Haxhi është një nga adhurimet më madhështore dhe më të thella në Islam. Ai nuk është vetëm një udhëtim fizik drejt Mekës së Bekuar, por një udhëtim shpirtëror drejt Allahut, një kthim i zemrës tek Krijuesi i saj dhe një pastrim i shpirtit nga mëkatet dhe lidhjet e dynjasë. Çdo vit, miliona besimtarë nga vende, gjuhë dhe kultura të ndryshme mblidhen në një vend të vetëm, të veshur me të njëjtën rrobë, duke dëshmuar se përpara Allahut nuk ka dallim mes njerëzve, përveç devotshmërisë.
Haxhi është një thirrje hyjnore që buron që nga koha e Profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të). Allahu i Madhëruar e urdhëroi atë që t’i thërriste njerëzit drejt kësaj Shtëpie të Shenjtë:
“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta”(Sure El-Haxh, ajeti 27)
Kjo thirrje vazhdon ende sot. Zemrat e besimtarëve ndiejnë mall për Qaben, për vendin ku janë përulur profetët, imamët dhe robërit e sinqertë të Allahut. Nuk është vetëm trupi që udhëton drejt Mekës, por është shpirti që kërkon afërsinë me Zotin.
Allahu i Madhëruar e bëri Haxhin detyrim për çdo besimtar që ka mundësi ta kryejë:
“Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Sure Ali Imran, ajeti 97)
Ky ajet tregon madhështinë e këtij obligimi. Haxhi nuk është një adhurim i zakonshëm, por një prej shtyllave të Islamit. Ai është dëshmi e bindjes dhe nënshtrimit të plotë ndaj Allahut. Besimtari lë familjen, pasurinë dhe rehatinë e tij vetëm për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të), në një nga ligjëratat e tij madhështore, e përshkruan Haxhin me një bukuri të rrallë:
“Zoti jua ka bërë detyrë pelegrinazhin në shtëpinë e Tij të Shenjtë, si pikë kthese për ata që shkojnë drejt saj, siç shkojnë drejt ujit gjallërues të burimit bishat e etuara të shkretëtirës, të buta a vrastare qofshin. Zoti i Lavdishëm jua ka bërë këtë detyrim masë të adhurimit tuaj nëpërmjet lutjes, masë të respektit të mendjes njerëzore për Madhështinë e Tij e masë të pranimit të Pushtetit të Tij.”
Në këto fjalë të Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të) shohim dimensionin shpirtëror të Haxhit. Ai e krahason njeriun që shkon drejt Qabes me një krijesë të etur që kërkon ujë në mes të shkretëtirës. Kjo sepse zemra e njeriut ka etje për Allahun. Dynjaja nuk mund ta shuajë këtë etje dhe vetëm afërsia me Zotin mund t’i japë qetësi shpirtit.
Allahu thotë në Kur’an:
“Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”(Sure Er-Ra’d, ajeti 28)
Prandaj Haxhi është qetësi për zemrën, pastrim për shpirtin dhe ringjallje për besimin. Shumë njerëz kthehen nga Haxhi si njerëz të ndryshuar, me zemër më të butë, me shpirt më të pastër dhe me lidhje më të fortë me Allahun.
Një nga të tjerat aspekte madhështore të Haxhit është uniteti i muslimanëve. Në Haxh zhduken dallimet mes racave, gjuhëve dhe pozitave shoqërore. Të gjithë veshin ihramin, që simbolizon barazinë dhe përulësinë përpara Allahut. I pasuri dhe i varfri qëndrojnë pranë njëri-tjetrit pa asnjë dallim.
Allahu i Madhëruar thotë:
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëritjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Sure El-Huxhurat, ajeti 13)
Haxhi është manifestim i gjallë i këtij ajeti. Në Arafat, në Mina dhe rreth Qabes, të gjithë janë robër të Allahut, të bashkuar në adhurim dhe lutje.
Kur besimtari hyn në ihram, ai lë pas zbukurimet e kësaj bote. Dy copat e bardha të ihramit i kujtojnë njeriut qefinin me të cilin do të largohet nga kjo botë. Kjo është një kujtesë e fuqishme se jeta është e përkohshme dhe se njeriu do të kthehet tek Allahu.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj të gjithë do të ktheheni tek Ne” (Sure El-Ankebut, ajeti 57)
Prandaj Haxhi është një shkollë që e mëson njeriun të shkëputet nga arroganca dhe lidhja e tepruar me dynjanë. Ai e mëson durimin, sakrificën dhe bindjen ndaj Allahut.
Një nga momentet më prekëse të Haxhit është tavafi rreth Qabes. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) thotë se besimtarët që sillen rreth Qabes i ngjajnë engjëjve që qarkojnë Fronin Hyjnor. Kjo është një pamje madhështore e përulësisë dhe adhurimit.
Qabja është simboli i unitetit të muslimanëve. Çdo musliman në botë drejtohet nga ajo gjatë namazit. Allahu e quajti atë “Shtëpia e parë e vendosur për njerëzit”:
“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt”(Sure Ali Imran, ajeti 96)
Tavafi tregon se Allahu duhet të jetë qendra e jetës së besimtarit. Ashtu si haxhinjtë rrotullohen rreth Qabes, edhe zemra e besimtarit duhet të sillet rreth bindjes ndaj Allahut dhe dashurisë për Të.
Një tjetër ritual madhështor është qëndrimi në Arafat. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Haxhi është Arafati.”
Në atë vend, miliona njerëz ngrenë duart drejt qiellit, qajnë për mëkatet e tyre dhe kërkojnë mëshirën e Allahut. Arafati i kujton njeriut Ditën e Gjykimit, kur të gjithë njerëzit do të qëndrojnë para Zotit të tyre.
Allahu i Madhëruar thotë: “Atë ditë njerëzit do të dalin grupe-grupe që t’u tregohen veprat e tyre.” (Sure Ez-Zelzele, ajeti 6)
Në Arafat zemrat thyhen para Allahut dhe lotët bëhen dëshmi e pendimit të sinqertë. Nuk ka vend ku njeriu e ndien më shumë vogëlsinë e tij dhe madhështinë e Allahut sesa në atë ditë.
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:
“Ai që e kryen Haxhin për hir të Allahut dhe nuk kryen mëkate e sjellje të këqija, kthehet si ditën kur e ka lindur nëna e tij.”
Sa e madhe është mëshira e Allahut!
Imam Xhafer Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Haxhinjtë dhe umraxhinjtë janë mysafirët e Allahut. Nëse i luten Atij, Ai u përgjigjet; nëse kërkojnë falje, Ai i fal.”
Kjo tregon pozitën e lartë të atyre që nisen drejt Shtëpisë së Allahut. Ata janë mysafirë të Mëshiruesit dhe ecin në tokën ku kanë ecur profetët dhe njerëzit më të devotshëm.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Haxhi është një udhëtim që e mëson njeriun se jeta e kësaj bote është e shkurtër dhe se kthimi përfundimtar është tek Allahu. Ai është udhëtim i pendimit, i dashurisë dhe i bindjes. Kush e kupton thelbin e Haxhit, e kupton se zemra e besimtarit duhet të jetë gjithmonë e lidhur me Allahun.
Allahu na bëftë prej atyre që e vizitojnë Shtëpinë e Tij të Shenjtë me zemra të pastra, me sinqeritet dhe devotshmëri, dhe na e pranoftë çdo adhurim. Amin.
MA. Isra Merja
