السّلام عَلیَ الحُسَین 

 وعَلی عَلِیِ ابن الحُسَین 

وعَلی اوْلادِ الحُسَین 

 و عَلی  اَصحابِ الحُسَین

Paqja qoftë mbi Husejnin! Paqja qoftë mbi Aliun birin e Husejnit! Paqja qoftë mbi fëmijët e Husejnit! Paqja qoftë mbi shokët e Husejnit!

Në ajetin 88 të sures “Hud” Allahu i Madhëruar thotë:

إِنْ أُرِيدُ إِلَّا الْإِصْلَاحَ مَا اسْتَطَعْتُ

Unë nuk dua tjetër përveç reformimit, aq sa kam mundësi.”

Ky ajet, megjithëse është pjesë e fjalës së Profetit Shuajb (Paqja qoftë mbi të!), ai përshkruan në mënyrë të përkryer edhe misionin e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!). Ngritja e imam Husejnit nuk ishte për pushtet, pasuri apo famë. Ajo ishte një lëvizje reformuese për të shpëtuar fenë dhe umetin nga devijimi. Për t’u kuptuar më mirë ngritja e imam Husejnit duhet hedhur vështrimi mbi disa çështje:

1- Gjendja e umetit para Kerbelasë

Pas vdekjes së Muaviut, pushtetin e mori Jezidi, një njeri i njohur për shkeljen e hapur të normave islame. Problemi nuk ishte vetëm personaliteti i Jezidit, por fakti se ai përfaqësonte shndërrimin e kalifatit islam në një mbretëri trashëgimore.

Feja po humbiste përmbajtjen e saj morale dhe shpirtërore. Emri i Islamit ishte i pranishëm, por vlerat e tij po zhdukeshin gradualisht.

Në këtë situatë, heshtja e imam Husejnit do të nënkuptonte miratim të padrejtësisë.

Prandaj ai deklaroi: “Unë nuk dola për mendjemadhësi, as për argëtim, as për të bërë padrejtësi dhe as për të përhapur korrupsion. Unë dola vetëm për të kërkuar reformimin e umetit të gjyshit tim. Dua të urdhëroj për të mirën dhe të ndaloj nga e keqja.”  “Biharul-Enuar”, vëll. 44, f. 329.

2- Refuzimi i padrejtësisë

Një nga qëllimet kryesore të lëvizjes së imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) ishte refuzimi i padrejtësisë.

Imam Husejni nuk pranoi t’i jepte besën Jezidit sepse kjo do të nënkuptonte legjitimimin e tiranisë.

Ai tha: “Një njeri si unë nuk i jep besë një njeriu si ai.”

Kerbelaja na mëson se besimtari nuk duhet të pajtohet me padrejtësinë, qoftë ajo politike, ekonomike, shoqërore apo familjare.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush sheh një sundues tiran që e bën të lejuar atë që Allahu e ka ndaluar… dhe nuk e kundërshton me fjalë apo vepra, Allahu do ta ringjallë me të.” (Sahih Muslim)

Prandaj, heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet; shpeshherë ajo bëhet bashkëpunim me të.

3- Reformimi i umetit

Fjala kyçe e lëvizjes së Imam Husejnit ishte “el islah”, reformimi.

Ai nuk kërkoi shkatërrimin e umetit, por përmirësimin e tij.

Reformimi fillon nga besimi, morali, familja dhe shoqëria.

Shumë njerëz mendojnë se problemi është gjithmonë te të tjerët, por Kur’ani, në ajetin 11 të sures “Err-Rrad”  na meson e na thotë:

إِنَّ اللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ

Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që është në vetveten e tyre.”

Kerbelaja na mëson se reforma e shoqërisë fillon nga reforma e vetes.

4- Ringjallja e vlerave islame

Kur imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) u ngrit, shumë prej vlerave islame ishin zbehur.

Njerëzit falnin namaz, por shpesh u mungonte drejtësia. Lexonin Kuranin, por nuk vepronin sipas tij.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) kishte thënë: “Nuk mbetet nga Islami veçse emri i tij dhe nuk mbetet nga Kurani veçse shkrimi i tij.”

Kerbelaja erdhi për t’i rikthyer umetit drejtësinë, sinqeritetin, sakrificën, përgjegjësinë dhe besnikërinë ndaj Allahut.

Prandaj mund të themi se gjaku i imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) i dha jetë përsëri mesazhit islam.

5- Çfarë do të thotë të jesh reformues sot?

Shpesh mendojmë se reforma kërkon domosdoshmërisht pozita të larta. Por imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se çdo njeri mund të jetë reformues.

Mund të jetë reformues në familjeduke edukuar fëmijët me vlera islame dhe duke përhapur dashuri dhe respekt.

Mund të jetë reformues nëshoqëriduke luftuar korrupsionin,degjenerimin e çdo lloj ngjyre dheduke mbrojtur të vërtetën.

Mund të jetë reformues në komunitetduke ndihmuar të varfrit,jetimët, të dobëtit dhe duke mbrojtur drejtësinë.

Mund të jetë reformues në jetën personaleduke luftuar egon, duke u larguar nga mëkatet dhe duke u afruar me Allahun.

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) nuk kërkon prej nesh që të vdesim në Kerbela. Ai kërkon që të jetojmë sipas vlerave të Kerbelasë.

Mësimet kryesore të kësaj teme janë:

– Ngritja e imam Husejnit ishte për reformim, jo për pushtet.

– Besimtari nuk duhet të pranojë padrejtësinë.

– Reforma fillon nga vetja.

– Vlerat islame duhet të ringjallen në çdo kohë.

– Çdo besimtar mund të jetë reformues në familje dhe shoqëri.

Kerbelaja nuk është vetëm një ngjarje historike; ajo është një shkollë e përhershme reformimi.

Kur kujtojmë Imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!), duhet të pyesim veten: A po luftojmë padrejtësinë në jetën tonë? A po përmirësojmë veten dhe shoqërinë tonë? A po mbrojmë të vërtetën edhe kur kjo ka kosto?

Nëse përgjigjja është po, atëherë ne po ecim në rrugën e imam Husejnit.

Paqja e Allahut qoftë mbi Husejnin, mbi Ali ibn Husejnin, mbi fëmijët e Husejnit dhe mbi shokët e Husejnit!