Në horizontin e historisë njerëzore, aty ku errësira e injorancës përplaset me dritën e së vërtetës, shfaqet figura madhështore e Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), si një dritë që nuk shuhet kurrë. Ai nuk ishte thjesht një kumtues i shpalljes, por vetë mishërimi i saj në jetë, një Kur’an që ecën mbi tokë, që flet, vepron dhe udhëzon me çdo frymëmarrje të tij.

Në çdo fjalë që shqiptonte dhe në çdo veprim që ndërmerrte, pasqyrohej thellësia hyjnore e Kur’ani, duke e bërë jetën e tij një pasqyrë të pastër të mesazhit qiellor. Ai ishte ura që lidhte tokën me qiellin, shembulli i gjallë që e përkthente shpalljen në realitet të prekshëm për njerëzimin.

———————————————–

Për çdo çështje apo fjalë e pyesnin Profetin: ‘A është prej tij apo është shpallje nga Allahu?’, me qëllim që të qartësonin qëndrimet e tyre. Por duhet të dihet se Profeti nuk ka patur dy personalitete në çështjet e përgjithshme e të posaçme. Ai ka patur një personalitet, i cili ishte trup i gjallë me mesazhin. Ai ishte Kur’ani folës në çdo aspekt të jetës së tij, qoftë në vepra, në thënie, në miratime e vendime. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje e Zotit, që i vjen atij.”  (Sure “Nexhm”, ajetet 3-4)

Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrëfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” (Sure “Nisa”, ajeti 65)

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21)

Ai është shembull në gjithçka. Ai ka qenë i pastër e i pamëkat gjatë gjithë jetës së tij, që në vegjëli e deri në fund të jetës së tij. Fjala e tij me veprën kanë qenë një dhe kurrë nuk bienin ndesh me njëra-tjetrën. Ai është shembulli më i përkryer për mbarë njerëzit, sepse ai përfaqëson të gjitha vlerat e larta morale dhe njerëzore. Toka nuk ka parë dhe nuk do të shohë njeri më të dlirë e më të pastër se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Të qënit njeri

Kur’ani i shenjtë dëshmon se profeti Muhamed ka qenë njeri si të gjithë njerëzit e tjerë, njësoj si të dërguarit e tjerë paraardhës. Ndryshimi ishte se ai ka qenë i zgjedhuri i Allahut dhe i Dërguari i Tij për të udhëzuar njerëzit në rrugën e drejtë bazuar në mësimet e Zotit.

Kur’ani e urdhëron Profetin që t’u thotë njerëzve:Thuaj: ‘Unë jam vetëm një njeri si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm.’ Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Sure “Kehf”, ajeti 110)

Në një ajet tjetër sqarohet edhe më shumë të qënit e tij njeri si të gjithë njerëzit e tjerë. Ajeti thotë: “Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll e as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u jape kurrëfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre. Atëherë, sigurisht që do të isha prej të padrejtëve.” (Sure “Hud”, ajeti 31)

Thuaj: ‘Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet.’ Thuaj: “A barazohet i verbri me atë që sheh? A s’po mendoni?” (Sure “En’am”, ajeti 50)

Nga këto ajete mësojmë se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk ka asgjë nga ato që përmendin ajetet, por ai zbaton ato që i është shpalluar nga Allahu i Madhëruar.

Të qënit e profetit rob i Allahut sqarohet në këtë ajet, që thotë: Thuaj: ‘Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.’” (Sure “A’raf”, ajeti 188)

Në një ajet tjetër, përsëri rreth kësaj çështjeje, thuhet: “Thuaju: ‘Unë nuk jam i pari i dërguar dhe nuk e di çfarë do të ndodhë me mua ose me ju. Unë ndjek vetëm atë që më është shpallur dhe kam për detyrë vetëm të jap paralajmërime të qarta.’” (Sure “Ahkaf”, ajeti 9)

Në Kur’an flitet se Allahu i Madhëruar ia shfaq gajbin atij që do prej të dërguarve të Tij, por jo se ata dinë të fshehtën. Këtë e lexojmë në suren “Xhin”, ajetet 26-28, ku thuhet: Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikëqyrës (engjëj), në mënyrë që ta dijë, nëse i përcjellin mesazhet e Zotit të tyre. Ai përfshin me dijen e Vet gjithçka që ata kanë dhe çdo gjë e ka llogaritur imtësisht.”

Allahu është i Plotfuqishëm që t’i japë kujtdo prej robve të Tij, sidomos të dërguarve, çfarëdo fuqie, siç u ka dhënë disa të dërguarve mrekulli të ndryshme. Po ashtu, është i Plotfuqishëm që t’ua zbulojë të fshehtën. Por Kur’ani na thotë se nuk ua ka dhënë atyre këtë gjë. Ata lëviznin njësoj si lëvizin njerëzit. Përjetonin ndjenjën e dobësisë, etjes, urisë, dhimbjes, hidhërimit, gëzimit etj.

Si përballej Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me sfidat?

Profeti Muhamed është përballur me sfidat më të ashpra ndaj të pafeve dhe politeistëve mekas. Ata e akuzonin me lloj-lloj akuzash me qëllim që ta injoronin dhe ua paraqitnin njerëzve si një poet me metodë të re në poezi. Këtë e bënin për ta ulur nga posti i dërguesit të mesazhit. Më pas, e akuzonin se ishte gënjeshtar dhe se ai gënjente, duke pretenduar se ishte i Dërguar. E akuzuan se ishte magjistar dhe mendjelehtë. Së fundi, arritën të thonin se mesazhi i tij ishte: “Dhe ata thonë: ‘Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e në mbrëmje.’” (Sure “Furkan”, ajeti 5)

Ne e dimë mirë që ata thonë: ‘Atë e mëson një njeri! Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kur’ani) është në gjuhën e qartë arabe. ‘” (Sure “Nahl”, ajeti 103)

E Allahu u përgjigjet thënieve të tyre në shumë ajete, si: “…se ky (Kur’an) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit) e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni! Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni! Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!” (Sure Haka”, ajetet 40-43)

Nëse ata thonë: ’Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kur’anin)’, thuaju: ‘Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën.’” (Sure “Junus”, ajeti 38)

Vërtet thonë ata: ‘Ai e ka trilluar atë?!’ Nuk është kështu, por ata nuk besojnë. Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë!’” (Sure “Tur”, ajetet 33-34)

Thuaj (o Muhamed): ‘Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t’ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë.’” (Sure “Sebe”, ajeti 46)

Në këto ajete shihet qartë metoda e përkryer kur’anore në përgjigje të akuzave dhe trillimeve të jobesimtarëve, të cilat ia drejtonin profetit Muhamed. Pa dyshim që kjo metodë nuk është e posaçme vetëm për ata jobesimtarë në kohën e profetit Muhamed, por ajo është për të gjitha kohët dhe për të gjithë jobesimtarët e çdo kohe dhe të çdo vendi.

Të kuptosh personalitetin e tij do të thotë të kuptosh vetë thelbin e udhëzimit hyjnor, sepse ai nuk kishte dy fytyra apo dy rrugë në jetë, por një të vetme: rrugën e së vërtetës absolute. Ai ishte “Kur’ani folës”, një realitet i gjallë ku fjala dhe vepra nuk ndaheshin kurrë, ku bindja dhe veprimi ishin një. Në një botë ku fjalët shpesh humbasin peshën e tyre, ai qëndron si standardi më i lartë i përputhjes mes asaj që thuhet dhe asaj që jetohet. Prandaj, ai nuk është vetëm një figurë historike, por një model i përhershëm, një udhërrëfyes që e ndriçon rrugën e çdo zemre që kërkon të vërtetën dhe afërsinë me Allahun.