Hyrje

Në mesin e virtyteve që Islami i ka ngritur në shkallët më të larta të moralit, e vërteta zë një vend të veçantë dhe themelor. Ajo nuk është vetëm një cilësi e bukur e besimtarit, por baza mbi të cilën ndërtohen besimi, morali dhe çdo vepër e mirë. Kur’ani Famëlartë dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të Imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) e paraqesin të vërtetën si një virtyt që e afron njeriun me Allahun, e zbukuron karakterin e tij dhe e dallon atë nga hipokrizia dhe gënjeshtra. Përmes saj, besimtari fiton besueshmëri, përmbush amanetin, ruan dinjitetin e tij dhe ecën në rrugën e drejtë që Allahu ka caktuar për robërit e Tij.

Kjo temë na fton të meditojmë mbi vlerën e jashtëzakonshme të së vërtetës në dritën e Kur’anit Famëlartë dhe haditheve, duke treguar se ajo është një cilësi e Allahut të Madhëruar, një tipar i profetëve, një virtyt i besimtarëve të sinqertë dhe një themel mbi të cilin ndërtohen të gjitha cilësitë e mirësisë. Njëkohësisht, ajo na paralajmëron për rrezikun e madh të gënjeshtrës, e cila shkatërron besimin dhe e largon njeriun nga rruga e drejtë. Prandaj, njohja e vlerës së të vërtetës dhe përpjekja për ta zbatuar atë në fjalë, në vepra dhe në përmbushjen e amanetit është një nga përgjegjësitë më të mëdha të çdo besimtari që synon kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe shpërblimin e Tij.

——— ———- ——- ——- —–

Është transmetuar nga Ebu Kehmesi, i cili tregon: I thashë Imam Xha’fer Sadikut (Paqja qoftë mbi të!): “Abdullah ibn Ebi Ja’furi të dërgon selame.” Imami u përgjigj: “Paqja qoftë mbi ty dhe mbi të! Kur ta takosh Abdullahun, përcillja selamin tim dhe thuaji: ‘Xha’fer ibn Muhamedi të thotë: Shikoje me kujdes se me çfarë arriti Aliu (Paqja qoftë mbi të!) pozitën që kishte pranë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe përmbaju asaj. Vërtet, Aliu e arriti atë pozitë pranë të Dërguarit të Allahut vetëm falë të vërtetës në të folur dhe përmbushjes së amanetit.’”

Vetëm ky hadith mjafton për të na treguar madhështinë e së vërtetës dhe vendin që ajo zë në jetën e besimtarit. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), i cili gëzonte pozitën më të lartë pranë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nuk e arriti këtë gradë përmes pasurisë, pozitës apo ndonjë përparësie tjetër materiale, por përmes dy cilësive madhështore: të vërtetës në të folur dhe përmbushjes së amanetit.

Së pari: Vlera e të vërtetës në hadithe

E vërteta është një nga virtytet më të larta dhe më madhështore morale. Ajo përbën burimin e shumë cilësive të mira etike dhe është themeli mbi të cilin ndërtohet morali i besimtarit. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar besimtarët që të jenë të vërtetë në të gjitha gjendjet e tyre dhe në çdo aspekt të jetës.

Në porosinë që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ia dha Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), thuhet:

“O Ali! Po të porosis me disa cilësi për veten tënde, prandaj ruaji mirë prej meje.”

Pastaj tha:

“O Allah, ndihmoje atë! E para prej tyre është e vërteta. Mos lejo që nga goja jote të dalë kurrë një gënjeshtër…”

Fakti që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e vendosi këtë porosi në krye të të gjitha porosive të tjera tregon qartë rëndësinë e veçantë që ka e vërteta. Ajo nuk është thjesht një cilësi e mirë, por një parim themelor mbi të cilin ndërtohet personaliteti i besimtarit dhe morali i tij.

Po ashtu, janë transmetuar shumë hadithe të tjera që dëshmojnë për rëndësinë dhe vlerën e së vërtetës. Ndër to është edhe fjala e Imam Xha’fer Sadikut (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:

“Ftojini njerëzit drejt së mirës jo vetëm me gjuhët tuaja, por me veprat tuaja, që ata të shohin tek ju përpjekjen, të vërtetën dhe devotshmërinë.”

Ky hadith na mëson se e vërteta nuk kufizohet vetëm në fjalët që shqiptojmë. Ajo duhet të shfaqet edhe në veprat tona, në mënyrën se si jetojmë dhe në sjelljen tonë të përditshme, derisa njerëzit ta shohin atë të mishëruar në karakterin dhe moralin tonë.

Gjithashtu është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë:

“Vërtet, më i afërti me mua nesër (në Ditën e Kiametit) dhe ai që ka më shumë të drejtë për ndërmjetësimin (shefatin) tim, është ai që është më i vërtetë në të folur, më besniku në përmbushjen e amanetit, më i miri në moral dhe më i afërti me njerëzit.”

Ky hadith përmbledh disa nga virtytet më të larta të besimtarit, por në mesin e tyre përmendet fillimisht e vërteta në të folur. Kjo tregon se sinqeriteti dhe e vërteta janë ndër cilësitë më të dashura tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), aq sa njeriu që stoliset me to bëhet më i afërti me të Dërguarin e Allahut në Ditën e Kiametit dhe më i denji për shefatin e tij.

Së dyti: Rreziku i gënjeshtrës

Nëse e vërteta qëndron në majën e virtyteve dhe përbën themelin mbi të cilin ndërtohet morali i besimtarit, atëherë gënjeshtra qëndron në majën e veseve dhe është një nga cilësitë më të rrezikshme prej së cilës besimtari duhet të ruhet. Sa më e lartë të jetë vlera e së vërtetës, aq më i madh është dëmi që sjell e kundërta e saj. Për këtë arsye, feja islame e ka paralajmëruar njeriun me theks të veçantë për rrezikun e gënjeshtrës dhe pasojat që ajo sjell në jetën e individit dhe në besimin e tij.

Imam Muhamed El-Bakir (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Allahu i Madhëruar i ka vënë të keqes dryna, ndërsa çelësat e atyre drynave i ka bërë pijen dehëse; por gënjeshtra është edhe më e keqe se pija dehëse.”

Ky hadith tregon qartë se gënjeshtra nuk është thjesht një gabim i zakonshëm, por një ves tepër i rrezikshëm, i cili mund ta çojë njeriun drejt shumë të këqijave të tjera. Nëse pija dehëse është cilësuar si çelësi i shumë mëkateve, atëherë fakti që gënjeshtra përshkruhet si edhe më e keqe se ajo tregon peshën dhe rrezikun e saj të madh.

Po ashtu, Imam Muhamed El-Bakir (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Gënjeshtra është shkatërrimi i besimit.”

Kjo fjalë e shkurtër përmbledh një të vërtetë shumë të madhe. Besimi ndërtohet mbi sinqeritetin dhe të vërtetën, ndërsa gënjeshtra e dobëson dhe e shkatërron atë. Sa më shumë që njeriu mësohet me gënjeshtrën, aq më tepër largohet nga besimi i pastër dhe nga morali që Allahu dëshiron për robërit e Tij.

Po ashtu është transmetuar se Imam Ali Err-Rrida (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u pyet:

“A mund të jetë besimtari frikacak?”

Ai tha:

“Po.”

U pyet:

“A mund të jetë koprrac?”

Ai tha:

“Po.”

Pastaj u pyet:

“A mund të jetë gënjeshtar?”

Ai tha:

“Jo.”

Ky hadith tregon qartë pozitën që zë e vërteta në jetën e besimtarit. Edhe pse një besimtar mund të ketë disa dobësi njerëzore, gënjeshtra nuk mund të jetë pjesë e karakterit të tij, sepse ajo bie ndesh me vetë themelin e besimit.

  • Vlera e të vërtetës në Kur’anin Famëlartë

Pas haditheve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të Imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), edhe Kur’ani Famëlartë i ka kushtuar një rëndësi të jashtëzakonshme virtytit të së vërtetës. Ky virtyt i lartë moral është një nga cilësitë më madhështore që trajton Kur’ani dhe është prej atyre cilësive që rrallëherë gjenden te një njeri pa u shoqëruar edhe me moral të mirë.

E vërteta është një nga cilësitë mbi të cilat ndërtohen shumë virtyte të tjera, ashtu siç u përmend edhe më parë. Për këtë arsye, Kur’ani Famëlartë e ka trajtuar këtë çështje në forma të ndryshme dhe nga këndvështrime të shumta, gjë që dëshmon rëndësinë e jashtëzakonshme që ajo ka në jetën e besimtarit.

Duke shqyrtuar ajetet kur’anore që flasin për këtë temë, mund të nxjerrim disa përfundime të rëndësishme, të cilat tregojnë pozitën e së vërtetës në fenë islame dhe në jetën e njeriut.

Ndër to janë:

1- E vërteta është një nga cilësitë e Allahut

Allahu i Madhëruar thotë:

“Thuaj: ‘Allahu ka thënë të vërtetën. Prandaj ndiqni fenë e Ibrahimit, i cili ishte i përkushtuar vetëm ndaj Allahut dhe nuk ishte prej idhujtarëve.’”[1]

Dhe:

“E kush është më i vërtetë në fjalë se Allahu?”[2]

Allahu i Madhëruar thotë:

“Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij. Ai pa dyshim do t’ju tubojë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka asnjë dyshim. E kush është më i vërtetë në fjalë se Allahu?”[3]

2- E vërteta është një nga cilësitë e profetëve

Një nga cilësitë më të larta të të dërguarve të Allahut është e vërteta. Kur’ani Famëlartë i përshkruan disa prej tyre me këtë cilësi.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe përmende në Libër Ibrahimin. Ai ishte njeri shumë i vërtetë dhe profet.”[4]

Dhe:

“Dhe përmende në Libër Ismailin. Ai ishte i vërtetë në premtimin e tij dhe ishte i dërguar e profet.”[5]

Dhe:

“Dhe përmende në Libër Idrisin. Ai ishte njeri shumë i sinqertë dhe pejgamber. Dhe Ne e ngritëm atë në një pozitë të lartë.”[6]

Ndërsa në suren “Jusuf” thuhet:

“O Jusuf, o ti shumë i vërtetë!”[7]

3- E vërteta është një nga cilësitë e robëve besimtarë të Allahut

Allahu i Madhëruar i ka përshkruar robtë e Tij besimtarë me shumë cilësi dhe virtyte të larta. Një nga më madhështoret ndër to është e vërteta.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Ndër besimtarët ka burra që e kanë përmbushur besëlidhjen që i dhanë Allahut. Disa prej tyre e përmbushën plotësisht zotimin e tyre (duke rënë dëshmorë), ndërsa të tjerët janë ende në pritje, dhe ata nuk e kanë ndryshuar aspak besëlidhjen e tyre. Që Allahu t’i shpërblejë të vërtetët për të vërtetën e tyre, e t’i ndëshkojë hipokritët, nëse do, ose t’ua pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[8]

Gjithashtu Ai thotë:

“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, pastaj nuk dyshojnë dhe luftojnë me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut. Pikërisht këta janë të vëertetët.”[9]

4- E vërteta përmbledh të gjitha cilësitë e mirësisë (el-birr’rru)

Allahu i Madhëruar thotë:

“Mirësia nuk është që t’i ktheni fytyrat tuaja nga lindja ose perëndimi, por mirësia e vërtetë është e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe pejgamberët; që jep nga pasuria e tij, edhe pse e do atë, për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët, lypësit dhe për lirimin e robërve; që e fal namazin dhe e jep zekatin; që i përmbush premtimet kur premton; dhe që tregon durim në varfëri, në vështirësi dhe në kohë lufte. Këta janë ata që kanë qenë të vërtetë dhe pikërisht këta janë të devotshmit.”[10]

Lidhur me fjalën e Allahut të Madhëruar:

“Këta janë ata që kanë qenë të vërtetë.”[11]

Ky ajet e përmend të vërtetën në mënyrë të përgjithshme, pa e kufizuar atë në ndonjë vepër të caktuar të zemrës apo të gjymtyrëve. Kjo do të thotë se ata janë besimtarë të vërtetë, të sinqertë në besimin e tyre.

Ky është një përshkrim gjithëpërfshirës që përmbledh të gjitha virtytet e dijes dhe të veprës. E vërteta është një cilësi morale që shoqëron të gjitha virtytet e tjera, si ndershmëria dhe dëlirësia, trimëria, urtësia, drejtësia dhe të gjitha degët që burojnë prej tyre.

Njeriu nuk ka tjetër përveç besimi, fjalës dhe veprës. Kur ai është i vërtetë, këto të trija përputhen plotësisht. Ai nuk vepron ndryshe nga ajo që thotë dhe nuk thotë ndryshe nga ajo që beson.

Njeriu është krijuar me një natyrë të pastër (fitre), e cila e pranon të vërtetën dhe i nënshtrohet asaj në brendësinë e tij, edhe nëse ndonjëherë e shfaq të kundërtën nga jashtë. Kur ai e pranon të vërtetën dhe tregohet i sinqertë ndaj saj, atëherë flet sipas bindjes së tij dhe vepron sipas fjalës së tij. Në këtë mënyrë, ai arrin besimin e pastër, moralin e lartë dhe veprën e mirë.[12]

5- Kur’ani i ndan njerëzit në të vërtetë dhe hipokritë

Allahu i Madhëruar thotë:

“Që Allahu t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre, ndërsa hipokritët t’i ndëshkojë, nëse dëshiron, ose t’ua pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[13]

Ky ajet tregon se njerëzit ndahen në dy kategori: të vërtetët dhe hipokritët.

Besimi e ka themelin në të vërtetën, ndërsa hipokrizia e ka themelin në gënjeshtër. Prandaj, gënjeshtra dhe besimi nuk mund të bashkëjetojnë, sepse secila prej tyre lufton tjetrën.

Me “të vërtetët” që përmenden në Kur’an synohen ata që e kanë dëshmuar të vërtrtën dhe përkushtimin e tyre në mbrojtjen e fesë së Allahut, në xhihad, në qëndrueshmërinë përballë vështirësive dhe në sakrifikimin e jetës dhe pasurisë në rrugën e Allahut, siç u përmend më parë në suren “El-Huxhurat”.

6- Madhështia e shpërblimit për njerëzit e sinqertë

Allahu u ka premtuar të vërtetëvr shpërblimin më të madh dhe mirësitë më të larta. Kjo për shkak të madhështisë së këtij virtyti me të cilin janë stolisur dhe të kësaj cilësie fisnike që i karakterizon.

Madje, Allahu ua ka caktuar të vërtetëve (es-siddikun) një pozitë menjëherë pas profetëve dhe i ka bërë ata pjesë të atyre mbi të cilët ka derdhur mirësinë e Tij. Allahu u ka premtuar atyre që i binden Atij dhe të Dërguarit të Tij, pra njerëzve të besimit dhe të vilajetit, se do të jenë shokë të tyre në Xhennet.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit, ata do të jenë së bashku me ata që Allahu i ka begatuar: pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe të mirët. Sa shokë të mrekullueshëm janë ata!”[14]

Ky ajet i ndan ata që Allahu i ka begatuar në katër grupe:

  1. Profetët.
  2. Të vërtetët (es-siddikun).
  3. Dëshmorët.
  4. Të mirët (es-salihun).

Përmendja e këtyre katër grupeve mund të jetë një tregues i katër fazave të ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, të përparuar dhe besimtare.

Faza e parë: Ngritja e profetëve me thirrjen e tyre hyjnore.

Faza e dytë: Veprimtaria e të vërtetëve, fjalët e të cilëve përputhen me veprat e tyre, për përhapjen e thirrjes hyjnore.

Faza e tretë: Faza e xhihadit dhe e martirizimit në përballje me elementët e këqij dhe kundërshtarët e së vërtetës në shoqëri.

Faza e katërt: Është faza e shfaqjes së të drejtëve (es-salihin) në një shoqëri të pastër, e cila gëzon vlera dhe ideale të larta njerëzore. Kjo fazë është fryt i përpjekjeve dhe sakrificave të bëra në fazat e mëparshme.

Besimtarët, çdo ditë, në suren “El-Fatiha”, i luten Allahut në mëngjes e në mbrëmje që t’i bëjë pjesë të rrugës së këtyre katër grupeve: rrugës së profetëve, rrugës së të vërtetëve (es-siddikun), rrugës së dëshmorëve dhe rrugës së të drejtëve (es-salihin).

Është e qartë se në çdo periudhë kohore ne duhet të ngrihemi për të përmbushur përgjegjësinë tonë dhe të kryejmë misionin që na takon.[15]

Këtë e sqaron edhe ajeti fisnik i sures “En-Nisa”, ku Allahu i Madhëruar thotë:

“Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit, ata do të jenë së bashku me ata që Allahu i ka begatuar: pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe të drejtët. Sa shokë të mrekullueshëm janë ata!”[16]


[1] Sure “Ali Imran”, ajeti 95.

[2] Sure “En-Nisa”, ajeti 122.

[3] Sure “En-Nisa”, ajeti 87.

[4] Sure “Merjem”, ajeti 41.

[5] Sure “Merjem”, ajeti 54.

[6] Sure “Merjem”, ajetet 56–57.

[7] Sure “Jusuf”, ajeti 46.

[8] Sure “El-Ahzab”, ajetet 23–24.

[9] Sure “El-Huxhurat”, ajeti 15.

[10] Sure “El-Bekare”, ajeti 177.

[11] Sure “El-Bekare”, ajeti 177.

[12] Muhamed Husejn Et-Tabatabaij, “Tefsir El-Mijzan”, vëll. 1, f. 430, botuar nga Instituti i Botimeve Islame pranë Shoqatës së Mësuesve të Kumit.

[13] Sure “El-Ahzab”, ajeti 24.

[14] Sure “En-Nisa”, ajeti 69.

[15] Nasir Mekarim Shirazi, “El-Emthel fi Tefsiri Kitabi’llahil-Munzel”, vëll. 1, f. 59.

[16] Sure “En-Nisa”, ajeti 69.