Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të), nipi i të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), është një nga figurat më të ndritura të historisë islame. Kur përmendet emri i tij, shumica e njerëzve kujtojnë menjëherë sakrificën e madhe të Kerbelasë, trimërinë e tij përballë padrejtësisë dhe qëndrimin e palëkundur në mbrojtje të së vërtetës.

Megjithatë, madhështia e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të) nuk qëndronte vetëm në heroizmin e tij në fushën e betejës, por edhe në lidhjen e tij të thellë me Allahun e Madhëruar. Kjo lidhje manifestohej në mënyrë të veçantë përmes dashurisë së tij për namazin, për Kur’anin dhe për duanë.

Jeta e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të) ishte një shembull i gjallë i adhurimit të sinqertë. Ai e shihte namazin jo si një detyrim të zakonshëm, por si takimin më të bukur dhe më të dashur me Krijuesin.

Zemra e tij gjente qetësi vetëm kur qëndronte para Allahut. Namazi ishte forca që e ushqente shpirtin e tij, ishte burimi i durimit të tij dhe sekreti i qëndrueshmërisë së tij në sprovat më të mëdha.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë:

“Lexo atë që të është shpallur nga Libri dhe fale namazin. Vërtet, namazi të largon nga shthurja dhe e keqja.” (Sure El-Ankebut, ajeti 45)

Ky ajet pasqyronte në mënyrë të përsosur jetën e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të). Namazi i tij nuk ishte vetëm një veprim fizik, por një shkollë edukimi shpirtëror që e ngrinte vazhdimisht drejt përsosmërisë.

Ai ishte edukuar në shtëpinë e shpalljes, në prehrin e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), pranë Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të) dhe Fatimesë Zehra (Paqja qoftë mbi të), të cilët e kishin mësuar që adhurimi është çelësi i afërsisë me Allahun.

Dashuria e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të) për namazin u shfaq në mënyrën më të mrekullueshme gjatë ditës së Ashurasë. Edhe pse i rrethuar nga mijëra armiq, edhe pse kishte humbur shumë nga shokët dhe familjarët e tij, ai nuk e harroi asnjë çast obligimin dhe kënaqësinë e namazit. Kur erdhi koha e namazit të drekës në fushën e Kerbelasë, ai kërkoi që namazi të falej në kohën e tij.

Transmetohet se kur njëri nga shokët i kujtoi kohën e namazit, Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) ngriti kokën drejt qiellit dhe tha:

“Na kujtove namazin. Allahu të bëftë prej atyre që e kujtojnë dhe e ruajnë namazin.”

Pastaj ai e fali namazin nën shiun e shigjetave, ndërsa disa prej shokëve të tij sakrifikuan jetën duke qëndruar përpara tij për ta mbrojtur gjatë faljes. Ky moment mbetet një nga skenat më madhështore të historisë islame.

Ai dëshmon se për Imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të), edhe në momentet më të vështira të jetës, lidhja me Allahun ishte mbi gjithçka tjetër.

Ashtu siç e donte namazin, Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) kishte një dashuri të jashtëzakonshme për Kur’anin.

Kur’ani ishte udhërrëfyesi i jetës së tij, drita që ndriçonte rrugën e tij dhe burimi nga i cili merrte urtësi dhe forcë. Ai ishte biri i një familjeje që jetonte me Kur’anin, që e kuptonte thellësisht mesazhin e tij dhe që e zbatonte atë në çdo aspekt të jetës.

Allahu thotë:

“Ky është një Libër që ta kemi zbritur ty, i bekuar, që njerëzit të meditojnë mbi ajetet e tij dhe që të marrin mësim ata që kanë mend.”(Sure Sad, ajeti 29)

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) jo vetëm që e lexonte Kur’anin, por meditonte vazhdimisht mbi kuptimet e tij. Ai i mishëronte në praktikë urdhrat dhe vlerat e librit të Allahut. Drejtësia e tij ishte drejtësia e Kur’anit. Durimi i tij ishte durimi i Kur’anit. Sakrifica e tij ishte sakrifica që frymëzohet nga Kur’ani.

Në natën para Ashurasë, kur armiku po përgatitej për sulmin përfundimtar, Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) kërkoi një natë shtesë. Ai nuk e kërkoi këtë kohë për të përgatitur armë apo strategji ushtarake. Ai kërkoi kohë për të falur namaz, për të lexuar Kur’an dhe për t’iu lutur Allahut.

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) tha:

“Unë e dua namazin për Allahun, leximin e Librit të Tij dhe lutjen e shumtë e kërkimin e faljes.”

Kjo fjali na zbulon zemrën e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të). Edhe kur e dinte se agimi i së nesërmes do ta sillte martirizimin e tij, ai dëshironte ta kalonte natën në adhurim.

Tenda e tij dhe tendat e shokëve të tij u mbushën me zërat e leximit të Kur’anit, tesbihut dhe lutjeve. Historianët përshkruajnë se nga kampi i imamit dëgjohej një murmurimë e vazhdueshme si gumëzhima e bletëve, ngaqë të gjithë ishin të angazhuar në adhurimin e Allahut.

Dashuria për Kur’anin nuk ishte vetëm një praktikë individuale për Imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të), por edhe një mision shoqëror. Ai u ngrit kundër sundimit të Jezidit pikërisht sepse pa se mësimet e Kur’anit po shtrembëroheshin dhe po harroheshin.

Revolucioni i Kerbelasë ishte në thelb një përpjekje për ta mbrojtur Kur’anin nga keqpërdorimi dhe për ta rikthyer shoqërinë islame tek vlerat autentike të shpalljes hyjnore.

Një tjetër dimension i jashtëzakonshëm i jetës së Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të) ishte dashuria e tij për duanë (lutjen). Ai ishte një njeri që fliste vazhdimisht me Allahun. Në çdo gjendje, në gëzim apo vështirësi, në qetësi apo sprovë, ai e mbante zemrën të lidhur me Krijuesin.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe Zoti juaj ka thënë: ‘Më lutuni Mua, e Unë do t’ju përgjigjem.’” (Sure Gafir, ajeti 60)

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) e kuptonte se duaja është arma e besimtarit dhe ura që lidh robin me Zotin e tij. Një nga trashëgimitë më të çmuara që ai i ka lënë umetit islam është Duaja e Arafatit. Kjo dua madhështore, e lexuar në ditën e Arafatit, konsiderohet një nga tekstet më të thella të spiritualitetit islam.

Në këtë lutje, Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të) shpreh falënderimin e tij ndaj Allahut për çdo begati që i është dhënë njeriut, që nga krijimi në barkun e nënës deri tek udhëzimi drejt besimit. Çdo fjali e saj pasqyron njohjen e thellë të Allahut dhe përulësinë e një robi që e sheh veten gjithmonë nevojtar për mëshirën hyjnore.

Ai thotë në një pjesë të kësaj lutjeje:

“O Zoti im! Çfarë ka humbur ai që të ka gjetur Ty? Dhe çfarë ka gjetur ai që të ka humbur Ty?”

Këto fjalë përmbledhin gjithë filozofinë e jetës së Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të). Ai e dinte se pasuria e vërtetë nuk është në këtë botë, por në afërsinë me Allahun. Prandaj ai ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për hir të Tij.

Kur analizojmë jetën e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të), kuptojmë se sekreti i madhështisë së tij qëndronte në lidhjen e tij të pandërprerë me Allahun. Namazi i jepte forcë, Kur’ani i jepte udhëzim dhe duaja i jepte qetësi. Këto tre shtylla e formuan personalitetin e tij dhe e përgatitën për misionin e madh të Kerbelasë.

Në kohën tonë, kur shumë njerëz kërkojnë qetësi shpirtërore, lumturi dhe siguri, jeta e Imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të) na ofron një mësim të vyer. Ai na mëson se zemra nuk gjen prehje në pasuri, famë apo pushtet, por në përmendjen e Allahut.

Namazi, leximi i Kuranit dhe duaja janë burimet më të sigurta të dritës shpirtërore dhe të suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër.

Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra!

Kur përkujtojmë Imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të), nuk duhet të kujtojmë vetëm sakrificën e tij në Kerbela, por edhe netët e tij të mbushura me namaz, ditët e tij të ndriçuara nga Kur’ani dhe lutjet e tij të sinqerta drejtuar Allahut.

Vetëm atëherë do ta kuptojmë plotësisht madhështinë e këtij imami të bekuar, i cili me jetën dhe shembullin e tij vazhdon të udhëheqë zemrat e besimtarëve drejt adhurimit, devotshmërisë dhe afërsisë me Allahun e Madhëruar.

MA. Isra Merja