21 Ramazan…
Një ditë kur çastet duket sikur ndaluan dhe historia u mbulua me heshtje. Agimi i kësaj dite nuk solli vetëm dritën e mëngjesit të Ramazanit, por edhe dhimbjen e një humbjeje të madhe për umetin islam. Ishte dita kur qielli dukej më i rëndë, kur zemrat e besimtarëve u mbushën me pikëllim dhe kur bota e Islamit humbi një nga shtyllat e saj më të forta. Në këtë ditë u martirizua Ali ibn Ebi Talibi (Paqja qoftë mbi të!), njeriu që historia e kujton si kalorësin e pamposhtur të së vërtetës.
Ai nuk ishte vetëm një luftëtar i madh në fushat e betejës, por një shpirt i madh që jetoi për drejtësinë dhe për Allahun. Trimëria e tij në mbrojtje të Islamit ishte e pakrahasueshme, por edhe më e madhe ishte pastërtia e zemrës së tij, përulësia në adhurim dhe drejtësia në gjykim.
———————————————————-
Në çdo hap të jetës së tij ai u bë shembull i besimit të gjallë, i njeriut që nuk u përkul kurrë përpara padrejtësisë dhe që nuk u largua asnjëherë nga rruga e së vërtetës, edhe kur kjo rrugë ishte e mbushur me sakrifica dhe dhimbje.
21 Ramazani na kujton se madhështia e Imam Aliut nuk qëndron vetëm në trimërinë e tij, por në shpirtin e tij të pastër që jetoi për Allahun deri në frymën e fundit. Ai u godit në mihrabin e xhamisë ndërsa ishte në sexhde, në momentin më të pastër të lidhjes së njeriut me Zotin.
Dhe pikërisht aty, në atë moment adhurimi, u vulos historia e një jete të tërë të mbushur me sakrificë dhe besim. Martirizimi i tij ishte dhimbje për zemrat, por njëkohësisht ishte dëshmi e madhështisë së tij, sepse ai u largua nga kjo botë ashtu siç jetoi: në rrugën e Allahut.
Prandaj, përkujtimi i kësaj dite nuk është vetëm një rrëfim i historisë, por një thirrje për zemrat e besimtarëve që të reflektojnë mbi shembullin e tij. Ali ibn Ebi Talibi (Paqja qoftë mbi të!) mbetet përjetësisht simbol i drejtësisë, i guximit dhe i besimit të palëkundur.
Ai ishte kalorësi që nuk u mund nga shpatat e armiqve dhe as nga vështirësitë e kohës, sepse forca e tij nuk buronte vetëm nga trimëria, por nga një zemër që ishte e lidhur plotësisht me Allahun.
Dhe pikërisht për këtë arsye historia e Islamit e kujton atë si kalorësin e pamposhtur, një dritë që vazhdon të ndriçojë zemrat e besimtarëve edhe sot.
—————————————————————–
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), si një njeri i udhëzuar në rrugën e drejtë, është pasqyrë e plotë e moralit dhe e mirësisë. Ai e kishte kuptuar të vërtetën. Çdo çast të jetës e kaloi me të vërtetën dhe realizonte çdo gjë që thoshte. Kjo për faktin se ai u rrit dhe u edukua njeriu më i përkryer, hazreti Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Imam Aliu kishte personalitet të lartë dhe shumëdimensional. Ai u shërbente nevojtarëve me dashuri dhe modesti të skajshme. Ai ndikohej shumë nga vuajtjet dhe pikëllimet e jetimëve dhe shpirti i mërzitej nga gjendja e mjerueshme e tyre.
Qëllimi kryesor i Aliut (paqja qoftë mbi të!) ishte krijimi i një shoqërie të bazuar në drejtësi dhe qetësi. Kjo karakteristikë e tij kishte fituar zemrat e shumë njerëzve, saqë shumë njerëz të dijes dhe të shkencës kërkojnë që sikur edhe njëherë të vetme të kishte ardhur në histori një njeri si Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!).
Jeta e tij ishte një shembull i gjallë i drejtësisë dhe sakrificës për të vërtetën. Ai nuk e shihte pushtetin si privilegj personal, por si përgjegjësi për të mbrojtur të dobëtit dhe për të vendosur drejtësinë mes njerëzve. Në çdo vendim dhe në çdo veprim të tij reflektohej ndjenja e thellë e përgjegjësisë para Allahut dhe para shoqërisë.
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ishte gjithashtu një burim i madh urtësie dhe diturie. Fjalët e tij kanë mbetur deri sot si udhëzime të thella për jetën e njeriut, për drejtësinë, për moralin dhe për përmirësimin e shoqërisë. Mendimet e tij për njeriun, për pushtetin dhe për drejtësinë vazhdojnë të studiohen nga dijetarë dhe mendimtarë në mbarë botën.
Për këtë arsye, figura e tij nuk i përket vetëm një epoke të caktuar historike, por mbetet një model i përhershëm për njerëzimin. Drejtësia, guximi, përulësia dhe dashuria për njerëzit që ai shfaqi gjatë gjithë jetës së tij e bëjnë Imam Aliun (paqja qoftë mbi të!) një nga figurat më të ndritura të historisë njerëzore.
Vështrimi i Imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ndaj qeverisjes dallon shumë nga vështrimet e politikanëve që kërkojnë pushtet dhe fuqi. Ai e cilësonte botën si krijesë të Zotit, ndërsa Zotin si Pronar Absolut të gjithësisë. Dëshira e tij e madhe ishte që shoqërinë ta çonte drejt lumturisë dhe përsosurisë materiale dhe shpirtërore.
Duke patur parasysh se dhuna dhe padrejtësia pengojnë lëvizjen e njerëzve drejt zhvillimit dhe përsosurisë, Imam Aliu vazhdimisht theksonte nevojën e vendosjes së drejtësisë dhe thoshte: “Drejtësia është njëra nga shtyllat ku mbështetet gjithësia.”.
Sipas tij, drejtësia është zbukurim i besimit, madje princip i besimit. Strategjia më e rëndësishme për një pushtet ideal, sipas tij, ishte vendosja e drejtësisë në shoqëri. Në pushtetin e tij, drejtësia nuk ishte vetëm një sllogan i kotë, por ishte prioritet i programit të tij dhe domosdoshmëri e vënies në jetë. Pra, drejtësia ishte parimi i politikave të tij.
Nga veçoritë e Imam Aliut në udhëheqjen e shtetit, ishte shërbimi për popullin. Në një letër që i dërgoi përfaqësuesit të tij në Azerbajxhan, shkruan: “Asnjëherë të mos mendosh që qeverisja që të është besuar ty është një kafshatë, por ajo është një përgjegjësi që e ke mbi qafë dhe individi që është mbi ty, kërkon që të respektosh të drejtat e popullit. Kështu që nuk është mirë që të diskriminosh dhe të sillesh keq me njerëzit.”.
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), në dekretin e tij për tatimmbledhësit, shkruan: “Silluni me drejtësi dhe mëshirë! Ju jeni rezervat e popullit, përfaqësuesit e popullit dhe ambasadorët e pushtetit. Mos u sillni si një shtazë grabitqare, që e shfrytëzon rastin për të grabitur, sepse njerëzit ose janë myslimanë si ti, ose janë njerëz si ti!”.Sa mirë do të ishte që taksambledhësit e sotëm të lexonin këtë dekret!
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!), edhe pse qeveriste pjesë të gjera të botës, asnjëherë nuk përfitoi nga pozita e tij shoqërore dhe shtetërore dhe gjithnjë jetonte si njerëzit e tjerë të shoqërisë. Imami, në letrën dërguar Osman Ibn Hunejf, guvernatori i tij në Basra (Irak), thotë: “Dijeni që lideri juaj është i kënaqur me këto rroba të vjetra dhe dy kafshata bukë. Po të doja, do të mund të siguroja për vete ushqime të shijshme si: mjalti dhe rroba të stolisura prej mëndafshi, por Zoti më ruajt nga ngadhënjimi i epshit dhe i shejtanit!”.
Xhorxh Xhordaku, mendimtar i njohur i krishter libanez përkulet përballë vlerave njerëzore të Aliut (paqja qoftë mbi të!) dhe atë e konsideron si zërin e drejtësisë njerëzore. Në një përshkrim të bukur, Xhorxh Xhordaku shkruan: “Në këtë botë çdo det lëkundet. Por unë njoh një oqean madhështor dhe shumë të gjerë. Ky oqean është trupi i Aliut, të cilin nuk arriti ta lëkundte, veçse: ‘Oh’-i i të shtypurit dhe frika nga Zoti në zemrën e tij gjatë netëve.”
Ky ishte Ali ibn Ebu Talibi. Vallë, a nuk e meriton të ndiqet? Sigurisht, që po.
Jeta dhe personaliteti i Imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) mbeten një dritë udhëzuese për çdo njeri që kërkon të jetojë me drejtësi, ndershmëri dhe devotshmëri. Ai ishte shembulli i njeriut që bashkoi në vetvete besimin e thellë, dijen e gjerë dhe moralin më të lartë, duke e shndërruar jetën e tij në një mësim të përhershëm për njerëzimin.
Kujtimi i tij dhe mësimet që ai la pas vazhdojnë të frymëzojnë zemrat e besimtarëve dhe të udhëzojnë shoqërinë drejt së vërtetës, drejtësisë dhe mirësisë.
Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e tij, sepse rruga e tij është rruga e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe rruga e Profetit është rruga e drejtë e Allahut.
