Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur përmendim emrin e imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!), ne nuk përmendim vetëm një figurë historike, as vetëm tragjedinë që ka ndodhur në Kerbela. Imam Husejni është simbol i besimit, i drejtësisë, i sakrificës dhe i dinjitetit njerëzor. Për këtë arsye, ai ka fuqinë të bashkojë zemrat e besimtarëve.
Imam Husejni na bashkon sepse ai është simboli i vlerave universale që i duan dhe i respektojnë të gjithë njerëzit e drejtë, pavarësisht kombit, gjuhës apo përkatësisë së tyre feare. Në këtë temë do të përmend pesë pika prej pikave të shumta që na bashkon imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!)
1- Imam Husejni na bashkon në dashurinë për drejtësinë dhe të vërtetën
Imam Husejni u ngrit kundër padrejtësisë dhe tiranisë, duke sakrifikuar gjithçka për të mbrojtur të vërtetën. Çdo njeri që e do drejtësinë gjen veten te mesazhi i imam Husejnit.
Në ajetin 8 të sures “El-Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ لِلَّهِ شُهَدَاءَ بِالْقِسْطِ ۖ …﴾
“O ju që besuat! Bëhuni të qëndrueshëm për Allahun dhe dëshmitarë të drejtësisë.”
(Sure “El-Maide”, ajeti 8)
Kerbelaja ishte përballja mes drejtësisë dhe tiranisë.
Imam Husejni nuk pyeti: “Sa njerëz janë me mua?” Ai pyeti: “Ku është e vërteta?”
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “A nuk e shihni se e vërteta nuk zbatohet dhe se e kota, e pavërteta dhe padrejtësia nuk ndalohet?”
Pikërisht këtu qëndron madhështia e imam Husejnit. Ai na mëson se bashkimi i vërtetë nuk ndërtohet mbi interesat, fisin apo politikën, por mbi drejtësinë dhe të vërtetën.
2- Imam Husejni na bashkon në dashurinë për Profetin dhe Ehli Bejtin
Imam Husejni është nipi i të Dërguarit të Allahut Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Dashuria për të është pjesë e dashurisë për Profetin.
Në ajetin 23 të sues “Esh-Shura” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿… ۗ قُل لَّا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا إِلَّا الْمَوَدَّةَ فِي الْقُرْبَىٰ ۗ …﴾
“Thuaj: Nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për këtë, përveç dashurisë ndaj të afërmve.”
Shumë dijetarë të tefsirit kanë përmendur se ky ajet i referohet dashurisë ndaj Ehli Bejtit të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Dhe imam Husejni është pjesë e këtij Ehli Bejti të bekuar.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin.”
Kur myslimanët e duan Husejnin, ata nuk po ndjekin një rrugë përçarjeje, por po i përgjigjen një thirrjeje kur’anore për dashuri dhe afërsi me familjen e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Imam Husejni është pjesë e Profetit, i cilika thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin.” Hadithin e transmeton Muhammad ibn Isa Et-Tirmidhij)
Në këtë hadith, Profeti Muhamed nuk tha vetëm: “Husejni është prej meje”, sepse kjo ishte e qartë nga lidhja e gjakut. Ai shtoi e tha: “dhe unë jam prej Husejnit”, duke treguar se mesazhi i tij do të ruhej dhe do të mbrohej përmes qëndrimit dhe sakrificës së imam Husejnit. Prandaj, kush e do Profetin, e do edhe Husejnin. Kush e respekton Husejnin, respekton edhe të Dërguarin e Allahut.
3- Imam Husejni na bashkon në mbrojtjen e fesë dhe të vlerave njerëzore
Imam Husejni nuk luftoi për pushtet, por për të ruajtur fenë, dinjitetin dhe moralin.
Ai tha ka thënë: “Unë nuk dola për mendjemadhësi, as për shkatërrim e padrejtësi, por dola për të reformuar umetin e gjyshit tim. Të urdhëroj për mirë dhe të ndaloj nga e keqja.”
Nga kjo thënie kuptojmë se imam Husejni nuk u ngrit për të krijuar ndarje mes myslimanëve. Përkundrazi, ai u ngrit për ta ruajtur fenë nga devijimi, padrejtësia dhe shkatërrimi moral. Pra, misioni i tij ishte përmirësimi i bashkësisë myslimane. Reformat e vërteta gjithmonë synojnë bashkimin mbi të vërtetën. Imam Husejni dëshironte zbatimin e ajetit 103 të sures “Ali Imran” që thotë:
﴿ وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا ۚ …﴾
“Kapuni të gjithë fort pas litarit të Allahut dhe mos u përçani.”
4- Imam Husejni na bashkon se është nipi i profetit Muhamed
Dashuria për imam Husejni është sunnet i Profetit Muhamed, sepse vetë Profeti e donte imam Husejnin. Ai ka thënë: “O Allah! Unë i dua këta të dy, andaj duaji edhe Ti dhe duaji ata që i duan.”
Të gjithë ne e urojmë dhe e dëshirojmë Xhennetitn. A e dini kush janë zotërinjtë e banorëve të Xhennetit? Këtë na e sqaron Profeti ynë i dashur, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshn mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Hasani dhe Husejni janë zotërinjtë e rinisë së Xhenetit.”
Përderisa Profeti e donte imam Husejnin dhe lutej për ata që e duan Husejnin, atëherë dashuria për Husejnin nuk mund të jetë kurrë shkak për ndarje, por është urë dashurie mes zemrave të besimtarëve.
5- Imam Husejni na bashkon se është simbol i sakrificës për Allahun
Në ajetin 23 të sures “El-Ahzab”Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ مِّنَ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا اللَّهَ عَلَيْهِ ۖ…﴾
“Ka prej besimtarëve burra që e mbajtën besën që i dhanë Allahut.“
Imam Husejni dhe shokët e tij janë prej shembujve më të lartë të këtij ajeti. Ata nuk e shitën fenë për jetën e kësaj bote.
Në Kerbela u flijuan pasuria, familja, fëmijët dhe vetë jeta, por nuk u flijuan e vërteta, besimi dhe dinjiteti.
Prandaj, emri i Husejnit prek zemrat e njerëzve të çdo kombi dhe medhhebi, sepse ai përfaqëson vlerat universale të besimit dhe lirisë.
Në Kerbela, pranë imam Husejnit u mblodhën njerëz të moshave, prejardhjeve dhe shtresave të ndryshme, të bashkuar nga besimi dhe besnikëria ndaj së vërtetës. Edhe sot, miliona njerëz mblidhen në përkujtimin e tij, duke lënë mënjanë dallimet dhe duke u bashkuar në dashuri, shërbim dhe vëllazëri.
Kerbela ishte një sprovë e madhe që ndau të vërtetët nga hipokritët.
Edhe sot, imam Husejni na pyet: A do të jeni me të vërtetën edhe kur është e vështirë? A do ta mbroni drejtësinë edhe kur jemi pak? A do ta doni Profetin dhe familjen e tij me vepra dhe jo vetëm me fjalë?
Të dashur vëllezër dhe motra!
Imam Husejni na bashkon në dashurinë për Allahun, për Profetin Muhamed dhe në dashurinë për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!). Na bashkon rreth drejtësisë dhe së vërtetës. Na bashkon rreth sakrificës për Allahun. Na bashkon rreth ruajtjes së fesë, moralit dhe reformimit të ummetit.
Imam Husejni nuk është pronë e një Medhhebi, apo tarikati, apo sekti. Imam Husejni i përket të gjithë muslimanëve, madje të gjithë njerëzve monoteistë, liridashës dhe përkrahës të drejtës e të vërtetës. Imam Husejni na fton të gjithëve që të qëndrojmë së bashku në mbrojtje të së drejtës dhe të njerëzimit.
Të lutemi e të themi: O Allah! Na bashko në dashurinë për Profetin Tënd dhe për familjen e tij të pastër! Na bëj prej atyre që ecin në rrugën e drejtësisë, sinqeritetit dhe sakrificës së imam Husejnit! Na ringjall nën flamurin e Muhamedit, Aliut, Fatimes, Hasanit dhe Husejnit dhe të imamëve të Ehli Bejtit! O Allah! Shpejtoje ardhjen e imam Mehdiut!
