Arritëm në mesin e muajit të begatë të Ramazanit. Kjo ditë është e zbukuruar me një festë të këndshme dhe gëzim të madh. Në ditën e 15 të muajit të bekuar të Ramazanit, në vitin e 3-të të hixhrit, lindi djali i parë i imam Aliut dhe i zonjës Fatime Zahra. Nga kjo lindje u gëzua edhe zemra e profetit Muhammedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai e quajti nipin e tij të parë me emrin Hasan që do të thotë i mirë dhe i pëlqyer.
Një ditë prej ditëve, kur Profeti i Islamit ishte në mesin e shokëve të tij, tha: “Dijeni se Hasani është dhuratë që më ka ardhur nga Allahu. Ai do t’ju njoftojë rreth meje dhe do t’ju mësojë dije dhe shkencë. Ai do ta ringjallë biografinë dhe traditën time. Sjelljet e tij janë sikur sjelljet e mia. Allahu atë e ka madhëruar. Allahu e mëshiroftë atë njeri që e njeh atë (imam Hasanin) dhe sillet mirë ndaj tij për hir të respektit që ka për mua”.
Cilido që e studion me vëmendje jetën e Imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) do të vërejë se ajo ndahet në disa periudha të ndryshme.
Periudha e fëmijërisë
Një pjesë të fëmijërisë së tij ai e kaloi më gjyshin e vet, profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) derisa ishte në këtë jetë.
Një ngjarje e rëndësishme që ka ndodhur në këtë periudhë është ballafaqimi i profetit të Islamit me të krishterët e Naxhranit. Në historinë islame, kjo njihet si ndodhia e “Mubaheles”, e cila është përmendur në ajetin 61 të sures Ali Imran. Në këtë ngjarje profeti Muhammed solli njerëzit më të afërt dhe më të dashur të tij që ishin imam Aliu, Fatime Zahraja, imam Hasani dhe imam Husejni.
Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) vetëm shtatë vjet jetoi pranën gjyshit të vet, profetit Muhamed. Kjo periudhë e shkurtër, mjaftoi që imam Hasani të përfitojë nga burimet e dijeve dhe moralit të lartë të gjyshit të tij dhe të ndriçohet me dritën e pashuar të Profetit.
Zonja Fatime Zahara (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Biri im Hasani, edhe pse ishte i vogël, vazhdimisht merrte pjesë në namazet dhe fjalimet e babait tim dhe i mësonte përmendësh ligjëratat e Profetit. Pastaj vinte në shtëpi dhe pa ndryshimin më të vogël m’i përsëriste fjalimet e të dërguarit të Allahut”.
Periudha e rinisë: Pas një periudhe të shkurtër nga ndërrimi jetë i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) imam Hasani (paqja qoftë mbi të!), e humbi edhe nënën e tij Fatimenë.
Për imamin filloi një periudhë e re e jetës pranë babait të tij, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Imam Hasani një pjesë të madhe të jetës së tij të ndritur e kaloi me babain e vet, imam Aliun. Me një qëndrueshmëri dhe rezistencë të paparë, qëndroi përballë rrymave devijuese dhe nuk lejoi shuarjen e dritës së Islamit. Ai ishte ndihmësi më i madh i imam Aliut në ditët më të vështira të khalifatit (prijësisë) dhe në krizat tepër të rënda të shoqërisë. Madje ishte i pranishëm në të gjitha luftërat e rëndësishme.
Virtytet e imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!)
Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) ishte manifestues i bukurive shpirtërore dhe epiteteve të larta njerëzore. Njëra ndër karakteristikat dhe cilësitë e rëndësishme të imam Hasanit, e cila ishte mjaft edukative për të tjerët, ishte të falurit dhe ndihma e të varfrve. Çdo gjë që posedonte e kishte vënë në shërbim të Islamit dhe të myslimanëve. Nipi i profetit, faljen dhe mirësinë e kishte vendosur si prioritet të jetës së tij. Për shkak të ndihmës së shumta për të varfërit dhe mjeranët, ai mori pseudonimin “falës dhe zemërbutë”.
Transmetohet se një ditë një nevojtar shkoi tek imam Hasani. Imami i tha: “Shkruaje atë që kërkon.” Imami, pasi e lexoi letrën, i dhuroi të varfërit dyfish më tepër nga ajo që kishte kërkuar. Njëri nga të pranishmit i tha: “O nipi i Profetit! Sa e bereqetshme ishte kjo letër për këtë njeri.” Imam Hasani ia ktheu: “Bereqeti i tij për ne ishte më i madh, sepse neve na bëri prej atyre që ndihmojnë.”
Me sjelljet dhe virtytet e tij të larta, imam Hasani kishte pushtuar zemrat e besimtarëve. Modestia ia zbukuronte atij edhe më shumë sjelljet dhe moralin. Një ditë prej ditëve imam Hasani kaloi pranë disa nevojtarëve. Ata ishin ulur në tokë dhe po hanin bukë të thatë. Kur e panë imam Hasanin i thanë: “O nipi i të dërguarit të Allahut, eja dhe na shoqëro në ngrënie.” Imam Hasani menjëherë zbriti nga kali dhe tha: “Zoti nuk i do mendjemëdhenjtë.” dhe u ul të hajë bukë me ta.Më pas imami i pastër i ftoi ata në shtëpinë e tij dhe u dha atyre ushqime të shijshme dhe rroba për të veshur.
Një njeri e pyeti imam Hasanin (paqja qoftë mbi të!): “Çfarë mendimi ke rreth kujdesit dhe përmbajtjes në jetë?” Imami iu përgjigj: “Duhet t’i përmbahesh të drejtave të Zotit, të drejtave të të gjallëve dhe të drejtave të të vdekurve. E drejta e Zotit është që të praktikosh atë që të ka urdhëruar Zoti dhe të braktisësh atë që të ka ndaluar. Të drejtat e të të gjallëve janë që të zbatosh përgjegjësitë tuaja ndaj vëllezërve të fesë dhe të mos kursehesh në shërbimin ndaj bashkëfetarëve të tu. Kurse e drejta e të të vdekurve është që t’i kujtosh ata dhe t’ia harrosh të këqijat, sepse ekziston një Zot që i bën llogaritë e tyre.”
Imam Hasani kishte një zë shumë të bukur dhe të ëmbël kur lexonte Kur’an. Që në fëmijëri ai kishte një oratori të jashtëzakonshme. Amir ibn Is’hak në lidhje me elokuencën dhe oratorinë e imam Hasanit ka thënë: “Hasan ibn Ali fliste aq bukur dhe rrjedhshëm sa që dëshiroja që asnjëherë të mos e ndërpriste fjalimin. Për askënd nuk kam patur ndonjë emocion të tillë dhe asnjëherë nuk kisha dëgjuar ndonjë fjalë të ashpër nga ai.”
Imam Hasani ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu e ka bërë muajin e bekuar të Ramazanit garim, ku njerëzit me anë të adhurimit mund të arrijnë në lumturi dhe mirësi”.
Dhe: “Sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty, nëse dëshiron të arrish në drejtësi.”
Është përcjellë nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), se ka thënë: “Cilido që dëshiron të shikojë një zotëri nga të rinjtë e banorëve të Xhenetit, le të shikojë Hasanin.”
Në një hadith tjetër Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Hasani është një lule me aromë të mirë që unë kam marrë nga kjo botë.”
Profeti Muhamed aq shumë i lavdëronte Hasanin dhe Husejnin saqë disa nga të pranishmit filluan të mendojnë se këta të dy janë më të mirë dhe me grada më të larta se babai i tyre imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Kjo çështje u bë shkak që Profeti Muhamed të thoshte: “Hasani dhe Husejni në këtë botë dhe në Botën Tjetër janë më të mirët kurse babai i tyre është më i lartë dhe më i mirë se ata të dy.”
Ndërsa Ebu Dherr El Giffarij, njëri nga shokët besnikë të Profetit Muhamed ka transmetuar: “E kam parë Profetin duke e puthur Hasan ibn Aliun dhe thoshte: “Ai që do ta dojë me sinqeritet Hasanin dhe Husejnin, zjarri i xhehennemit nuk do t’ia djegë fytyrën…”.
Me këto fjalë Profeti Muhamed donte që t’ua bënte të qartë shokëve të vet mendimin dhe pikëpamjen e tij në lidhje me Imam Hasanin. Kjo për faktin se të gjithë e dinin se Profeti nuk flet asnjë fjalë pa arsye, gjë të cilën e konfirmon edhe Kur’ani famëlartë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij.” (Sure “Nexhm”, ajeti 3).
Në mësimet islame, të pasurit kanë përgjegjësi shumë të madhe ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Të pasurit duhet të përpiqen për të përmbushur nevojat e të varfërve. Të dërguarit Allahut dhe të dashurit (eulijatë) e Tij, kanë qenë shembull i mirësisë dhe mirësjelljes ndaj njerëzve. Edhe imam Hasani (paqja qoftë mbi të!), i cili në aspektin e dijes, mirësjelljes dhe devotshmërisë gëzonte një pozitë shumë të lartë, ishte i njohur për faljen dhe ndihmën që u ofronte nevojtarëve dhe të varfërve. Ai njihej si “Bujari i Ehli Bejtit”. Imam Hasani ishte qetësim për zemrat e lënduara, strehë për të pastrehët dhe shpresë për ata që kishin humbur shpresat.
Asnjëherë nuk ka ndodhur që një i varfër të shkonte tek ai dhe të kthehej duarbosh.
Imam Hasani gjatë gjithë jetës së tij të begatshme përpiqej për udhëzimin e njerëzve. Ai përballej me ta me mënyrën më të mirë e më të bukur dhe me këtë sjellje ai i bënte për vete njerëzit.
