) lexojnë Kur’anin! I kam parë e dëgjuar vetë disa prej tyre. Le të imagjinojmë për një çast një libër me qindra faqe, me një gjuhë arabe klasike të stilit të lartë, me shenja të veçanta për zanoret, me rregulla shumë të përcaktuara për fillimet, pauzat etj. Le të imagjinojmë pastaj moshën e tyre. Një kulturë shumë e lartë mësimi. Të habit edhe diçka tjetër. Në vitet 1500-1700, në Isfahan ka pasur mbi 300 kafazë pëllumbash. Kjo është kulturë ekologjike-mjedisore. Por, edhe kulturë prodhimi: Atëherë kishte nevojë për pleh dhe bujqit merrnin kështu edhe plehun e pëllumbave të kafazeve.
Irani ka kulturë të lartë tradicionale edhe në kuzhinë. Kuzhina iraniane është e këndshme. Çeloqebapi (mish i pjekur e pilaf) është gatesa më popullore. Havjari dhe karkalecat e detit janë ndër gatesat më të mira në botë. Pijet alkoolike ndalohen sipas Sheriatit Islam, por mund të pihet shampanjë, verë e birrë pa alkool. Madje, po të pish birrën iraniane pa alkool e pije të tjera freskuese iraniane, pijet alkoolike i ke përbuzur.
I tërë Irani është shkollë. Për këtë flet edhe një fakt: Në Iran rreth gjysma e popullsisë është nën moshën 20 vjeç. Një popull me kulturë ka libra, librari, biblioteka, filma, televizione, radio, internete. Irani merr pjesë në panaire ndërkombëtare libri; edhe në panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt. Irani merr pjesë në festivalet botërore të filmit. Tituj të tillë filmash, si Nouruzi i luleve, Njeriu dhe hija, Çasti, Kalila dhe Dimna, Vetëm engjëjt kanë krahë, Muzgu etj. të joshin fort.
Iranianët janë sportdashës. Sportet më popullore janë futbolli, mundja, skitë, gjuetia, hipizmi etj. Në sportin e futbollit, Irani ka skuadrën më të fortë në Azi. Qendra e sportit të skive në Dizin (në Teheran) është ndër më të mirat në botë.
Irani nuk ka drogë, prostitucion e sida. Irani ka naftëtarë e inxhinierë, dijetarë e gazetarë, ndërtues e artizanë, mjekë e profesorë, kaligrafistë e arkitektë. Ka këndues Kur’ani me emër botëror. Ka aq shumë nxënës, studentë e mësues. Ka vajza të shëndetshme e djem shtathedhur. Në Teheran gëlojnë rrugët. Gjithkush bën diçka. Të rinjtë e të rejat përpiqen e mësojnë të bëhen dikushi. Dhe, sigurisht u takon. Por edhe të vjetrit duan të bëhen dikushi. Mua më ka habitur një skenar filmi dokumentar: Një fshatar 75-vjeçar do që të bëhet president i Iranit! Dhe pse? Sepse ai mendon se është i aftë të vijojë universitetin. E, meqë mund të hyjë në universitet, pse nuk qenka i aftë të bëhet edhe president?! Një dëshirë e çiltër popullore për të ecur përpara.
Irani prodhon. Ai prodhon grurë, oriz, misër, çaj, pambuk, duhan, agrume etj. Dhe eksporton. Irani zë vendin e dytë në botë për prodhimin e naftës. Industria e usein Asadin, drejtoHuseinçelikut dhe e bakrit është mjaft aktive. Irani zë vendin e parë në botë për havjar dhe hurma Arabie. Irani eksporton serum kundër helmimit të gjarprit. Sipas gazetës “Tehran Times”, 63% e qilimave eksportohen në Perëndim.
Në shtyp e radio-televizione, iranianët bëjnë natyrshëm politikën e tyre. Unë nuk jam politolog. Por, nga gazeta “Tehran Times” nuk ishte vështirë të shihje se ata bëjnë një politikë të hapur. Mbaj mend, në një nga numrat e saj, gazeta “Tehran Times”, shkruante: “Irani nuk shikon pengesë për të rifilluar bisedimet me Bashkimin Europian”. Gazeta shkruante edhe për përvjetorin e vdekjes së ish-mbretëreshës së Shqipërisë, Geraldinës, edhe për referendumin e Malit të Zi. Gazeta botonte të dhëna shkencore etj. nga shtypi amerikan e perëndimor. Në Ekspozitën e Kur’anit qenë ekspozuar dhjetëra leksione e libra nga profesorë perëndimorë për Kur’anin, që mund t’i grupoje nën titullin “Ç’thonë perëndimorët për Kur’anin?”. Një politikë mjaft e hapur.
Iranianët e njohin Shqipërinë, por pyesnin për ta njohur më shumë. Kënaqeshin kur u flitej për afrinë historike të popujve tanë e të gjuhëve tona, për përkthime e botime nga persishtja në shqip (në të vërtetë, këto janë më shumë të së shkuarës), për traditën e mësimit të persishtes që në vitet ’30 në medresenë e Tiranës e në vitet 2000 – në kolegjin “Sa’adi Shirazi” në Tiranë (por jo në Universitetin e Tiranës), për dijetarë, si Hafiz Ali Korça e të tjerë, të cilët jo vetëm e flisnin, por edhe e shkruanin shumë mirë persishten, për bashkëpërkime midis shqipes e persishtes, si gjuhë të një trungu, për huazime nga persishtja në shqip, për përmbledhjen lirike “Tejhyjulat” (Endërrimet / shkruar në persisht) e “Qerbelanë” të Naim Frashërit, për përdorimin e arabeskave në Shqipëri (arabeskat ishin shkronja arabe) për të zbukuruar djepe, vegla pune etj. që në shekullin XV-XVI etj.
Iranianët e duan Shqipërinë. Në një ekspozitë për Kur’anin e Shenjtë, në stendën e Shqipërisë ishte edhe një udhërrëfyes për Shqipërinë në gjuhën angleze. Ishte i bukur, siç është e bukur vetë Shqipëria. Një çast rastisa aty. Një nxënëse e ciklit të lartë të shkollës së mesme e mori udhërrëfyesin, e shfletoi e u kënaq me të. Pastaj pyeti nëse mund të shitej. Iu tha se ishte kopje e vetme e kësisoj nuk mund të shitej. Të nesërmen vajza kishte ardhur prapë e fill e te stenda shqiptare. E kishte shfletuar përsëri udhërrëfyesin, tashmë me një pamje përlutëse. Ia falëm, – më thanë. Tani, vajza, e çelur në fytyrë, kishte thënë se kishte ardhur vetëm për udhërrëfyesin. Tek ajo ekspozita kam rastisur në një moment, kur të gjitha nxënëset e një shkolle donin autografe në fletoret e në librat e tyre të shkollës. Një nxënëse kërkoi vargje nga një poezi në shqip. Donte tingëllimin e shqipes e të poezisë shqipe. I shkrova vargjet e Naimit: “Ti Shqipëri më jep nder, / Më jep emrin shqiptar”. U kënaq kur ia përktheva në anglisht dhe tha: “Paska qenë atdhetar i madh. Kështu do të thosha edhe unë për vendin tim.”
Çdo ditë nga Teherani ka fluturime ajrore për në qytete të tjera të vendit dhe të botës. Në Detin e Omanit, Gjirin Persik dhe Detin Kaspik ka 14 porte. Hekurudhat dhe rrugët automobilistike janë të standardeve ndërkombëtare. Televizionet, radiot, internetet bëjnë punën e tyre. Te qytetërimi iranian vijnë edhe këto.
