Qëndrimi i imam Husejnit, biri i imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) në Kerbala ishte më shumë sesa një kapitull i historisë islame. Ai ishte një moment i fuqishëm shpirtëror dhe një qëndrim i guximshëm kundër padrejtësisë. Vendimi i tij për t’u përballur me sundimin e Jezidit nuk buronte nga ambicia politike, por nga përkushtimi për të mbrojtur vlerat themelore morale të Islamit.
Imam Husejni nuk i dha asnjë legjitimitet, qoftë edhe simbolik, regjimit të Jezidit, duke qëndruar besnik ndaj busullës së tij morale të palëkundur. Ai u ngrit me qartësi dhe qëllim për të sfiduar khalifatin e Jezidit, i cili, dikur i bazuar në drejtësi dhe devotshmëri, po shndërrohej në një monarki trashëgimore.
Dhënia e besës Jezidit do të nënkuptonte mbështetjen e mëkateve dhe padrejtësive të tij. Refuzimi i imam Husejnit, edhe me çmimin e jetës së tij dhe të familjes së tij, ishte një qëndrim për të vërtetën para Allahut.
Kerbelaja simbolizon përpjekjen e shpirtit ndërmjet së vërtetës dhe së pavërtetës, ndërmjet nënshtrimit ndaj Allahut dhe dorëzimit para tiranisë.
Hipokrizia dhe heshtja e banorëve të Kufes shërbejnë si një pasqyrë përmes kohës. Imam Husejni mori mijëra letra nga kufianët, të zhgënjyer nga padrejtësia, të cilët e ftonin të udhëhiqte një kryengritje kundër Jezidit.
Kur imam Husejni arriti, qyteti tashmë ishte rrënuar nën peshën e frikës. Guvernatori i Jezidit, Ibn Zijadi, sundonte me dorë të hekurt, duke përdorur kërcënime, ryshfete dhe ekzekutime për të mbajtur të gjithë në heshtje. Të njëjtat duar që dikur kishin shkruar letra mbështetjeje tani qëndronin të palëvizura për hir të vetëruajtjes. Ky tradhtim nuk është vetëm një ngjarje historike; ai është një kujtesë e dobësisë njerëzore që përsëritet në çdo brez.
Sa shpesh e shohim të vërtetën, por zgjedhim të heshtim? Sa shpesh zgjedhim rehatinë në vend që të qëndrojmë pranë bindjeve tona? Siç thotë Kur’ani në suren “El-Ahzab” ajeti 23: “Ndër besimtarët ka burra që e mbajtën besën që i dhanë Allahut…”
Tradhtia e banorëve të Kufes duhet të na kujtojë ata që, edhe pse e njohin të vërtetën, nuk e mbështesin atë dhe nuk veprojnë sipas saj.
Kerbelaja ishte më shumë se një betejë midis dy njerëzve; ishte përballja e dritës me errësirën, përplasja e dy botëve të brendshme. Imam Husejni përfaqësonte të vërtetën, besnikërinë, përkushtimin ndaj Allahut dhe sakrificën më të lartë, ndërsa Jezidi mishëronte egon, mashtrimin dhe etjen e pashuar për pushtet.
Kur’ani thotë: “Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë dhe dhënien ndaj të afërmve, ndërsa ndalon imoralitetin, të keqen dhe padrejtësinë…” (Sure “En-Nahl”, ajeti 90)
Çdo hap që imam Husejni hodhi pasi u largua nga Medina, vendlindja e gjyshit të tij, ishte në përputhje me këtë urdhër të Allahut.
Mesazhi i Kerbelasë nuk është vetëm për t’u kujtuar. Ai është për të na nxitur në veprim. Ngrihu dhe fol! Mos hesht më!
Secili prej nesh mbart brenda vetes edhe Husejnin, edhe Jezidin. Jezidi i brendshëm na josh me rehati dhe frikë, ndërsa Husejni i brendshëm na thërret drejt guximit, pa kompromis dhe pa tërheqje. Siç thotë Kur’ani: “Thuaj: Vërtet, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve.” (Sure “El-En’am”, ajeti 162)
Imam Husejni nuk u ngrit për hakmarrje apo rebelim, por për të mbrojtur rrugën e drejtësisë dhe për të sjellë reformë në umetin e gjyshit të tij. Kjo nuk ishte një lëvizje e udhëhequr nga një figurë e panjohur. Imam Husejni ishte nipi i dashur i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit.”
Dinjiteti në oborrin e tiranisë
Pas ngjarjeve të Kerbelasë, ishte motra e imam Husejnit, Zejneb bint Ali (Paqja qoftë mbi të!), ajo që e çoi përpara mesazhin e tij. Qëndrueshmëria e saj u bë zëri i Kerbalesë, pasi përplasja e shpatave, rrahja e daulleve dhe gjëmimi i kuajve ishin shuar në heshtje.
Kjo na kujton momentin zemërthyes kur familja e Profetit u dërgua në oborrin e Jezidit në Damask. Të privuar nga mbrojtja dhe dinjiteti i tyre, të robëruarit, të udhëhequr nga zonja Zejneb dhe imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi ta!), qëndruan të palëkundur përballë tiranisë.
Fjalët e tyre depërtuan përtej fasadës së pushtetit shtypës, duke u kujtuar madje edhe personaliteteve jomyslimane trashëgiminë e shenjtë dhe peshën morale të Ehli Bejtit. Kjo mbetet një dëshmi e fuqishme se e vërteta, edhe kur plagoset dhe vihet në pranga, ka fuqinë të përulë perandori të tëra.
Pas masakrës së Kerbelasë, gratë dhe fëmijët e mbijetuar, pasardhës të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), u morën robër, u shëtitën nëpër rrugët e Kufes dhe Damaskut dhe më pas u sollën para Jezidit në Sham. Në oborrin e tij, fjalët elokuente dhe sfiduese të zonjës Zejneb rrëzuan pretendimin e tij për fitore. Edhe pse e robëruar dhe e rrethuar nga vuajtjet, ajo qëndroi me dinjitet dhe tronditi vetë themelet e fronit të tij.
Zonja e Madhe Zejneb, mbesa e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), zbuloi zbrazëtinë dhe kotësinë e asaj që Jezidi e quante fitore. Ajo tregoi se fitorja e vërtetë nuk matet me pushtet, forcë apo dominim, por me qëndrimin e palëkundur në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë. Në këtë mënyrë, Kerbelaja vazhdoi të jetonte përmes fjalëve të saj, duke e kthyer humbjen e dukshme në një triumf të përjetshëm moral dhe shpirtëror.
Ajo iu drejtua Jezidit dhe i tha: “A mendon, o Jezid, se duke na rrethuar nga të gjitha anët dhe duke na sjellë si robër para teje, ke fituar pushtet mbi ne dhe se ne jemi poshtëruar? Dije se ditët e tua janë të numëruara dhe krenaria jote do të shuhet. Pasha Allahun, unë nuk shoh veçse bukuri në atë që ka ndodhur. Ata që u martirizuan ishin të destinuar të binin për një kauzë të drejtë, dhe sakrifica e tyre do ta zgjojë këtë umet të fjetur.”
Fjalimi i saj e shndërroi oborrin e Jezidit nga një vend frike në një tribunë gjykimi moral. Ajo e bëri të qartë se vdekja e imam Husejnit nuk ishte humbje, por një fitore e ndërgjegjes.
Drita e Kerbelasë vazhdon të shkëlqejë edhe sot, jo vetëm përmes zisë dhe vajtimit, por edhe përmes zgjimit të njerëzimit dhe frymës së Islamit. Kerbelaja na thërret të jemi dëshmitarë të së vërtetës, të ngrihemi dhe të qëndrojmë kundër padrejtësisë, edhe nëse duhet ta bëjmë këtë të vetëm.
Kerbelaja na kujton se qëndrimi me të vërtetën nuk shkon kurrë dëm, edhe nëse kërkon gjithçka prej nesh. Kerbelaja nuk ka përfunduar, ajo jeton kudo ku dikush refuzon t’i nënshtrohet gënjeshtrës, shtypjes dhe padrejtësisë.
Ajo ekziston kudo ku dikush zgjedh integritetin, etikën dhe moralin përpara kompromisit. Ajo jeton në çdo zemër që vendos të ecë në rrugën e së vërtetës, edhe nëse ajo rrugë kalon përmes zjarrit.
Çdo ditë është Ashura dhe çdo tokë është Kerbela
