Nga: Imami dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu ia shenjtëroftë sekretet)
Ka disa gjëra që i afrojnë njerëzit tek Allahu dhe e forcojnë përkushtimin e tyre ndaj mësimeve të fesë. Ndër këto janë ceremonitë tradicionale të zisë. Imam Khomeini (Allahu e mëshiroftë!), na ka porositur për organizimin e ceremonive tradicionale të zisë, si pjesëmarrja në mexhliset husajnije, vajtimi për Imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!), qarja për të dhe goditja e gjoksit në procesionet e zisë, të cilat janë ndër veprat që forcojnë ndjenjat e thella ndaj Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).
Megjithatë, ekzistojnë edhe veprime të tjera të kundërta me këto, të cilat disa njerëz i largojnë nga feja. Fatkeqësisht, gjatë tre apo katër viteve të fundit janë vërejtur disa veprime të cilat, me sa duket, po promovohen nga disa grupe, dhe këto ngjallin pikëpyetje në mendjet e shikuesve.
Në të kaluarën, mes njerëzve të thjeshtë ishte bërë zakon që të varnin dryna në trup gjatë ceremonive të zisë. Por dijetarët e mëdhenj u ngritën kundër kësaj praktike dhe ajo u zhduk. Megjithatë, kohët e fundit ajo është rishfaqur. Kam dëgjuar se disa njerëz po varin dryna në trupat e tyre gjatë ceremonisë së zisë, dhe ky është një veprim i gabuar.
Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për çarjen e kokës me shpata, që quhet “tatbir”, i cili, gjithashtu, konsiderohet një veprim i gabuar.
Unë e di se disa thonë se e vërteta ishte me imam Husejnin, i cili nuk folur për temën e goditjes së kokave me shpata, çfarë të shtyu ty ta hapësh këtë temë? Jo, çështja nuk është kështu. Po të ishte Imami gjallë, ai do të ishte kundër fenomenit të çarjes së kokave me shpata në formën që është përhapur gjatë katër apo pesë viteve pas përfundimit të luftës.
Është një veprim i gabuar që disa njerëz çajnë kokat e tyre me shpata. Çfarë përfitohet nga derdhja e gjakut në këtë mënyrë? Dhe si mund të konsiderohet kjo si pjesë e ceremonive të zisë?
Po, nga ceremonitë e zisë është goditja e gjoksit dhe e kokës me dorë, por nuk është pjesë e zisë që njeriu të çajë kokën me shpatë dhe të derdhë gjakun e tij, edhe nëse fatkeqësia do t’i kishte ndodhur njeriut më të dashur të tij. Kjo është bidat (risi në fe) dhe nuk është nga feja, dhe nuk ka dyshim se Allahu nuk është i kënaqur me një veprim të tillë.
Dijetarët e mëparshëm që nuk e kanë trajtuar këtë çështje kanë qenë të kufizuar në ndikimin e tyre në atë kohë. Por sot është koha e qeverisë islame dhe koha e shfaqjes së Islamit, dhe nuk duhet të bëjmë veprime që e dëmtojnë imazhin e shoqërisë islame, e cila dallohet me dashurinë për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) dhe krenohet me bekimin e emrit të shenjtë të Imamit të Kohës (Shpirtat tanë u bëfshin kurban për të!) si dhe me emrin e imam Husejnit dhe të imam Aliut (Paqja qoftë mbi ta!).
Nuk duhet të bëjmë veprime që e paraqesin këtë shoqëri si një shoqëri të prapambetur dhe jo racionale, përballë myslimanëve dhe jomyslimanëve në botë.
Në të vërtetë, unë i paralajmëroj bijtë e popullit tonë të dashur kundër këtij fenomeni, i cili në fakt është bidat dhe në kundërshtim me mësimet e fesë, që të heqin dorë nga ky veprim. Unë nuk jam i kënaqur me ata që bëjnë shfaqje publike të çarjes së kokave.
Dhe këtu përmend se në një kohë ka pasur njerëz që mblidheshin në një vend të kufizuar, jo para të tjerëve, dhe çanin kokat e tyre pa e shfaqur këtë veprim publikisht. Dhe askush nuk merrej me ta, pavarësisht nëse ky veprim ishte i saktë apo jo; ai ishte i kufizuar dhe jo një shfaqje publike.
Por që disa mijëra njerëz të dalin papritur në një nga rrugët e qytetit të Kumit, Teheranit, apo në ndonjë qytet të Khorasanit apo Azerbajxhanit, duke mbajtur shpata dhe duke çarë kokat e tyre, ky është pa dyshim një veprim i gabuar dhe nuk e pranon imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!). Unë nuk e di nga kanë lindur këto veprime që janë futur në shoqërinë tonë islame.
Ekziston edhe një bidat i çuditshëm që është shpikur kohët e fundit në mënyrën e vizitave (zijareteve). Ju e dini se të gjithë imamët e udhëzimit (Paqja qoftë mbi ta!) kanë vizituar varrin e pastër të Dërguarit të Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe varret e shenjta të Ehli Bejtit në Medinë, Irak dhe Iran. Por a keni dëgjuar ndonjëherë që ndonjë nga imamët apo dijetarët të jetë zvarritur me gjoks nga hyrja e vendvarrimit deri te varri gjatë vizitës?
Nëse ky veprim do të ishte i pëlqyeshëm apo i rekomanduar, atë do ta kishin bërë dijetarët tanë të mëdhenj. Por ata nuk kanë bërë veprime të tilla.
Është transmetuar madje se i ndjeri Ajatullah El-Udhma El-Buruxherdi (Allahu e mëshiroftë!), ai dijetar i devotshëm, muxhtehid i shquar dhe me mendime të ndritura, ka ndaluar madje edhe puthjen e pragut gjatë hyrjes në vendvarrimin e pastër të ndonjërit prej Imamëve (Paqja qoftë mbi ta!), edhe pse një veprim i tillë mund të konsiderohet nga veprat e pëlqyera në librat e lutjeve.
Më kujtohet se ekziston një transmetim që e konsideron të pëlqyeshme puthjen e pragut, por ndoshta i ndjeri Buruxherdi e ndalonte këtë që të mos krijohej përshtypja se është një lloj sexhdeje, të cilën armiqtë mund ta përdornin për të akuzuar shiitët.
Nuk është e drejtë që papritur një grup njerëzish të hyjnë në haremin e pastër të Imam Ali ibn Musa Rizait (Paqja qoftë mbi të!) dhe të zvarriten me gjoks për 200 metra drejt varrit. Jo, ky është një veprim i gabuar, është mosrespekt ndaj fesë dhe ndaj shenjtërisë së vizitës (zijaretit). Kush po i promovon këto gjëra mes njerëzve? Le të ndalen, sepse kjo është punë e armiqve.
Ju duhet t’ua sqaroni këto të vërteta njerëzve, në mënyrë që mendjet e tyre të hapen. Islami është fe racionale, dhe kuptimi shiit i Islamit është më racional se të tjerët. Askush nuk mund t’i akuzojë shiitët për mungesë logjike, sepse dijetarët e tyre të kelamit kanë qenë si diej të ndritshëm në kohën e tyre, qofshin ata që jetuan në kohën e Imamëve, si Mu’min Et-Tak dhe Hisham ibn El-Hakem, ashtu edhe ata që erdhën pas tyre, si familja Neubekht, Shejkh El-Mufijd dhe dijetarë të tjerë të mëdhenj të kelamit shiit, deri te dijetarët e mëvonshëm si Al’lame El-Hil’li dhe të tjerë.
Ne jemi shiitë, njerëz të logjikës dhe të argumentimit racional. Librat e shiitëve janë të mbushur me argumente të forta logjike, si veprat e të ndjerit Sherefuddin, si dhe libri “El-Gadijr” i të ndjerit Al’lame El-Emijnij në kohën tonë, të cilat mbështeten në dëshmi më të forta se çimentoja e armuar.
Ky është shiizmi, e jo ato veprime që nuk mbështeten në asnjë argument dhe që ngjajnë me një lloj supersticioni. Pse po i promovojnë këto veprime? Kjo është një nga rreziqet më të mëdha, ndaj të cilave dijetarët fetarë dhe mbrojtësit e akides duhet të jenë të vëmendshëm.
Unë kam përmendur se mund të ketë njerëz që, nga ndjenja e dhembshurisë, thonë se do të ishte më mirë që filani të mos i trajtonte këto tema në këtë kohë. Por, çështja nuk është kështu. Unë duhej ta trajtoja këtë temë, sepse përgjegjësia ime është më e madhe se e të tjerëve, ashtu siç edhe të tjerët duhet t’i paralajmërojnë njerëzit për këto veprime dhe ju duhet t’i tregoni këto çështje.
Imami i ndjerë, imam Khomeini (Allahu e mëshiroftë!), ai udhëheqës i guximshëm, e përballte me forcë të madhe dhe pa asnjë konsideratë çdo çarje apo devijim që ndjente se po shfaqej. Nëse këto veprime do të ishin të përhapura në atë formë gjatë kohës së tij, ai pa dyshim do të ishte përballur me to dhe do t’i kishte ndaluar.
Disa nga ata që janë të lidhur me këto çështje mund të ndikohen emocionalisht dhe të thonë: pse kjo ftohtësi nga filani ndaj gjërave që ne i kemi për zemër? Pse i trajtoi këto tema me këtë ton? Natyrisht, shumica e tyre janë besimtarë të sinqertë, por megjithatë janë në gabim dhe keqkuptim.
Kjo çështje sjell një përgjegjësi të madhe mbi supet e dijetarëve dhe ligjëruesve kudo që ndodhen. Mexhlisi i zisë për imam Husejn ibn Aliun (Paqja qoftë mbi të!) është një mexhlis që duhet të jetë burim i njohjes dhe i dijes, dhe të dallohet me ato tre elemente që i përmenda më parë.
I lutem Allahut të Madhëruar që t’ju japë sukses, t’ju frymëzojë forcë, guxim dhe seriozitet në ndjekjen dhe shpjegimin e asaj që është në kënaqësinë e Allahut! Dhe, me lejen e Allahut, ju do ta përmbushni këtë detyrë!
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju!
