Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Profetin Muhamed dhe familjen e tij të pastër!

Kur flasim për Kerbelanë, nuk po flasim për një ngjarje të zakonshme historike. Por, po flasim për një fenomen që nuk ka vdekur për 14 shekuj, për një kujtesë që nuk është shuar, për një thirrje që çdo vit ringjallet në zemrat e miliona njerëzve.

Pyetja që shtrohet është: Cili është sekreti i pavdekshmërisë së Kerbelasë? Kushdo që e studion ngjarjen e Kerbelasë do të gjejë se ka disa sekrete që e bëjnë atë të pavdekshme. Ato sekrete janë:

Sekreti i parë: Kerbelaja është përballja e përjetshme mes të vërtetës dhe të pavërtetës

Sekreti i parë është se Kerbelaja nuk është thjesht histori, por parim i përhershëm: përballja mes të vërtetës dhe të pavërtetës, të drejtës dhe të padrejtës.

Në ajetin 81 të sures “El-Isra” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَقُلْ جَاءَ الْحَقُّ وَزَهَقَ الْبَاطِلُ ۚ إِنَّ الْبَاطِلَ كَانَ زَهُوقًا﴾

“E vërteta ka ardhur dhe e pavërteta është zhdukur; e pavërteta me të vërtetë është e destinuar të zhduket.”

Kerbelaja është mishërimi praktik i këtij ajeti. Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) nuk doli për pushtet, por për ta ringjallur të vërtetën. Ai ka thënë: “A nuk e shihni se e vërteta nuk zbatohet dhe se e kota (e pavërteta, e keqja) nuk pengohet e nuk ndalohet?” Nga kjo thënie e imam Husejnit kuptohet se e vërteta ishte lënë pas dore, ndërsa e pavërteta dhe padrejtësia po përhapeshin pa u kundërshtuar. Kjo gjë po ndodh edhe në kohët e sotme.

Sekreti i dytë: Sakrifica për Allahun nuk vdes kurrë

Sekreti i dytë është sinqeriteti absolut për Allahun.

Në ajetin 162 të sures “El En’am” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ﴾

“Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve.”

Imam Husejni e jetoi këtë ajet në mënyrën më të plotë.
Ai tha në ditën e Ashurasë: “Unë nuk jam ngritur për kryelartësi apo për korrupsion… por për të kërkuar reformë në umetin e gjyshit tim.” Ky sinqeritet e bëri Kerbelanë të pavdekshme.

Sekreti i tretë: Gjaku i të pafajshmit bëhet thirrje e përjetshme

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Me të vërtetë, për Husejnin ka një nxehtësi në zemrat e besimtarëve që nuk ftohet kurrë.” Kjo është një mrekulli shpirtërore: Gjaku i Husejnit nuk u shua, por u bë dritë në ndërgjegjen e njerëzimit.

Sekreti i katërt: Kerbela është shkollë e lirisë dhe dinjitetit njerëzor

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) iu drejtua ushtrisë së Jezidit dhe u tha: “O ju idhtarë të familjes së Ebu Sufjanit. Nëse nuk besoni në asnjë fe, atëherë bëhuni të lirë në këtë botë.” Ky është mesazh universal: Njeriu nuk duhet të jetojë i nënshtruar ndaj padrejtësisë.

Prandaj Kerbela është revolucioni i dinjitetit njerëzor.

Sekreti i pestë: Gjaku që mbron fenë e Allahut nuk humbet

Në ajetin 169 të sures “Ali Imran” thuhet:

﴿وَلَا تَحْسَبَنَّ الَّذِينَ قُتِلُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ أَمْوَاتًا ۚ بَلْ أَحْيَاءٌ عِندَ رَبِّهِمْ يُرْزَقُونَ﴾

“Ata që u vranë në rrugën e Allahut, mos i konsideroni të vdekur… përkundrazi janë të gjallë tek Zoti i tyre.”

Imam Husejni dhe shokët e tij janë pikërisht shembulli i këtij ajeti.
Ata nuk u zhdukën. Ata janë të gjallë në ndërgjegjen e umetit.

Sekreti i gjashtë: Roli i Ehli Bejtit në pavdekësinë e Kerbelasë

Pas Ashurasë, ishte Imam Zejnul Abidini dhe Hz. Zejnebja (Paqja qoftë mbi ta) që e kthyen tragjedinë në mesazh. Kur Zonja e Madhe Zejneb u përball me Ibn Zijadin, ajo tha: “Nuk pashë veçse bukuri.”

Kjo fjali e shndërroi humbjen në fitore shpirtërore.

Sekreti i shtatë: Kerbelaja nuk është ngjarje, ajo është ndërgjegje

Është transmetuar se imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo ditë është Ashura dhe çdo tokë është Kerbela.”

Kjo do të thotë: Kerbelaja nuk është vetëm e vitit 61 hixhri, por çdo kohë ku përplaset e drejta me padrejtësinë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Sekreti i pavdekshmërisë së Kerbelasë është fakti se Kerbelaja nuk ishte një betejë për pushtet, por një flijim për drejtësinë dhe ruajtjen e fesë.  Nuk ishte përballje e shpatave, por përplasje e së vërtetës me të pavërtetën. Gjaku i imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!) u derdh, por mesazhi i tij nuk u shua. Trupat e dëshmorëve u rrëzuan, por ideali i tyre u ngrit lart në zemrat e besimtarëve.

Kerbelaja jeton, sepse është shkolla e lirisë, e dinjitetit, e besnikërisë dhe e sakrificës për Allahun. Sa herë që njeriu ngrihet kundër padrejtësisë dhe qëndron me të vërtetën, fryma e Kerbelasë rilind. Për sa kohë që në botë do të ketë zemra që thërrasin: ‘Ja Husejn!’, Kerbela nuk do të jetë kurrë një ngjarje e së shkuarës, por një dritë e pashuar që udhëheq njerëzimin drejt Allahut ë Madhëruar.”

Kerbelaja është jetë e vazhdueshme në ndërgjegjen e njerëzimit, sepse atë e ringjall çdo brez zemrat e besimtarëve. Shembull për këtë janë dashamirësit e imam Husejnit në trojet shqiptare, të cilët e mbajnë flamurin e imam Husejnit të valëvitet në çdo kohë.

Në ajetin 7 të sures “El Enfal” Allahu i Madhëruar thotë:

{وَيُرِيدُ ٱللَّهُ أَن يُحِقَّ ٱلۡحَقَّ بِكَلِمَٰتِهِۦ وَيَقۡطَعَ دَابِرَ ٱلۡكَٰفِرِينَ}

“Allahu dëshiron ta përmbushë të vërtetën me fjalët e Tij, edhe nëse e urrejnë jobesimtarët.” Kerbelaja është dëshmia e gjallë e këtij premtimi të Allahut.