Nga: Imami dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu ia shenjtëroftë sekretet!)
Sa i përket muajit të shenjtë Muharrem, ekzistojnë dy lloje studimi lidhur me çështjet që kanë lidhje të ngushtë me këtë muaj të bekuar. Njëri prej tyre është fjalimi mbi revolucionin e imam Husejnit.
Megjithëse shumë është thënë dhe është shkruar nga dijetarë dhe mendimtarë të shquar për shkaqet dhe synimet e revolucionit të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), është e sigurt se mund të trajtohet për vite të tëra tema e këtij revolucioni të bekuar, shkaqet, synimet dhe rezultatet e tij.
Sa më shumë që thellohemi në çështjen e Ashurasë dhe në revolucionin e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), aq më shumë shohim se ky revolucion hap hapësirë gjithnjë e më të madhe për mendim dhe shpjegim. Dhe, sa më shumë që shtohet reflektimi ynë mbi këtë lëvizje madhështore, aq më shumë dalin në pah të vërteta të reja që më parë nuk i kemi njohur. Kjo është tema e parë që mund të trajtohet lidhur me revolucionin e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!).
Zakonisht, kjo temë diskutohet gjatë gjithë vitit nëpër tubime e cermoni të ndryshme të organizuara në raste të ndryshme, por është e domosdoshme që në ditët e muajit Muharrem të trajtohet më gjerësisht, më saktë dhe më thellë, ashtu siç bëjnë dhe do të bëjnë, me lejen e Allahut, ligjëruesit tanë të nderuar.
Ndërsa tema tjetër që mund të trajtohet me rastin e hyrjes së muajit Muharrem, dhe që rrallëherë diskutohet, është çështja e ceremonive të zisë për imam Husejn ibn Ali (Paqja qoftë mbi ta!), për të cilën do të flas me më shumë detaje këtë natë.
Përkujtimi i Ashurasë ndërmjet ndjenjës dhe argumentimit
Është e sigurt se një nga veçoritë më të rëndësishme të shoqërisë shiite, në dallim nga vëllezërit e tjerë myslimanë, është posedimi i kujtimit të Ashurasë dhe tragjedisë së dhimbshme të Kerbelasë.
Që nga dita kur u mbajtën ceremonitë e zisë, në të cilat përmenden fatkeqësitë që i ndodhën Ebu Abdullahut, imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) dhe familjes së tij të pastër, ka shpërthyer një burim i pashtershëm spiritualiteti dhe njohurish islame në mendjet dhe zemrat e dashamirësve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Ky burim ka vazhduar të rrjedhë deri në ditët tona dhe do të vazhdojë kështu, me dëshirën e Allahut.
Burimi i gjithë kësaj të mire dhe bereqeti është përkujtimi i vazhdueshëm i ditës së Ashurasë, në mënyrë që tragjedia e Kerbelasë të mbetet e gjallë në ndërgjegjen e bijve të umetit. Kujtimi i Ashurasë nuk është thjesht përmendje e disa kujtimeve, ndodhive apo ngjarjeve historike, por është sqarim i një ngjarjeje jashtëzakonisht të rëndësishme, me dimensione dhe aspekte të panumërta, e cila ka lënë gjurmët më të thella në jetën e umetit islam përgjatë historisë.
Prandaj, përkujtimi i kësaj tragjedie është një çështje prej së cilës mund të burojnë shumë të mira dhe bereqete për bijtë e këtij umeti. Për këtë arsye vëreni se çështja e të qarit dhe e nxitjes për të qarë për Imam Husejnin (a.s.) zinte një vend të veçantë në kohën e imamëve (Paqja qoftë mbi ta!).
Askush të mos mendojë se, meqë ekzistojnë logjika dhe argumentimi, atëherë ç’nevoja ka për të qarë? Apo ç’nevoja ka të hulumtohen çështje të vjetra të këtij lloji?
Ky lloj mendimi është qartësisht i pavlefshëm, sepse secila prej këtyre gjërave ka rolin e vet në ndërtimin dhe përsosjen e personalitetit të njeriut. Ndjenjat kanë rolin e tyre, ndërsa logjika dhe argumenti kanë po ashtu rolin e tyre të rëndësishëm. Ndjenja ka një rol të madh në zgjidhjen e shumë problemeve dhe vështirësive, të cilat logjika dhe argumentimi nuk arrijnë t’i zgjidhin të vetëm.
Prandaj, kur i kthehemi historisë së profetëve, do të shohim se në fillimet e misionit të tyre profetik, rreth tyre mblidheshin njerëz, për të cilët logjika dhe argumenti nuk ishin shtysa kryesore për besimin dhe përkrahjen e tyre ndaj atyre profetëve (Paqja qoftë mbi ta!).
Në historinë e Profetit tonë Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e cila është e shkruar dhe e qartë, nuk gjejmë se ai, në fillim të shpalljes, u mblodh me një grup jobesimtarësh dhe u argumentoi atyre me prova racionale për ekzistencën e Allahut, për Njëshmërinë e Tij apo për pavlefshmërinë e adhurimit të idhujve. Argumentimet racionale të Profetit erdhën pasi thirrja islame kishte përparuar dhe ishte përhapur. Ndërsa në fazën e parë, veprimtaria e thirrjes mbështetej në fitimin e ndjenjave dhe emocioneve të sinqerta të njerëzve.
Në atë periudhë, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u thoshte jobesimtarëve: “Këta idhuj që adhuroni nuk janë gjë tjetër veçse gurë, të cilët as nuk ju bëjnë dëm e as nuk ju sjellin dobi”, pa pasur nevojë të paraqiste argumente logjike dhe racionale për pavlefshmërinë e adhurimit të tyre. Ai, gjithashtu, nuk u sillte njerëzve argumente filozofike e racionale për ekzistencën e Allahut dhe Njëshmërinë e Tij, por mjaftohej duke thënë: “Thoni: ‘La ilahe il-lall’llah’ (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), që të shpëtoni.”
Ai nuk ua provonte njerëzve në mënyrë filozofike apo racionale se besimi në “La ilahe il-lAllah” çon në shpëtimin dhe lumturinë e njeriut. Përkundrazi, kjo thirrje i drejtohej ndjenjave dhe emocioneve të sinqerta të njeriut.
Natyrisht, çdo ndjenjë dhe emocion i sinqertë e i shëndoshë përmban në vetvete edhe një argument filozofik dhe një arsyetim racional. Mirëpo çështja është se çdo profet, kur fillonte thirrjen e tij, nuk e paraqiste argumentin racional dhe filozofik si mjetin e parë për udhëzimin e njerëzve. Ai fillonte duke zgjuar ndjenjat dhe emocionet e pastra e të shëndosha, të cilat në vetvete mbartin logjikën dhe argumentimin.
Këto ndjenja dhe emocione e drejtojnë vëmendjen e njeriut ndaj padrejtësive, shtypjes dhe dallimeve klasore që ekzistojnë në shoqëri, si dhe ndaj presionit dhe terrorit që ushtrojnë kundër njerëzve të asaj shoqërie rivalët e Allahut prej njerëzve (djajtë e njerëzimit).
Ndërsa paraqitja e argumenteve racionale dhe logjike fillonte pasi thirrja islame të ishte konsoliduar dhe të kishte hyrë në rrjedhën e saj natyrore. Atëherë, kush kishte aftësi intelektuale dhe mendore, mund të kuptonte disa prej argumenteve të thjeshtuara racionale dhe filozofike që paraqiste Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ndërsa ai që nuk e zotëronte atë aftësi mbetej në nivelin fillestar të të kuptuarit që kishte.
Natyrisht, nuk është kusht që njeriu që ka fuqi më të madhe argumentimi të jetë më i lartë shpirtërisht se të tjerët. Ndoshta ndjenjat e disa njerëzve me nivel më modest intelektual janë më të sinqerta dhe më të pastra, lidhja dhe përkushtimi i tyre ndaj Profetit dhe ndaj botës së së fshehtës (gajbit) është më i fortë, ndërsa dashuria e tyre është më e sinqertë dhe më e thellë. Kjo mund t’u japë atyre një pozitë më të lartë shpirtërore dhe një gradë më të lartë tek Allahu i Madhëruar.
Prandaj, si ndjenja ashtu edhe argumentimi kanë secili rolin dhe vendin e vet. As ndjenja nuk mund ta zërë vendin e argumentimit racional, e as argumentimi nuk mund ta zërë vendin e ndjenjës.
Ngjarja e Ashurasë, në natyrën dhe esencën e saj, përmban një oqean të pafund emocionesh të sinqerta. Kjo tragjedi erdhi si rezultat i revolucionit të një njeriu madhështor dhe të pagabueshëm; një njeriu për madhështinë e karakterit të të cilit nuk mund të vihet në dyshim as sa një grimcë. Të gjithë njerëzit e drejtë dhe të paanshëm në botë e pranojnë fisnikërinë e synimit të tij, i cili ishte shpëtimi i shoqërisë nga kthetrat e padrejtësisë, shtypjes dhe robërimit.
Ai e shpalli qartë këtë qëllim kur tha: “O njerëz! I Dërguari i Allahut (s.a.a.) ka thënë: Kush sheh një sundimtar tiran, i cili i konsideron të lejuara gjërat që Allahu i ka ndaluar, e thyen besëlidhjen e Allahut, vepron ndaj robërve të Allahut me mëkat dhe padrejtësi, dhe nuk ngrihet kundër tij me fjalë apo me vepër, atëherë Allahu ka të drejtë ta fusë atë në të njëjtin vend ku do të hyjë ai sundimtar.”
Pra, qëllimi i revolucionit ishte qëndrimi përballë padrejtësisë dhe tiranisë. Për këtë synim të shenjtë, Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) përballoi format më të vështira të xhihadit dhe të përballjes me armiqtë e Allahut. Kjo sepse forma më e vështirë e luftës është lufta në vetmi dhe larg përkrahjes së njerëzve.
Të biesh dëshmor dhe të vritesh mes familjes, të afërmve dhe nën përkrahjen e përgjithshme të njerëzve nuk është gjë aq e vështirë.
Në fillimet e Islamit, kur zhvilloheshin përballje ndërmjet së vërtetës dhe së pavërtetës dhe në krye të ushtrisë islame ishte Profeti i Nderuar, ose imam Aliu, njerëzit garonin me njëri-tjetrin për të shkuar në fushën e betejës në përgjigje të urdhrit të Profetit. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe myslimanët i përcillnin, luteshin për ta dhe i inkurajonin. Ata luftonin kundër armikut dhe binin dëshmorë ndërsa ishin të rrethuar nga familjet dhe të dashurit e tyre.
Prandaj, nuk është aq e vështirë që njeriu të kryejë një veprim të tillë në kushte të tilla mbështetjeje dhe përkrahjeje.
Por më e vështira është forma tjetër e luftës: lufta e rëndë, e mbushur me mundime, pengesa dhe sprova, kur njeriu hyn në fushën e betejës duke parë se të gjithë pjesëtarët e shoqërisë qëndrojnë kundër tij, ose shpërfillin ndihmën ndaj tij, ose përpiqen të largohen prej tij. Madje edhe ata që në zemrat e tyre e mbështesin, nuk guxojnë ta shprehin këtë mbështetje me gjuhën e tyre.
Në tragjedinë e Karbalasë, as njerëz si Abdullah ibn Abbasi dhe Abdullah ibn Xha’ferri, të cilët ishin nga Benu Hashimi dhe nga ajo pemë e bekuar, nuk guxuan ta shfaqnin hapur përkrahjen e tyre për imam Husejnin në Mekë apo në Medinë.
Prandaj, xhihadi i të vetmuarve dhe i të huajve është ndër format më të vështira dhe më të rënda të xhihadit në rrugën e Allahut. Të gjithë ngrihen kundër atij luftëtari të Allahut dhe largohen prej tij, madje edhe miqtë e tij. Aq sa imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), kur i kërkoi njërit prej tyre ta ndihmonte, ai refuzoi ta ndihmonte birin e të Dërguarit të Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe, në vend të kësaj, i ofroi kalin e tij! A ka vetmi më të madhe se kjo vetmi? A ka luftë në mërgim dhe braktisje më të rëndë se kjo luftë?
Gjatë kësaj përballjeje, imam Husejni pa me sytë e tij vrasjen e bijve të tij, të vëllezërve të tij, të djemve të vëllezërve, të kushërinjve dhe të gjithë bijve të Benu Hashimit. Madje ai pa edhe vrasjen e foshnjës së tij, e cila ishte vetëm gjashtë muajshe.
Përveç kësaj, imam Husejni e dinte se pas martirizimit të tij, ato ujqër të egër do të sulmonin familjen dhe fëmijët e tij, do t’i tmerronin dhe frikësonin, do t’u plaçkisnin pasurinë, do t’i merrnin robër dhe do t’i poshtëronin. Ai e dinte gjithashtu se do të ushtrohej dhunë dhe fyerje ndaj Zonjës së Madhe Zejneb, bijës së imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), e cila ishte një nga personalitetet më të shquara të botës islame në atë kohë.
Ebu Abdullahu, imam Husejni, vazhdoi luftën e tij të hidhur pavarësisht se i dinte me hollësi të gjitha këto gjëra. Prandaj, shikoni sa i rëndë dhe i dhimbshëm ishte xhihadi që zhvilloi Ebu Abdullahu!
Për më tepër, ai, familja e tij dhe shokët e tij vuanin nga etja e madhe, sepse ishin penguar të arrinin tek uji i Eufratit. Fëmijët, të rinjtë, pleqtë dhe madje edhe foshnjat përvëloheshin nga etja, pasi prej një kohe të gjatë nuk kishin shijuar asnjë pikë ujë.
Mund ta imagjinoni tani se sa i madh dhe sa i vështirë ishte ai xhihad që zhvilloi imami ynë Husejn (Paqja qoftë mbi të!)? Cili njeri nuk preket në ndjenjat e tij nga martirizimi i një njeriu kaq madhështor, të pastër dhe të pagabueshëm; një njeriu, fytyrën e ndritshme të të cilit engjëjt garonin ta shikonin dhe pozitën e të cilit e dëshironin profetët dhe miqtë e Allahut? Dhe, cili njeri i lirë, që e kupton domethënien e asaj tragjedie dhe i njeh qëllimet e saj, nuk ndien lidhje zemre dhe emocionale me të?
Ky burim i madh shpirtëror dhe emocional filloi të rrjedhë, dhe vazhdon të rrjedhë edhe sot, që nga pasditja e ditës së Ashurasë, kur Zejnebi (Paqja qoftë mbi të!), sipas transmetimeve, qëndroi mbi kodrën e njohur si Tel-Zejnebije dhe iu drejtua gjyshit të saj, të Dërguarit të Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), duke thënë: “O i Dërguari i Allahut! Paqja e Mbretit të qiellit qoftë mbi ty! Ky është Husejni yt, i mbuluar me gjak, me gjymtyrë të copëtuara, i zhveshur nga çallma dhe manteli i tij.”
Pastaj ajo filloi të lexonte vajtimin për imam Husejnin me zë të lartë. Më pas, përmes hutbeve dhe fjalimeve të saj të fuqishme në Kerbela, Kufe, Sham (Damask) dhe Medinën e Ndritur, ajo zbuloi atë që armiqtë përpiqeshin ta fshihnin dhe ta mbulonin.
Kjo është tragjedia e Ashurasë. Këto janë dimensionet e saj. Këto janë qëllimet e saj.
